Ndaj ç'gjërave duhet të jetë i kujdesshëm e i tendosur një besimtar dhe si?
Në aspektin pozitiv, tendosja shpreh dëshirën e madhe e të jashtëzakonshme të njeriut për gjërat e mira dhe qenien e tij i gatshëm e syçelë për arritjen e tyre. Dëshirimi i pasionuar i fesë dhe i gjërave që i përkasin asaj, i ndjenjës dhe i mendimit fetar, vuajtja për to, qenia i shqetësuar për to, mendimi mbi to ditë e natë sikur të mendonte për njeriun dhe gjërat më të dashura, jetesa bashkë me to, pritja me dëshirën që feja të kthehet në jetë, zgjimi, në radhë të parë, i popullit të vet, pastaj edhe i njerëzimit ndaj ndjenjës dhe mendimit fetar, të gjitha këto janë qëllimi më i madh, madje do të thotë të njihet qëllimi i vetë jetës. Veçanërisht besimtari duhet të ndiejë e të tregojë urrejtje ndaj mohimit, mohuesit, imoralitetit dhe perversitetit në mënyrë që të ketë mundësi ta ruajë gjallërinë e vet. Në të kundërt, sapo që të tregojë edhe pasivitetin më të vogël, nuk mund të bëjë asgjë në emër të fesë, nuk mund të kryejë asnjë lloj shërbimi. Domethënë se realizimi i miratimit hyjnor është i mundur me një zell dhe dëshirë të fuqishme të besimtarit të orientuar ashtu siç do Ai që në jetë të sundojnë sistemi, rregulli dhe harmonia. Në se tek individi nuk ka vendosmëri lufte kundër çdo lloj perversiteti dhe teprimi, sidomos po qe se bashkëjeton me lloj-lloj mohimesh e perversitetesh, për pasojë të së cilës i humbet ndikueshmëria, do të thotë se ai e ka humbur tërësisht tendosmërinë dhe se i janë prerë këmbë e duar.
Qëndrimi i Profetit (a.s.) lidhur me këtë çështje është mjaft i hapur. Ai urdhëron: "Asnjëri prej jush nuk do të thotë se ka besuar në se nuk më do mua më shumë se veten, prindërit dhe fëmijët e vet!" Edhe lidhur me ruajtjen e tendosmërisë dhe shfaqjen hapur të qëndrimit ndaj të gjitha gjërave që duhen hedhur e duhen mbajtur, ai urdhëron kështu: "Janë tri gjëra që, ai që i jeton, do të thotë se ka shijuar shijen e besimit." Po, ai që e ndien dhe e gjen atë në ndërgjegjen e vet, do të thotë se është i vetëdijshëm në besim. Së pari, për besimtarin, Allahu dhe i dërguari i Tij duhet të jenë më të dashurit. Nuk duhet të ekzistojë gjë tjetër që ai ta parapëlqejë para tyre. Sado të thella të jenë lidhjet dhe dashuria e natyrshme e prindërve për fëmijën dhe e fëmijës për prindërit, lidhja e një njeriu ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij në aspektin logjik, gjykimor, ideor dhe vlerësimor duhet të qëndrojë mbi gjithçka. Në të vërtetë, lidhja dhe dashuria e ndjerë ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij janë shprehje e një meditimi dhe parandjenje, e një kërkimi dhe gjetjeje. Në se njeriu ka arritur, me anë të kërkimit dhe meditimit, në një dashuri të tillë në ndërgjegjen e vet, nuk ekziston gjë tjetër që do ta parapëlqente ndaj kësaj. Kjo është edhe veçoria e parë e kërkuar tek njeriu që ka shijuar shijen e besimit: të parapëlqejë Allahun dhe të dërguarin e Tij para çdo gjëje tjetër! Me një shprehje më të përmbledhur, të parapëlqejë themelin e besimit! Në se në zemra është dashuria për Allahun dhe në fytyra, drita e Tij, edhe ekzistenca ka kuptim... Ndryshe, s'ka asnjë ndryshim në se ekziston apo jo. Ja, pra, besimtari i bërë një me një kuptim të tillë, i do edhe të gjithë besimtarët e tjerë, madje, në një dimension, tërë qenien, si pasojë e dashurisë së thellë ndaj Individualitetit të Lartë, i do pa asnjë interes dhe kundërvlerë. Po, "njeriun që e do, për Allahun e do!"
Kjo çështja e parë është një element mjaft i rëndësishëm në formësimin e një bashkësie që e do Allahu. Çështja tjetër e rëndësishme është shfaqja e një tendosjeje dhe qëndrimi të qartë ndaj mohimit. Po, "pasi Allahu ta ketë shpëtuar një njeri nga mohimi dhe perversiteti dhe ai njeri nuk e sheh rikthimin në mohim dhe perversitet sikur do t'i duhet të hidhet në zjarr, do të thotë se nuk e ka shijuar shijen e besimit." Në brendësi të tij njeriu duhet të ketë neveri dhe urrejtje ndaj mohimit, mohuesit, perversitetit, gjërave të gabuara, të shtrembra e të padëshiruara. Një njeri që e ka humbur këtë urrejtje dhe neveri të brendshme, nuk mundet të dëshirojë as largimin e mohimit, as dhe zëvendësimin e tij me besimin dhe sundimin e besimit në zemrën e brezit njerëzor. Për një gjë të tillë, pikësëpari duhet të ketë një dashuri serioze për besimin, pastaj një urrejtje shumë serioze ndaj mohimit. Po, përcaktimi i një qëndrimi të tillë ndaj mohimit që shtrihet në themelin e çdo të keqeje, anarkie, çrregullimi e shqetësimi, qëndrueshmërie e sigurie, është kusht edhe për tendosmërinë e çdo besimtari, edhe për vendin, kombin, madje për gjithë njerëzimin. E keqja më e madhe që i kanë bërë këtij kombi armiqtë e fesë e të vendit, është se i kanë thyer tendosjen dhe syçelësinë e tij metafizike. Tani më mbi atë nuk ndikojnë as pushtimi, as shfrytëzimi, as dhe loja me nderin dhe krenarinë e tij. Një njeri i tillë që i është thyer tendosmëria metafizike, nuk do të bëjë "of!" edhe në se i merret nëpër këmbë nderi, edhe në se i shkatërrohet nderi, edhe në se nuk i mbetet gjë nga dinjiteti, edhe në se çdo gjë i bëhet copë e çikë! Sepse është i qullët e indiferent. Vetëm në saje të tendosmërisë dhe syçelësisë njeriu, ashtu siç do të arrijë të shtijë në dorë gjërat që i do e i kërkon, ashtu edhe do të largohet nga gjërat që Allahut s'i pëlqejnë.
Përgjithësisht, tendosja metafizike është për individin një dëshirë e thellë besimi që karakterizohet nga neveria dhe urrejtja ndaj mohimit, perversitetit dhe mendjemadhësisë rebele. Por kjo tendosje nuk është derdhje nëpër rrugë dhe përleshje. Megjithatë, është përjetimi i emocioneve të shkaktuara çdo ditë në ndërgjegje prej një mijë përleshjeve, është përkulja më dysh, disa herë në ditë, prej një mijë e një anktheve të përditshme, është të preokupohesh vazhdimisht me problemet e popullit, është që, për hir të shpëtimit shpirtëror të popullit, të jesh gati të hysh mes flakëve të xhehennemit, është që në jetën tënde jo një herë, por disa herë në ditë të vdesësh e të ngjallesh përsëri, është t'i përjetosh në ndërgjegje vuajtjet e shoqërisë mes së cilës jeton dhe çdo ditë, duke i parë njerëzit se si rrokullisen drejt xhehennemit, të rënkosh e të përpëlitesh mes dhimbjesh, është t'i ndiesh e t'i përjetosh mes ndiesive të tua ndërgjegjet e murrëtyera të atyre që s'kanë pjesë nga besimi dhe të përjetosh në ndërgjegje xhehennemin e mohuesve duke menduar se si jetojnë, vallë, si i përshtaten kësaj jete plot rënkime e si munden ta shtyjnë çdo ditë jetën e tyre mes atmosferës mbytëse e vrasëse të mohimit e perversitetit. Ja, pra, i tillë është njeriu i tendosur!..
Njerëz të tillë, me ndjenja të tilla të pastra e njerëzore, çdo ditë fitojnë shpërblimin e një dëshmori. Prandaj edhe as rëndimi i kushteve, as ngushtimi dhe pakalueshmëria e rrugëve, as ndjekja e një errësire nga një tjetër dhe qenia e mjedisit vazhdimisht i errët dhe me mjegull nuk munden t'i frikësojnë ata, nuk munden t'i bëjnë të squllët e indiferentë e t'i eliminojnë. Sidomos nuk munden t'i bëjnë që të përkulin kokën ndaj mohimit. Kjo është tendosja metafizike që kuptojmë ne. Në çastin kur një shoqëri e humb këtë tendosje, edhe në se ekziston për formë, në të vërtetë do të thotë se prej kohësh ka vdekur dhe është groposur. Pas kësaj, Allahu, për t'ua çuar pranë shpirtrave të vdekur edhe kufomat (trupat e pashpirt), ua lëshon në qafë mizorët, ua shtyp me anë të tyre edhe kufomat dhe i merr në varr shpirtra e kufoma bashkë!
Vdekja nis së pari në zemër e në shpirt, pastaj merr me vete edhe kufomën, trupin e pashpirt. Allahu kurrë nuk ka bërë që të merren nëpër këmbë njerëzit e pavdekur në shpirt. Në të kundërt, vazhdimisht, humbjen dhe disfatën në frontin shpirtëror e ka ndjekur humbja dhe disfata në frontin material.
Sa për të tjerët, dëshira e tyre për të pasur një jetë fetare është e kotë, iluzore. Vdekja është fundi i atyre që nuk kanë mundur ta ruajnë tendosjen metafizike, kushdo qofshin ata! Po qe se pritet një ringjallje, ajo do të ndodhë në shpatullat e atyre që e kanë tendosjen metafizike. Në çdo çështje, e vetmja mbështetje është vetëm e vetëm prej Tij!
- Publikuar më .