Këshillimi

"Pyet atë që di! Dy të ditura
janë më të dobishme se një e ditur!"

Këshillimi është kushti i parë që vendimet që do të merren, të jenë të qëlluara. Vendimet e marra mbi një çështje pa u menduar mirë e mirë dhe pa ua parashtruar mendimeve dhe kritikave të të tjerëve, shpesh herë përfundojnë me disfatë. Eshtë parë se dikush me karakter të mbyllur, që mendon më kokë të vet pa i respektuar mendimet e të tjerëve, gënjehet më shumë se dikush tjetër që edhe në qoftë një natyrë eprore apo edhe gjeni, këshillohet për çdo mendim të vet.

***

Njeriu më i mençur është ai që respekton më shumë këshillimin dhe ai që përfiton më shumë prej mendimeve të të tjerëve. Shpirtrat vulgarë që mjaftohen me mendimet e veta, madje që kërkojnë t'ua detyrojnë edhe të tjerëve, shihen gjithmonë me përbuzje dhe bezdi nga mjedisi.

***

Ashtu siç është këshillimi kusht i parë për të arritur rezultate të mira, ashtu edhe përfitimi prej mendimeve të larta të miqve është një pretekst i rëndësishëm për t'u ruajtur prej fundit të keq dhe disfatës.

***

Para fillimit të një pune duhet bërë çdo lloj këshillimi i nevojshëm dhe duhen marrë të gjitha masat në mënyrë që pastaj të mos bihet në pozita të tilla si fajësimi i të tjerëve dhe kritika ndaj fatit, gjë që e dyfishon fatkeqësinë. Sigurisht, po qe se para se t'i hyhet një pune, nuk mendohet mirë fundi i saj dhe nuk kërkohet mendimi i personave me përvojë, zhgënjimi në rezultat dhe pendimi janë të pashmangshëm!

***

Sa e sa raste ka kur i është hyrë një pune pa u menduar mirë fundi i saj, ashtu që, jo vetëm nuk është hedhur dot asnjë hap para, por është mbyllur me humbjen e kredisë së iniciatorëve të saj. Sigurisht, dikush që ngrihet për të bërë çdo gjë që i shkon nëpër mend, për shkak të zhgënjimit që do të pësojë nga hyrja në rrugë të gabuara, herët a vonë do ta humbë besimin në vetvete edhe për gjërat që mundet t'i bëjë!

***

Njeriu kurrsesi s'duhet t'i hapë portat që s'do të mund t'i mbyllë pastaj. Ndryshe, të këqiat e hyra nga të çarat, nga dyert e dritaret e hapura, edhe të tjerët i dëmtojnë, edhe dinjitetin e tij e rrëmbejnë e shkojnë! Sa e sa njerëz ka që janë zënë pas një sërë sevdash duke shitur mend e pa u këshilluar me të tjerët, që edhe kanë rënë nën dhëmbët e kobrave që i kanë zgjuar vetë, edhe janë lënë jashtë radhe. Eh, sikur të kishin mbetur vetëm vetë jashtë radhe!..

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.