Mëkati dhe Pastrimi

Nëse mëkati është një shformim në krijim, pendimi dhe pendesa janë rikthim në origjinalin e krijimit...

***

Mëkati që ka lënë ndryshk në zemër, është si një virus që i ka rënë në qafë trupit; herët a vonë do ta tregojë veten...

***

Të mos mendosh për vdekjen, ndodh nga që zemra është e ndryshkur, kurse frika prej vdekjes, nga varfëria e dijes...

***

Keqpandehma[1] është ose sëmundje trush, ose ndyrësi zemre. Shpëtimi prej saj është te vetëdijshmëria e njeriut për mëkatet e veta...

***

Nga gropa ku kemi rënë për shkak të nënvleftësimit të gjërave, mund të dalim vetëm duke i vënë në vend ato që kemi nënvleftësuar...

***

Po qe se shtëpinë e ke prej kristali, mos i hidh gurë as qymezit të tjetrit, madje!...

***

Kush merret me turpet e të tjerëve, gjithë jetën vetëm turpe bën...

***

Thonë se "s'ka trim që të mos ketë rënë prej kali e s'ka kalë që të mos ketë zënë në thumb!" Puna është që, pasi të jesh rrëzuar, të dish të ngrihesh e të vish sërish në vete!..

***

Mendimi "e bëj nesër" është një shprehje tjetër e mungesës së vullnetit...

***

Mëkatet më të mëdha janë ato që hedhin shtat e zhvillohen në korien e epshit. Pushteti mbi epshin është pushteti më i madh...

***

Mungesa e vëmendjes dhe nënvleftësimi i mëkatit janë mëkati më i madh...

***

Nëse pema s'ka tharë, e ndjen pranverën...

***

Kur sheh se Zoti nuk e ka ndëshkuar dikë, mos merr krahë; mendo se i ka dhënë afat dhe rrëqethu me tmerr...

***

Besimtar i vërtetë është ai që mban lidhje çdo çast me Zotin. Mëkatet janë shkëndia të dëmshme që e këpusin këtë lidhje...


[1] Në origjinal: suizan (osm.)

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.