Sa është numri i profetëve të ardhur në botë? Të gjithë meshkuj janë? Pse?

Profet është dërguar në të gjitha vendet e botës. Por numrin e tyre nuk e dimë. Vetëm se në librat e hadithit, porosive profetike, bëhet e ditur se janë dërguar, sipas një rrëfimi, 124 mijë, sipas një rrëfimi tjetër, 224 mijë profetë. Nga pikëpamja e metodës së hadithit, rrëfimeve të tilla mund t'u bëhet kritikë. Por numri i tyre nuk ka rëndësi, qofshin 124 mijë, qofshin 224 mijë. E rëndësishme është kjo: Allahu asnjë periudhë nuk e ka lënë bosh. Pothuajse në çdo periudhë ka dërguar një profet.

Profetët u janë dërguar vendeve të ndryshme e zonave të ndryshme. Me anë të dogmës kategorike, urdhërohet: "Ne të dërguam ty me atë që është e vërtetë, përgëzues e qortues dhe nuk pati asnjë nga popujt që s'iu dërgua pejgamber." (Kur'ani, Fatir: 24) Ky ajet-argument si një dogmë kategorike e Kur'anit tregon se në çdo popullatë të sipërfaqes së tokës ka dalë një profet.

Në një tjetër ajet-argument, Allahu ka urdhëruar kështu:

"... Ne nuk dënuam askënd para se t'i dërgonim një pejgamber!" (Kur'ani, Isra: 15) . Kjo do të thotë se, në se Allahu do të merrte në pyetje, do t'i kërkonte llogari e do ta ndëshkonte një bashkësi njerëzore pa i dërguar më parë një profet që t'i tregonte të vërtetën e ta paralajmëronte për ndëshkimin në se do të ecej në rrugë të shtrembër, kjo do të binte në kundërshtim me karakterin gjithëpërfshirës të mëshirës së Tij. Sepse Ai, me fermanin e Tij kategorik "Kush bëri një të mirë qoftë edhe sa grimca, do të shpërblehet për të dhe kush bëri një të keqe qoftë edhe sa grimca, prapë do të shpërblehet për të!" (Kur'ani, Zelzele: 7-8), është kah pohon se e mira dhe e keqja s'do të mbeten pa u shpërblyer, pa marrë përgjegjësen e tyre. Atëherë, nuk mund të thuhet se kanë për t'u ndëshkuar njerëzit të cilëve nuk iu është dërguar profet. Mirëpo, me që Allahu, në fermanin e mësipërm flet për shpërblimin dhe ndëshkimin pa bërë ndonjë dallim apo përjashtim, do të thotë se të gjithë njerëzve, pra, çdo njeriu i është dërguar profet, gjë që pohohet, siç e pamë, në Zelzele: 7-8.

Dhe tani, pasi tërhoqëm vëmendjen për tre kanune në këtë varg ajetesh-argumente me lidhje logjike mes tyre, le të përpiqemi ta parashtrojmë çështjen bazë. Allahu ka dërguar në periudha të ndryshme profetë pothuaj në të gjitha anët e faqes së tokës. Këta profetë nuk kanë dalë vetëm në Gadishullin Arabik, siç pandehin disa. Të pretendosh pa u mbështetur në asnjë argument se të gjithë profetët kanë dalë në Gadishullin Arabik, bie në kundërshtim me postulatet e Kur'anit. Ç'është e vërteta, ne nuk i njohim as të gjithë profetët e dalë në Gadishullin Arabik, as dhe profetët e dalë në vende të tjera të botës. N'daç të jetë 124 mijë numri i profetëve, n'daç 224 mijë, mes këtyre ne njohim vetëm 28, ndër të cilët tre të dyshimtë.

Po, në bazë të njoftimit të Kur'anit, ne mundemi të themi se njohim vetëm 28 profetë, nga Hz. Ademi e gjer te Profeti ynë, Hz. Muhammedi (a.s.). Edhe për këta e kemi të pamundur të themi se ku kanë dalë. Eshtë i fortë mendimi se tyrbeja e Hz. Ademit ndodhet në Xhidde. Megjithatë, asnjëri prej këtyre mendimeve s'është i saktë. Nuk janë të fuqishme as rrëfimet se Hz. Ademi me Hz. Havanë janë takuar në Xhidde. Për rrjedhojë, së pari ne nuk dimë se ku e kreu detyrën e tij profetike Hz. Ademi. Mund të themi se e njohim pak Hz. Ibrahimin. Ai është përsjellur në anët e Mesopotamisë e të Anadollit dhe ka qenë edhe në Siri. Për profetin Lut pandehim se ka vepruar në zonat e Sodomit, Gomorrës e të Liqenit të Lutit (Deti i Vdekur). Mund të themi se njohim Hz. Shuaibin në Medjen dhe Hz. Musain të dalë në Egjipt. Mund të pranojmë se Hz. Jahja dhe Hz. Zekerjai janë ndodhur në vendet e Mesdheut. Ka mundësi që të kenë kaluar në Anadoll. P.sh., lidhja e Hz. Isait dhe Hz. Merjemes me Efesin mund të na japin një ide rreth kësaj çështjeje, por asnjëri prej këtyre mendimeve nuk është i argumentuar dhe kategorik.

Ndërkaq, ne nuk dimë asgjë se ku kanë dalë profetët e tjerë përveç këtyre njëzetetetëve. Nga kjo kuptohet që është krejt e pamundur të arrihet në një konkluzion për këtë çështje. Sidomos kur ka humbur origjinali i atyre feve dhe nuk ka mbetur gjurmë prej profetëve të tyre. Prandaj edhe e kemi krejtësisht të pamundur të themi në se kanë ardhur profetë apo jo.

Për shembull, në se do të analizohej kristianizmi, në mbledhjen e Iznikut atij iu dha një drejtim tjetër, në kundërshtim me botëkuptimin e parë kristian. U braktis botëkuptimi monoteist në tërësinë e tij dhe u zëvendësua me botëkuptimin trinist, gjë që qe tradhtia më e madhe e bërë kundër kristianizmit nga vetë ndjekësit e tij. Libri i shenjtë i kristianizmit, i zbritur nga qielli, u korrigjua nga pasuesit e drejtpërdrejtë të Hz. Isait. Autorësia hyjnore e tij u bë njerëzore. Ndërsa pati ardhur me idenë e unitetit, u bë vegël e idesë politeiste të trinitetit. Dikush e quajti profetin bir të Zotit, kurse e ëma e bekuar e atij personaliteti të bekuar u pa si një pjesë e të vërtetës hyjnore. Kurse dikush tjetër e njësoi Zotin me trupat dhe sendet konkrete. Zoti u trupëzua duke u kryer, kështu, mëkati më i rëndë ndër perversitetet e kësaj natyre. Ja, pra, mes këtij besimit kristian të idhujtarizuar dhe botëkuptimit grek mbi Zeusin dhe Afroditis-in, në esencë, nuk ka asnjë ndryshim. Edhe ata që e korrigjuan librin e tyre, krejt si grekërit, e quajtën zot të parin e tyre dhe ranë në politeizëm.

Të gjitha deviacionet në historinë e njerëzimit kështu kanë nisur e, pastaj, gabimet e deviacionet kanë vazhduar më tej. Po qe se Kur'ani nuk do të na thoshte se Hz. Isai është i dërguari i Zotit dhe se Hz. Merjemja, një grua shumë e vyer, ne do t'i shihnim edhe Hz. Isain me Hz. Merjemen po me atë sy që shohim Zeusin dhe Afroditis-in.

Domethënë se ka shumë fe që, pasi janë shpërbërë nga ana e njerëzve, kanë humbur plotësisht aspektin e tyre hyjnor. Prandaj edhe sot është mjaft e vështirë të thuash prerë se në cilin vend, në cilin popull ka shkuar a s'ka shkuar profet. Kush e di, ndoshta edhe Konfuci ka pasur detyrë profetike. Mendimi i historisë së feve rreth kësaj çështjeje është i mangët. Edhe ato çka janë thënë e shkruar për të, janë të dhëna të mbledhura andej-këtej e të sistemuara njëfarësoj. Por ne dimë se në histori kanë ekzistuar një Konfuci e një Buda, se ata kanë pasur nga një fe, se ato fe kanë sunduar në bashkësi shumë të mëdha, ndërkaq, me gjendjen e tyre të sotme, nuk janë më origjinale e hyjnore pasi, ndër të tjera, përmbajnë gabime e korrigjime; për këto si dhe për akte të tilla të çuditshme si adhurimi i kaut, lopës apo demit, vetëflijimi duke u djegur, mbyllja në shpellë dhe fjetja atje për gjashtë muaj pa ngrënë e pa pirë, ne nuk i pranojmë ato si fe. Ndoshta edhe ato kanë qenë lidhur pas një burimi hyjnor, por, më pas, janë prishur ashtu siç është prishur kristianizmi.

Po qe se edhe muslimanët nuk do t'i mbronin me përparësi dhe kujdesin e duhur burimet e fesë së vet, do të bëheshin përpjekje që edhe Islami të kishte të njëjtin fund. Fundja, nuk mund të thuhet se, si në të kaluarën, ashtu edhe sot, nuk janë bërë përpjekje për këtë gjë. Me interpretimet e tyre modifikuese, nga njëra anë personat me qëllime të mbrapshta e, nga ana tjetër, muslimanët e pakujdesshëm e indiferentë kërkojnë të bëjnë të njëjtën gjë. Për shembull, konsiderata për veten e vet e dikujt që pi alkool dhe kryen mëkatin e prostitucionit, sikur e jeton Islamin ashtu siç duhet, është shprehje e një shkatërrimi të tillë në praktikë. E njëjta gjë janë edhe vjedhja, bixhozi dhe faizi.

Konfucit nuk mund t'i themi "profet", sepse, ashtu siç është blasfemi a herezi t'i thuhet "profet" atij që s'është profet, ashtu është blasfemi dhe herezi edhe t'i mohohet profetësia dikujt që është profet. Ato që mendojmë për Konfucin dhe vendin e tij, vlejnë edhe për Europën. Megjithatë, nuk mund të themi diçka kategorike, sepse nuk dimë diçka të tillë.

Flitet edhe për Sokratin, por jeta e tij nuk na është përcjellë e plotë dhe e saktë, domethënë, nuk e njohim mirë jetën e tij. A është Sokrati një filozof nën ndikimin e hebraizmit, apo një mendimtar tjetër? Disa mendimtarë konkludojnë se Sokrati është një filozof i ndikuar nga hebraizmi. Por dokumentet historike nuk na paraqesin ndonjë opinion të tillë.

Sipas Platonit, Sokrati paska thënë: "Para syve gjithmonë më kanë dalë ca gjëra. Ndoshta kanë qenë halucinacione. Më flisnin mua për ta orientuar njerëzimin. Qysh në fëmijëri e kam ditur se do të bëhesha një njeri i ngarkuar me detyrë për t'u diktuar njerëzve idenë e Zotit, për t'i drejtuar ata kah Zoti..." Në se në fjalët e Sokratit do të kishte pjesë nga e vërteta, mund të thuhej për të se ka qenë një profet i dërguar për popujt e Europës, një profet më i afërt e më i përshtatshëm ndaj idesë dhe mendimit filozofik. Ju lutem, kini kujdes: nuk po them se Sokrati ka qenë profet, pasi, po të mos ketë qenë, do të bie në blasfemi. Po them vetëm kaq: mundet...

Sipas shprehjes së hadithit, kanë ardhur 124 mijë ose 224 mijë profetë. Ne nuk mundemi ta dimë se ku kanë dalë gjithë këta. Ndërkaq, mund të flasim për vendin e katër prej tyre. Lajmëtari Besnik, Hz. Muhammedi (a.s.), thotë se këta mund të kenë dalë në të gjitha vendet. Nisur nga një orientim i tillë, do t'ju parashtroj juve ca shembuj rreth daljes së profetëve që s'ua dimë numrin, në vende të ndryshme të botës.

Njërin prej tyre do t'jua përcjell prej Ali Beut nga turqit Kerkykë, aktualisht profesor i matematikës në universitetin e Riadit. Ai thotë: "Kur po mbroja tezën e doktoratës në Amerikë, ndodhte që të takohesha aty-këtu me vendas dhe zezakë. Dhe mes atyre fiseve qeshë përballur disa herë me parime fetare të tilla që përputheshin plotësisht me besimin tonë monoteist. P.sh., ata thoshin: "Zoti nuk ka ortak, pasi, po të jenë dy zotër, ngatërrohet puna..." Kjo shprehte kuptimin e ajetit kur'anor "Po qe se në tokë e qiej do të kishte zotër të tjerë veç Allahut, toka dhe qiejt do të shkatërroheshin." (Kur'ani, Enbija: 22). Eshtë e pamundur që zezakët ta gjejnë vetë këtë të vërtetë në se s'ua ka thënë ndonjë profet. Gjithashtu ata thoshin: "Zoti nuk lindet dhe nuk lind." Dhe kjo mund të ishte vetëm pohim i një mendësie të ndriçuar. Sepse të lindesh dhe të lindësh janë veçori njerëzore të rrjedhura nga një pozitë inferioriteti. Kurse Zoti s'ka të bëjë me gjëra të tilla që i përkasin një qenieje të vdekshme. E ku do t'i dinin ata këto konkluzione të një gjykimi të lartë në se s'do t'ua kishte "fryrë në vesh" ndonjë profet? Eshtë e pamundur që një besim i tillë hyjnor që mund të rastiset vetëm në kombet e përparuar, t'u përkasë këtyre bashkësive primitive që ende kryejnë rite të tilla si vallja e zjarrit, që hanë pleqtë, etj. Kjo mund të jetë vetëm një e vërtetë që ua ka pëshpëritur nga jashtë atyre një profet.

Profesor Mustafa Mahmud, një nga personalitetet e shekullit tonë, ky njeri që ka bërë kthesë nga ateizmi, duke qenë më parë përkrahës i flaktë i materializmit, modës së ditëve tona, pasi ka analizuar Kur'anin dhe ka bërë kërkime rreth Islamit, është larguar prej herezisë me një kthesë prej 180 gradësh... Duke bërë fjalë për një udhëtim të tij, Dr. Mahmud thotë: "Në Afrikë u takova me fiset Nijam-Nijam dhe Mav-Mav. I pyeta se çfarë besojnë. Dhe më thanë: "Ne i besojmë një Zoti të tillë që rri në qiell dhe i drejton ata që ndodhen në tokë." Në të vërtetë, Zoti nuk rri në qiell, por, gjithmonë, ashtu siç shprehet edhe në ajetin kur'anor "Mëshiruesi është ulur në Arsh (simboli i rezidencës hyjnore - përkth.)" (Kur'ani, Taha: 5), është konsideruar që ligjet dhe urdhërat hyjnore vijnë prej qiellit. Prandaj edhe shikimet dhe duart drejtohen kah qielli. Dhe dëgjova që thoshin kuptimin e kapitullit Ihlas të Kur'anit: "Zoti është një qenie te e cila mbështetet çdo gjë, ndërsa ai nuk mbështetet në asgjë. Ai nuk ka lindur nga prindër. Ai nuk ka të ngjashëm me veten." Shkova në një fis tjetër. Edhe ata njerëz të egër i besonin Zotit krejt si ne. Ata kishin një botëkuptim monoteizmi të afërt me atë të Kur'anit. As që mund të mendohet që ata t'i dinë vetë këto gjëra pa ua thënë dikush, domethënë një profet. Po, atyre ua ka thënë dikur një profet dhe këto thënie e mendime i kanë sjellë gjer në ditët tona nga brezi në brez...

Po, qoftë Kur'ani, qoftë realiteti, qoftë edhe të vërtetat historike na tregojnë se janë dërguar profetë pothuaj në të gjitha anët e botës, edhe pse numrin e tyre ne nuk e dimë saktë.

Në këtë mes është me vlerë të parashtrojmë edhe çështjen në se kanë ardhur apo jo gra profete. Dijetarët, juristët dhe të gjithë specialistët e hadithit sunnitë thonë se nuk ka ardhur grua profete. Kurse çështja e profetësisë së Hz. Merjemes dhe e Hz. Asijes, e rrëfyer si përjashtim, nuk është e fuqishme. Përfundimisht është arritur në konkluzionin se nuk ka ndonjë argument kategorik për ardhjen e ndonjë gruaje profete. Në parim, mosardhja e një gruaje profete nuk përbën ndonjë mangësi. Zoti e ka krijuar të gjithë materien mbi bazën e antagonizmit plus (+) minus (-). Qëndrueshmëria e materies, nga atomet e gjer te nebulozat, mbi këtë antagonizëm bazohet. Kurse njeriu, i përbërë prej atomeve, ka një ndërtim të tillë, me anë të të cilit të mundë të ngrejë një ekuilibër mes mikrobotës e makrobotës. Të njëjtat ligje veprojnë edhe tek njeriu. Edhe tek njeriu duhet të ekzistojë antagonizmi plus-minus në mënyrë që pjesët të tërheqin dhe përplotësojnë njëra-tjetrën. Duhet të bashkohen dobësia dhe dhembshuria e njërit me forcën dhe ashpërsinë e tjetrit që, ashtu si uniteti që ekziston në atomet dhe nebulozat, të formojnë një familje uniteti.

Në ditët tona, përpjekjet për ta sjellë artificialisht femrën në nivelin e mashkullit e për ta mashkullizuar atë, janë bërë një nga subjektet me të cilat tallet çdokush, apo që here-herë shoqërohet me keqardhje e mërzitje. Pasi që gruaja është shmangur nga të qënit femër dhe është kthyer pothuajse tërësisht në mashkull, ka nisur t'i tregojë dhëmbët burrit e, kështu, në familjen e mbetur pa kryetar, rregulli e qetësia e saj janë prishur, fëmijët janë çuar nëpër kopshte e çerdhe, kurse nëna e babai kanë nisur të kërkojnë mjedise të tjera për veten.

Ligji i përgjithshëm i Zotit, i shprehur tek gruaja, është një subjekt mbi të cilin e vlen të qëndrohet edhe tek çështja në se një grua mund të bëhet profete apo jo.

Gruaja lind fëmijë. Në se fëmijën do ta lindte burri, gjithsesi atëherë s'do të bëhej fjalë për profetësi të tij. Sepse do ta pengonin të përmuajshmet, nuk do të mund të drejtonte faljen, të agjëronte, etj. Pastaj do të vinte koha e shtatzanisë, e lindjes dhe lehonisë, rritja e fëmijës, etj. Ndërsa profetësia do t'ia kërkonte të ishte gjithmonë në krye të detyrës në krye të njerëzve, në fushë të luftës, të përballonte vështirësi e sakrifica fizike, gjë që janë krejtësisht të pamundura për një grua. Kurse profeti është një figurë prijëse shembullore dhe e përsosur. Njerëzit do t'i përcaktojnë sjelljet dhe qëndrimet e tyre duke parë nga ai, kurse çështjet e femrës, duke parë nga familja profetike.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.