Dija nga Këndvështrimi i Urtësisë

Leximi, studimi dhe qëndrimi kërkues për të arritur aftësimin intuitiv[1] janë nga ushqimet më të rëndësishme të shpirtit, kurse privimi prej këtyre është një mangësi shumë serioze, plotësimi i së cilës është i pamundur.

***

Ndërsa të huajt, duke e shkelur vendin tonë me pëllëmbë e duke kërkuar në shkëmbinj e gurë, përfitojnë prej thesarëve tanë kulturorë, nëse ne vetë nuk i hulumtojmë, nuk i lexojmë a nuk mundim t'i lexojmë burimet diturore e kulturore të së kaluarës sonë, duhet të ulemi e të vajtojmë për hallin ku kemi rënë...

***

Qëndrimi i pamoralshëm e i turpshëm i yni si komb ndaj veprave shkencore e letrare të lëna trashëgim nga etërit e që bota e sotme u bie pas me dëshirë e pasion, ç'është e drejta, është i pakuptueshëm...

***

Ata që i turbullojnë mendimet e brezave të rinj me njohuri të panjohura mirë ose të njohura e të papranueshme, nuk janë vetëm të dëmshëm, por, në të njëjtën kohë, konsiderohen edhe tradhtarë...

***

Ankthi është burimi më i saktë i frymëzimit.

***

Qenia dhe shkëlqimi i një kombi janë në përpjestim të drejtë me thellësinë kulturore e artistike të tij. Një komb që ekspozon veprat e veta kulturore e artistike në të katër anët e botës, është kah thotë, me aq gjuhë sa ç'është numri i atyre veprave, "edhe unë ekzistoj!"

***

Vlera e njeriut dhe nderi i tij mes njerëzve arrihen me dije e nivel shpirtëror. Edhe një njeri i ulët e i pavlerë, madje, mund të jetë, çdo kohë, i pasur, por i nderuar, kurrë!

***

Sado të shumta të jenë ato që ka lexuar e mësuar një njeri, kurrë nuk duhet ta pengojnë për të lexuar e mësuar më tej. Shkencëtarët e vërtetë kanë dalë më shumë nga radhët e atyre që, krahas kërkimeve shkencore, dijet e veta i kanë vlerësuar të pamjaftueshme.

***

Kur e vërteta nis të flasë, injoranca zemërohet, fanatizmi shqetësohet, kurse dituria hap veshët e dëgjon...

***

Nuk është e drejtë të thuhet për çdo injorant, i paditur. Injorant i vërtetë është njeriu i paaftë për ta ndjerë të vërtetën. Sado që të dijë, një njeri i tillë është, prapëseprapë, injorant!

***

Të jetosh, nuk do të thotë të shohësh e të dish, të hash e të pish. Të jetosh, do të thotë të ndjesh. Ai që di, është i dobishëm, ai që s'di, i dëmshëm, kurse ai që di pak, është më i dëmshëm se ai që s'di. Edhe sikur ata që dinë gjithçka bashkë me ata që s'dinë asgjë, të gënjehen ndonjëherë rrallë, nuk gënjejnë, kurse ai që di pak, gënjen shumë!

***

Gjërat e treguara në emër të shkencës, pranohen si të kuptuara, kurse ato që s'ka qenë e mundur të tregohen, konsiderohen, në një farë mase, si të papërvetësuara. Eshtë për këtë arsye që, ndërsa në shkolla qëndrohet mbi të rinjtë që s'kuptojnë gjë, do të ishte mirë të shihej ca edhe gjendja e mësuesve...

***

Gjer në çastin kur shkollat të shndërrohen, në dorë të mësuesve, në tempuj, është e kotë të presësh të zbrazen burgjet...

***

Pasi njeriu të vejë si qëllim për të bërë një punë çfarëdo, në fillim duhet të përpiqet për të mësuar mirë gjërat lidhur me atë subjekt dhe, pasi të formojë besimin e plotë se mund ta bëjë, nuk duhet të lejë gjë mangut në iniciativë...

***

Çdo njeri duhet ta dijë mirë profesionin dhe punën e vet dhe, me sa ia lejojnë mundësitë, duhet të mbetet brenda fushës së specialitetit të vet. Sepse, jo gjithkush mund të bëhet i suksesshëm jashtë fushës së vet. Prandaj, mjeku duhet të mbetet mjek, inxhinieri, inxhinier. Mësuesi nuk duhet të bëjë mjekësi, kurse mjeku nuk duhet ta vejë në vështirësi veten duke thënë "do të bëhem jurist"...


[1] Në origjinal: mârifet (osm.)

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.