Pretendimi mbi Evolucionin dhe Ngjashmerite mes Gjallesave

Darvini niset nga ngjashmëria që vihet re në natyrë. Sipas tij, apendikset që vihen re te disa gjallesa të larta si pasojë e dukurive atrofizuese, janë organe të bartura prej tyre nga fazat e tyre të ulta gjatë procesit të evolucionit dhe që tani nuk vlejnë për gjë. Bie fjala, sipas Darvinit, qimet në trupin e njeriut janë bartur te njeriu nga gjitarët më të ulët me rrugën e trashëgimisë. Gjatë këtij procesi, shumica e qimeve kanë rënë dhe kanë mbetur vetëm një pjesë e vogël e tyre. Mirë, po pse, vallë?

Këto lloj pretendimesh të Darvinit nuk kanë ndonjë aspekt konsekuent. Fakti që njeriu ka fytyrë, sy, vesh, etj., si dhe majmuni, nuk do të thotë aspak se njeriu ka rrjedhur nga majmuni; gjithashtu, fakti që në disa lloje gjallesash ka organe të njëjta ose të ngjashme, nuk tregon se ato gjallesa kanë rrjedhur nga njëra-tjetra! Në gjithësi ekzistojnë shumë lloje (specie) gjallesash, mes të cilave ka shumë ngjashmëri, sepse të gjitha gjallesat, në ndërtimin e tyre, bazohen në katër elementë: azot, karbon, oksigjen dhe hidrogjen. Gjithashtu, edhe njeriu, edhe kafshët, ushqehen me shumë lëndë ushqimore të përbashkëta. Në mënyrë të veçantë, njerëzit përdorin të njëjtat lëndë ushqimore. Megjithëkëtë, të gjitha llojet e gjallesave ndryshojnë mes tyre si dhe çdo individ njerëzor ndryshon shumë nga tjetri në shumë aspekte dhe cilësi të tij. Ngjashmëritë mes llojeve në strukturë dhe pamje nuk janë domosdoshmëri dhe provë e prejardhjes së tyre nga njëra-tjetra. Dallimet që vihen re pavarësisht nga uniteti i burimit, tregojnë se synimi dhe, në vartësi të këtij, kuptimi dhe funksioni te gjallesat janë parësore, për çka dhe struktura lëndore-materiale e tyre është rregulluar sipas këtij pariteti. Në praktikë kurrë nuk ndodh që të ndërtohet një ndërtesë sidokudo ose, e kundërta, shumë e bukur dhe e përsosur dhe vetëm pastaj të mendohet ose përshtatet funksioni i saj. Nuk formohen fjalët e nuk shkruhet libri pa një ide e pa një përmbajtje paraprake të formuar në mendje. Çdo ndërtesë përbëhet, pak a shumë, prej të njëjtash materiale ndërtimi, mes llojeve të ndryshme të ndërtesave ka shumë ngjashmëri, por asnjëra prej tyre nuk është identike me tjetrën (vetëm nëse paraprakisht është e menduar dhe e vendosur kjo gjë). Shkronjat që përbëjnë fjalët dhe gjuhët, janë të numërueshme, janë pak, kurse numri i pallogaritshëm i fjalëve të qindra gjuhëve, dialekteve, nëndialekteve, etj. formohet vetëm me ca pak shkronja në sajë të kombinimeve të pafund! Bie fjala, ndryshimi i vetëm një shkronje sjell ndryshime kuptimi në disa fjalë shtatëshkronjëshe me gjashtë shkronja të njëjta. Kështu, mund të ketë shtatë fjalë të ndryshme shtatëshkronjëshe me gjashtë shkronja të njëjta dhe vetëm një të ndryshme, por që s'është kusht të jenë të prejardhura nga njëra-tjetra. Eshtë kuptimi ai që i përfton ekzistencë çdo fjale dhe që cakton materialin e saj të përbërë prej tingujsh dhe shkronjash.[1] Po si kjo, ndër gjallesat, për funksione të ngjashme, janë të domosdoshme organe të ngjashme dhe struktura të ngjashme. Shumëllojshmëria e pafundme që vihet re në botën e gjallesave pavarësisht nga një sërë ngjashmërish strukturore dhe përdorimit të të njëjtit material lëndor ose, duke u nisur nga e kundërta, ngjashmëritë strukturore që vihen re pavarësisht nga shumëllojshmëria e pafundme, aludojnë plotësisht për një synim, për një vullnet, për një kuptim evident. Prandaj, gjallesat janë krijuar e krijohen sipas shkakut dhe synimit të ekzistencës, duke u dhënë strukturë dhe organe të përshtatshme për secilën prej tyre. Për rrjedhojë, ngjashmëritë mes gjallesave, në kundërshtim me ç'pretendon Darvini, nuk tregojnë për prejardhjen e tyre evolucionare, por për krejt të kundërtën!

E dyta, mbi tokë ka gjallesa të panumërta dhe qindramijra lloje (specie). Po qe se çdo lloji do t'i jepej një strukturë krejt e veçantë dhe çdo individi të të njëjtit lloj, strukturë, organe dhe pamje e veçantë, do të duheshin struktura, organe dhe karakteristika të panumërta. Ndërsa kur e mendojmë këtë çështje për njeriun, meqë çdo individ njerëzor do të ishte i prejardhur prej një lloji të veçantë të botës shtazore, do të kishte një strukturë dhe një pamje të veçantë. Pa dyshim, Zoti është i aftë t'i japë çdo lloji dhe çdo individi një strukturë dhe pamje të veçantë dhe, kur e mendojmë këtë gjë edhe për njeriun, e kuptojmë se atëherë do të ishte krejt e pamundur njohja, afrimi, grupimi, ndihma reciproke dhe jetesa e përbashkët si për kafshët, ashtu dhe për njerëzit, individët do të mbeteshin të huaj për njëri-tjetrin dhe në shesh do të dilte një botë e pajetueshme.

Në mënyrë të veçantë, dy gjëra që i përngjajnë njëra-tjetrës, nuk do të thotë se janë identike të njëra-tjetrës. Bie fjala, edhe esenca e trëndafilit, edhe acidi klorhidrik janë lëngje që kanë veti të ngjashme si avullueshmëria e lartë, etj., por, ndërsa esenca e trëndafilit të jep kënaqësi, acidi klorhidrik të shkakton djegie dhe plagë. Po kështu, dielli, llamba elektrike, qiriu, pisha japin dritë, ndriçojnë, por nuk kanë të njëjtin burim. Fakti që në strukturën e kafshëve dhe njerëzve ka organe të ngjashme ose që mes kafshëve dhe njerëzve ka ngjashmëri të mëdha, nuk tregon se mes dy llojeve ka një lidhje kalimtare. Sepse çdo gjallese i jepen organet e duhura për jetën dhe për të kryer furksionet jetësore përkatëse. Veç kësaj, është kuptuar se organe që gjer dje janë konsideruar si atrofizime dhe apendikse, kanë dhe kryejnë funksione shumë të rëndësishme!

Krahas kësaj, në natyrë, disa herë mund të ekzistojnë elementë që duket sikur nuk i përshtaten mjedisit ku ndodhen dhe strukturës së përgjithshme të tij. Jo mund të ekzistojnë, por ekzistojnë. Ndërkaq, jo vetëm mund të qëndrohet për të dalluar se ç'kuptim ka ekzistenca e tyre në atë vend, por ne as që mund të pretendojmë ende se e kemi zbërthyer strukturën e natyrës. Pastaj, disa herë, një gjë mund të vihet si një element dekoracioni në një vend jo krejt të përshtatshëm dhe, për rrjedhojë, mund të tërheqë vëmendjen mbi vete. Po qe se vështrimi ngulet pikërisht mbi këtë element dhe njeriu, duke u mbështetur mbi të, jep një konkluzion të përgjithshëm mbi krejt strukturën, bie në gabim. Ashtu siç është gabim që, duke parë vetëm dy dyer të mbyllura të një pallati me dy mijë dyer, të konkludosh se të gjitha dyert e pallatit janë të mbyllura, ashtu siç është gabim që, duke e ngulur vështrimin vetëm mbi dy kokrra të kalbura të një peme me rrënjë, trung, degë e gjethe të shëndosha, të nxjerrësh përfundimin se pema i ka të gjitha kokrrat të kalbura, ashtu është konkluzion joshkencor e i shpejtuar të thuash se midis dy llojeve ka një lidhje kalimtare prejardhjeje dhe evolucion vetëm duke u nisur nga një a dy të ashtuquajtura apendikse të konsideruara si pasojë të një procesi atrofizimi!

I nisur nga ngjashmëritë, Darvini e vlerëson si argument tjetër për teorinë e tij të evolucionit faktin se disa sëmundje të njeriut hasen edhe te kafshët. Edhe për këtë mund të thuhet e njëjta gjë që u tha më lart. Me sa dihet gjer më sot, te njeriu hasen dhjetra e qindra sëmundje dhe variante të tyre. Po qe se do të kishte sëmundje të ndryshme për çdo lloj gjallese, numri i sëmundjeve do të ishte shumë i madh. E dyta, është krejt e natyrshme që te njerëzit dhe kafshët me strukturë, organe dhe funksione mjaft të ngjashme, të ketë sëmundje të ngjashme, por nuk është aspak e natyrshme dhe me vlerë të konkludosh se këto gjallesa e kanë prejardhjen nga njëra-tjetra. Kështu, sëmundjet e njerëzve nuk vërehen te majmunët as në mënyrë tipike, as me ndryshime, kurse një a më shumë prej tyre vërehen te kafshët e tjera. Bie fjala, emfizema kronike haset te kuajt, leucemia haset te macet dhe bagëtitë e trasha, distrofia muskulare haset te pulat dhe minjtë, arterioskleroza haset te derrat dhe pëllumbat, çrregullimet e koagulimit të gjakut dhe nefritet hasen te qentë, ulcerat e stomakut hasen te derrat, anevrizma haset te gjelat e detit, gurët e tëmthit hasen te lepujt, inflamacioni i heparit haset te qentë dhe kuajt, gurët e veshkave hasen te qentë dhe të trashat, katarakti haset te qentë dhe minjtë.

Në këto kushte, a mos do të pretendojmë se njeriu ka rrjedhur nga minjtë, qentë apo buajt? Te njerëzit dhe kafshët mund të gjenden të njëjtat viruse apo bakterie. Megjithëkëtë, ky fakt nuk është argument i prejardhjes së njëjtë. Janë disa sëmundje të përbashkëta të njerëzve, zogjve e shpendëve, ndërsa këta të dytët janë biologjikisht shumë larg njeriut. Afrimi i njeriut, duke u nisur nga ky fakt, me pulën, do të thotë largim nga pikëpamja bazë e Darvinit, i cili, në linjën evolucionare të zhvillimit, mes njeriut dhe kafshëve të tjera ka vënë majmunin!


[1] Kjo ka të bëjë me çështjen e nocionit të fonemës që është një specialitet linguistik dhe filozofik, prandaj, jo vetëm që kjo konsideratë e autorit është për t'u diskutuar, por edhe paralelizmi që ka përdorur ai këtu, është vetëm formal, jo esencial, prandaj ka, për te­orinë e evolucionit, vetëm vlerë asociative, ilustruese, por jo argumentuese. Përkthy­esi.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.