Jo Zemërim, por Qëndresë!
Ndërsa përreth ishte ende gjysmerrësirë, ti ishe i pari që lajmërove përreth mesazhet e Zotit! Edhe sikur ata që nuk e njohin vlerën, të mos e dinë këtë, qielli e dheu janë dëshmitarë! Kujdes, mos u bëj kritizer duke parë si veprojnë ata që s'dinë si duhet sjellur! Edhe sikur të mos ta vlerësojë populli shërbimin që bëre, a e di Zoti? Ç'të duhet më?..
***
Ti e bëre atë që ta kërkonte karakteri dhe tashmë rreth teje lule ka... Kur ke përreth kaq trëndafila që hedhin shtat e rriten, e pse ankohesh për nja tre a katër gjemba? Dhe sidomos nëse kjo mungesë mirëndjellësie është reaksion ndaj një të mete dhe mangësie në përgatitje?..
***
Për një zemër të dashuruar pas të Vërtetit, kërkimi në këtë botë i shpërblimit të shërbimeve të bëra a nuk është një sjellje foshnjarake? Dhe, a nuk janë kjo botë dhe gjërat e saj të vdekshme e të përkohshme, kurse ahireti[1] me atë bukuri dhe shkëlqim marramendës, i përhershëm? Atëherë, në është kështu, eja! Dhe hiq dorë nga kërkesa për shpërblimin e përpjekjes tënde në rrugën e të Zotit! Jeta përtej dhe përtej saj e vlejnë të shkëmbehen me këtë botë!
***
Edhe sikur të jetë e drejtë, nuk duhet ta quash shenjë madhështie vetiake konsideratën e popullit ndaj teje, pra, të mos mbahesh pas pozitave që jep opinioni i mirë! Për më tepër, në asnjë mënyrë të mos biesh në naivitetin për t'i parë të tjerët më të vegjël se veten! Sepse vlera para Zotit matet me pastërtinë e shpirtit dhe lartësinë e zemrës. Ç'fatkeqësi e hidhur është vlerësimi i gjërave materiale, shtypja dhe dërrmimi i mishit të mbetur nën gërmadhat e kockave!..
***
Edhe pse ndjenja e respektit ndaj të mëdhenjve është parim, nuk duhet kërkuar vetë. Ndërsa respekti i të tjerëve ndaj teje është i padëmshëm kur vjen vetë, pa e kërkuar dhe pa e pritur, bëhet si një e dashur e paaritshme kur dëshirohet dhe i shkohet pas, duke e lënë njeriun në vuajtje e mjerim!..
***
Nuk duhet të mbështetesh te fakti që populli të sheh të madh duke e shfaqur një gjë të tillë, nuk duhet t'i besosh kësaj! Edhe nëse një konsideratë e tillë quhet e mirë duke e menduar si një reflektim të "mirëtrajtimit" të të përtejqiejve, nuk është diçka që duhet dëshiruar. Edhe nëse për një çast i jep kënaqësi njeriut, shpesh e bën të qajë e të rënkojë. Pra, nuk duhet ta nxish zemrën duke u mashtruar nga komplimenta të tilla kalimtare!..
***
A ke menduar ndopak se, krahas zgjerimit të shërbimit tënd dhe në po atë masë, do të vihesh në provë si nga armiqtë, ashtu dhe nga mjedisi yt? Mendo! Dhe tregohu bujar ndaj miqve të cilët përdoren si elementë prove në dorë të Zotit!
***
Kujdes, mos e bëj veten të neveritshëm për mjedisin duke pretenduar për shërbimet që i ke bërë kombit si dhe duke ua përplasur sysh atyre që ke nën vete shërbimet që u ke bërë! Mos harro se ç'ke bërë, janë një detyrë, kurse ti, një i ngarkuar me përgjegjësi!
***
Nëse nuk je i përkorë e i përulur si dhe në linjën e "njohjes së ndëshkimit dhe favorit si një e vetme"[2] në raport me librat që ke lexuar, me çështjet mbi të cilat ke menduar dhe analizuar dhe me përpjekjet në rrugën e Zotit, mendo se në çdo hap ke për t'u shtrënguar nën kthetrat ngjyrëgjaku të egos dhe rrëqethu!
***
Kurrë mos më hap mua diskutime për madhështinë e shërbimeve që ke bërë, për sakrificat e mëdha që ke treguar! Po qe se mundesh t'i shohësh veprat e tua si pasuri të përbashkët, si një favor hyjnor caktuar për zellin e shokëve të tu, po qe se mundesh të jesh i pari në sakrifica e i fundit në pretendime, të lutem, për këtë më fol! Për këtë më fol që fjala jote sheqer-sherbet të ma zbukurojë zemrën!
***
Me fjalët "dituria ime, nderi im" të këngës së egos mos i kënaq armiqtë e mos i mërzit miqtë! Po pate meritë, lëre të çelë lule për botën tjetër, të lidhë filiz! Heroizmat e jetës tënde, po pate, le të mbeten si këngë të përjetshme në buzë të engjëjve!..
[1] Ahireti (arab.), jeta tjetër pas ringjalljes.
[2] Në këtë paragraf janë dy koncepte të mistikës islame: i pari, koncepti "mahvijet", përkorësi e përulësi; i dyti, koncepti për t'i parë si ndëshkimin,
ashtu edhe favorin, si shfaqje të drejtësisë absolute hyjnore, për rrjedhojë, për t'i pranuar ato me të njëjtën gatishmëri dhe pëlqim.
- Publikuar më .