Cila është rruga, mënyra apo metoda e meditimit? A ka për të ndonjë përkujtim ose lutje të veçantë?
Pandeh se bashkë me pyetjen është dhënë edhe përgjigjja e saj. Në fakt, barazvlerësimi i një ore meditimi me një vit adhurim suplementar shprehet në një hadith të dobët,(1) por, më shumë se hadithi në fjalë, ka shumë ajete-argumente të Kur'anit që e mbështesin këtë çështje.
Në Kur'an thuhet: "Në krijimin e qiejve e të tokës, në zëvendësimin reciprok të natës me ditën ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt." (Kur'ani, Ali Imran: 190). Me të vërtetë, në lindjen dhe perëndimin harmonik të hënës e diellit, në rregullsinë marramendëse sipas së cilës ndodhin dukuritë, ka shembuj domethënës për ata që munden të mendojnë. Në lidhje me çështjen e meditimit, ky ajet është një argument evident. Profeti ynë (a.s.) urdhëron e thotë: "Sa keq për atë që e lexon këtë ajet dhe nuk mendon!" Bashkëshortja e Profetit, Ummi Seleme, thotë se ai ka qarë kur është zbritur ky ajet si dhe qante sa herë që e lexonte. Profeti, zotëria i kohës e i hapësirës, një natë, në namazin e natës, e pati kënduar këtë ajet e pati qarë. Ky dhe ajete të tjerë të ngjashëm që konsiderohen një portë e hapur për mendimin, meditimin dhe arsyetimin si dhe nga një udhëzues më vete në rrugët e hapura drejt klimës së meditimit, kanë rëndësi shumë të madhe për të treguar se cilat janë dimensionet e jetës meditative në Islam.
Vetëm se në fillim është e nevojshme të dihet se ç'është meditimi. Pikësëpari, meditimi duhet të mbështetet në një informacion fillestar. Ndryshe, me një meditim të varfër, injorant, vulgar dhe mediokër nuk mund të arrihet askund. Një meditim i tillë i mbyllur sjell, me kohë, ngopje, mërzitje dhe neveri dhe pastaj njeriu arrin që të mos mendojë dot më. Fillimisht njeriu duhet ta njohë shumë mirë subjektin mbi të cilin do të meditojë, specifikat që do të përbëjnë bazë për meditim duhet t'i sjellë në mendje në gjendjen e materialeve të gatshme, domethënë duhet t'i ndodhet një informacion i qëndrueshëm në mënyrë që të mundet të mendojë rregullisht e sistematikisht. Në se njeriu i njeh qoftë edhe pak lëvizjet dhe ciklin e trupave qiellorë, marrëdhëniet e tyre me njeriun, lëvizjen dhe veprimtarinë mendjetronditëse të grimcave që përbëjnë trupin e njeriut, kur mendon mbi to, këtij mendimi mund t'i thuhet meditim. Kurse ata që, duke vështruar kah lëvizjet e hënës e të diellit, ndiejnë ca gjëra - produkte të frymëzimeve poetike e përpiqen po kështu të thonë ca gjëra, nuk janë mendimtarë, por poetë apo ëndërrimtarë që shprehin frymëzimet apo iluzionet e tyre. Po kështu, nuk është e mundur të quhen mendimtarë të vërtetë, domethënë meditues që e vrasin mendjen për të vërtetën as edhe një pjesë poetësh e pseudomendimtarësh natyralistë të zhytur në baltovinën e natyralizmit. Sidomos në periudhën e republikës aq të paktë janë mendimtarët mes poetëve e shkrimtarëve të treguar si me emër, sa që numri i tyre nuk i kalon gishtat e një dore. Edhe ata janë dënuar me harresë si pasojë e mendimeve dhe e ndjenjave të tyre fetare dhe në asnjë mënyrë nuk i është dhënë mundësi shoqërisë që t'i njohë.(2)
Vërtet në këtë periudhë ka pasur një grusht njerëzish që i kanë ardhur rreth e rrotull materies dhe ekzistencës së saj, por edhe ata kurrë nuk kanë mundur ta njohin të vërtetën e materies. Për shembull, në shprehjet e poetëve të kësaj periudhe, të dashuruar pas natyrës, njeriu bëhet sikur po ndien parajsën, sikur po ndodhet mu në mes të saj: shushërima e ujrave që rrjedhin, vesimi i një shiu fluror, fëshfërima e gjetheve të pemëve, kënga e zogjve... Mirëpo, me që këta njerëz kanë jetuar vazhdimisht të izoluar prej fakteve, përfundimeve dhe perspektivës, kanë mbetur armiq të së vjetrës dhe injorantë të së resë. Jeta u ka kaluar me përçartje sipër mbulesës prej tenteneje të botës së dëshmisë (konkrete) dhe janë vërtitur rreth vetes sikur të ishin duke vozitur me një varkë me një lopatë të vetme. Në të gjitha anët e mendimeve të tyre mbi jetën ka një ngecje, një shteg të mbyllur dhe ajo çka këta quajnë meditim, s'është gjë tjetër veç një ankth i pashpresë mes atyre shtigjeve të zëna në të gjitha anët. Dhe natyrisht që një meditim i tillë nuk ka asnjë dobi!
Për të medituar, së pari duhet një e dhënë fillestare, informacion fillestar, duhen sinteza të reja në përputhje me bazën dhe spazma idesh mbi këto me mendimin për të kërkuar të vërtetën. Personi që mundet të mendojë me këtë sistem, mund të arrijë në mendim konkluzione gjithnjë të reja e të vazhdueshme. Pastaj, duke i bërë këto konkluzione bazë për hapa të tjerë, mendimi mund të shpërthejë përpara e, kështu, duke nxjerrë përfundime të reja prej kësaj, njeriu thellohet dhe dimensionohet në meditimin e tij. Më tej, duke e çuar mendimin e tij një ose dydimensional në meditim tri ose shumëdimensional, me kohë mund të ngjitet në nivelin e një mendimtari "dykrahësh" (3) dhe e një njeriu të përsosur.
Shkurt, si bazë fillestare të procesit të të menduarit mund të radhisim specifika të tilla si leximi, aftësimi për të kuptuar librin e gjithësisë, mbajtja hapur e zemrës ndaj frymërave që vijnë prej Zotit dhe kokën ndaj parimeve të ligjshmërisë së krijimit dhe shikimi i ekzistencës me objektivin e Kur'anit që konsiderohet interpretuesi i shenjtë i saj. Ndryshe, konstatime të tilla si ylli polar qëndron këtu, dielli perëndon kështu, ky konstelacion është i tillë e ai tjetri i atillë, vështrimi në fytyrën e materies pa ndonjë synim të përcaktuar e në mënyrë injorante jo vetëm që kategorikisht nuk mund të jenë meditim, por as që ekziston mundësia për të arritur diku me një lloj meditimi të tillë. Edhe fitimi i ndonjë të mire prej tij është çdo herë diçka e diskutueshme.
Prej kësaj rrjedh ajo që një orë meditim është i barazvlershëm me adhurime suplementare të kryera për vite të tëra. Në saje të një ore meditimi tek njeriu shfaqet besimi i përsosur, në shpirt të tij përshndrisin dritërat e intuitës që e afrojnë atë në njohjen dhe ndjerjen e Zotit; ndërkaq, në zemër duket dashuria hyjnore, njeriu arrin kënaqësi shpirtërore dhe sikur bëhet me krahë.
Ja, pra, me një meditim të tillë cilido njeri arrin largësinë që me një punë të mangët prej një meditimi të tillë do të mund të arrihej në një mijë muaj, për rrjedhojë konsiderohet se ka arritur fitimet më të mëdha. Sa për njeriun që nuk ka mundur të kthehet kah Zoti i tij brenda një meditimi dhe vetëdijeje të tillë, edhe sikur një mijë vjet të bjerë e të ngrihet, nuk quhet se ka përparuar as edhe një hap. Nisur nga kjo konsideratë, gjërat që ka bërë nuk barazvlerësohen me një orë meditim. Mirëpo kjo s'do të thotë se adhurimet e bëra prej tij gjatë një mijë vjetëve kanë shkuar kot. Mos qoftë e thënë! Para Allahut, as një fragment adhurimi i tij, bile, nuk ka shkuar kot.
"E kush të ketë punuar një të mirë sa grimca, do ta marrë atë e kush të ketë punuar ndonjë të keqe sa grimca, do ta marrë atë!" (Kur'ani, Zilzal: 7-8).
Domethënë se njeriu meriton disa gjëra me aq sa ka bërë. Duke arsyetuar mbi këtë bazë, njeriu në fjalë e ka kryer detyrën e adhurimit të Zotit si rob i Tij pavarësisht se në ç'formë dhe konsiderohet të ketë kaluar në disa lloj marrëdhëniesh me Të. Vetëm se nuk ka mundur të përftojë gjërat që prodhohen prej meditimit.
Kështu, pra, meditimi në këtë kuptim, ashtu siç e parashtrova këtu, mund të barazvlerësohet me një mijë vjet adhurim.
Këtu pyetet edhe diçka tjetër: A ka këndime dhe përkujtime të caktuara që përbëjnë bazë për meditim ose pretekst për të? A mund ta zhvillojnë këndime dhe përkujtime të caktuara meditimin e njeriut?
Ashtu si në këndimin dhe kuptimin e librit të gjithësisë, edhe kjo varet prej të qenit i vetëdijshëm për çka po bën. Lutja e vetëdijshme, përgjërimi i vetëdijshëm disa herë, në botën e brendshme të njeriut, mund të hapë edhe drynat e dukur si më të ndryshkurit. Vetëm se unë nuk do të mund të them ndonjë gjë se këndimet dhe përkujtimet në fjalë nga ku e si do të zgjidhen. Kjo, siç varet prej aftësive të veçanta të personave, ashtu ndryshon edhe sipas besimit dhe opinionit të tyre.
Një specifikë tjetër është edhe kjo: a e zëvendësojnë meditimin ajetet kur'anore që nxisin për meditim dhe lutjet e bëra në heshtje?
Në se ato s'kuptohen dhe njeriu nuk thellohet në to, nuk ka meditim. Ka të mirë, por jo meditim. Meditimi vjen nga të vrarët e mendjes. Meditim do të thotë që të bashkosh dukuri të reja me ato ekzistueset dhe të sintetizosh. Edhe sikur krijimi i lidhjeve mes shkaqeve e pasojave dhe përforcimi i marrëdhënieve mes Zotit dhe robit të konsiderohen çdo kohë meditim, këndimet dhe përkujtimet që nuk shpien në këtë lidhje të shenjtë ose edhe mësimet e njerëzve të mëdhenj krijojnë një të mirë, por nuk përbëjnë një meditim. Që të kemi meditim, kjo varet se sa e vemë në punë zemrën dhe shpirtin, se sa qëndrojmë dhe kërkojmë mbi objektin që merret për meditim, se sa i thellojmë dhe i përforcojmë marrëdhëniet me Zotin. Zoti na dhëntë sukses në këtë punë! Gjëja më e paktë e më e rrallë në ditët tona është meditimi! Nisur nga kjo, nuk teprohet në se thuhet se në meditim njeriu i sotëm është këmbësor.
[1] Hadith i dobët: hadith, porosi profetike joplotësisht e konfirmuar.
[2] Autori e ka fjalën për periudhën politike në Turqi pas përmbysjes së monarkisë më 1923. Ashtu siç po ndodhte edhe në Europë, kryesisht, edhe Turqinë e pati përfshirë atëherë vala e materializmit darvinisto-marksist dhe e natyralizmit pozitivist që kishin në fundament një ateizëm intransigjent e që u identifikuan më pas me komunizmin, ideologjinë më ateiste e intransigjente, armike të hapur të mendimit të lirë e të lirisë së njeriut. Siç dihet, kjo "erë ideofilozofike" çoi në fillim në konfrontimet e mëdha europiane të nisura me ngjarjet e vitit 1848, të ndjekura nga dy luftërat botërore e më pas nga sistemi komunist botëror të cilin e shembi vetë fundamentalizmi i tij - armiqësia ndaj çdo meditimi e mendimi të lirë.
[3] Në origjinal: Zylxhenahejn (osm.), dijetar i botës së jashtme materiale dhe i botës së brendshme, i botës shpirtërore e metafizike.
- Publikuar më .