Net Dimri
Netëve të dimrit mendoj e rri,
Një pas një besim, shpresë, tronditje, turbulli.
Netëve të dimrit djersis e mbërdhij,
Lëkundje n'iluzione, në ëndrra makth i zi...
Heshtje ndër bilbilë, ndër lule pritmëri;
Gëzim e hidhërim përzier, i ndjenjave zakon...
Kohë-kohë bëlbëzim, me shumë monotoni,
Pranë cicërimeve të pranverës, vjeshtë që vajton.
Herë-herë si muzikë fryn era,
Bëlbëzon çdo gjë: zog, insekt e gjethe me hare;
Herë me një erë të ftohtë tronditet pranvera,
Me hidhërim nën vete struken lumë, majë, gur e dhè...
Zbehen bukuritë në çehren e tyre trëndafili;
Djersa e ditëve të vjetra në tëmthat pikon;
Tronditet hareja, n'sa era fryn vetmi,
Paqartësi rrëqethëse gjithandej kaplon;
Ndër maja, mjegull, ndër fusha rreze dielli ndriçojnë,
Në të njejtin vend fryjnë më një fllad e stuhi;
Pikat e mëshirës një breshëri të çmendur i ngjasojnë,
Festa e kundërshtarëve në gjerdek: gëzim e zi...
- Publikuar më .