Përfitimi në edukimin fetar nga shkencat e natyrës
Ndërsa fëmijët marrin mësime mbi shkencat e natyrës si fizika, kimia, astronomia, fizika e atomit, etj., duhet që, paralelisht me nivelin e tyre kulturor, t'u flitet për besimin e vërtetë islam. Në kundërshtim me materialistët që e marrin për bazë materien duke e varur çdo gjë prej saj, besimtari duhet ta bëjë vlerësimin e materies në kuadrin e besimit, e njohurive dhe besimit mbi Allahun, ahiretin (ringjalljen dhe jetën tjetër) dhe Kur'anin. Besimtarët duhet të dinë të nxjerrin trëndafilë në baltovinën e materies ku janë mbytur materialistët historikë, si dhe t'i shohin dhe vlerësojnë të gjitha gjërat dhe dukuritë si prova dhe dëshmitarë të ekzistencës së Allahut!
Sigurisht, po qe se fëmija, krahas mësimeve mbi shkencat e natyrës që merr nga arsimi i ulët e gjer në universitet, nuk merr edhe po aq edukim fetar në familje e mjedise apo institucione përkatëse, thyerja dhe rrëshqitja e tij janë të padiskutueshme e të paracaktuara. Po qe se niveli arsimor e kulturor që merr ai në shkollë e në mjediset e saj, nuk ndiqet nga afër e nuk ndërhyhet në kohë ndaj mendimeve të mbrapshta të mundshme, gjërat e mësuara mund të kthehen në mjete që çojnë në mohim, ndërkaq që shkencat janë argumentet më të hapura të ekzistencës dhe unitetit të Allahut!
Sigurisht, po qe se përkundër marrjes së mësimeve mbi filozofinë dhe zvarritjes nëpër një sërë dyshimesh dhe lëkundjesh, fëmija nuk mbështetet me anë të vlerësimeve të drejta e pozitive të arsyes, logjikës dhe shkencave, mund të hyjë më vonë në një krizë ideore serioze. Prandaj ai detyrimisht duhet mbështetur, me aq sa ç'e ka nivelin e njohurive racionale, po me argumente racionale, logjike e faktike. Përkundër dedikimit nga materialistët të rregullsisë në natyrë, natyrës dhe demagogjisë të zhvilluar prej tyre në këtë drejtim me anë të një sërë teorish filozofike, edhe ne, duke folur për çështje të tilla si fakti që ligjet që vërehen në çdo gjë me anë të gjuhës së harmonisë së krijimit, janë të paracaktuar dhe sundues, duhet t'ia ngulisim atij në mendje se të gjitha këto janë nën administrimin e Allahut (xh.xh.). Vetëm në këtë mënyrë mund t'i parandalojmë ne dyshimet dhe lëkundjet që mund të mbjellin tek fëmija teoritë e ndryshme.
Sigurisht, ne duhet ta pajisim mendjen e fëmijës me njohuri të drejta e të sakta përkundër njohurive të shtrembra të ngarkuara në kokën e tij me anë të korrigjimeve dhe shtrembërimeve të paimagjinuara, në mënyrë që fëmija të mos përjetojë ndonjë hutim. Për nga përmbajtja, çdo gjë varet nga dituria, kurse injoranca është armiku më i madh edhe i besimtarit, edhe i fesë. Atëherë themi se përkundër përpjekjeve të injorantëve për ta turbulluar brezin e të rinjve me mashtrime të paimagjinuara, besimtarët janë të detyruar të rrisin e përgatisin njerëz besnikë ndaj kombit, atdheut, prejardhjes, të hapur ndaj fesë, diturisë e shkencës si dhe që t'u dalin për zot historisë dhe gjeografisë së vet!
- Publikuar më .