Islami si fe e mëshirës universale
Kjo jetë është bekimi më i rëndësishëm dhe më i qartë i Zotit të Plotfuqishëm, kurse jeta e vërtetë dhe amshimi janë në botën e pasme (ahiret). Meqë ne mund ta meritojmë këtë jetë vetëm për pëlqim të Zotit, Ai dërgoi profetët dhe reveloi shkrimet e shenjta si shprehje të Mëshirës së Tij për njerëzimin. Ndërsa përmendte bekimet e Tij për njerëzimin, Ai fillonte:
“Rrahmani – Mëshiruesi, ia mësoi Kuranin. E krijoi njeriun dhe ia mësoi atij të folurit.” (Kuran, 55:1-4)
Të gjitha aspektet e kësaj jete janë provë për botën tjetër dhe asnjë krijesë nuk mund t'i shmanget kësaj rruge. Ky rregull është i dukshëm në çdo përpjekje dhe mëshira qëndron në çdo arritje. Disa ndodhi "natyrore" ose tronditje shoqërore mund të vështrohen si të pakëndshme në fillim, por ne nuk duhet t'i gjykojmë ato si ngjarje që nuk përputhen me mëshirën. Ato janë si re të zeza ose vetëtima dhe bubullima që, ndonëse janë të frikshme, na sjellin sihariqin për shiun. Në këtë mënyrë, i tërë universi i thur lavde të Gjithëmëshirshmit.
Profeti Muhamed, paqja dhe mëshira qofshin mbi të, është si një burim me ujë të kthjellët në zemër të shkretëtirës, si një rreze drite në errësirën e paanë. Mëshira ishte si një çelës magjik në duart e Profetit, sepse me të ai hapte zemrat që ishin aq të ngurtësuara dhe të ndryshkura, saqë askush nuk mendonte se ato mund të hapeshin. Por ai bënte shumë më tepër ngaqë ndizte pishtarin e besimit tek ata.
I Dërguari i Zotit predikoi Islamin, fenë e mëshirës universale. Ndonëse disa të vetëshpallur humanistë deklarojnë që ajo është "feja e shpatës." Kjo është plotësisht e gabuar.
Gjithashtu, është mjaft e rëndësishme ta përpjesëtojmë mëshirën dhe të identifikojmë se kush e meriton atë, sepse "dhembshuria për një ujk shton oreksin e tij dhe, duke mos qenë i kënaqur me atë që merr, kërkon edhe më shumë." Mëshira për keqbërësit i bën ata më agresivë dhe i nxit për të vepruar kundër të tjerëve. Në fakt, mëshira e vërtetë kërkon që njerëzit e tillë të ndalohen për të bërë keq. Kur i Dërguari i Zotit u tha bashkëpunëtorëve të tij që t'i ndihmonin njerëzit kur kishin dhe nuk kishin të drejtë, ata i kërkuan atij t'ua shpjegonte këtë paradoks. Ai u përgjigj: "Ju i ndihmoni këta njerëz duke i penguar të bëjnë padrejtësi." Prandaj mëshira kërkon që ata të cilët shkaktojnë probleme, të jenë privuar nga mundësitë e tyre për të vepruar ose të jenë ndaluar. Përndryshe, në fund fare, ata do ta kenë gjendjen nën kontroll dhe do të bëjnë çfarë të duan.
Mëshira e të Dërguarit të Zotit përfshinte çdo krijesë. Ai e dinte që forma më e tmerrshme e tiranisë së imagjinueshme ishte t'i lije njerëzit mizorë dhe që kishin lyer duart me gjak të sundonin mbi të tjerët. Prandaj, me një dhembshuri të jashtëzakonshme, ai kërkonte që qengjat të ishin të sigurt nga sulmet e ujqërve. Ai, sigurisht dëshironte që gjithsecili të ishte i udhëzuar në rrugën e drejtë. Në fakt, kjo ishte çështja e tij më e madhe:
“A mos vallë do ta shkatërrosh veten nga hidhërimi pas tyre pse ata nuk besojnë në këtë Fjalë (Kuran)?” (Kuran, 18:6)
Kur ishte i plagosur rëndë në Uhud, ai ngriti duart lart dhe u lut: "O Zot, fale popullin tim, sepse ata nuk dinë se ç'bëjnë!"
Mekasit, populli i tij, i shkaktuan aq shumë vuajtje, sa, më së fundi, ai emigroi në Medine. Edhe pas kësaj, pesë vitet e ardhshme ishin larg nga paqja. Megjithatë, kur ai triumfoi mbi Mekën pa gjakderdhje në vitin e njëzetenjëtë pas profetësisë, i pyeti mekasit e pafe: "Si prisni që t'ju trajtoj ju?" Ata iu përgjigjën të gjithë së bashku: "Ti je një njeri i lartësuar, bir i një ati të lartësuar!" Ai, atëherë u tregoi atyre vendimin e tij: "Ju mund të jetoni, nuk do të ketë fajësim për ju sot. Ndoshta Zoti do t’ju falë. Ai është më i Mëshirshmi!" [18]
I Dërguari shfaqi shkallën më të lartë të mëshirës për besimtarët:
“Juve ju erdhi një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i butë e i mëshirshëm për besimtarët.” (Kuran, 9:128)
“Dhe uli krahët (e mëshirës dhe mbrojtjes) për besimtarët.” Kuran, 15:88)
“Profeti është më i ndjeshëm ndaj besimtarëve se sa ata ndaj vetë vetes së tyre...” (Kuran, 33:6)
Mëshira e tij madje përfshiu hipokritët dhe mohuesit. Ai e dinte se kush ishin hipokritët, por kurrë nuk i identifikoi ata, sepse do të ishin privuar nga të gjithë të drejtat qytetare që i kishin fituar duke pranuar besimin dhe praktikën e tij në opinion.
Sa për mohuesit, Zoti nuk i shkatërroi bashkërisht, ndonëse Ai kishte zhdukur shumë popuj të tillë në të kaluarën:
“Por Allahu nuk do t'i ndëshkojë ata derisa ti (Muhamed) je në mesin e tyre dhe Allahu nuk do t'i ndëshkojë derisa ata kërkojnë falje.” (Kuran, 8:33)
Ky ajet u referohet jobesimtarëve në çfarëdo kohe. Zoti nuk do t'i shkatërrojë popujt krejtësisht për sa kohë që ndjekësit e të Dërguarit janë gjallë. Përveç kësaj, Ai ka lënë të hapur derën e pendimit deri në Ditën e Fundit. Çdokush mund ta pranojë Islamin ose të kërkojë faljen e Zotit, pa marrë parasysh nëse e konsideron veten të mbytur në mëkate.
Për këtë arsye, armiqësia e një myslimani ndaj mohuesve ose, përgjithësisht, jobesimtarëve, është një formë mëshire. Kur Omeri vështroi një jobesimtar rreth të tetëdhjetave, u ul në gjunjë dhe filloi të lotonte. Kur e pyetën pse po qante, ai u përgjigj: "Zoti i dha jetëgjatësi, por ai nuk ishte në gjendje ta gjente udhën e vërtetë!" Omeri ishte një ndjekës i të Dërguarit të Zotit, Profetit, që thoshte:
“Unë nuk kam zbritur si mallkim, por si mëshirë për njerëzit!” [19]
“Unë jam Muhamedi, dhe Ahmedi (i lartësuari), dhe Mukaffi (Profeti i Fundit); Unë jam Hashiri (Profeti i fundit në praninë e të cilit njerëzit do të mblidhen); Profeti i Pendimit (Profeti për hir të të cilit dera e pendesës do të qëndrojë gjithmonë e hapur) dhe Profeti i Mëshirës.” [20]
I Dërguari i Zotit kishte një dhembshuri të veçantë për fëmijët. Kur ai shikonte një fëmijë që po qante, e pushtonte në krahët e tij dhe ndante së bashku me të brengën apo hidhërimin. Ai ndjente dhimbje për një fëmijë më tepër se sa mund të ndjente nëna e tij. Një herë ai tha: “ Unë po falem dhe dëshiroj ta zgjas sa më shumë atë. Megjithatë dëgjoj një fëmijë duke qarë dhe e shkurtoj faljen për t'ia larguar ankthin nënës.” [21]
Ai i merrte fëmijët në krahë dhe i përqafonte. Njëherë, ndërsa po ngushte dhe puthte nipat e tij, Hasanin dhe Hysenin, Akrah ibn Habisi i tha: "Unë kam dhjetë fëmijë, por asnjërin prej tyre nuk e kam puthur kurrë!” I Dërguari i Zotit iu kthye: "Një njeri pa mëshirë për të tjerët, nuk është i mëshirueshëm!" [22] Sipas një versioni tjetër, ai shtonte: "Çfarë mund të bëj për ty nëse Zoti e ka larguar mëshirën prej teje?" [23]
Njëherë ai tha: "Mëshironi në tokë që ata në qiell t'ju mëshirojnë ju!" [24] Kur Sad ibn Ubade u sëmur, i Dërguari i Zotit shkoi ta vizitonte në shtëpi dhe, duke vështruar bashkëpunëtorin e tij besnik në një gjendje të mjerueshme, filloi të qante. Ai tha: "Zoti nuk ndëshkon për lotët apo brengat, por Ai është ndëshkues për këtë!" dhe tregoi gjuhën e tij. [25] Kur Osman ibn Maduni vdiq, ai qau pa pushim.
Një anëtar i fisit Benu Mukarrin rrahu njëherë skllaven e tij. Ajo vuri në dijeni të Dërguarin e Zotit, i cili thirri të zotin e saj. Ai i tha: "Ti e ke rrahur atë pa asnjë të drejtë. Lëre të lirë!" [26] Të linte të lirë një skllave, ishte më e pakta që poseduesi i saj mund të bënte në krahasim me ndëshkimin që e priste në botën e përtejme për shkak të sjelljes së gabuar. Edhe para profetësisë, i Dërguari i Zotit gjithmonë i mbronte dhe mbështeste vejushat, jetimët, të varfrit, dhe të pamundurit. Kur ai u kthye në shtëpi nga mali Hira pas revelimit të parë, gruaja e tij Hatixhja i tha:
“Unë shpresoj që ti do të jesh Profeti për këtë Umet (shoqëri), ti që thua gjithmonë të vërtetën, që përmbush besimin tënd, përkrah të afërmit, ndihmon të varfrit dhe të pafuqishmit dhe ushqen miqtë!” [27]
Dhembshuria e tij përfshinte edhe kafshët. Ne dëgjuam prej tij:
“Një prostitutë ishte drejtuar te e vërteta nga Zoti dhe shkoi në parajsë sepse i kishte dhënë ujë një qeni të gjorë që po ngordhte nga etja. Kurse një tjetër grua ishte dërguar në ferr sepse kishte lënë një mace të ngordhte nga uria.” [28]
Njëherë, ndërsa kthehej nga një fushatë ushtarake, disa nga bashkëpunëtorët kishin marrë nga foletë e tyre ca zogj të vegjël për t'i përkëdhelur. Kur nëna e zogjve kthehet, nuk i gjen në fole zogjtë e saj dhe fillon të fluturojë përreth duke cicëruar në kërkim të tyre. Pasi i treguan për këtë, i Dërguari i Zotit u zemërua dhe urdhëroi që zogjtë të ktheheshin në foletë e tyre. [29]
Ndërsa në Mina, disa nga bashkëpunëtorët iu turrën një gjarpri për ta vrarë ndonëse ai arriti të shpëtonte. Duke ndjekur këtë skenë nga larg, ai vuri në dukje: "Ai shpëtoi nga ligësia juaj, siç ju shpëtuat nga ligësia e tij!" [30] Ibn Abasi tregonte që i Dërguari i Zotit, pasi vërejti një njeri duke mprehur thikën e tij para syve të deles që do të therej, iu drejtua atij: "Dëshiron ta therësh atë më shumë se një herë?" [31]
Ai çrrënjosi të gjitha dallimet për racat dhe ngjyrat. Njëherë, Ebu Dheri u zemërua me Bilalin dhe e ofendoi atë: "Ti je biri i një zezakeje!" Bilali vajti tek i Dërguari dhe ia tregoi ngjarjen me lot në sy. I Dërguari e qortoi Ebu Dherin: "Tek ti ekzistojnë akoma shenja të injorancës!" I penduar thellë, Ebu Dheri u shtri përdhe dhe tha: "Unë nuk do ta ngre më kokën (nënkupton që ai nuk do të ngrihet më) nëse Bilali s’do të më vërë këmbën mbi të. Bilali e fali dhe ata u pajtuan. [32]
[18] Ibni Hisham, Siratu’n-Nebevijje, IV, 55; Ibni Kethir, el-Bidaje ve’n-Nihaje, IV, 344.
[19] Muslim, Birr, 87.
[20] Hanbel, Musned, IV, 395; Muslim, Fedail, 126.
[21] Buhari, Edeb, 65; Muslim, Salat, 192.
[22] Buhari, Edeb, 18.
[23] Buhari, Edeb, 18; Muslim, Fedail, 64.
[24] Tirmidhi, Birr, 16.
[25] Buhari, Xhenaiz, 45.
[26] Muslim, Ejman, 31, 33; Ibn Hanbel, Musned, III, 447.
[27] Ibn Sa’d, el-Tabakatu’l-Kubra, I, 195.
[28] Buhari, Enbija, 54; Muslim, Selam, 153.
[29] Ebu Davud, Edeb, 164; Ibn Hanbel, Musned, I, 404.
[30] Nesai, Haxh, 114; Ibni Hanbel, Musned, I, 385.
[31] Hakim, Mustedrek, IV, 231.
[32] Buhari, Iman, 22.
- Publikuar më .