Evolucioni

Evolucion i themi zhvillimit nga e thjeshta, te e përbëra, nga një cilësi më e ulët, në një cilësi të re, më të lartë. Në fillim, teoria mbi prejardhjen dhe zhvillimin e qenieve të gjalla u quajt darvinizëm, pastaj, për ta emërtuar atë, nisi të përdorej fjala e ardhur nga latinishtja, evolucion. Në ditët tona, fjala evolucion përdoret në kuptimin zhvillim dhe përkryerje duke kaluar nga një etapë në tjetrën si dhe, në kuptimin e ngushtë dhe teknik, jo për të emërtuar darvinizmin, por mutacionet dhe transformimet në botën e gjallë si pasojë e ndikimeve të brendshme e të jashtme. Prandaj, kur themi evolucion, e kemi fjalën për të gjitha idetë darviniste të vjetra e të reja.

Ç'është e vërteta, edhe para Darvinit ka pasur njerëz që kanë paraqitur pretendime të ngjashme. Mes tyre, përmenden Kanti, Bekoni, Hegeli.

Në fakt, është vetëm Lamarku me teorinë e tij të transformizmit, ai që, para Darvinit, ka bërë fjalë mbi evolucionin në kuptimin biologjik të tij. Veprën "Filozofia e Zoologjisë" ku Lamarku[1] zhvillonte teorinë e vet, e pati botuar në vitin 1809 kur pati lindur Darvini. Ndërkaq, vepra e Lamarkut u bë e njohur jo menjëherë, por pas disa vitesh, atëherë kur edhe Darvini pati ardhur në moshën për të lexuar dhe kuptuar.

Mund të flitet për tre faktorë ndikues që e shtynë Darvinin për ta parashtruar teorinë e tij të famshme. I pari është prifti anglez Maltus. Në një periudhë kur në Angli sundonte varfëria, Maltusi i cili e shihte shtimin e popullsisë si njërin prej shkaqeve të varfërisë dhe dilte kundër ligjit në fuqi mbi ndihmën e shtetit për të varfërit, në veprën e tij, "Ese mbi parimet e popullimit" (1789)[2], pretendonte se, ndërsa popullsia shtohej në progresion gjeometrik, të mirat materiale shtoheshin në progresion aritmetik ose, më saktë, vinin gjithmonë duke u pakësuar, prandaj edhe pse fakteqësitë natyrore, sëmundjet, etj. shtonin artificialisht vdekshmërinë dhe bënin një skartim të dukshëm të numrit të popullsisë, shtimi i saj në progresion gjeometrik do të bënte që të vinte një ditë që ajo të mos mund të ushqehej dot më, prandaj s'kishte aspak kuptim që me ligje të tillë si ai aktual që ushqente të varfërit, të ndihmohej artificialisht keqësimi i gjendjes! Kështu, Maltusi kërkonte shfuqizimin e ligjit në fjalë. Kurse Darvini, nga një pretendim i tillë i mbrojtur për arsye ekonomike, u përqëndrua në nxjerrjen, sipas tij, të përfundimeve shkencore, për të ngritur, më tej, teorinë e përzgjedhjes natyrore.

Faktori i dytë me ndikim të rëndësishëm mbi Darvinin është Alfred Rasëll me veprën e tij, "Kontribute për teorinë e seleksionit natyror"[3]. Ndërsa Rasëlli bënte kërkime në ishujt Malaja, Darvini bënte kërkime në brigjet e Amerikës Jugore dhe ishujt e Oqeanit Paqësor. Në letrën e tij të gjatë sa një libër drejtuar Darvinit, Rasëll i shkruante se gjallesat që përshtateshin më mirë ndaj mjedisit mund ta vazhdonin jetën dhe, në këtë kuadër, mes gjallesave zhvillohej një luftë për ekzistencë. Ja, edhe nga ky pretendim mori guxim Darvini si kur po e përvijonte teorinë e tij, ashtu dhe kur e hidhte në shesh.

Faktori i tretë me ndikim të rëndësishëm mbi Darvinin janë mendimet e disa shkencëtarëve të cilët, para Darvinit, kanë bërë fjalë në një farë mënyre mbi evolucionin. Ndërkaq, mendimet e tyre, që në kohën e vet patën ushtruar ndikim mbi Darvinin, sot nuk kanë ndonjë vlerë, siç ndodh, bie fjala, me Lamarkun. Kurse Për Darvinin ekziston konsiderata se ai i ka sistemuar dhe shprehur mendimet e tij në mënyrë më shkencore, mirëpo, kur t'i parashtrojmë në këtë libër disa të vërteta, qoftë edhe të thjeshta, do të duket se, si pretendimet e Darvinit, ashtu dhe sistematizimi dhe parashtrimi i tyre prej tij janë mjaft larg nga metodologjia dhe vërtetësia shkencore!


[1] Jean Baptiste Lamarck (1744-1829): Philosophie Zoologique. Shën. i përkthyesit. Të gjitha shënimet janë të përkthyesit.
[2] Thomas Robert Malthus (1766-1834): Essay on the Principles of Population.
[3] Alfred Russel Wallace (1823-1913): Contributions to the Theory of Natural Selection (1860).

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.