Ndërgjegjja nga Këndvështrimi i Urtësisë

Ndërgjegjja, e cila është emërtimi i ndjerjes së vetes e i ekzistencës së vet, është një mekanizëm shpirtëror që kërkon, parandjen, koncepton dhe që ndodhet gjithmonë i hapur ndaj të pafundmes.

***

Mjetet përceptuese të shpirtit si vullneti, ndjenja, mendja dhe zemra janë, në të njëjtën kohë, edhe fundamentet themelore më të rëndësishme të ndërgjegjes që e çojnë njeriun këtu te përsosja njerëzore, kurse përtej, te lumturia e amshuar dhe soditja e Zotit.

***

Ndërgjegjja është një pasqyrë vezulluese që e tregon të Vërtetën, Zotin, si dhe s'e ka shoqen si interprete e Individualitetit të Lartë, mjafton që të gjejë shpirt që ta bëjë t'ia ndjejë qenien dhe veshë që t'i bëjë t'ia dëgjojnë zërin!..

***

Meqë ndërgjegjja është ndjenja e shpirtit, vëzhgimi dhe njohja e tij, ajo është pranuar gjithmonë mbi hapësirën, e hapur ndaj botëve përtej, me kriteret të sakta si dhe me një pafajësi të njëvlershme me atë të engjëjve...

***

Myftinjtë[1] janë shumë dhe, pothuajse të gjithë ata, me aq sa kuptojnë, u drejtohen të njëjtave burime dhe ashtu japin fetva. Ndërgjegjja është një myfti me vështrim të mprehtë, i tillë që, kur jep fetva, jep sipas të vërtetës dhe, në fetvatë që jep, askënd s'e le të zhgënjyer dhe askujt s'i bën të padrejtë!..

***

Ndërgjegjja e Përgjithshme[2] do të thotë ndjenja e shumicës dërrmuese të quajtur "qyteti i madh",[3] parandjenja dhe njohja e saj, ashtu që rënia e saj në gabim është pothuajse e pamundur, sidomos nëse informacioni dhe njohuritë e përftuara i mbështeten në të njëjtin burim frymëzimi...

***

Pasi Ndërgjegjja e Përgjithshme të bëhet një i urtë i pagabueshëm e i pamashtrueshëm, individëve u mbetet vetëm miratimi i konkluzioneve të saj dhe pranimi i saj si arbitër, gjë që do të thotë për të instancë e fundit në një sërë çështjesh.

***

Detyrë është ajo që e urdhëron Zoti dhe që i japin gjallëri ndërgjegjet e shëndosha si profetët. Atëherë, është e pamundur që ajo të mos pranohet. Zoti ëshë i urti absolut, kurse ndërgjegjja, pasqyra më besnike e Tij. Edhe në tregoftë herë-herë turbull, në shumicën e herëve, atë që tregon, e tregon drejt.

***

Rregullsia e një njeriu në sjellje e veprime shfaqet prej rregullsisë së tij në shpirt dhe ide, kurse karakteri sublim i akteve të tij rrjedh ngaqë ndërgjegjen e ka të hapur ndaj botëve përtej...


[1] Në të drejtën islame, myftiu është personi juridik-zyrtar që gjykon çështje fetare dhe jep vendime fetare të quajtura, në terminologjinë përkatëse, fetva.

[2] Në origjinal: vicdan-ı umumî (osm.)

[3] Në origjinal: sevâd-ı âzam" (osm.)

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.