Pse Jane Krijuar Natyra, Ligjet e Natyres dhe Shkaqet?
1. Ligjet dhe shkaqet janë mjete dhe pengesa ndarëse; urdhrat dhe porositë e ardhura nga lart arrijnë në pikat e takimit (të marrëdhënieve të ndërsjellta) që ndodhen pas këtyre mjeteve.
Duke e krijuar gjithësinë materiale, Zoti ka krijuar edhe ligjet e natyrës dhe shkaqet bashkë me të dhe si tipar individual dhe veçori të natyrës. Ato që hyjnë në fushë të ekzistencës me urdhrin "bëhu" të dhënë në krijimin e parë, hyjnë në këtë fushë, në të njëjtën kohë të pajisur edhe me këtë veçori. Këtë të vërtetë e shpreh edhe ajeti kur'anor, "… dhe i dhamë asaj një shkak për çdo gjë" (Kehf, 18/84).
Ndërkaq, të gjitha shkaqet dhe ligjet janë pengesë ndarëse të dinjitetit dhe madhështisë së Zotit; pas tyre është Allahu, Zoti i gjithësisë, vepruesi i vërtetë dhe krijuesi i qenies ku përfshihen edhe shkaqet. Ligjet dhe shkaqet kanë për detyrë t'i shpërndajnë dhe shpallin veprimet dhe ndikimet e vërteta me burim atë Fuqi dhe janë si nga një perde prej dantelleje që e mbrojnë dinjitetin e Tij ndaj vlerësimeve sipërfaqësore e formale të mendjes.
Edhe mes njerëzve, personat me pozitë kanë një dinjitet, madhështi dhe vlerë të caktuar, në raport të drejtë me postin dhe pozitën, për pasojë, veprojnë jo drejtpërdrejt, por me anë të një sërë mjetesh dhe pas një pengese ndarëse (kushtesh e mjetesh). Ata nuk ndërhyjnë personalisht në punët që kryejnë zyrat e dikasterit të tyre, nuk janë ata që i kryejnë ato punë. Ata e zhvillojnë të gjithë veprimtarinë në krye të të cilës ndodhen dhe të cilën e drejtojnë, me anë të njerëzve të tjerë, kurse vetë nuk duken tjetërkund veçse në zyrën e vet. Për shembull, kryetari i shtetit nuk shkon të kontrollojë tregun si një nëpunës bashkie, sepse s'ia lejon detyra dhe pozita. Nuk është gjenerali ai që merret me pastrimin e kapanoneve, të armëve, etj. por ushtarët dhe i gjithë personeli tjetër sipas detyrave, përgjegjësive dhe rangjeve, kurse ai vetë nuk duket. Në mundemi të bëjmë një përngjasim, Zoti që është zotëruesi dhe sunduesi i vetëm i gjithësisë dhe tërë ekzistencës, i krijon dhe drejton të gjitha dukuritë që ndodhin në gjithësi duke përdorur ligjet dhe shkaqet "duke u fshehur" pas tyre. Sepse këtë kërkon dinjiteti dhe madhështia e Tij. Me një ndryshim që gjërat që Allahu i bën pengesë ndarëse për dinjitetin dhe madhështinë e Tij, nuk kanë një veprim dhe ndikim të vërtetë.
Shkurt, ligjet dhe shkaqet janë si një zyrë administrative e shtetit, prandaj zbatimi i urdhrave dhe porosive që vijnë nga kreu i shtetit, lidhet me atë zyrë ose nëpunësit që veprojnë në kuadrin e asaj zyre. Në të vërtetë, është Allahu që i kryen ose që i detyron të kryhen të gjitha punët.
2. Ligjet e natyrës dhe shkaqet janë krijuar për t'u bërë objekti i parë i ankesave të padrejta.
Materia dhe dukuritë kanë dy anë: anën materiale dhe anën ideale, të jashtmen dhe të brendshmen. Krejt si pasqyra. Njëra faqe e pasqyrës, e pastër, e rrafshtë, e shkëlqyer, pasqyruese, kurse faqja tjetër, e fëlliqur, e shëmtuar, e errët. Edhe ana ideale e materies ku s'ka ligje dhe shkaqe, është e kthjellët dhe e pastër. Jeta, drita dhe mëshira janë vetëm tri cilësi të kësaj ane. Kurse në anën e jashtme të saj ndodhen disa gjendje të kundërta me dinjitetin, madhështinë, përsosmërinë dhe bukurinë e Zotit dhe të papëlqyeshme për syrin, veshin, hundën, madje për përfytyrimin dhe mendimin dhe për t'i fshehur ose, disa herë, për t'i bërë objekt këto janë krijuar ligjet dhe shkaqet. Zoti vepron pas këtyre shkaqeve dhe pengesave ndarëse e fshehëse. Veçanërisht, edhe urtësia për të siguruar që ankesat e padrejta e pa vend të mos i drejtohen drejtpërdrejt Zotit, e ka bërë të domosdoshme krijimin e ligjeve dhe shkaqeve. Sepse njerëzit e paditur, injorantë dhe indiferentë, shpesh herë, duke mos i parë dot urtësitë e holla e të thella në materien dhe dukuritë, si rezultat, shumë bukuri të fshehura, i drejtohen vetë Zotit dhe i ankohen Atij. Mirëpo një ankesë e tillë është një fatkeqësi më e madhe se e keqja ose fatkeqësia për të cilën bëhet ankesa. Po, shumë herë, fatkeqësia që bëhet shkak për ankesë, sjell një fatkeqësi të re më të madhe. Ja, pra, Individualiteti i Madh që është Mëshirues dhe Bamirës[1], duke e fshehur veprimin e Tij pas ligjeve dhe shkaqeve, ka dashur t'i shpëtojë njerëzit nga fatkeqësia e vërtetë dhe u ka dhuruar atyre justifikime.
Kështu, ankesa e fshehur në klithmën e nënës së djegur për humbjen e frytit të zemrës së saj, është mbështjellur me perden e sëmundjes dhe fatkeqësisë duke e mbrojtur atë nënë nga paturpësia ndaj Zotit që është fatkeqësi më e madhe se humbja e fëmijës. Sa të varfra janë fjalët tona mbi madhërinë e Zotit që sillet me kaq dhembshuri ndaj robve të vet, ndaj madhërisë së vërtetë të Tij!
3. Ligjet e natyrës dhe shkaqet janë krijuar për t'ia ekspozuar shikimit artin hyjnor.
Madhështia e artistit vlerësohet me vlerën e veprave të tij. Zogj këngëtarë, lule ngjyra-ngjyra, hollësi të një arti mrekullor të vëzhguara edhe në qenien më të vogël e sa e sa të tjera... Në të gjitha këto, Allahu, me gjuhën e natyrës, i bën të shqiptohen e këndohen emrat dhe atributet e Tij dhe, duke i ekspozuar shfaqjet e këtyre emrave dhe atributeve nën emërtimin "shkaqe", ua paraqet qenieve të vetëdijshme për t'i vëzhguar e soditur. Kurse vetë sodit habinë dhe mahnitjen e tyre!
Çdo zotërues bukurie dhe përsosjeje dëshiron ta shohë dhe ta tregojë bukurinë dhe përsosmërinë e vet. Prirja për një kënaqësi të tillë e vënë re në botë edhe në artistët njerëzorë plot të meta, shfaqet me galeritë dhe ekspozitat e artit, nga të cilat, çdo ditë njëra mbyllet e tjetra hapet. Mirëpo bukuria dhe përsosmëria te njeriu, si një njësi mase për ta kuptuar Zotëruesin e Bukurisë dhe Përsosmërisë Absolute, ndodhet në nivelin më të ulët. Megjithëkëtë, qoftë edhe me një thjerrëz të tillë matjeje është gjithmonë e mundur të dallohet dhe kuptohet vullneti i lartë dhe dëshira e Allahut, Zotëruesit të Bukurisë dhe Përsosmërisë Absolute, për ta bërë natyrën një sallon ekspozimi me dëshirën për ta parë dhe treguar bukurinë dhe përsosmërinë e vet. Eshtë ky dallim dhe kuptim që e shtyn njeriun ta madhërojë dhe shenjtërojë Allahun. Madhërimi dhe shenjtërimi i Allahut, Zotit të gjithësisë, buron nga vetëdija e robit (krijesës) ndaj Zotit dhe e adhurimit të Tij. Adhurimi i Zotit është qëllimi final i krijimit të njeriut, madje i tërë gjithësisë. Ja, pra, shkalla e shkaqeve është e rëndësishme për ne sepse na fut në udhën drejt një qëllimi të tillë për të arritur në horizont.
4. Gradualiteti në ligjet e natyrës dhe shkaqet.
Gradualiteti në ligjet e natyrës dhe shkaqet është parim. Dhe kjo është nga argumentet më enigmatike që vërtetojnë madhështinë e artit hyjnor. Sepse tregimi veç e veç i shfaqjeve të emrave në çdo shkallë e në çdo etapë si dhe prania e mrekullisë artistike që është e pranishme në të tërën, edhe në të gjitha pjesët që formojnë etapat e ndryshme formësuese të një organizme, është veçori e posaçme vetëm për artin e Zotit dhe për atë Artist të madh. Një veçori të tillë është e pamundur ta shohësh dhe ta tregosh në ndonjë vepër tjetër artistike.
5. Ligjet e natyrës dhe shkaqet janë rrjedhojë e domosdoshme dhe përfundim i ndodhjes sonë në vendin e urtësisë.
Ahireti, jeta e pasme, është vendi i fuqisë[2] (mundësisë së pakufizuar), kurse kjo botë është vendi i urtësisë[3]. E thënë ndryshe, ndërsa në jetën e pasme sundon më shumë fuqia, në këtë botë sundon urtësia. Për rrjedhojë, në jetën e pasme, ligjet dhe shkaqet do të lihen jashtë funksionimit, kurse në këtë botë, ligjet dhe shkaqet funksionojnë si domosdoshmëri e urtësisë.
Krahas emrave si Halik (krijues), Rezzak (furnizues e ushqyes), Shafi (shërues), Mukaddir (vlerësues), Musavvir (përshkrues), etj., Zoti mban edhe emrin Hakim (i urtë). Me këtë emër të bekuar, Ai bën punë me urtësi: me urtësi krijon, me urtësi i bën ligjet dhe shkaqet pretekste të veprimtarisë së Tij, me urtësi e thur dantellën e ekzistencës në kuadrin e marrëdhënieve që i ka ngritur mes pretekstit me efektin dhe shkakut me pasojën.
Kurse në jetën e pasme, meqë aty do të sundojë fuqia, Zoti do të veprojë me fuqinë e vet. Botën tonë të përkohshme e kalimtare do ta shembë së bashku me ligjet dhe shkaqet që veprojnë në të, dhe do të krijojë një banesë të re dhe krejt tjetër, ku janë për parim kuptime të tjera. Në atë botë, të gjitha masat e vlerave të posaçme për këtë botë do të fshihen dhe qenia, duke marrë një natyrë tjetër, do të bartet në platformën e fuqisë.
Në këtë botë të pafundme ku sundon fuqia, për të ngrënë fruta nuk do të ketë nevojë të plugohet e të mbillet toka. Edhe rrobat e xhennetit, parajsës, të përgatitura pa gërshërën dhe gjilpërën e rrobaqepësit, do ta veshin të zotin. Meqë atje s'do të ketë vjetërim, plakje e vdekje, nuk do të jenë as shkaqet që çojnë në këto përfundime. Kjo botë është shtëpia e shërbimit, kurse bota tjetër, shtëpia e shpërblimit. Prandaj, për të merituar të mirat e atjeshme, duhet punuar këtu duke u mbajtur pas shkaqeve. Kurse në jetën e pasme, ahiret, nuk do të ketë as shkaqe si këto, as dhe punë.
6. Ligjet e natyrës dhe shkaqet janë krijuar për sekretin e propozimit dhe provimin.
Ligjet dhe shkaqet janë nga një perde (pengesë ndarëse) më vete. Këto perde të vendosura mes syve tanë dhe të panjohurës me qëllim për t'i dalluar ata që i besojnë të panjohurës prej atyre që s'i besojnë, ndihmojnë për ta veçuar besimtarin prej mohuesit. Besimi te e panjohura është vetia më dalluese e besimtarit. Këtu duhet bërë kujdes në këtë specifikë:
Po të dëshironte, Zoti mund të mos i krijonte ligjet. Bie fjala, e ngarkonte tokën mbi shpinën e një engjëlli që mund ta shihnim, dhe atëherë ne s'do të bënim fjalë për ligjin e gravitacionit. Ose, për të pasur një fëmijë, vinte si kusht vetëm një lutje të një nate dhe të nesërmen, njeriu do ta gjente fëmijën në prag të derës. Po të dëshironte, Allahu i përdorte yjet si shkronja dhe, duke e shkruar emrin e vet në qiell, na lajmëronte për ekzistencën dhe individualitetin e vet. Ose Zoti e krijonte njeriun me aftësi për të biseduar me të dhe, pastaj, Zoti bisedonte me të gjithë njerëzit veç e veç. Kështu, mund të përmendnim shumë gjëra. Vetëm se atëherë do të shmangej qëllimi final i krijimit, sepse qëllimi final i krijimit të njeriut është vënia e tij në provë. Atëherë, as mendja s'do të kishte më kuptim, as dhe propozimi për adhurimin e Zotit. Në të njëjtën kohë, njeriut do t'i hiqej vullneti dhe njerëzit do të detyroheshin të besonin, gjë që do të ishte në kundërshtim me frymën e përgjegjësisë. Atëherë, njerëzit shpirtbardhë si Ebu Bekri nuk do të dalloheshin nga njerëzit shpirtzinj si Ebu Xhehli. Meqë nuk do të kishte më të fshehtë prove, pozita e njeriut që i lë engjëjt pas, do të mbetej e palëkundur dhe krijimi i njeriut s'do të kishte më kuptim.
7. Ligjet e natyrës dhe shkaqet janë krijuar për zhvillimin e ideve, për formimin e diturive, shkencave dhe qytetërimeve.
Që nga dita kur është krijuar, njeriu e ka përqëndruar kureshtjen dhe kërkimin mbi lëndën dhe materien të krijuara nga Zoti; si rezultat, ai i ka zbuluar gjërat dhe dukuritë të krijuara në një formë të fshehur dhe, me përpjekjet e tij, teknologjia dhe qytetërimi kanë arritur në nivelin e ditëve të sotme. Por po qe se çdo gjë do të ishte krijuar qysh në fillim në formë të hapur, pra, do të dihej, nuk do të kishte as kërkim, as zbulim dhe as zhvillim. Njerëzit do ta quanin të zakonshme gjithçka që do të shihnin dhe nuk do të kishin punë tjetër veçse të prisnin vdekjen për t'u larguar nga kjo botë siç kishin ardhur...
8. Ligjet e natyrës dhe shkaqet, duke prodhuar një ambientim, afërsi dhe shprehi të caktuar, e bëjnë jetën të dashur.
Ambientimi dhe shprehitë të çliruara nga qëndrimet e skajshme, janë veti të pamohueshme të jetës së jetuar me kënaqësi. Jeta e mangët nga këto veti s'do të ishte aspak e pëlqyeshme dhe e dashur. Duke mos e ditur se me ç'gjëra do të përballej të nesërmen, njeriu jo vetëm s'do të mund të planifikonte dot gjë për të nesërmen, por s'do t'i mbetej të bënte gjë tjetër veçse të habitej dhe hutohej, gjë që s'do të ishte aspak e dëshirueshme. Përgjithësisht, po qe se në botë nuk do të veprohej në bazë të ligjeve dhe shkaqeve, të gjitha vlerat që e bëjnë këtë jetë të jetë kjo që është, si rregullsia dhe ekuilibri, nuk do të ekzistonin, pra, nuk do të kishte jetë.
Rruga e mesme e ambjentimit dhe shprehive është jetesa duke arsyetuar dhe medituar. Njëri qëndrim i skajshëm do të ishte fshirja e arsyetimit dhe meditimit, kurse qëndrimi tjetër i skajshëm do të ishte një përqëndrim i jashtëzakonshëm në arsyetim dhe meditim që do ta helmonte jetën. Ndërkaq, si në çdo gjë tjetër, edhe këtu besimtari zgjedh rrugën e mesme.
[1] Në origjinal, përkatësisht: Rahman dhe Rahim.
[2] Në origjinal: darul kudret.
[3] Në origjinal: darul hikmet.
- Publikuar më .