Njerëzorja

Duke e pranuar egon e vet si peshore për të gjitha sjelljet dhe qëndrimet e mira apo të këqia të tij ndaj të tjerëve, njeriu duhet ta peshojë çdo gjë me të: të dojë edhe për të tjerët ato gjëra që do për vete dhe kurrë të mos e nxjerrë nga mendja se sjellja apo veprimi që s'i pëlqen për vete, nuk u pëlqen as të tjerëve. Kështu, ai ka shpëtuar edhe nga sjelljet e këqia, edhe nga të bërit keq të tjerëve!

***

Duke menduar se të mirat që të janë bërë, ta kanë zbutur zemrën dhe se ndaj personave që të kanë bërë mirë, ndjen dashuri dhe interesim, mund të nxjerrësh si përfundim se edhe të tjerët do të tregojnë dashuri dhe interesim për ty nëse u bën mirë. Thonë se "njeriu është robi i të mirës që i është bërë"; e mira është strehimi më i sigurtë ndaj njerëzve për të cilët ti dyshon se duan të të bëjnë keq...

***

Pjekuria dhe maturia e njeriut del në dukje kur ai nuk heq dorë nga qëndrimi i drejtë edhe ndaj njerëzve prej të cilëve ka parë keq, për më tepër, vazhdon t'u bëjë mirë me ç'i vjen doresh! Sigurisht, njeriu duhet të vazhdojë të sillet njerëzisht dhe bujarisht edhe ndaj njerëzve që i kanë bërë keq, sepse keqbërja është një veprim shtazor; përgjigjja ndaj të keqes me të keqe tregon për mangësi serioze të karakterit te njeriu, kurse përgjigjja ndaj së keqes me të mirë flet për burrëri dhe dinjitet!

***

Në përpjekjet për t'u bërë i dobishëm nuk ka kufi. Njeriu me zell të lartë mund të bëhet altruist gjer aty sa të jetë i gatshëm për ta flijuar edhe jetën për të tjerët. Vetëm se, që kjo lloj burrërie të bëhet për njeriun virtyt, duhet që sinqeriteti, bujaria dhe kthjelltësia e qëllimit të jenë larg fanatizmit racor dhe fisnor të njeriut!

***

Njerëzorja dhe bujaria e një personi janë të mundura me anë të afërsisë ndaj miqve e shokëve si dhe me vazhdimësinë e kësaj afërsie. Bërtitja me të madhe për bujari pa treguar afërsi për ta, është një pretendim abstrakt, po kështu, kushtëzimi i të mirave tona ndaj tyre me të mirat e tyre ndaj nesh dhe, aty-këtu, ndëshkimi i tyre duke ua ndërprerë të mirat që jemi duke u bërë, janë shprehje e një vulgariteti shpirtëror dhe e mosnjohjes së të vërtetës...

***

Një tjetër prej të mirave të mëdha që mund t'i bëjë një njeri një tjetri, është të bëjë sikur s'ia sheh sjelljet e papërshtatshme e të mbyllë sytë ndaj të metave të tij. Të rrëmosh për të mësuar të metat e tjetrit, është paturpësi, ta përfolësh atë majtas e djathtas, ves i pafalshëm, kurse përplasja syve e të këqiave që ka bërë, një goditje e rëndë mbi zinxhirin vëllazëror në të cilin janë lidhur e jetojnë në unitet individët e një shoqërie. Eh, sikur egot e plagosura nga një goditje e tillë të mund të bashkohen sërish për të formuar një unitet!..

***

Ata që i quajnë të parëndësishme edhe të mirat më të mëdha që u bëjnë të tjerëve, ndërkaq që edhe të mirat më të parëndësishme që u bëjnë të tjerët, i vlerësojnë lart, janë njerëz të përsosur që kanë arritur në lartësitë e moralit hyjnor si dhe prehje në ndërgjegje. Njerëz të tillë as mburren me të mirat që kanë bërë, as ankohen për mosinteresimin që u bëhet...

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.