Tregimi për Kur’anin
T'ua bësh të dashur e të pranueshëm Kur'anin me të gjitha aspektet e tij brezave të rinj ka shumë rëndësi për zgjimin tek ta të vetëdijes fetare dhe mbajtjen gjallë të saj.
Të thuash vetëm kaq që "Kur'ani është një libër i shenjtë", është e pamjaftueshme si për Kur'anin, si për fëmijën. Edhe nëse një trajtim i tillë mund të duket si i mjaftueshëm për një moshë dhe nivel të caktuar fëminor, për më tej është padiskutimisht i pamjaftueshëm, madje, bëhet i dëmshëm sepse, duke u kthyer në një paragjykim, bëhet pengesë për sugjerime pozitive e të thelluara mbi të. Nisur nga kjo, brezave të rinj u duhet treguar në mënyrë bindëse se Kur'ani, të cilit askush nuk ka mundur t'i lëvizë një presje nga dita kur ka zbritur e gjer më sot, me tezat e tij të hapura mbi kufijtë e fundit ku mund të arrijnë shkenca dhe teknologjia, është mesazhi i fundit i Allahut!
Në të vërtetë, është me vend të thuhet se Kur'ani përmban të dhënat më të reja mbi të gjitha botët në tërë gjerësinë e tyre krijimore dhe ekzistenciale, se të dhënat e Kur'anit nuk bien në kundërshtim me të dhënat shkencore, se, përkundrazi, me informacionet e tij sintetike në formën e rregullave të përgjithshme, Kur'ani u jep kahje shkencave. Edhe ajeti si më poshtë është dëshmitari qiellor i kësaj të vërtete:
"Tek Ai ndodhen shumë e shumë thesare të panjohura si dhe çelësat e botës së padukshme. Askush s'i njeh ato veç Tij. Ai njeh gjithçka që ndodhet në tokë e në det. Asnjë gjethe s'bie dot pa dijeninë e Tij, s'ka thërrime në errësirat e thellësive tokësore për të cilën të mos ketë dijeni Ai! Nuk ka gjë të njomë e të thatë që të mos ndodhet në Librin e Qartë!" (Kur'ani, En'am, 6/59)
- Publikuar më .