Ditë të Vjetra
Në majat e vjetra gonxhe të rà,
Një jetë të tërë ndejte e kërkove...
Ditët e djeshme ndër lule qëmtove,
Dhe ujin e tyre dhe ngjyrat kujtove,
E djeshmja e kaltër po vjen, diç të tha...
Porsi Mexhnuni me ah-e zemr' e shkretë,
Prej ç'linde, shkretirë më shkretirë vrapove,
Të Dashurin nga shpirti kurrë s'e harrove,
Një shembull në jetë dhe n'vdekje tregove,
Lehtësitë i le, u nise të përpjetë...
Me shpirtin të getë atje e këtu,
Ato botë të kaltra në përfytyrime,
Buzëqeshjë shprese të pastrat gëzime,
Idealin thirre me zëra e rënkime,
Ç'frikë e drojtje kishte në armiqtë e tu!
Stinë e bukur qè kur vrapove ti,
Luleve erë t'u marrësh në çdo kundërmim...
Dhe gjeli i bardhë ia thoshte në agim;
Një këngë nëpër buzë, m'i ëmbli tingëllim,
Dhe sodisnin qiejt këtë harmoni...
Ç'është verë e ç'eshtë vjeshtë s'e mësove,
Më nj'anë dëfrimi, ti më tjetrën anë,
E ndërsa njerëzit të lirë janë,
Mes njerëzve të lirë si rob jetove,
Dhe ditën si natë e kalove...
- Publikuar më .