Meditim për festën e Bajramit
Kurban Bajrami ka qenë që prej kohës së Profetit Ibrahim, dhe djalit të tij, Profetit Ismail, dhe vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite një simbol i heroikes, sakrificës, sinqeritetit dhe dorëzimit të plotë tek Allahu (xh.sh.). Kurban Bajrami na vjen njëlloj si ato ushtritë që nisen në drejtim të luftës me tekbire të njëpasnjëshme, duke artikuluar një zë mëse të lartë, që jehon në të katër anët. Brenda tij fshihet një muzikalitet, një shprehi poetike e ndërthurur me një zhurmë si e tabureve ushtarake që kanë për synim të vendosin të vërtetën në vend, atje prej nga u është larguar zinxhirëve të vet.
Përgjatë Kurban Bajramit, të gjitha shtëpitë, rrugicat, vendet e adhurimit, malet, madje edhe gurët, kalojnë në delir pas tekbireve kumbuese që arrijnë të dëgjohen qartërtisht anembanë. Dëshmitë e pareshtura të fuqisë së pafundme dhe njëshmërisë së Allahut, që ngrihen nga majat e minareve, të cilat të bëjnë të prekesh deri në majat më të holla të ndjesive, vijnë deri në brendësi të shtëpive tona, e përzjehen lehtësisht me blegërimat e qengjave në fshatra, komuna a qytete. Sikur të gjitha gjallesat marrin gojë e fillojnë diç të dëshmojnë brenda atyre çasteve të shenjta. Arafati fillon të ziejë e të shkumozojë sikur të ishte vendi i llogaridhënies, dhe anembanë frymohen veç shqetësime dhe shpresa... Muzdelifeja dhe Mina gumëzhijnë prej hapave të njerëzve që kanë mbushur sakaq rrugët... Qabeja rreh sikur të ishte pulsi i atyre kyçeve që janë të djegur nga malli për një ritakim sa më të shpejtë... Dhe të gjithë këta zëra të qetë, këtu, shkojnë deri në portat e fundme në trajta këlthitjesh robërish të denjë. Sikur të gjithë këta zëra që kërkojnë përjetësim tregojnë dëshirën dhe ëndrrat tona të pasosura për të qenë të përjetshëm, e sakaq si një çelës magjik hapin kapakët e sëndukëve plot thesare fshehur në brendësi të ndjenjave tona. Saora, të gjitha ndjenjat tona, porsi goglat e vockla të tespiheve dalin prej fillit e shpërhapen në tërë qenien tonë. E sa më shumë që ne e përjetojmë pasionin tonë për parajsën, e sa më shumë që i dëgjojmë këta tinguj, vijmë në një gjendje sikur sapo të kemi pirë prej eliksirit të ëmbël, që buron prej magjisë që mbart vetë festa e Bajramit.
Shprehim gjithë kënaqësi nderin e të qenit besimtar të një Zoti, të robërisë dhe vetëdijes së të qenit i tillë, e sakaq shohim rrugën e lartë drejt majave, në të cilën tani kemi filluar të ecim. Lexojmë Librin e Paracaktimit Hyjnor dhe themi, “Ja, ky është libri!”, e menjëherë derdhemi në mijëra buzëqeshje. Shija e arritjeve në kësi dimensionesh na i mbështjell shpirtrat aq ëmbëlsisht, saqë sytë fillojnë të na hapen e të na mbyllen duke shprehur falënderime, dhe ndjenjat të na gjelbërojnë si në stinën e pranverës... E sakaq frymëzimi buron gjithandej, lutjet, përgjërimet dhe përlotjet bëhen krahë ndihmese flatruar në thellësitë e papërshkueshme të shpirtit, për t’u kthyer në fund në kuptimësime, gjendje dhe ndikime krejtësisht qiellore. Asisoj që, çdo orë e re që vjen, çdo minutë e re, çdo punë e re a mundësi e re, fiton të përjetohet më ndjeshëm, duke fituar një vlerë që i vlen të përdoret më vetëdijshëm; e fiton, por shpirtrat e entuziazmuar prej kënaqësive të pambarimta shpirtërore luten: “O Zot, shtomi mirësitë e Tua!”, për t’u përzjerë edhe njëherë në është e mundur, në atmosferën e këndshme të shpirtërores.
Ditët e Bajramit, sa më shumë që të thellohesh në traditat e mrekullueshme të besimit, me adhurime gjithë kënaqësi shpirtërore, na kujtojnë se jemi shkrirë brenda një tjetër dimensioni të ekzistencës, se jemi bërë pak më të përjetshëm, e zemrat na janë zgjeruar kësaj here pa kufij kohorë apo hapësinorë, ndërgjegjjet na janë ndriçuar aq mirë, sa e dëgjojnë çdo gjë qartë dhe pastër... Shohim se si materia shkërmoqet para syve tanë, aq sa ne mendojmë se qenkemi qenie veç shpirtërore... Mendojmë, dhe me mendim anojmë drejt premtimeve të para, të pafillimta, që marrëveshja e besimit i ka lëshuar brenda zemrave tona.
Me ndjenjat e ndezura prej atmosferës së festës së Bajramit, na duket sikur nga çasti në çast do të fluturojmë prej haresë, madje na duket sikur do të rrëshqasim menjëherë drejt një klime shpirtërore krejt ashtu të qashtër, të hareshme dhe tërësisht të ekuilibruar. Nganjëherë bëhemi më të ndjeshëm, më të dobët, më elegantë dhe më poetikë, porsi zogjtë që lëvizin në qiell sa majtas djathtas, pa i rrahur aspak flatrat, porsi degëzat në majë të pemëve që luhaten prej flladit, ose porsi lulet që nga luhatjet e vogla të erës lëkunden sikur do të këputeshin prej vendit, shtrihen e ngrihen, ngrihen e shtrihen, asisoj që përrethi kaplohet menjëherë prej aromës së tyre të mirë.
Nganjëherë përthyhemi krejtësisht në një atmosferë pendese, dhe nga çdo “Allahu Ekber” apo nga çdo “La ilahe il’lallah” që dëgjojmë, ndjejmë një dëshirë për të qarë derisa të lagemi krejt, kokë e këmbë. Nganjëherë bëhemi aq të hareshëm, dhe e ndjejmë veten sikur të kemi hipur majë fishekzjarrësh, e po lundrojmë në një lum prej ajri larushan. Nganjëherë e ndjejmë veten sikur jemi mbi një sixhade magjike, e po udhëtojmë të gëzuar mespërmes një yllnaje. Nganjëherë, sërish prekemi nga blegërima e një deleje a një qengji, pikëllohemi, derisa tretemi porsi qiriri nga zjarri i këtyre ndjesive të çuditshme, dhe brenda një ekuilibri mahnitës bindemi tërësej, se “nuk mund të kishte diçka më të mrekullueshme se kjo.” Kështu mahnitemi edhe njëherë nga qëndisjet e magjishme që ka nxjerrë dora e paracaktimit hyjnor.
Ngandonjëherë janë dëshmitë kumbuese të njëshmërisë së Allahut që ngrihen prej minareve, ezanët, tekbirët: “Allahu Ekber” që jehojnë gjithandej, e në ndërgjegjjet tona këta zëra fitojnë një vlerë poetike, gjersa bëhen të rrjedhshëm në shpirtrat tona për të na magjepsur kryekreje. Besoj se as që mund të ketë ndonjë kënaqësi tjetër që të arrijë këtë farë thellësie, e kurrsesi që të bëhet kaq ndikuese. Sidomos nëse këtyre fjalëve do t’u bashkëngjitej një muzikë instrumentale nga pas, ndjesitë tona do të arrinin në lartësi të papërshkrueshme, derisa të ktheheshin secila në nga një tufan më vete.
Sepse në haxh, atje ku gjuha dhe theksi i kudogjendur janë ezanët, tekbiret, “Leb’bejke”-et, ne bëjmë një paraprovë për në Ditën e Gjykimit, duke shprehur mendimet tona më të fshehta, bindjet tona më të nderuara me tërë fuqinë e zërit, apo ndjenjat tona më personale me fjalët që ngjajnë sikur të jenë të zhuritura. Përballë këtyre pamjeve shumë të sinqerta, përballë këtyre fjalëve kaq të natyrshme, por drithëruese, ne shëtisim nga një vend në tjetrin, kryejmë detyra nga më të shumëllojshmet, mirëpo shpinat i kemi përherë të kthyera në drejtim të Xhehenemit, sytë të mbytur në imazhe të tylta të agimeve parajsore, dhe zemrat në gjah të kënaqësisë së Allahut (xh.sh.).
Dhe ja, duke i tejkaluar çdo lloj kufijsh me këto ndjenja, duke u larguar nga përçudnimet tona të vazhdueshme e të pandërprera, i ngremë fronet tona në horizontet e shpirtit; nga pikëvështrimi i kësaj bote e vërvisim tutje pluhurin e trupores dhe asaj çka i përket mishit; i përndezim edhe njëherë shkreptimat e prura prej Xhenetit, por të ruajtura në një qoshe të ndërgjegjes, për ta përshëndetur edhe njëherë përzemërsisht ekzistencën tonë, duke i buzëqeshur nën flakën, nxehtësinë dhe dritën e formuar.
- Publikuar më .