Natyra, Ligjet e Natyres dhe Shkaqet nuk Mund te Jene Krıjuesi dhe Administruesi i Vertete

1. Ligjet dhe shkaqet ekzistojnë me materien.

Ligjet dhe shkaqet ekzistojnë me materien, prandaj nuk mund të mendohen veç prej saj. T'i shohësh ligjet dhe shkaqet, ekzistenca e të cilave është e pamundur pa materien, si burimi, baza dhe krijuesi i materies, është krejtësisht një vetëmashtrim dhe përçartje dialektike. Nuk janë ligjet dhe shkaqet që e lindin materien dhe lëvizjen, përkundrazi, janë ligjet dhe shkaqet që lindin nga materia ekzistuese dhe lëvizjet e saj.

Yjet dhe planetet rrotullohen në orbitat e tyre dhe në një ekuilibër të caktuar. Por kjo nuk ndodh kështu sepse e ka zbu­luar Njutoni. Ndoshta rrotullohen sepse janë krijuar pas dhe ja­në vënë në atë rrugë. Kurse ajo që kanë bërë Njutoni dhe të tjerë, është se kanë zbuluar një ligj të vendosur në gjithësi së ba­shku me materien dhe i kanë vënë një emër.

2. Ligjet dhe shkaqet janë nga gjërat e mundshme.

Ekzistenca dhe mosekzistenca e ligjeve dhe shkaqeve janë njëlloj të mundshme. Meqë ligjet dhe shkaqet janë të lidhura me materien, kushtet që rrethojnë materien vlejnë edhe për to. Ashtu siç materia nuk mund të bëhet ekzistente pa pasur një shkak që të zgjedhë ekzistencën ndaj mosekzistencës së saj, ashtu dhe ligjet dhe shkaqet nuk mund të bëhen ekzistente pa një shkak zgjedhës. Ky është përfundimi i detyruar i të qenit i mundshëm. Ndërkaq, gjëja që është nevojtare për një zgjedhës dhe zgjedhje, kurrsesi nuk mund të jetë krijuese, sepse vetë ka nevojë për t'u krijuar.

3. Ligjet dhe shkaqet janë të krijuara pas, pra, akci­denciale. Për rrjedhojë, gjëja që s'është e pafundme, s'mund të jetë as e pafillimtë.

Ligjet dhe shkaqet janë të krijuara pas, pra, akcidenciale. Prandaj, thënia jonë se gjëja që s'është e pafundme, s'mund të jetë as e pafillimtë, vlen edhe për ligjet dhe shkaqet. Të men­dosh se një akcidencë është krijuar nga një akcidencë tjetër do të thotë të pranosh vargun e pafillim të lidhjeve shkak-pasojë, gjë që është absurditet.

Si materia, edhe ligjet dhe shkaqet po shkojnë drejt asgjë­simit. Shkencëtarët paraqesin shumë shkaqe që do të çojnë në copëtimin e materies, shpërndarjen e yjeve dhe shpërthimin e kiametit, katastrofës së përgjithshme. Gjërat që kanë një fund, që janë të dënuara të shkatërrohen, nuk mund të jenë krijues.

4. Ekzistenca e ligjeve dhe shkaqeve është nevojtare ndaj shkaqeve të tjera.

Ligjet dhe shkaqet që nuk janë vetë shkak për ekzistencën e vetes, prandaj dhe që janë pasojë, rezultat, kanë, gjithmonë, nevojë për shkaqe të tjera, gjë që shkon në mënyrë zinxhir. Meqë është e pamundur që kjo lidhje zinxhirore shkak-pasojë-shkak të zgjatet drejt fillimit në mënyrë të pafund, qëndrimi i saj në një pikë fillestare është i domosdoshëm e i pashmangshëm. Çështjen po e konkretizojmë kështu: fara është shkak për pe­mën, po shkak për farën, ç'gjë është? Pula vjen nga veza, po veza? Po të nisemi të kthehemi pas në vargun e shkaqeve dhe pasojave që arrijnë, ta zëmë, gjer te molla, nuk do të mbarojmë kurrë, veçse po t'i japim përgjigje përfundimtare pyetjes "po këtë?", gjë që mund të bëhet nëse në vend të një shkaku tre­gojmë një krijues, për të cilin s'kemi për të pyetur më "po kë­të?"

5. Ligjet dhe shkaqet janë gjëra konvencionale; ato s'kanë trup të vërtetë dhe individual.

Disa ligje dhe shkaqe nuk kanë trup të vërtetë dhe indivi­dual, por janë konvencionalë dhe imagjinarë. Le ta marrim li­gjin e gravitacionit. Ky emër është vetëm një emërtim i vënë për të shënuar një dukuri. Ligji në fjalë nuk është një send që shihet me sy, që preket me dorë ose që analizohet në laborator. Të prekshme janë vetëm rezultatet. E thënë ndryshe, ligjet janë fu­qi konceptuale të përbëra prej hipotezave abstrakte. Të këtij lloji janë ligji i zhvillimit (fuqia mbirëse) te fara, ligji i zhvendosjes te uji, ligji i shifrës te DNA-ja, ligji i tërheqjes te magneti.

6. Ligjet dhe shkaqet japin rezultate duke u mbësh­tetur në ligje dhe shkaqe të tjera për të cilat kanë ne­vojë.

Ligjet dhe shkaqet japin rezultate duke u mbështetur në ligje dhe shkaqe të tjera për të cilat kanë nevojë, por nuk kanë fun­ksion krijues nga e paqena. Kështu, është e mundur të mbli­dhen të gjitha ligjet dhe shkaqet (kushtet), si rezultat i të cilave formohet një qelizë, por është krejt e pamundur që nga ligjet dhe shkaqet e grumbulluara artificialisht ose, e thënë ndryshe, nga kushtet e krijuara artificialisht të krijohet një qelizë e gjallë! Fundja, po e themi me këmbëngulje se, për t'u formuar një gja­llesë, duhet që të bashkohen në mënyrë të vetëdijshme dhe të llogaritur mijëra shkaqe, gjë që nuk mund ta bëjnë vetë shkaqet ose të bëhet vetvetiu.

7. Mes ligjeve dhe shkaqeve, nga njëra anë, dhe re­zultateve, nga ana tjetër, nuk ka përputhje.

Ndërsa ligjet dhe shkaqet janë mjaft të thjeshta, të dobëta e të pavullnetshme, rezultatet e tyre janë shumë të përsosura, ar­tistike, të çmuara e të rëndësishme. Kjo do të thotë se, edhe pse mes shkaqeve dhe rezultateve duken marrëdhëniet pretekst-efekt dhe shkak-pasojë, përputhje nuk ka. Ashtu siç do të shka­ktonte habi dhe mahnitje një njeri me peshë pesëdhjetë kilo­gram duke ngritur një peshë prej pesëqind kilogramësh ose një fëmijë duke tërhequr një autobuz me një pe të lidhur në gisht, ashtu do të vihej re një ndryshim shumë i madh dhe një çe­kuilibër i çuditshëm kur të shiheshin materia dhe dukuritë që ke­mi përreth nga këndvështrimi i përputhjes shkak-pasojë që bartin ato. Për shembull, po të deshim të shponim gurët apo shkë­mbinjtë duke e përdorur gishtin tonë si majë kompresori, nuk do të arrinim ndonjë rezultat tjetër veç copëtimit të gishtit, sepse fortësia e gishtit tonë është jashtëzakonisht tepër larg for­tësisë që kërkohet të ketë maja e kompresorit që shpon shkë­mbinj. Mirëpo, ja që bimë të vogla fare me rrënjët e tyre të imta e të buta si mëndafsh, i bëjnë copë-copë gurët e shkëmbinjtë! Gje­the më të holla se letra e cigares e durojnë nxehtësinë për­vëluese dhe arrijnë të mbeten të gjelbra. Shihni se sa e vogël dhe e thjeshtë është një farë që përmban programin e një peme të madhe me degë, gjethe e fruta! Mendoni spermatozoidin që e përmban njeriun me të gjitha mundësitë dhe aftësitë e veta... Shqyrtoni duke nxjerrë mësim raportet e madhësisë së farës së fikut, aq të vogël sa mezi shihet me sy, me drurin e fikut! Kështu mund të radhisim edhe shumë shembuj të tjerë e të shohim se ç'përfundime japin ligjet dhe shkaqet e dobëta e të thjeshta, të cilat nuk mund të jenë burimi, baza dhe krijuesi i përfundimeve të tilla kaq të përsosura e të shkëlqyera!

8. Ligjet dhe shkaqet nuk mund të jenë krijues sepse janë nevojtarë për të kundërtat e tyre.

Ligjet dhe shkaqet nuk mund të jenë krijues sepse kanë të ku­ndërta. Fundja, në gjithësi, çdo gjë ka të kundërtën e vet. Ma­teria njihet me të kundërtën e vet. Polet tërheqje-shtytje, mi­nus-plus, cilësitë apo gjendjet nxehtë-ftohtë, i bukur-i shëmtuar, natë-ditë, send-kuptim, etj. njihen vetëm sepse kanë të kun­dër­ta. Por gjëja që, për t'u njohur, ka nevojë për të kundërtën e vet, nuk mund të jetë krijues ose zot.

Artisti nuk është art. Muratori nuk është mur. E kundërta do të ishte një përçartje.

9. Disa herë, edhe pse bashkohen të gjitha shkaqet, rezultat nuk ka; disa herë, rezultati del në shesh edhe pa u formuar shkaqet e duhura.

Disa herë, megjithëse bëhen bashkë të gjitha shkaqet (kush­tet) për formimin e diçkaje, formimi i asaj diçkaje nuk ndodh. E kundërta, gjëja ndodh edhe pa u formuar shkaqet (kushtet) e duhura. Këto tregojnë se është një Individualitet, që zotëron vullnetin dhe aftësinë e duhur zgjedhëse për të bërë apo për të mos bërë diçka. Ai Individualitet është Allahu, Zoti i gjithësisë.

10. Ndërsa nevojat e njeriut si shkaku më i lartë dhe i aftë, zgjaten gjer në pafundësi, mundësia e tij është e barabartë me zero.

Ndër shkaqet, njeriu është shkaku më i lartë e i aftë. Materia dhe dukuritë i janë nënshtruar atij. Me arsyen, vetëdijen dhe vullnetin e tij, njeriu është një qenie e zgjedhur. Pavarësisht nga të gjitha këto, njeriu është edhe qenia më e dobët, delikate dhe nevojtare. Diku mundet nga një mikrob, diku ndalet para edhe shkakut më të vogël. Megjithëse nevojat i ka të pafundme, fu­qinë e ka të barabartë me zero. Dhe tani, njeriu me këtë për­mbajtje dhe cilësi, ndaj cilit shkak do të hapë duart për lutje dhe nga kush do t'i kërkojë nevojat e veta të pakufishme?

Po, është një Individualitet të cilit ai i drejtohet e i lutet, Alla­hu, Zoti i gjithësisë, që i vërtit shkaqet në dorë si kokrrat e tes­pive!

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.