"Për atë i cili, në kohët kur ummeti im përfshihet nga ngatërresa dhe intriga, mbahet fort pas sunnetit tim, ka shpërblim sa për njëqind dëshmorë!" A mund të na e shpjegoni karakterin e mësimit të sunnetit dhe zbatimit të tij në kushtet e këtij shekulli?
Edhe për këtë çështje, është bërë, në librat që kemi në dorë, një sintezë e përsosur dhe rruga e sunnetit, traditës profetike, është treguar si shkalla për të arritur tek Zoti. Po, edhe rruga është treguar, edhe është bërë një nxitje e jashtëzakonshme për në atë rrugë. Kjo është një rrugë e tillë që gjer më sot qindra burra të së vërtetës, qindra prijës kanë treguar në mënyrë të përsëritur të vërtetën se të gjitha rrugët që do të mund të gjindeshin duke u mbledhur për këtë mijra prijës e mijra koka bashkë si dhe bazat e parimet e shenjta të atyre rrugëve do të mbeteshin shumë të vogla dhe të zbehta pranë edhe çështjes më të vogël të sunnetit të lartë; gjithashtu ata kanë tërhequr vemendjen se rruga e sunnetit është rruga e fesë.
Profeti ynë (a.s.), sjelljet dhe veprimet e të cilit qenë marrë drejtpëdrejt nën kontroll nga Allahu dhe i cili në çdo punë dhe veprim të tij qe i orientuar kah e mira dhe e dobishmja, qe një njeri i dërguar për të na e mësuar neve jetën fetare nga detyrimet e gjer te edukata. Për të na e mësuar me farzet (detyrimet), vaxhibet (domosdoshmëritë), sunnetin (traditën), mystehabet (pëlqyeshmëritë) dhe edukatën e tij...
Robi i afrohet Zotit me adhurimet e detyrueshme të quajtura farze. Kurse me adhurimet suplementare (nafile) arrin në një gjendje të tillë që, ashtu siç shprehet edhe në hadithin, porosinë e shenjtë, "Allahu bëhet syri i tij që i sheh, veshi që i dëgjon, goja që i flet, dora që i prek!" Domethënë se Zoti ia tregon drejt gjërat, e bën të aftë për t'i vlerësuar në mënyrë të qëlluar ato dhe prej çdo gjëje i hap një rrugë që çon te e vërteta. Në se njeriu sheh të drejtën, merr krahë, në se sheh të shtrembrën, ikën. Kur dëgjon një zë të mirë që thërret për tek e vërteta, mobilizohet në emër të së vërtetës dhe në shpirtin e tij nis lartësimi. Në të njëjtën kohë, duke folur, Allahu e bën që të flasë drejt, duke punuar, e shtyn në gjëra të dobishme dhe çdo kohë e çon në drejtim të mirësisë e bukurisë. Shkurt, e shtyn vazhdimisht në rrugë të xhennetit, parajsës, dhe nuk e le as edhe një çast vetëm kokë më kokë me egon e vet. Me që robi në sjelljet dhe veprimet e veta kërkon miratimin dhe pëlqimin e Zotit, edhe Zoti e vë vazhdimisht në lëvizje atë brenda Pëlqimit të Tij të Lartë. Rrjedhimisht, Zoti, Profetin tonë (a.s.) dhe jetën e personave të rëndësishëm pas tij vazhdimisht kështu i ka mbajtur nën kontroll dhe, duke i zënë të gjitha rrugët e tjera përveç asaj që shkon kah miratimi dhe pëlqimi hyjnor, si drejtim të detyruar vetëm rrugën e sunnetit ka treguar dhe, duke e zgjeruar e e zgjeruar, e ka shndërruar këtë rrugë, si të thuash, në një autostradë. Më në fund, sot, në se ka një rrugë nën siguri e cila mundet të arrijë në qëllimin final të saj, kjo rrugë është!
Natyrisht, shërbimet e kryera për rigjallërimin dhe forcimin e sunnetit të lartë që bart këtë rëndësi në kohën kur ummeti është përfshirë nga ngatërresa dhe intriga, për ta riaktivizuar këtë rrugë me detyrimet, domosdoshmëritë dhe traditat si dhe, në të njëjtën kohë, për ta marrë nën garanci atë rrugë të gjerë gjer në kiamet, ato shërbime, pra, janë aq të bekuara e të shenjta, sa që nuk duhet të kihet dyshim që personat që i venë shpatullat një shërbimi të tillë, shkojnë një për një me dëshmorët. Madje mes tyre nuk është i vogël as numri i atyre që arrijnë të sigurojnë të mirën e disa dëshmorëve bashkë për çdo ditë të jetës së tyre. Në këtë mes, veçanërisht ata që përpiqen ta rigjallërojnë besimin e përsosur, mund të fitojnë të mirë më shumë se njëqind dëshmorë.
Po, të atilla çështje ka në atë sunnetin e lartë, që ai që e ringjall njërën prej tyre, mund të fitojë të mirën sa të qindra dëshmorëve bashkë! Ashtu siç ndodh, për shembull, që një përfolje pas shpine, mes shumë të tjerash të tilla, të jetë shumë më e rëndë se krimi dhe adulteri. Sigurisht, përfolja, marrja nëpër gojë e cila shkakton ballafaqime dhe përplasje brendashoqërore, nuk mund të jetë si intrigimi i një njeriu. Në këto kushte, ajo është më e madhe, më e rëndë se gjynahet, mëkatet individuale. Kështu, pra, në ditët tona, në çështjet ku ummeti, bashkësia jonë përfshihet nga ngatërresa dhe në kushtet kur orientimi i Islamit prishet në tërësi, ata që përpiqen dhe tregojnë zell për ta rigjallëruar një çfarëdo çështje fetare, sigurisht që kanë për të fituar të mirën ndoshta të njëqind dëshmorëve, ndoshta të një mijë dëshmorëve! Sidomos ata që munden ta kryejnë këtë punë në ditët e bekuara, në minutat e bekuara e në çastet e bekuara, ndoshta do të fitojnë edhe më shumë. Me shprehjen e Kur'anit, Zoti pohon se nga bujaria e Tij ka për t'i dhuruar atij që dëshiron, aq sa dëshiron. Së pari Zoti na bëftë të vendosur në këtë rrugë e, pastaj, na mundësoftë një shërbim të sinqertë e parimor!
Ne jemi shumë me fat. Duke u përshkruar shërbimi ynë, thuhet: "Kemi ngarkuar mbi supe një detyrë si një favor hyjnor!" Po, në këtë periudhë kur çdo gjë ka dalë prej binarësh, ne kemi marrë përsipër një detyrë shumë të çmuar. Dhe ta realizosh këtë detyrë, ta ngresh në këmbë e ta vesh në funksionim me institucionet, kuadrot, njerëzit dhe bashkësinë e saj është diçka e pangjashme në botë. Në një aspekt, kjo do të thotë të marrësh përsipër detyrën e Profetit (a.s.) tonë. Edhe fakti që individët, grupet dhe institucionet që në themel janë bërë pretekst ose shkak për shërbime të rëndësishme, do të marrin, në këtë subjekt, pjesën e luanit sipas parimit se preteksti është autori, është shfaqje e një favori të veçantë të Zotit. Dhe kjo është një gjë që gjithmonë pritet prej pasurisë dhe gjerësisë së mëshirës së Tij. Ndërkaq, në se ata që këtë shërbimin besimor dhe kur'anor e kanë sjellë gjer tani në një nivel të caktuar, nuk munden ta ruajnë gjendjen brenda të njëjtit principialitet, sinqeritet dhe entuziazëm dhe t'i mbrojnë arritjet, domethënë në se nuk mundet të veprohet në të njëjtin ritëm, amaneti mund të merret prej tyre e t'i jepet tjetërkujt. Ne do të tregojmë se e kemi fituarprovimin në raport me sa do ta kemi njohur dhe vlerësuar favorin e Zotit dhe treguar zell në përmasat e mundësive tona, për rrjedhojë, do të tregojmë se sa jemi kandidatë për favore edhe më të mëdha në të ardhmen.
Zemra na e do që shokët që vrapojnë në këtë shërbim të besimit dhe Kur'anit, shërbim i cili përfton në çdo çast të mirën e një dëshmori, të vrapojnë gjer në fund me dashurinë dhe entuziazmin e fillimit!
- Publikuar më .