Si do të jetë në botën tjetër gjendja e njerëzve të lindur në vendet jomuslimane?
Kjo pyetje është një nga çështjet që vazhdojnë të diskutohen qysh prej shumë kohësh dhe, sipas meje, me të kërkohet të bëhet dialektikë. Pra, thonë, "ne do të hyjmë në xhennet sepse u besojmë Allahut dhe të dërguarit të Tij, kurse njerëzit e lindur në vendet larg botës islame, si, për shembull, në Paris, në Londër apo në Moskë, do të hyjnë që të gjithë në xhehennem sepse nuk i kanë mundësitë që kemi ne". Në këtë pyetje ka një kritikë tinzare kundër Islamit me mendimin mëshirues tej mëshirës hyjnore.
Së pari, siç del në pyetje dhe siç pandehin shumica, nuk ka një konkluzion, sipas të cilit, "njerëzit që ndodhen në vendet larg nesh do të hyjnë në xhehennem", por ka një konkluzion tjetër, sipas të cilit, "po qe se njerëzit që kanë marrë vesh për kauzën e Profetit (s.a.v.), që e kanë dëgjuar ftesën e tij, që janë bërë dëshmitarë të dritës së përhapur prej tij, i mbyllin veshët dhe nuk e pranojnë ftesën e tij për çështje inati, do të hyjnë në xhehennem". Këtu, të bësh pretendime të tjera duke u treguar më i mëshirshëm se mëshira hyjnore, s'është gjë tjetër veç përpjekje për t'u treguar si i ditur, për të shitur mend! Po, do të hyjnë në xhehennem jo vetëm ata, por edhe njerëzit tanë që mbajnë të njëjtin qëndrim. Ata që e dëgjojnë ftesën e Profetit (s.a.v.) dhe nuk i përgjigjen, ata që i kundërshtojnë parimet e sjella prej tij dhe nuk e ndjekin, do të jenë nga ata që do të hyjnë në xhehennem dhe do të pësojnë disfatën e përjetshme!
Shpresojmë se mëshira e pafundme e Zotit do të na bëjë ne nga ata që i përgjigjen ftesës së tij, që vrapojnë pas tij, që i dalin për zot atij edhe atëherë kur ta kenë braktisur të gjithë!
Kjo është një çështje e trajtuar dhe e analizuar gjerë e gjatë qysh në krye të herës nga kelamistët (apologjetistët islamë) të cilët përpiqen t'i provojnë, t'i mbështesin dhe t'i përforcojnë çështjet e Kur'anit dhe Sunnetit me rrugën e arsyes, logjikës, gjykimit, mendimit të kulluar dhe filozofisë. A mos vallë, si ata që s'i janë përgjigjur ftesës së Profetit, ashtu dhe ata që nuk kanë gjetur rastin dhe mundësinë për t'iu përgjigjur, janë për në xhehennem? Apo midis këtyre dy palëve ka ndonjë ndryshim?
A duhet qëndruar mbi këto lloj pyetjesh sot kur janë shumë e shumë probleme të rëndësishme që presin zgjidhje? Ç'i përfton jetës sonë shpirtërore gjetja e përgjigjeve për pyetje si kjo? Ç'na premton për jetën tonë praktike? A kaq e rëndësishme dhe jetike qe kjo çështje që imamët e mëdhenj të shkollave besimore-juridike qëndruan mbi të me aq vëmendje dhe shpenzuan aq kohë për ta zgjidhur?
Këtë çështje që sjell me vete edhe këto pyetje si dhe të tjera si këto, le të përpiqemi ta parashtrojmë në fillim brenda një përmbledhjeje të konsideratave dhe pikëpamjeve të imamëve të akaidit.
Nga dy rrymat e rëndësishme sunnite të besimit islam, esh'aritët thonë se personi që nuk e ka dëgjuar emrin e Zotit, që nuk është bërë dëshmitar i ndonjë kumtese mbi Të, kudo dhe sido që të jetojë, konsiderohet person që i përket periudhës pa profet, për rrjedhojë, është i pafajshëm e i pastër. Po qe se ju si bashkësi e Muhammedit, nuk i keni çuar mesazhet e tij në zonat e errta të botës, sipas Esh'ariut, njerëzit që jetojnë në ato errësira janë të pafajshëm dhe kanë shpëtuar. Zoti ka për t'i shpërblyer në një farë mënyre dhe ka për t'i bërë që të përfitojnë nga xhenneti.
Sa për maturiditët, mendimet e tyre përputhen në një pikë me mendimet e mutezilitëve. Maturiditët thonë: "Po qe se njeriu e gjen Krijuesin me mendjen (arsyen) e vet, shpëton edhe sikur të mos ia njohë emrin dhe atributet. Por nuk shpëton dot sikur të mos e gjejë Krijuesin qoftë edhe në formë abstrakte." Në të vërtetë, edhe nëse këto dy pikëpamje nuk janë identike, nuk janë larg nga njëra-tjetra. Sipas Maturidit, njeriu, kudo që të jetë, në mal, në kodër, në fushë apo në shkretëtirë, lindja dhe perëndimi i diellit dhe hënës, përshndritja e yjeve, bukuritë e tokës, malet e ndriçuara nga hëna, flladi përkëdhelës i majave, fëshfërima e korijeve, përkundja e barit dhe pemëve, buzëqeshja e luleve, çdo gjë është një mesazh enigmatik prej Zotit dhe një gjuhë që flet për Të. Ja, pra, njeriu me mend në kokë, përballë këtyre tabllove syverbuese dhe kësaj valleje zërash dhe ngjyrash zemërtrazuese, do ta ndjejë pas çdo gjëje atë dorë të fshehtë dhe me siguri do të besojë se ekziston një Krijues. Ky njeri, edhe sikur të mos i dijë emrat dhe atributet e atij Krijuesi, edhe sikur të mos i njohë librat dhe të dërguarit e Tij, është i pastër e i pafajshëm.
Eshtë për këtë arsye që për njerëzit që jetojnë në vende të tjera, nuk themi e nuk mund të themi menjëherë dhe në mënyrë të rrumbullakosur, "nuk besoi, pra, do të shkojë në xhehennem"! Pikëpamja e imamëve të shkollave besimore-juridike na kërkon, të paktën, të heshtim.
Në konkluzionin e tij, imam Esh'ariu mbështetej në ajete si "Ne nuk do ta ndëshkojmë asnjë popull që s'i kemi dërguar përfaqësues!" (Kur'ani, Isra:15). Kështu thotë Allahu në Kur'an. Atëherë, nuk duhet t'u jepet ndëshkim njerëzve që s'kanë dëgjuar për profet ose s'kanë takuar profet.
Sipas Maturidit, mendja (arsyeja), ashtu siç qëndrohet mbi të në çështjen
"e mira-e keqja", është një element i rëndësishëm dhe i aftë për ta ndarë, në një farë mase, të mirën nga e keqja. Me mendjen (arsyen) e vet, njeriu mundet t'i ndajë disa gjëra nga njëra-tjetra. Ai mund të thotë se "kjo është e mirë, kurse kjo tjetra, e keqe". Ndërkaq, pretendimi se mendja (arsyeja) mund ta ndjejë dhe kuptojë çdo gjë, është i gabuar. Prandaj Allahu ka urdhëruar të mirat dhe ka ndaluar të këqijat pa ia lënë këtë gjë me rëndësi mendjes (arsyes), gabueshmëria e së cilës është gjithmonë në veprim. Allahu i ka rregulluar këto me anë të vahjit, revelacionit ose zbulesës hyjnore, i ka bërë të qarta me anë të profetëve pa lënë asnjë pikë në errësirë. Sipas Maturidit, mendja (arsyeja) mund ta kuptojë shëmtinë e zinasë (adulterit, marrëdhënies seksuale jolegjitime), sepse aty është fjala për përzjerjen dhe humbjen e prejardhjes dhe përkatësisë prindërore, për ngatërresa trashëgimore. Po qe se një grua nuk e ruan dot nderin dhe përkatësia atërore e fëmijëve është e dyshimtë, si do të ndahet trashëgimia? Atëherë mund të thuhet se, me arsye, zinaja është e shëmtuar. Edhe vjedhja mund të kuptohet me arsye se është e shëmtuar, sepse grabitja nga tjetri e gjërave që ka fituar me djersë, është e shëmtuar. Arsyeja mund ta kuptojë edhe shëmtinë e pijeve alkoolike. Sepse pijet alkoolike e zbehin ose e mënjanojnë arsyen, se ndikimi i tyre mbi brezin njerëzor vazhdon dhe bëhet shkak edhe për një sërë sëmundjesh. Mund të flitet edhe për arsyetimin në një farë mase të një sërë gjërash të tjera.
E njëjta situatë paraqitet edhe për gjërat e mira e të bukura. Për shembull, drejtësia dhe kryerja e mirësive për të tjerët janë gjëra të mira dhe mund të kuptohen me mendje (arsye). Ndërkaq, Kur'ani dhe Sunneti, në çështjen e të mirës kanë dhënë urdhra, na kanë ndriçuar dhe na kanë shpëtuar nga arsyetimet dhe kuptimet e gabuara.
Po kështu, edhe besimi në Allahun, Zotin e gjithësisë, është një gjë e mirë dhe e bukur, sepse, në sajë të këtij besimi, njeriu arrin ngopjen dhe kënaqësinë shpirtërore, i arrin kryet në xhennet (parajsë) duke qenë ende në këtë jetë dhe i përjeton që këtu bukuritë që i përkasin asaj bote. Në të njëjtën kohë, edhe rruga që çon në besim është e tillë që të mund të rroket nga arsyeja dhe gjykimi. Kështu, këtë e ka ndjerë dhe kuptuar edhe një beduin në shkretëtirë. Kur pati shkuar te Profeti dhe qe pyetur se me ç'rrugë kishte arritur te Krijuesi i Lartë, pati thënë kështu: "Jashtëqitja e një deveje në një vend, tregon se aty ka qëndruar një deve, kurse gjurmët e saj në rërë tregojnë se aty ka kaluar një deve. A nuk tregojnë ky qiell plot yjësi dhe ky vend plot oaze se është një Zot i ditur dhe i njoftuar për çdo gjë?" Kjo do të thotë se edhe me mendjen e një çobani devesh, madje, mund të shkohet në ekzistencën e një Individualiteti që e mban çdo gjë nën zotërim, që e administron çdo gjë me diturinë e vet dhe ka dijeni për çdo gjë. Prandaj, në besim, arsyen dhe logjikshmërinë nuk mund t'i lëmë krejtësisht jashtë vëmendjes.
Ja, pra, duke u nisur nga kjo pikë, Maturidi pati thënë se "njeriu mund ta kuptojë Krijuesin me mendje (arsye)". Me të vërtetë, kështu ka ndodhur me shumë njerëz në kohërat e paganizmit, idhujtarisë dhe të mungesës së profetëve. Për shembull, njëri nga këta është Varaka bin Nevfel, biri i xhaxhait të zonjës Hatixhe, bashkëshortes së nderuar të Profetit. Kur Profetit i pati ardhur zbulesa e parë, e pati parë Xhebrailin mes qiellit dhe tokës në të gjitha dimensionet e tij, qe rrëqethur, tronditur dhe qe kthyer me vrap në shtëpi për t'ia treguar Hz. Hatixhesë. Pastaj ajo e pati çuar atë te Varaka i cili, para se t'i vinte profetësia Hz. Muhammedit, e pati kuptuar ekzistencën e Krijuesit të Lartë, e pati ndjerë se idhujt nuk vlejnë për asgjë dhe, me arsyen e vet, pati besuar ekzistencën e Allahut, Zotit të gjithësisë. Një tjetër nga këta është Zejdi, xhaxhai i Hz. Omerit. Ai ua kthente shpinën idhujve dhe thoshte kështu: "Këta nuk mund të adhurohen, të gjithë këta janë të rremë. Eshtë një krijues, por unë nuk mund ta di se kush është." Kur po vdiste, i pati mbledhur të gjithë njerëzit e shtëpisë, mes të cilëve ndodheshin edhe Hz. Omeri dhe i biri, Said, dhe u pati thënë kështu: "Unë besoj se është një fe e Allahut, hija dhe shenja e të cilës janë mbi kokat tuaja!" Ishte një kohë kur Hz. Muhammedi e kishte apo s'e kishte shpallur profetësinë, kur thoshte: "E ndjej se hija e asaj feje është mbi kokat tuaja dhe, kur të shfaqet, pa humbur kohë, hyni menjëherë në të!" Kjo tregonte se ai kishte kuptuar shumë gjëra me arsyen dhe zgjuarsinë e vet dhe se me këto fjalë ai donte t'u thoshte njerëzve se idhujt e bërë me duart e njerëzve kurrë nuk mund të kenë cilësi hyjnore. Asnjë prej idhujve dhe statujave nuk mund t'i plotësonin kërkesat e njerëzve, sepse ata ishin vetë nevojtarë dhe si mund t'u japë përgjigje nevojave të të tjerëve një gjë që është vetë nevojtare?
Duke u nisur nga sa u tha gjer këtu, edhe me një arsyetim të tillë të thjeshtë, pothuaj çdo njeri mund ta njohë Individualitetin që mban në duar tokën dhe qiejt. Ndërsa Zejdi dhe Varaka mbetën si një klithmë e së vërtetës në ndërgjegjet e të afërmve të vet, Profeti i zgjodhi shokët e tij nga ky rreth njerëzish të zgjuar herët ndaj të vërtetës dhe, duke ia lënë zbulesës hyjnore frerët e arsyes dhe gjykimit, hapi bashkë me ta velat drejt pafundësisë...
Dhe, tani, duke u kthyer pas, le ta përsërisim pyetjen: Njerëzit e lindur në vendet joislame, a do të hyjnë menjëherë në xhehennem? Po, ata që kanë dëgjuar për Profetin (s.a.v.) dhe Kur'anin dhe janë bërë dëshmitarë të profetësisë së tij, por nuk e kanë parë të nevojshme të bëjnë kërkime për t'i njohur dhe nuk i kanë njohur, do të hyjnë në xhehennem. Por sa për njerëzit që kanë lindur e janë rritur në errësirë pa pasur asnjë mundësi për ta njohur të vërtetën, shpresojmë që, duke përfituar nga mëshira e Zotit, të mos pësojnë ndëshkim!
Dëshiroj tani të parashtroj një dimension tjetër të kësaj çështjeje meqë na intereson neve. Muslimanët e parë që e përfaqësonin Islamin plotësisht, i dërgonin mesazhet e Profetit në të katër anët e botës dhe e paralajmëronin ndërgjegjen e përgjithshme. Sot, edhe nën hijen e legjendave mbi ta, madje, ndjehet një gjendje shpirtërore aq e thellë, sa, kur njerëzit e mendojnë të vërtetën e tyre, e kuptojnë menjëherë se njerëzimi nuk ka për të mbetur indiferent ndaj mesazheve që i dërgohen. Ata njerëz që nuk kursenin asgjë për hir të detyrës që kishin marrë përsipër, bënë që brenda një kohe shumë të shkurtër të mos mbetej vend ku të mos dëgjohej zëri i tyre. Dhe drita islame i ndriçoi pikat më të errta e më të fshehta. Ata e përfaqësuan Islamin në mënyrë shumë të shpejtë, shumë energjike dhe në nivelin më të lartë dhe mesazhet e Kur'anit i çuan nga ngushtica e Gjibraltarit, në liqenin Aral, nga brigjet e Anadollit, në Murin e Madh Kinez. Gjer në këto skaje arritën muslimanët në kohën e kalifit Osman, kurse në kohën e kalifit Muavije, me anë të Ukbe Ibni Nafi-ve, të gjithë berberët, Maroku, Tunizia, Algjeria dhe të gjitha vendet e Magripit hynë nën pushtetin e Islamit dhe e merrnin emrin prej tij. Nuk ishin bërë 30 vjet që nga dita kur ata kishin filluar të ndiznin pishtarë dhe të ndriçonin të katër anët e botës. Kudo ku hynë e përfaqësuan Islamin siç duhej, u respektuan, u deshën dhe u pranuan nga çdo njeri. Dhe aq u pranuan, saqë aty e tutje, krishterët dhe hebrenjtë i parapëlqenin ndaj bashkëfetarëve të tyre. Kur Hz. Omeri hynte në xhaminë Aksa dhe Ebu Hurejre, në Damask, priteshin me të njëjtën dashuri. Kur një radhë u bë fjalë për tërheqjen e muslimanëve nga Damasku dhe Siria, krishterët me në krye priftërinjtë dhe murgjit mbushën kishat për t'u lutur që të mbeteshin nën pushtetin e muslimanëve. Ata u thoshin muslimanëve: "Dashtë Zoti, ktheheni prapë siç po shkoni dhe ne japim xhizje dhe vihemi nën mbrojtjen tuaj!" Ngaqë muslimanët dukeshin kaq të këndshëm, hyrja në Islam bëhej turma-turma. Dhe as që mund të mendohej që njerëzit që i shihnin muslimanët e bekuar, secili prej të cilëve ishte një Omer më vete, të mos bëheshin muslimanë! Trimat që natën e kalonin me adhurim dhe ditën me shpatën në dorë, kishin hyrë aq thellë ndër zemra, saqë shihej me siguri të plotë se në një të ardhme të afërt, e gjithë bota kishte për t'u hapur dyert!
Ndryshe prej nesh që sot nuk na shkon fjala dot në një ishull, që nuk mundemi ta sigurojmë rendin dhe qetësinë as në vendet që shtijmë në dorë, atyre u hapeshin portat e kalave kat më kat dhe u jepeshin jo qytetarí nderi e çelësa simbolikë, por çelësa të vërtetë të qyteteve dhe sundim.
Kur Siria dhe Palestina e sotme kalonin në duart e muslimanëve, komandantët kërkonin çelësat e xhamisë Aksa, kurse prifti që i mbante, u thoshte: "Ne ia njohim fytyrën personit që ka për t'i marrë në dorëzim çelësat e faltores, prandaj është e pamundur t'ia japim dikujt tjetër veç tij!" Ndërsa ata bisedonin kështu mes tyre, kalifi Omer kishte dalë në rrugë prej kohësh dhe në një mënyrë që s'e dinte askush. Me përjashtim të priftit! Prifti e dinte! Kalifi kishte marrë një deve nga thesari i shtetit dhe po udhëtonte bashkë me shërbëtorin e vet, duke ia hipur devesë me radhë. Komandantët muslimanë u njoftuan vetëm kur ai iu afrua qytetit. Komandantët u lutën që, duke kaluar lumin e Jordanisë, radha për t'i hipur devesë t'i takonte kalifit! Sepse, mendonin ata, do të ishte turp nëse popullsia bizantine vendase që ishte mësuar t'i shihte pushtetarët dhe sunduesit vetëm në pallate mes pasurive dhe shkëlqimit, ta shihte kalifin me këmbët të përveshura duke tërhequr devenë ku kishte hipur shërbëtori! Por turp i vërtetë ishte jo kjo, por padrejtësia! Dhe Hz. Omeri përpiqej ta kapërcente padrejtësinë. Pavarësisht nga lutjet e komandantëve muslimanë, Allahu kishte bërë të realizohej më e mira, më e dobishmja! Mu kur kishte ardhur çasti për ta kapërcyer lumin, radha për ta tërhequr devenë i kishte ardhur kalifit. Dhe kalifi Omer kishte zbritur nga deveja mbi të cilën tani hipte shërbëtori dhe kishte marrë frerët në dorë dhe, pas kalimit të lumit, ishte ulur diku për të arnuar rrobën e grisur. Duke hyrë në qytet, ai kishte mbi rrobë 14 arna që ishin 14 shenja nderi! Atëherë priftërinjtë kishin bërtitur: "Po, ky është personi që përshkruhet në librat tona! Ne mund t'ia japim çelësat vetëm këtij!"
Dhënia e çelësave kalifit Omer dhe dorëzimi i xhamisë Aksa muslimanëve u bë pretekst për hyrjen masive të popullsive vendase në Islam.
Duke radhitur ngjarjet në lidhje me një njeri posaçërisht të nderuar të Islamit, unë s'pata ndërmend t'jua entuziazmoj botën tuaj ndjesore. Synimi im ishte të parashtroja pyetjen: A mundet sot Islami, ashtu si dje, të përfaqësohet në përshtatje me qenien e tij të lartë? Brenda 20-25 vjetësh, ata patën mundur të fusnin në dorë një botë të tërë që përgatiti Buhari-të, Myslim-ët, Tirmidhi-të, Ibni Sina-të, Farabi-të, Biruni-të. Ata vendosën sundimin mbi Kaukazin, Azerbajxhanin, Irakun dhe Iranin. Me një lëvizje të vetme, ata e përfaqësuan në të katër anët e botës të vërtetën "La ilahe il'lallah Muhammedun Resulullah, Nuk ka zot tjetër veç Allahut, Muhammedi është i dërguari i Allahut" dhe ua patën njoftuar të gjithëve mesazhin e Islamit!
Sot, lërini ato vende të largëta, ne nuk mund të themi se po i tregojmë si duhet diçka botës sonë. Ndodhemi brenda një kuvendi që na dëgjon dhe përpiqemi t'i bindim njerëzit e atij kuvendi që janë njerëzit tanë, por gjithsesi, ata nuk binden, nuk na besojnë. Fjalët që themi na përplasen ftohtësisht fytyrës duke u kthyer prapë sikur të reflektoheshin nga akulli nëpër mure. Tregojmë me fjalë, por në shpirtra nuk hyjmë dot. Këto nuk i tregoj si mohim të të mirave ndaj favoreve të pafundme të Zotit dhe as që mund ta bëj këtë. Duke bërë krahasimin mes njerëzve të periudhës së parë të Islamit dhe vetes sonë, kam për synim të tërheq vëmendjen tuaj mbi distancën mes sahabeve, shokëve të Profetit, dhe neve!
Ukbe Bin Nafiut i pati rënë ta triumfonte Afrikën. I shndërruar në faqen e bardhë të muslimanëve me sukseset e tij të njëpasnjëshme, Ukbe, Emiri i kohës, qe goditur rëndë nga ata që s'e honepsnin dot, qe vënë nën zinxhirë dhe qe penguar nga lëvizja për t'ia njoftuar Islamin gjithë botës. Malli më i madh i tij gjatë pesë vjetëve të vetmisë nën zinxhirë qe bërë malli për ta njoftuar Islamin. Ai thoshte: "Desha ta përhap Islamin krye e fund Afrikës, por më penguan, prandaj më vjen keq!" Dhe një ditë, Yezidi që, krahas shumë të këqijave, kishte vënë nën zinxhirë Ukben, e zgjidhi këtë dhe e emëroi vali, guvernator në Afrikë, bëri mirësinë më të madhe duke i dhënë mundësi rifillimit të lëvizjes për triumfin e Islamit dhe përhapjen e tij në botë. Ukbeja shkoi dhe, me një frymë, arriti në pikën e fundit ku mund të arrinte. E ngau kalin në oqean duke u ndalur vetëm kur i erdhi uji kalit në grykë dhe tha: "Allahu im! Po të mos më dilte para ky det errësire, do ta çoja emrin tënd në fund të botës!" Ai e dinte se aty s'ishte mbarimi i botës, pavarësisht se s'e dinte ç'kishte pas asaj mase ujore të pafundme. Por po t'i flisnin për një vend të quajtur Amerikë, me siguri që do të pyeste menjëherë: "Si shkohet atje?"
Ja, kështu, në periudhën kur jetuan këta njerëz, Islami njoftohej dhe u tregohej të gjithëve. Dhe ndjehej vuajtje për vendet ku s'arrihej. Sa për ne, as mundëm ta përfaqësonim atë në masën e vlerave të veta, as mundëm ta çonim atë me shpejtësinë e rrufesë në të katër anët e botës. Ne nuk e vlerësuam këtë punë si synim të qenies sonë, prandaj dhe nuk i braktisëm dot punët tona vetiake, prandaj dhe nuk e harruam dot qoftë edhe një herë të vetme rrugën e shtëpisë sonë. Nuk i thamë kësaj "puna e parë" për t'u thënë punëve tona "e dyta", "e treta" e, kështu, me radhë. Eshtë e vërtetë se edhe ne e lamë vendin, e mohuam vatanin dhe shkuam, por shkuam për të sjellë marka, për të sjellë dollarë, për të sjellë franga... Nuk shkuam për ta çuar emrin e lartë të Allahut. Prandaj nuk ua bëmë dot të ditura atyre të vërtetat e larta. Po qe se sot ata jetojnë mohimin, blasfeminë, perversitetin për shkak të mungesës së zellit dhe përpjekjeve tona, për shkak të dobësisë dhe paaftësisë sonë, gjithsesi një pyetje do t'u bëhet atyre e, një pyetje, neve.
Dje pata mundësi të ndiqja në regjistrim një konferencë të dhënë me aftësinë e një shokut tonë. Biseda bëhej gjermanisht dhe unë s'merrja vesh asnjë fjalë. Por pamja më jepte të kuptoja shumë gjëra. Shumë pak kohë më parë, në krye të një varri më qenë zgjidhur lidhësat e këpucëve dhe pata thënë me rënkim: "Kurban t'u bëfsha, Allahu im, s'ta bëmë dot të dëgjuar emrin në këto vende dhe në njerëzit e këtyre vendeve!" Tani, duke e ndjekur këtë kasetë, eh, ç'ndjeva, ç'ndjeva! Në një kishë të Hollandës, një i ri musliman mban një konferencë, kurse prifti i kishës është ulur e po e dëgjon. Femra muslimane me kryet mbuluar dhe femra të tjera me dëshirën për të mësuar për Islamin. Bëhen pyetje dhe jepen përgjigje... Tani e ndjej veten të paaftë për të folur për ato ndodhi. Megjithëkëtë, të gjitha këto janë nga një zë i dobët dhe prova amatore. Edhe nëse këto lloj përpjekjesh mund të quhen shërbim, është jashtë çdo diskutimi se nuk janë shërbimi vetë!
Ne sot ende përsillemi rreth sofatit të këtij pallati të madh. Nuk mund të thuhet se kemi bërë gjëra të mëdha. Dhe ja, për këtë shkak shumë njerëz ende jetojnë në perversitet. Ndodhi që të shkojmë kohë pas kohe atje në emër të besimit dhe fesë, por nuk e shpëtuam dot veten nga debatet shterpe. Dhe ende, kurrsesi s'e përfaqësuam dot këtë çështje në nivelin e një Omeri, e një Ukbeje, e një Nafiu, e një Ebu Ubejdeje, e një Ahnef bin Kajsi, e një Mugire bin Shubeje... Kush e di se si rrihte zemra e armiqve të tyre para besimit, njerëzisë, vendosmërisë dhe guximit të tyre dhe kush e di sa sy vendosën të besonin sapo i panë ata! Për zellin e tyre mjafton si dëshmitar triumfi prej tyre i atyre vendeve ku jetojnë me pak përjashtime muslimanë!
Ja, pra, kur çështjen ta trajtoni nga ky këndvështrim, do t'i shihni më me mirëkuptim ata që jetojnë në Paris, Londër, Nju-Jork, etj., madje, ndoshta do t'u bini gjunjëve dhe, duke e çuar dorën në zemër, do të thoni: "Turp për ne që nuk i bëmë dot të na dëgjojnë dhe nuk i nxorëm dot edhe këta në ditë të bardha!"
Këtu dëshiroj t'ju përcjell një ngjarje të treguar nga njëri prej vaizëve tanë të këtushëm. Një punëtor i yni banonte si mik në një shtëpi në Evropë. Jetonin së bashku me të zot e shtëpisë. Ndoshta edhe hanin e pinin bashkë. Pastaj secili shkonte në punë të vet. Ndërkaq, shoku ynë nuk linte gjë mangut në përjetimin dhe përshkrimin e ndjenjave të veta fetare. Dhe pastaj vjen një ditë që i zoti i shtëpisë bëhet musliman. Pastaj, pas tij, ashtu siç pati ndodhur me Amir Ibni Tufejlin, edhe e shoqja kërkon të bëhet muslimane dhe thotë: "Bashkë qemë gjer tani, prapë bashkë të jemi. Bashkë në Sirat, bashkë në Xhennet. Po qe se Islami është një gjë që e çon njeriun atje, nëse shkon ti, unë pse të mbetem?" Dhe merr krahë me pohimin: "La ilahe il'lallah, Nuk ka zot tjetër veç Allahut"! Pastaj, me radhë, edhe fëmijët, të gjithë pjesëtarët e familjes bëhen muslimanë. Pas njohjes me Islamin, shtëpia u kthehet në një kënd xhenneti, parajse. Pasi kalon një farë kohe, i zoti i shtëpisë i thotë shokut tonë fjalë që na lënë të habitur: "Për Zotin, nganjëherë, nga gëzimi më vjen të të përqafoj e të të puth në ballë, por nganjëherë më vjen të të mbërthej prej jake të të shkund mirë e mirë, të të jap një shuplakë, të të rrah! Sepse pasi na erdhe ti në shtëpi, na erdhi edhe Hz. Muhammedi (s.a.v.), na erdhi Kur'ani, na erdhi besimi te Allahu. Dhe, në sajë tënde, shtëpia na u kthye në një kënd parajse. Por unë kisha babanë, një njeri të thjeshtë e të pastër. Ai vdiq si krishter pak para se të vije ti. Pse nuk erdhe më parë që edhe atij t'i flisje?" Për mua, kjo klithmë është shprehje e një qortimi të botës krishtere dhe hebreje ndaj muslimanëve. Ne nuk shkuam dot atje. Nuk e çuam dot Islamin atje. Madje, edhe atje ku shkuam, u sollëm të kufizuar, nuk e përhapëm dot Islamin siç duhej. Nuk e jetuam dot Islamin, nuk e treguam dot dhe nuk ua bëmë dot të njohur zemrave nevojtare!
Dua të prek edhe një specifikë tjetër. Ata që na larguan ne nga Islami - po shprehem me mënyrën e tyre - i premtuan vazhdimisht këtij kombi një mënyrë jetese të nivelit të qytetërimit perëndimor. Dhe, megjithëse ka kaluar afro një shekull, madje 150 vjet, ne ende bëjmë punën e lypsarit në portë të Perëndimit. Asgjë s'ka ndryshuar. Si dje, ashtu edhe sot, Perëndimi na pa si shërbëtorë e si lypsarë. Shërbëtorë e lypsarë që e kanë braktisur vendin e shtëpinë për pesë para. Dhe tani po ju pyes ju: Krishterët dhe hebrenjtë nuk bëhen muslimanë dhe nuk i pranojnë këto parime të bukura që kemi në dorë. A e menduat ndonjëherë pse ndodh kështu? Shkaku është mjaft i thjeshtë. Po t'ju vijë dikush me parime të tilla të bukura, t'ju sjellë mesazhin më të bukur, madje t'ju hapë portat e qiejve, t'ju tregojë rrugët që çojnë në parajsë, vetëm se ky dikush të jetë shërbëtori juaj, dikush që punon në punë të ulta që ju i përbuzni, a do të mendoni të hyni në fenë e tij? Gjithsesi, s'keni për të shkuar pas portierit tuaj, pas shërbëtorit tuaj, pas atij që ju shtrin dorën për të lypur!
Sot, bota e quajtur "islame" nuk ka mundur ende ta mbledhë veten ashtu siç është pritur, nuk ka ardhur ende në vete. Ajo nuk e ka treguar dot Islamin në jetë, nuk e ka përfaqësuar dot. Ajo ende po lyp në portë të Perëndimit! Po qe se ti sot përkulesh pesëdhjetë herë në ditë para portierëve dhe shërbëtorëve të tu të djeshëm, fërkon pesëdhjetë herë në ditë fytyrën në pragun e tyre dhe dridhesh para tyre, as që mund të mendohet që njeriu perëndimor të të dëgjojë, t'ua vërë veshin mesazheve të tua. Ata do të na dëgjojnë dhe do të na pranojnë kur të arrijmë në portën e Perëndimit me dinjitetin e të parëve tanë, si përfaqësues të vërtetë të Islamit! Ndërkaq, nuk do të them se kanë të drejtë që nuk duan ta pranojnë fenë e lypsarit, që nuk ua vënë veshin njerëzve që i vënë në punë si punëtorë dhe hamallë, por mund t'i shoh të justifikuar dhe ka mundësi që, atje përtej, kur t'u bëhet pyetje atyre, do t'u bëhet edhe të ashtuquajturve përfaqësues të Islamit!
Sipas meje, çështja duhet trajtuar së pari nga ky këndvështrim, përgjegjësitë tona dhe të tyre duhen parë së bashku, kurse konkluzionet duhen dhënë me drejtësi dhe principialitet. Ndryshe, ne jemi shumë larg botëkuptimit të një pjese njerëzish të paekuilibruar që "e mbushin" xhehennemin me të gjithë njerëzit që jetojnë në vendet jomuslimane, ndërkohë që ngulen si roje në dyert e tyre! Po kështu, jemi shumë larg edhe nga ëndërrimtaria pritëse e atyre që mendojnë se, pasi të kenë parashtruar disa gjysma mesazhesh, të tjerët do të vrapojnë menjëherë pas tyre!
Por besojmë se një ditë, në ekuilibrin e botës do të ndodhë një ndryshim. Bota islame do ta mbledhë veten dhe do ta zërë sërish vendin e vet në atë ekuilibër. Dhe pikërisht atëherë, edhe Lindja, edhe Perëndimi do të na dëgjojnë ne!
Dhe s'ka përse të mos ndodhë. Do të ndodhë dhe ka nisur të ndodhë. Sot, mendimtarët e Perëndimit janë si të magjepsur para freskisë dhe forcës ndikuese të Islamit. Vështrimi i tyre duket se do të bëhet shkak për shumë ndryshime serioze. Nuk duhet parë e largët dita kur në gjeografinë ekonomike do të ndodhin ndryshime shumë serioze. Po, në hartën e botës do të bëhen një sërë ndryshimesh. Vetëm se këto do t'i bëjnë njerëz me personalitet, të njësuar me bazën e vet, jo njerëz të shtypur nën peshën e punëve të veta, që ua lënë këto punë kohës së lirë që mund të gjejnë, njerëz të paqëndrueshëm, insuficientë...
Ashtu siç e kam thënë edhe herë tjetër, kur të vdekurit që ngrënë kokën mes gurëve të varrit për të na parë ne, të thonë për ju, "ja, këta janë ata", edhe ju do ta keni punën në rregull, edhe puna e botës do të jetë zgjidhur. Dhe pikërisht atëherë ju mund të lani hesapet me botën!
- Publikuar më .