Pse çdo gjë mbështetet në vdekjen? Për shembull, jeta e kafshëve mbështetet në vdekjen e bimëve; e njerëzve, në vdekjen e kafshëve...
Si pasojë e faktit që Individualiteti, i cili e administron materien, nxjerr në shesh, nga gjërat më të ulta e më të pavlera, madje, qeniet më të rralla, i cili çdo gjëje i dhuron ripërtëritje të vazhdueshme dhe të gjitha qeniet i nxit e i shtyn drejt përsosjes, si pasojë e kësaj, pra, në botën e gjallesave, nga kreu në fund, secilin grup e ndjek një lindje ashtu siç edhe në çdo zonë të tokës dita përze natën, drita ia lë vendin errësirës dhe, në saje të këtij rregulli marramendës, merren, në mënyrë të pandërprerë, fryte të reja, të freskëta që s'të velin e s'të bëhen të mërzitshme ashtu siç edhe, brenda marrëdhënieve diell-tokë, jeta e ndjek vdekjen pas...
Tani le të qëndrojmë shkurt mbi këto specifika, vetëm se, para së gjithash, na duhet ta njohim vdekjen.
Vdekja, natyrisht, s'është një fund, një konsumim vetiak dhe një asgjësim një herë e përgjithmonë. Ajo është një ndërrim vendi, gjendjeje, dimensioni dhe arritja e qetësisë dhe mëshirës duke u çliruar prej lodhjes dhe mundimeve të detyrës. Në një pamje, mandej, ajo është kalimi i çdo gjëje tek origjina dhe e vërteta e vet.
Nisur nga kjo konsideratë, vdekja është tërheqëse sa edhe jeta, gëzimsjellëse sa edhe bashkimi me miqtë dhe një e mirë, një begati sa edhe arritja e pavdekësisë.
Materialistët që s'mundet ta shohin këtë të vërtetë të vdekjes, e kanë përshkruar atë gjithmonë si diçka rrëqethëse dhe kanë thurur elegji zemërpërvëluese për të. Gjendja e fatkeqëve të djeshëm e të sotëm që s'kanë mundur ta njohin të vërtetën e vdekjes, ka vazhduar pothuajse në të njëjtën vijë.
Me të vërtetë, vdekja, me që është ndarje, është një ndodhi me ndikim mjaft të madh në mendjen e njeriut dhe mbi tërë qenien komplekse të tij. Ashtu siç nuk mund të mohohet tërësisht ky ndikim, edhe gjuha e zemrës nuk mund të lidhet. Sidomos furtunat që mund të shkaktojë, qoftë edhe përkohësisht, vdekja në ndiesitë delikate dhe në shpirtrat e ndjeshëm, janë seriozisht shumë tronditëse. Për të tillët, besimi mbi rilindjen pas vdekjes e bën këtë të fundit një ndodhi që të bën t'i harrosh të gjitha hidhërimet, madje, që të jep një gëzim të jashtëzakonshëm ashtu siç do t'i ndodhte lipësit po t'i dhuronin një mbretëri dhe personit që do të ekzekutohet, dekretin për jetën e pasosur.
Prandaj edhe vdekja është, në sy të atyre që e kanë njohur të vërtetën e saj, një lirim prej detyre, një ndërrim mjedisi dhe udhëtim në një botë ku ndodhen nëntëdhjetë e nëntë përqind e miqve dhe e të dashurve, kurse për ca të pafat që s'kanë mundur gjithsesi ta njohin të vërtetën, por vetëm pamjen e jashtme tronditëse të saj, ajo është vetëm një xhelat, një gijotinë, një pus i pafund, një korridor i errët...
Ata që e konsiderojnë vdekjen si pikënisjen e një ekzistence të dytë e të përjetshme, me të ndjerë në zemër flladet e ëmbla të saj, para syve fillojnë t'u çelen pranverat. Kurse mohuesit të privuar prej kësaj kënaqësie dhe hareje besimore, çdo çast që e kujtojnë vdekjen, hyjnë e dalin në skëterrën që e mbajnë gjallë në ndërgjegje përmes vuajtjeve e anktheve të pambarim. Megjithatë, po të ishte fjala vetëm për vete, çka, por puna është se ata heqin e vuajnë edhe për të gjitha qeniet dhe gjërat me të cilat kanë lidhje në këtë botë e që ua kanë shijuar dashurinë e kënaqësinë, përjetojnë në zemër edhe vuajtjen e tyre duke u kërrusur më dysh prej peshës së dhimbjeve e të vuajtjeve.
Në sy të njeriut që beson, vdekja e çdo gjëje është një ndërprerje, një pushim nga vështirësitë e jetës dhe problemet e kësaj bote si dhe identiteti simbolik i tyre, është një përsosje në trajtën e vazhdimit të ekzistencës në botë të tjera me cilësitë esenciale të tyre, është një progres dhe përftim i një cilësie më të lartë.
Po, nisur nga çelja e gonxhes së ekzistencës së përjetshme për njeriun dhe e shpëtimit të tij nga hallet e jetës, vdekja është një e mirë e madhe dhe dhurata hyjnore më e vyer për njeriun. Ç'e do se, ashtu si çdo progres dhe përsosje, për rrjedhojë, çdo favor dhe meritim janë të kushtëzuar nga kalimi në ca distilatorë dhe shkrirja e trajtësimi nëpër disa kallëpë, ashtu edhe të gjitha qeniet janë kah ngjiten drejt niveleve të larta nëpërmjet një rruge të tillë tretjeje, pastrimi nga skorjet dhe koncentrimi. Për shembull, mineralet e arit e të hekurit vetëm pas vdekjes, domethënë pas tretjes, pastrimit nga lëndët e huaja dhe arritjes së koncentrimit mundësisht qindpërqind, arrijnë të paraqiten me pamjen e tyre të vërtetë, ndryshe, janë të dënuar të vazhdojnë të qëndrojnë ashtu, si dhé e gurë, me një trajtë antagoniste me të vërtetën e tyre.
Kur të përdorim edhe te gjërat e tjera analogjinë e arit e të hekurit, kuptojmë se perëndimi i çdo gjëje në një pikë të caktuar, shkrirja dhe konsumimi, edhe sikur të duken në pamje si asgjësim, në të vërtetë s'janë gjë tjetër veçse kalim në një gjendje tjetër, më të lartë.
Ndërsa çdo gjë, që nga atomet dhe molekulat e ajrit, e gjer te qelizat e gjallesave shkojnë drejt vdekjes me një dëshirë të jashtëzakonshme dhe me kënaqësinë më të madhe, në vetvete janë kah vrapojnë drejt përsosmërisë së paracaktuar. Kur hidrogjeni dhe oksigjeni hyjnë në sintezë me njëri-tjetrin, nisur nga cilësitë e tyre specifike, vdesin,(1) ndërkaq që rilindin në një trajtë tjetër si elementi më jetësor për të gjitha qeniet!
Prandaj ne, humbjes me anë të vdekjes i themi ndërrim mjedisi, ndërrim gjendjeje dhe kurrsesi konsumim dhe asgjësim. E si mund të themi kur, duke filluar nga substancat më të imta e gjer te kombinimet trupore më të mëdha, të gjitha ndryshimet që ndodhin pandërprerë në gji të gjithësisë, kalimet nga një gjendje në një tjetër, kompozimet e dekompozimet japin një rezultat të ri, më të mirin, më të bukurin, më të freskëtin? Kësaj mund t'i thuhet ç'mund t'i thuhet, udhëtim dhe xhiro e qenieve mund t'i thuhet, por kurrsesi ecje e tyre drejt asgjësimit!
Nga një këndvështrim tjetër, vdekja, në sy të të zotit të mallit (domethënë Zotit) është, për një subjekt të caktuar, qarkullimi në detyrë, dorëzimi i një detyre dhe marrja në dorëzim e detyrës së re. Çdo qenie është e ngarkuar me detyrën për të bërë parakalimin zyrtar, në vijën e shënuar posaçërisht për të, para Individualitetit që i ka dhënë asaj ekzistencë. Me të mbaruar ceremonia, pasi të jenë shqyrtuar fotot e kërkuara, largimi i saj përbën domosdoshmërinë e ardhjes së të tjerave qenie në vend të saj, e shpëtimit të skenës nga monotonia dhe e përftimit të vazhdueshëm të gjallërisë për të me anë të gjërave ndër më të freskëtat e më të rejat. E kështu, qeniet dalin në skenë si figura skenike, luajnë rolin që u përket, thonë fjalët që kanë për të thënë dhe kthehen atje, pas kuintave, në mënyrë që edhe të tjerët të gjejnë mundësinë të luajnë e të tregojnë veten e tyre, ndërkaq, duke dalë në shesh, në këto vajtje-ardhje, gjëra të reja, gjallesa të reja dhe tërheqëse.
Duke e vështruar çështjen nga një pamje tjetër, në këshillën e heshtur të vdekjes thuhet se as edhe një qenie nuk qëndron vetë në këmbë dhe me mundësitë e veta; çdo gjë që lind e vdes si të ishte një dritë që ndizet e shuhet duke i shërbyer si argument ekzistencës së një drite, një dielli të përjetshëm, u bën të njohur zemrave të thyera që rënkojnë nën kthetrat vrasëse të vdekjes dhe humbjes, rrugën e vlerësimit e të arritjes së prehjes e të kënaqësisë. Me fjalë të tjera, fakti që gjërat pas të cilave patëm lidhur zemrën, ikin e shkojnë pa kthyer kokën pas, na zgjon neve ndjenjën për të kërkuar një të dashur që nuk vdes, një të dashur të amshuar. Kurse zgjimi i një ndjenje të tillë është, në botën tonë ndiesore, etapa e parë në rrugën drejt arritjes sonë në përjetësi. Ja pra, vdekja është në funksionin e një ashensori enigmatik që e merr dhe e ngjit njeriun në këtë etapën e parë.
Për rrjedhojë, më shumë se ta shohësh vdekjen dhe humbjen si një shpatë që kosit e pret, është më me vend ta shohësh si një dorë që shërben e rregullon, që sharton, si një bisturi që mjekon. Pra, ta shohësh vdekjen dhe humbjen si një individualitet më vete, është një botëkuptim i çalë e i gabuar, sepse kurrsesi nuk bëhet fjalë për mosqenie absolute. Përkundrazi, çdo gjë, e cila, sipas dimensioneve të ngushta të vëzhgimit tonë, humbet, me tiparet e saj konvencionale dhe esenciale e vazhdon ekzistencën e saj nga kujtesa jonë në Tabelën e Kujtesës(2) dhe gjer në kuadrin e gjerë dituror që rrethon tërë materien, në dimensione të ndryshme dhe, në cilësi të ndryshme, në botërat përtejdimensionale. Pothuajse çdo gjë kalbet siç kalbet fara dhe vyshket siç vyshket lulja, por shpirti dhe thelbi i saj arrin vazhdueshmërinë te mijra kallinj dhe gonxhe!
Dhe tani t'i kthehemi pyetjes nga një këndvështrim tjetër.
Ç'do të bëhej sikur çdo gjë të mbështetej jo në vdekjen, por në jetën, domethënë të mos prishej, të mos vdiste e humbej, qenia të vërtitej vazhdimisht në procesin e krijimit, materia dhe dukuritë të funksiononin në mënyrë të njëanshme?
Më së pari, le të themi se, sikur vdekja të mos ishte një vepër urtësie dhe mëshire, pavdekshmëria e përgjithshme do të ishte një kotësi e tillë dhe një fatkeqësi e tillë e tmerrshme, sa që, po të kishim mundësinë ta përfytyronim, njerëzit nuk do të qanin për vdekjen, por do të vinin kujën për pavdekësinë!
Pa mendoni një herë, në kushtet kur asgjë nuk do të vdiste dhe lironte vendin, qysh në shekujt e parë jetesa do të bëhej e pamundur jo më për njeriun, por edhe miza s'do të gjente mjete e mundësi për të jetuar! Sikur nga gjallesat të jetonin vetëm milingonat dhe nga bimët vetëm lianat, dhe, pastaj, asnjë milingonë të mos vdiste e asnjë lianë të mos thahej, brenda një shekulli trashësia e shtresës së lianave e të milingonave do të afrohej në qindra metra. Kur mendon një tabllo të tillë të neveritshme e të frikshme, a është e vështirë të kuptosh se vdekja është mëshirë dhe dekompozimi është urtësi?
Sidomos sa përqind prej dukurive marramendëse që i vërejmë sot në tokë, do të mund të shihnim në pamjen monotone të atij lëmshi prej lianash e milingonash? A këto do të ekspozoheshin në ekspozitën e faqes së tokës në vend të veprave artistike mahnitëse për të cilat është hapur ajo? Cilën bukuri të artistit të shkëlqyer do të mund të shihnim në atë pamje të errët? Nga ajo fytyrë antipatike do të merrnin vrapin edhe qeniet më të ulta, sikur të ekzistonin!
Nga ana tjetër, në administrimin e kësaj gjithësie gjigande ka një urtësi të tillë të jashtëzakonshme, sa që s'bie në sy as grimca më e vogël e shpenzimit dhe e kotësisë. I Zoti i Urtësisë Absolute, i cili nga gjërat më të ulta e më të pavlefshme nxjerr në dritë gjërat më të vyera, sigurisht që asgjë s'do të shpenzojë, gërmadhat dhe mbeturinat do t'i përdorë në vende të tjera dhe do të krijojë botëra gjithnjë të reja. Sidomos molekulat që u shërbejnë shpirtit dhe esencës së gjallesave, veçanërisht të njerëzve të zgjedhur që Ai i merr pranë vetes, pa dyshim që do t'i përdorë në mënyrën më të mirë dhe do të krijojë me ta krijesa të reja e simpatike. Ndryshe, nëse këto krijesa të përkëdhelura të cilave u pat dhënë në fillim vlerë duke i quajtur të denja për ekzistencë, do t'i braktiste si gërmadha, do të bënte një punë në antagonizëm me urtësinë e Tij universale, gjë që s'mund të ndodhë me Individualitetin e Lartë Hyjnor.
Si përfundim, mund të themi se e gjithë materia, nisur nga sistematika dhe rregulli që karakterizohet dhe mënyra se si administrohet, është, për mendjet e kthjellta dhe zemrat që kuptojnë nga kënaqësia, e rregulluar saktë dhe në një trajtë aq të mrekullueshme, sa që të bëhet burim për frymëzime poetike. Ajo çka vëzhgohet në natyrë në lëvizjen dhe zbërthimin atomik, në kalimin e bimësisë nga një trajtë në tjetrën, në vrapimin vetasgjësues të lumenjve për t'u derdhur në det, në avullimin, gjithashtu vetëmohues, të detrave drejt qiellit dhe, pastaj, rënien në trajtë shiu dhe humbjen tokë, është se çdo gjë është kah vrapon, mes një kënaqësie të pangopur dhe një padurimi të pafund, nga një trajtë më e ulët në një trajtë më të lartë.
Ç'është kjo botë që e lëkund mendimin prore?
Para syve na kalojnë mrekullitë e Fuqisë Hyjnore:
Janë buzëqeshjet qiellore që shpërndau Hyu që atje,
Valëzime ngjyrash nga qielli lart e gjer mbi dhe;
Janë mëngjesi pranveror i barit, i maleve e detrave,
E si të mos jesh poet i këtyre buzëqeshjeve?
A. Hamid.
[1] Kujtoni se uji nuk ka asnjë prej cilësive fiziko-kimike të hidrogjenit apo oksigjenit!
[2] Në origjinal: Levh-i Mahfudh.
- Publikuar më .