Përmendoret e rrugës së drejtë

Përmendoret e rrugës së drejtë

Vështrimet e tyre janë tërësorë; shohin drejtë, mendojnë drejtë dhe çdo veprim e kanë të lidhur vetëmse me mendimin për të drejtën. Të gjitha ulje-ngritjet e egove dhe të natyrës së tyre njerëzore vërtiten veçse rreth këtij parimi thelbësor. Në çastin e duhur ata e drejtojnë vullnetin dhe vetëdijen e tyre për të medituar rreth botës së tyre të brendshme, duke e vënë në kontroll natyrën e tyre origjinare; dhe menjëherë pas saj e drejtojnë atë përtej, shumë përtej, nga Allahu (xh.xh.), për t’i treguar Atij shqetësimet e tyre; i luten, i hapin zemrën e tyre dhe, me ngashërim, e rifreskojnë edhe njëherë përbetimin e tyre, duke i ulur fytyrat përdhe, për t’i treguar se janë të vetëdijshëm për vendin e tyre përpara Allahut (xh.sh.). Janë të ndërgjegjshëm që janë secili nga një pasqyrë e Allahut, i Cili është Samed – nuk ka nevojë për askënd, por gjithçka ka nevojë për Të – dhe se çdo anë e kënd i kësaj gjithësie është krijuar si një përmbledhje e tërë kohë-hapësirës.

Këta lloj njerëzish përpëliten vetëm si e si që të jenë në çdo grimëçast duke vepruar në përputhje të plotë me qëllimin e krijimit të tyre, me mendime të kësaj thellësie në mendjet e tyre... e kontrollojnë shumë shpesh botën e tyre shpirtërore... përballen me veten... tregohen të zgjuar dhe vigjilentë ndaj çdo mundësie që mund t’ua ndotë mendimet... bien e ngrihen vetëmse me shqetësimin se mund të kenë lejuar që t’u nxihet ndonjë anë e zemrës apo t’u zërë ndryshk ndonjë qosh i shpirtit... shumë herë i kaplon shqetësimi se “i ndotëm ato”, por ngarendin menjëherë për t’iu drejtuar Allahut, më të Drejtit, që t’i pastrojë... dhe janë vazhdimisht të shqetësuar dhe të kapluar nga një vuajtje e thellë shpirtërore, se mund të mos jenë duke e përdorur siç duhet, me të njëjtin seriozitet, mundësinë që u është njohur për të arritur në shkallët e “natyrës më të lartë”.

Të tillë njerëz, nuk lejojnë, jo vetëm që portat e imagjinatës t’u mbeten sadopak të hapura ndaj gjërave negative e të papëlqyeshme, por edhe përballë njollës më të vogël në ëndrrat e tyre, ndryshkut e të ndonjë çasti fantazie, por edhe përballë ndonjë hijeje a mjegulle të gjërave që duken sikur qëndrojnë ndërmjet atyre u dridhet buza e përpëliten dhe kërkojnë në çdo çast arsye të reja për t’iu drejtuar edhe njëherë tjetër Allahut (xh.sh)... dhe duart i kanë çdoherë të hapura kah porta e mëshirës dhe faljes, që hë, kur të trokasin edhe njëherë, që të mos mbeten pas nga engjëjt.

Duke qenë se secili prej tyre është nga një hero i afërsisë me Allahun, i dashuruar pas ritakimit edhe njëherë me Të, edhe rruga e tyre është rruga e të djegurve nga dashuria dhe dëshira për t’u takuar me Allahun (xh.sh.). Po, sepse kjo duhet të jetë trajektorja që të çon drejt gjendjes së të ndjerit shumë pranë Allahut, sikur të ishe aty, përballë Tij, duke kapërcyer çdo hap të largësisë në të cilën gjenden si pasojë po e vetë atyre!.. Të gjithë ata që janë shkrirë me horizontin e shkrirjes së çdo grimce akulli në shpirt, për të shkuar pranë Krijuesit, përmes një përpjekjeje dhe përkryerjeje të tillë kanë kaluar; ndërsa ata që janë penguar dhe kanë ngecur në rrjetën e trupit dhe dëshirave të kësibotshme të tij nuk kanë përparuar dot as edhe një hap më tej, duke mbetur të izoluar përjetësisht.

Ata që e lanë pas vetes hijen e tyre, si dje edhe sot, dhe që ecin me fytyrat të drejtuara kah dielli, janë përballur me vetveten në të tjera thellësi, por vazhdimisht, pa ndërprerjen edhe më të vogël; janë dridhur e janë përpëlitur nga frika dhe shqetësimi për rrëshqitjen që mund të kenë pasur në zemrën, shpirtin, mendimet, apo imagjinatën e tyre; kanë vajtuar pa pra dhe i janë përgjëruar vetëm Atij, Ja Rabb!, duke ia lënë amanet gjuhës tërë ndjenjat, emocionet dhe shqetësimet që kanë pasur. Ata janë bërë udhëtarë të pandarë të rrugës së profetëve, të cilët çdo minutë të jetës kanë rravguar vetëm si e si që të shkrihen në Allahun (xh.sh.), njësoj si yjet që vinin rretheanash Atij, Njeriut të Përkryer, Hënës Shkëlqyese të njerëzimit (pqmT), duke u lënë atyre që erdhën pas një udhëzues sjelljesh që nuk të lë të biesh kurrsesi në zhgënjim. Të hapur e paçin rrugën përherë dhe Zoti, më Mëshirploti i Mëshiruesve, na bëftë edhe ne prej udhëtarëve të asaj rruge!..

Tani, nëse doni, le t’i afrohemi, le t’i hapim paksa portat tona për të parë Atë që ishte pishtari i vetëm si Ai i këtij rrugëtimi të përndritur, atij që ishte më i shtrenjti dhe më i qashtri ndër të shtrenjtë e ndër të qashtër, më të zgjedhurit ndër të zgjedhur, Atij Udhërrëfyesi që vetëm Ai dallon nga kushdo për t’u treguar me gisht – patjetër, me kushtin që e vërteta e kësaj gjëje është e mundur veçse në shkallën e një pike uji në oqean.

Shpirti më i Lartë e Bujar, i Cili ishte nga më të afërmit me Allahun ndër të afërm, me atë shpirt aq të thellë dhe me sjelljet dhe kujdesin e veçantë që tregonte, me një gatishmëri të veçantë në agim dhe me një drejtim të pjekur ndaj Allahut në mbrëmje, ia hapte Allahut shpirtin dhe i thoshte: “O Zot! Unë të shoh të pastër prej çdo lloj mangësie. – Mëkati nuk kishte bujtur as si mysafir në ëndrrat e tij – Të lutem që të m’i falësh mëkatet dhe të më marrësh në mëshirën Tënde!..” [1] U tregonte ndjekësve të Tij rrugën e kontrollimit të vetes dhe, me një thjeshtësi marramendëse, shfaqte një sjellje të përsosur të njeriut të frikësuar nga Allahu (xh.sh.).

Edhe në ato minuta kur dita e re rrëshket drejt dritës së agut, me vajtimet e Tij, që i buronin prej shpirtit dhe dukej sikur ishin njëherazi edhe thirrje për zemërhumburit që e kanë lëshuar veten në gjumin e vdekjes dhe për t’i paralajmëruar midisësit – atyre që nuk mund t’i vësh dot as në këtë as në atë anë – duke e prekur portën e mëshirës me fjalët: “O Zot! Te Ti kërkoj mbrojtje që të mos i bëj padrejtësi askujt dhe të mos bie pre e padrejtësive të të tjerëve; që të mos e teproj, duke e kaluar cakun, por edhe që të mos ia shkel të drejtat askujt, por edhe që të mos më shkelet e drejta prej të tjerëve; prej gabimeve dhe prej rënie në mëkatet që nuk falen.” [2] Ah sikur ta kishim ne vetëm çerekun e kësaj hapjeje të shpirtit dhe të gjendej edhe te drejtuesit tanë!..

Para profetësisë së Tij dhe pasi u nderua me detyrën e profetësisë, në çdo periudhë të viteve të jetës, edhe pse i kishte marrë egon dhe dëshirat e tij trupore çdo agim të ri Ai e priste me një sjellje të re shembullore për nga përkryerja, dukë thënë: “O Zot, nëse Ti më lë vetëm me egon time, do të më kesh shtyrë drejt një dobësie të papërballueshme, pre të një nevoje shkatërrimtare dhe mëkateve e gabimeve të pacaktuara.” Duke qenë se të gjitha fjalët e Tij ishin frymë e një shpirti të përkushtuar, pasi thoshte këto fjalë, ai e përmbylljte drejtimin e Tij kah Allahu (xh.xh.) me këto fjalë: “Unë vetëm e vetëm te mëshira Jote kam besim, falmi mëkatet – shpirti im të qoftë falë, cilin mëkat?!. – sepse vetëm Ti, Ti je Ai që mund t’i falë mëkatet!” [3]

Dhe e hapte shpirtin pandërprerë, thoshte: “O Zot, më mbro mua prej të keqes që më vjen prej egos dhe djallit; vetëm te Ti mund të kërkoj mbrojtje prej të këqijave që më bëjnë mua, apo që mund të detyrojnë ndonjë mysliman që të kryejnë.” [4] – për t’u përballur me egon dhe djallin, të cilat as që mund të hynin dot as në imagjinatën e Tij. Dhe i përsëriste plot katër herë këto përgjërime të shpirtit. Jetët tona i qofshin kurban kësaj vigjilence të pashoqe; nuk mjaftohej vetëm me këto, por me dorën në portën e mëshirës dhe ruajtjes dhe udhëzimit të njerëzve, përgjërohej në lutje: “ O Zoti im që i jep jetë gjithçkaje dhe që gjithçka e mban Ti në këmbë, po të kërkoj ndihmë duke përdorur si ndërmjetëse mëshirën Tënd; ma paqëto çdo gjendje timen dhe mos më lër vetëm për vetëm me veten time as sa një pulitje e syve!” [5] T’u hyjë mirë në sytë e verbër e në veshët e shurdhër të të gjithë atyre që e kalojnë jetën bjer e ngrihu nga balta!..

Kundër egos dhe dëshirave të trupit – edhe pse mund të ishin me kilometra larg prej Tij – Ai ishte aq i ndjeshëm dhe delikat, saqë nuk patën mundur që të hidhnin dot hije mbi këtë anë të ndritur të jetës së Tij as me mundësinë një në një milion dhe as që e hidhnin dot!.. Ne prapë, të themi “le të jetë një mësim për ne, robërit e ngratë të kësaj pune” dhe, duke bërë një hap pas, t’ia vëmë edhe njëherë veshin e t’i dëgjojmë mirë këto lutje dhe përgjërime të Tijat drejtuar Allahut (xh.sh.): “O Zot! Vetëm te Ti kërkoj mbrojtje prej të keqes që mund të më vijë prej ndonjërës nga krijesat, egon dhe frerët e së cilës janë në dorën Tënde.” [6] O Zot, ç’ndjeshmëri dhe ç’ndjenjë e thellë vigjilence është kjo kështu!..

As armiqtë më të paepur nuk patën treguar, nuk patën arritur dot që të tregonin paturpësinë për t’i mveshur Atij edhe më të voglin turp. Si para profetësisë, ashtu edhe pas shpalljes së saj, Ai njihej si më i besueshmi i të besueshmëve dhe ashtu e quanin të gjithë njerëzit me mes veti. Mirëpo vështrojeni pak se sa i lartë ndër të lartë ishte horizonti i Tij, saqë, sikur të kishte ndonjë të metë, a ndonjë turp të kryer – ne le të themi se e kishte edhe si mësim për ata që nuk kishin arritur dot që të fitonin një edukatë – lutej dhe kërkonte pareshtur: “O Zot, mbulomi të gjitha turpet dhe më jep besim që të mos i trembem asnjë frike apo shqetësimi!” [7] Kishte një zemër që i dridhej nga frika dhe droja që kishte karshi Krijuesit të Tij dhe Ai në këtë mënyrë po u ilustronte edhe atyre që do të vinin pas Tij se cili është itinerari që të çon drejt virtytit të vërtetë.

Edhe kur flinte, të thuash “se Ai flinte si të gjithë njerëzit” do të thotë të tregosh mungesë respekti karshi Tij. Sepse Ai thoshte: “Sytë e mi flenë, por zemra ime jo.” [8] Edhe në këtë çështje ishte Ai që ia vinte pikën çështjes. Mirëpo ky shpirt i vyer mbi engjëj, edhe kur i drejtohej të Drejtit dhe i thoshte: “Thashë ‘Bismil’lah’ dhe u shtriva brinjas... O Zot, pastroma mëkatin dhe pritja zërin djallit tim, çliromë mua prej pengmarrjes së tij dhe pranomë edhe mua në mesin atyre që kanë pozitën më të lartë pranë Teje!..” [9] pavarësisht pozitës së Tij të veçantë, të cilën nuk mund ta kishte askush tjetër, shikoni se ç’gjëra pëshpërit për të na i mësuar neve...

Miraxhi i Tij rimonte me namazin, e të atilla i kishte edhe namazet, si miraxhe. Edhe kur ngjitej në miraxh nëpërmjet namazit të gjitha sjelljet e Tij shfaqeshin si rrezatime mirësie – sikur Ai të ishte duke e parë Allahun (xh.sh.), sepse edhe nëse nuk e shihte Ai, ishte Allahu që e shikonte Atë – mbërrinte tek i Drejti dhe me duart të lidhura, si përpara fronit hyjnor, nga buzët i rridhnin këto fjalë të bekuara, si të ishin një melodi të mjediseve hyjnore: “O Zot! Ti je Mbretërues mbi ne; nuk ka zot tjetër veç Teje. Ti je Zoti im i vetëm; kurse unë jam robi Yt. Unë u solla padrejtësisht me veten time, e pranoj mëkatin tim, - o Shpirt i shpirtrave tona, cili mëkat?!. – falimi të gjitha mëkatet; askush përveç Teje nuk i pastron dot ato... udhëzomë mua për moralin e mirë; sepse vetëm Ti mund të udhëzosh!.” [10] Këto janë gjëra që bartin cilësinë e thirrjes edhe ndaj nesh drejt atij horizonti drejt të cilit shihte Ai; Allahu (xh.sh.) na bëftë edhe ne prej atyre që mund t’u jepet ai udhëzim i plotë...

Edhe kur lutej për “mëkat!”, Ai ishte larg mëkatit më larg se ç’është Lindja prej Perëndimit, por Ai, edhe në marrëveshjen e jeshtjes, kur penda futej në bojë dhe nuk shkruante edhe përballë atyre gjërave që i cilësonte si gabime – gabimet as në ëndrrat e Tij nuk patën bujtur dot ndonjëherë – me një ndjenjë syhaptësie në skajet e së mundshmes dhe duke i qëndruar besnik përbetimit se ishte nën vëzhgimin e Allahut (xh.xh.), Ai e pati lënë shpirtin të rrjedhë në përgjërim: “O Zot! Largomë mua prej mëkateve aq larg sa ç’janë dy polet nga njëri-tjetri. O Zot pastromi mua gabimet sikur të pastroheshin me ujë të kulluar, dëborë dhe breshër, [11] ” – duke pasur parasysh se ç’pastron më mirë.

Mbret i profetëve, shah i përnderuar je, Zotëria im

Për të pashpresët shtet i mëvetshëm je, Zotëria im

Përballë fronit hyjnor i parë je, Zotëria im.

I Dërguar me betim në kokën Tënde je, Zotëria im!

Shejh Galib

O dritë e përpjekjes dhe diell i qiellit tonë, me hapje të tilla të shpirtit dhe me përgjërimet e Tua thoshe “unë”, por po na thërret edhe ne drejt asaj rruge, që të jemi vetvetja; u bënë vite, që me të parët dhe drejtuesit tanë, ne i kemi dhënë lamtumirën atij horizonti. Ne, me ëndrrat tona të thurura vetëm me motivin e shpresës, presim sërish drejtimet e Tua kah Allahu (xh.sh.); për hir të Zotit mos na lër që të presim më gjatë!..

Kujdesu edhe për këtë ‘kitmir’, ashtu siç kujdeseshe për familjen Tënde,

Dhe digje shkrumboje edhe atë me dashurinë Tënde të shenjtë;

Të mos nxijë atmosfera prej trishtimit të mungesës Sate,

Thuaj, “edhe ai është yni” që të mos mbesë kaq larg Teje.

Ajo që quhet pika e fundme e namazit dhe që sipas mësimit të hadithit, “se nuk ka kohë kur robi është më afër me Zotin e tij se kur bie në sexhde” [12] , kur drejtohet drejt horizontit të stolisur me fjalët “koka dhe këmbët në një vend, balli puth sixhadenë; ja, prej këtej shkon njeriu më pranë Krijuesit të Tij, nga kjo xhade.” Dhe pa u përkulur para askujt tjetër e ul fshik fytyrën pas tokës me ndjenjën më thellë të modestisë, dhe kësaj here e hap shpirtin me një tjetër ton, duke u lutur në drithërima: “O Zot, falmi mëkatet, po, të gjithë mëkatet, të madh e të vogël, të parin dhe të fundmin, të hapurin dhe të fshehtin, falimi të gjitha [13] – o i përnderuar me fjalët “se Zoti t’i fali ty të gjitha, në të shkuarën e në të ardhmen; Ai do ta plotësojë mirësinë që të ka premtuar...” [14] , Zoti Ty nuk të lejoi të mëkatoje në të shkuarën; edhe portat, apo dritaret, që mund të të hapeshin drejt mëkatit në të ardhmen, t’i mbylli me kyçin e besnikërisë Sate; na thuaj, për hir të famës Sate të lartësuar, cilit i thoni mëkat ju! Ah sikur t’i kuptonin edhe ata që e kalojnë jetën në batakun e mëkatit lotët dhe vajtimet e këtij frymimi, që ia kalon edhe atij të engjëjve!.. Por ç’e do, se ata që i kanë dhënë lamtumirën jetës së shpirtit dhe që nuk ia kanë idenë se ç’është horizonti i shpirtit as nuk i dëgjojnë e as nuk i kuptojnë dot ato.

Edhe në atë afërsi me të Drejtin, kur kënaqësia shpirtërore arrin majat dhe përjetohet gjer në palcë, Ai lutej e përgjërohej siç ia kërkonte thellësia e dijes së Tij, edhe pse Ai kishte dëshmuar gjithçka, me këto fjalë që dukej sikur t’i shkëputeshin prej telave të zemrës, ai shprehte edhe njëherë paarritshmërinë e shpirtit të tij: “ O Zot, unë i bëra shumë padrejtësi vetes sime. – dhe kjo duhet të jetë ndonjë thirrje për të ardhur në vete edhe për ne – vetëm Ti, Ti, mund të m’i falësh mëkatet, falmë mua me një falje të veçantë ato që mund të vijnë veç prej Teje, duke u treguar i mëshirshëm me mua; nuk ka dyshim se Ti je Falësi dhe Mëshiruesi i Vetëm.” [15]

Ah sikur edhe ne të vuanim e të klithnim fort brenda vetes, duke thënë: “E ku Ai Udhërrëfyes e Ajo Hartë e Shpirtit njerëzor (pqmT), ku ne!”... Ai edhe për ato gjëra, të cilat për ne janë të përhershme, në çdo çast të jetës, e për të ishin përtej çdo lloj imagjinimi, Ai vuante për to, se mos i nxinin zemrën dhe me një përvajtim të thellë, i shprehte ndjenjat e Tij me këto fjalë: “O Zot, te Ti kërkoj ndihmë që të më ruaj shpreh ngurtësimit të zemrës, prej përhumbjes – po ku ishe Ti, ku këto! – nga varfëria dhe rënia në nevojë, nga çudhëzimi dhe rënia në armiqësi me ndokënd, nga dyfytyrësia dhe nga kryerja e gjërave për t’u dukur! [16] Nuk e di a është parë e është dëgjuar ndonjëherë tjetër një gatishmëri dhe një vigjilencë e këtij lloji, përfshi këtu edhe banorët e qiellit, përveç se nga ky i Pastër Absolut? Nuk ma merr mendja, madje askujt nuk ia merr mendja...

Dhe duke i vënë një pikëpresje kësaj teme, duke përmendur veç një pikël në oqean nga tërë vigjilenca, lutjet dhe përgjërimi i Tij për Allahun dhe, duke ju thënë se kjo temë nuk mund të përfundojë me kaq, pasi menjëherë pas kësaj vjen ‘Mustafejne’l-jar”, që mund të quhet boshti i kësaj Hëne të Përndritur, i kërkoj falje Allahut (xh.sh.) për të gjitha gabimet e mia...

Ky shkrim botohet këtu i shkëputur nga numri Shkurt 2018 i revistës ‘Çağlayan’.



[1] Ebu Daud, edeb 108.

[2] Ahmed bin Hanbel, Musned 35/520; Hakim, Mustedrek 1/697.

[3] Ahmed bin Hanbel, Musned 35/521; Taberani, el-Muxh’em’ul-Kebir 5/119; Hakim, Mustedrek 1/697.

[4] Tirmidhi, deauat 105; Ahmed bin Hanbel, Musned 11/171.

[5] Ebu Daud, edeb 107; Ahmed bin Hanbel, Musned 34/75; Taberani, el-Mu’xhem’us-Sagir 1/270 (Shprehur prej Taberanit).

[6] Taberani, ed-Dua, fq. 128.

[7] Ebu Daud, edeb 107; ibni Maxhe, dua 14; Ahmed bin Hanbel, Musned 8/403.

[8] Buhari, menakib 24; Muslim, salatu’l-musafirin 125.

[9] Ebu Daud, edeb 107.

[10] Muslim, salatu’l-musafirin 201; Ebu Daud, salat 124.

[11] Buhari, ezan 89; Muslim, mesaxhid 147.

[12] Muslim, salat 215; Ebu Daud, salat 160.

[13] Muslim, salat 216; Ebu Daud, salat 156.

[14] Feth, 48/2.

[15] Buhari, ezan 151; Muslim, dhikr 48.

[16] Hakim, Mustedrek 1/712.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.