Kur ne sjellim salavat, a zbret mbi Pejgamberin mëshira dhe paqja e Allahut? Fundja, Allahu e zbret mbi të mëshirën e Tij! Atëherë, cila është urtësia e salavatit tonë?
I Dërguari i Madh (a.s.) është si një embrion në themel të dobive e begative të mëdha. Për ju ai është një prijës i përgjithshëm, një udhëzues i pagabueshëm që ju tregon rrugën e drejtë, që hap brazdën e drejtë, që shërben si argument i "sirati mustekim"-it, rrugës së drejtë dhe shpëtimit.
Në këtë rrugë të ndritshme, Personit që është bërë shkak për t'i nxjerrë njerëzit nga errësira në dritë, do t'i jepet një pjesë nga mirësia (sevapi) e secilit njeri që ecën në të. Nisur nga e fshehta se "shkaku është autori i vërtetë",(1) një pjesë e mirësive të kryera nga ummeti, bashkësia e tij, do të regjistrohen në defterin e tij.
Me vdekjen e të Dërguarit të Madh që është titullari i Postit të të Përlavdëruarit,(2) defteri i tij nuk do të mbyllet, mirësitë grumbuj-grumbuj dhe veprat e mira do të shënohen pa pushim në defterin e tij, posti i tij do të vijë duke u zmadhuar, kufijtë e kompetencës së tij do të vijnë duke u zgjeruar dhe, dashtë Zoti, çdo ditë që kalon, ai do të fitojë të drejtën për të ndërhyrë për falje për shtresa gjithnjë e më të gjera të ummetit të tij. Për rrjedhojë, kjo çështje duhet trajtuar nga dy këndvështrime të veçanta.
E para, ne, duke kënduar salat dhe selam (lutjen për paqë e mëshirë) për Profetin (a.s.) tonë, e rinojmë betimin dhe i drejtohemi atij me kërkesën për të qenë ummeti, bashkësia e tij. Sikur i themi:
"Të kujtuam ty e menduam për ty; iu lutëm Zotit të ta lartësojë vlerën, të ta ngjisë edhe më lart!" Si rrjedhojë e lutjeve tona të bëra me këtë qëllim, kuadri i shefaatit, ndërhyrjes së tij për falje zgjerohet edhe më tej. E, kështu, më shumë njerëz munden të përfitojnë nga ajo ndërhyrje për falje.
E dyta, lutja e bërë nga dikush për Pejgamberin, për lartësimin e vlerës së tij, bëhet pretekst që ai njeri të hyjë nën mbrojtjen e Tij. Kështu, kuadri i ndërhyrjes për falje i Profetit në lidhje me atë person fiton dimension. Për rrjedhojë, më tepër se Profeti, për salavatin, lutjen e kënduar për të, kemi nevojë ne. Me lutjen tonë ne kemi pranuar ekzistencën dhe madhështinë e tij, ndërsa, njëkohësisht, kemi shpallur vogëlsinë dhe pavlerën tonë. Ashtu si dikush që, duke njohur madhështinë e shtetit, i drejtohet atij për ndihmë, ashtu edhe ne, me dobësinë dhe varfërinë tonë bashkë, të tronditur qysh sot për ditën e madhe e tepër të vështirë të ringjalljes, strehohemi tek i Dërguari i Madh (a.s.) si e vetmja strehë mbrojtjeje dhe shpëtimi duke ia paraqitur lutjet tona.
Zoti na bëftë të merituar për ndërhyrjen për falje të Muhammedit (a.s.), zotëruesit të së drejtës për Ndërhyrjen e Madhe!
Le t'ua paraqes edhe sihariqin e kësaj pune. Thuhet se çdo pejgamber ka diçka për ummetin, bashkësinë e tij. Pejgamberi ynë ka urdhëruar: "Unë e kam fshehur për në ahiret (në jetën e pastajme) atë që kam për t'ia dhënë ummetit tim. Dhe ajo gjë është shefaati (ndërhyrja për falje) im!"
[1] Në origjinal: Essebebu kel fail.
[2] Në origjinal: Makam-i Mahmud.
- Publikuar më .