Profeti ynë në aspektin e asketizmit dhe ruajtjes nga çdo gjë e ndaluar

Asketizmi dhe ruajtja e Tij nga çdo mëkat, si dhe vera-ja (ruajtja ekstreme, tërheqja nga çdo gjë e dyshimtë) e Tij, nuk mund të gjendet te një tjetër njeri, në të tilla përmasa. Çdo sjellje e veprim i Tij ishte i akorduar sipas këtyre parimeve. Aq kishte frikë nga Allahu (xh.xh.), sa gati i pushonte zemra. Ai ishte aq i ndjeshëm, aq sensibël, sa të rralla ishin momentet që zemra nuk i dridhej e sytë nuk i lotonin. Kur shprehej, bëhej det me dallgë, ndërsa kur heshtte, oqean. Është e qartë se të presësh për Të një gunë mëkati e ta paraqesësh si të interesuar pas gjërave të kësaj bote një njeriu që e ka përshkuar jetën me një kornizë të tillë, nuk është veçse një mungesë e tejskajshme respekti e një gabim i pafalshëm. Asketizmi e ruajtja e Tij nga mëkati, e druajtja e Tij nga Allahu, qëndrimi i Tij i përpiktë, larg nga mëkati, nuk mund të përshtatet kurrsesi me zërat që duan ta paraqesin Atë, qoftë edhe paksa të prirur nga mëkati. Allahu (xh.xh.) e ka vendosur Atë, në një të tillë fron tejqiellor, sa kuisjet e atyre që lehin në tokë, nuk arrijnë kurrsesi deri te Ai, jo më ta stërpikë balta që ata hedhin…

Dhe tani, qoftë edhe përciptas, duam të prekim e të mundohemi të paraqesim edhe këto përmasa.

Së pari, asketizmi është një gjendje shpirtërore e një mënyrë jetese që shpreh këtë: edhe nëse të falet e gjithë bota, nuk ndien ndonjë gëzim të veçantë; edhe nëse e humbet të gjithë botën, nuk hidhërohesh e nuk të bën asnjë përshtypje vlera materiale e kësaj bote. Kjo cilësi te profeti paraqitet në kulmin e saj. Edhe nëse e gjithë kjo botë do të ishte e tij, pa dyshim ai nuk do t’i jepte vlerë më tepër se një kokërr gruri. Sërish, edhe po ta humbte të gjithë botën, nuk do të mërzitej më tepër se të kishte humbur një kokërr gruri. Ja, kështu e kishte braktisur ai botën nga zemra e tij. Kjo braktisje nuk përfshin kurrsesi braktisjen e përfitimeve të të mirave nga bota; sepse sërish, ai profet, dora vetë, na mëson në mënyrën më të mirë e më të arsyeshme, se si të fitojmë nga kjo botë. As që mund të mendohet se ai e braktis botën në një tjetër kuptim apo i shtyn njerëzit në një rrugë të tillë. Braktisja e botës është diçka që bëhet me zemër. Fakti më i saktë për këtë është shteti-republikë i Islamit, që formoi profeti, i cili për një kohë të shkurtër u bë një prej shteteve më të pasur e më të fuqishëm në botë. Sikurse e thekson edhe një mendimtar perëndimor, prej këtij shteti të formuar nga i Dërguari i Allahut, do të lindnin në të ardhmen plot njëzet e pesë perandori. Shteti i madh otoman është vetëm njëri prej tyre. Ja, ky mësim duhet të jetë në themel të asketizmit. I Dërguari i Allahut, qysh nga çasti që hodhi hapin e parë drejt klimës së ndritur të profetësisë, deri në momentin që e gjithë bota u shtrua para këmbëve të tij, nuk e ndryshoi aspak sjelljen e vet. Aq sa, kur vdiq, pranë tij nuk ishin as njerëzit që kishte pasur në çastin kur kishte lindur. Sepse ai kishte falur e shpërndarë gjithë ç’kishte pasur. Vëreni trashëgiminë që ka lënë, vetëm disa kokë bagëti dhe ca dhomëza të vogla, edhe ato, të bashkëshorteve. Madje edhe ato dhomëza numëroheshin pronë shteti, sepse pas vdekjes së këtyre nënave të shenjta, gjithë ato dhoma ishin bërë pjesë e xhamisë. Sikurse e di çdokush që ka pasur rastin të vizitojë atë xhami, ato dhoma janë aq të vogla, sa përbëjnë vetëm një qoshe të vogël të faltores.[1]

1. Ai shtrihej mbi rrogoz

Një ditë, Omeri shkon pranë të Dërguarit të Allahut. Profeti ndodhej mbi rrogozin ku shtrihej zakonisht dhe mbi njërën anë të fytyrës i dalloheshin qartë gjurmët që kishte lënë rrogozi. Në një cep të dhomës kishte një postiqe lëkure, në cepin tjetër një torbë të vogël, ku kishte një dorë elb. Ja, këto ishin orenditë e dhomës së profetit. Përballë kësaj pamjeje, Omeri u prek shumë dhe nuk i mbajti dot lotët. Atëherë profeti e pyeti pse qante dhe Omeri iu përgjigj: “Ndërsa mbretërit e perandorët tani shtrihen në jastëkë me pupla nëpër sarajet e kështjellat e tyre, ti (që gjithçka ka marrë jetë për hatrin tënd!) shtrihesh mbi një rrogoz të thatë e të ashpër, që të lë gjurmë në fytyrë. Ja, këto që pashë më prekën e nuk i mbajta dot lotët”. Pas këtyre fjalëve, profeti i drejtohet Omerit me këto fjalë: “A nuk do të dëshiroje ti, o Omer, që kjo botë të ishte e tyre, ndërsa bota tjetër (e pasosura) të jetë e jona?”[2]

Sipas një transmetimi tjetër, profeti urdhëron e thotë kështu: “E ç’lidhje kam unë me këtë botë? Unë jam si një udhëtar që pushon nën hije të pemës, pastaj largohet dhe e lë pas!”[3]

Ai kishte ardhur në këtë botë me një mision të posaçëm, kishte sjellë frymën e ringjalljes në ndjenjat e mendimet e njerëzve. Me të mbaruar misionin e tij, ai do largohej që këtej. Është e papranueshme të mendohet që një njeri i tillë, kaq i painteresuar për botën, të tregojë prirje drejt ca gjërave në emër të kësaj bote. Jo! Ai nuk u tërhoq aspak nga kjo botë dhe nuk lundroi asnjëherë drejt brigjeve të gabuara dhe as u lëkund.

2. Saktësia e tij në çështjen e sadakasë

“Kishte rënë të flinte, po deri në mëngjes vetëm sa ishte sjellë e mbështjellë herë majtas, herë djathtas duke rënkuar pa prehje. Në mëngjes, e shoqja e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Mos ishit pa qejf mbrëmë? Ishit shumë i shqetësuar”. Përgjigja e profetit ishte kjo: “Ndërsa përgatitja shtratin, gjeta një hurmë që kishte rënë në tokë. E futa në gojë, po më vonë u kujtova se në shtëpi ndodhen edhe hurma të sjella për t’ua dhënë të varfërve si sadaka ose si zekat. Po sikur kjo hurmë të ketë qenë një prej tyre? Ja, këtë mendova gjer në mëngjes. Me këtë shqetësim u solla sa majtas-djathtas, pa më zënë gjumi”.[4]

Sadakaja dhe zekati ishin haram për profetin, por kjo hurmë, me shumë gjasa i përkiste shtëpisë së tij ose ia kishin dhënë, sepse as mallin e sadakasë dhe as atë të zekatit nuk e zinte nata në shtëpinë e profetit. Ai mall, si vinte, menjëherë edhe shpërndahej. A është e mundur që t’i afrohet sadopak diçkaje të ndaluar një njeri kaq i ndjeshëm edhe ndaj më të voglit dyshim, i cili e ka kaluar gjithë jetën nën një vetëkontroll të tillë të rreptë? Ai, që ishte aq i rreptë që të mos e njolloste aspak botën e vet shpirtërore, qoftë edhe me një grimcë dyshimi! Si mundet që një vullnet i tillë të lëkundet sadopak përballë mëkatit?! Jo, ai nuk u luhat asnjëherë përballë mëkatit dhe nuk e lejoi atë kurrë të gjente rrugë për në shpirtin e tij. Shpirti e vullneti i tij ishin gjithnjë të dëlirë e të kulluar. Ashtu jetoi, ashtu dhe u lartësua pranë më të Lartit të Miqve.

3. “Mua më plaku surja Hud”

Ebu Bekri pyet profetin: “O i Dërguari i Allahut! Po vë re ca thinja në flokët tuaj. Sikur u mplakët përnjëherë. Mos ju mundon diçka?” Dhe Mbreti i Dy Botëve i përgjigjet: “Më kanë plakur suret Hud, Vakia dhe Murselat”.[5]

Në suren Hud, atij i urdhërohet kështu: “Prandaj qëndro i patundur në udhën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar!”(Hud 11/112). Ky qëndrim i drejtë ishte ai që kishte parashtruar Allahu (xh.xh.) për të Dashurin e Tij dhe i kërkonte atij ta mbronte këtë qëndrim. Murselat tregon mbi skenat e ferrit e të parajsës, rreth grupimeve aty dhe rreth gjendjes njerëzore të ndërdyshur e të tmerruar. Vakia, sërish paraqet këto grupime…

Këto sure dhe ajo çka shpjegohej në to, kishin ndikuar pa masë te i Dërguari, e kishin tmerruar dhe e kishin mplakur atë.

4. Si e shihte Botën e Përtejme

Një sahabe po lexonte Kur’an në shtëpinë e vet. Njëkohësisht, zëri i tij dëgjohej edhe nga jashtë. Pikërisht ndërsa ai lexonte ajetin e mëposhtëm, profeti po kalonte para shtëpisë së tij. Ai po lexonte këtë ajet:

“Se padyshim, ne kemi përgatitur për ata pranga, zjarr flakërues, ushqime që ngecin në fyt dhe dënime të dhembshme (Muzemmil 73/12-13).

Papritur, Profeti u zbeh e ra mbi gjunjë mu aty ku ndodhej. Sikur ai ajet po i thuhej atij personalisht, aq shumë ishte frikësuar nga kërcënimi që shprehte.[6] Në të vërtetë, nëse ekzistonte dikush që as duhet të shqetësohej ndopak nga këto fjalë, ai ishte i Dërguari i Allahut. Por ai na jepte një mësim mbi sjelljen, edukatën dhe respektin që duhet të tregojmë ndaj Allahut (xh.xh.).

5. Profeti ynë përballë Vështrimit Hyjnor

“Një ditë profeti më tha: “Lexo Kur’an, se dua të të dëgjoj!” Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Si të të lexoj unë ty Kur’an, kur Kur’ani të është zbritur ty!” “Mua më pëlqen të dëgjoj kur të tjerët lexojnë”, më tha. Pas kësaj, nisa të lexoj nga fillimi suren Nisa. Kur arrita te ajeti: “Si do të bëhet, kur prej çdo populli të sjellin dëshmitarë dhe të të sjellin ty (o Muhamed!) për dëshmitar mbi të gjithë ata?!” (Nisa 4/41), u dëgjua zëri i profetit që më tha “Mjaft! Mjaft!”. U ktheva nga ai, po ç’të shoh! Profeti qante e lotët i rridhnin krua. Zemra sa nuk po i dilte nga vendi, nuk ishte i zoti të duronte më. Aq e rëndë ishte ajo tablo që i kishte sjellë ai ajet para sysh”. [7]

6. Meditimi i tij

Një natë, profeti m’u drejtua:

- O Aishe! A më lejon ta kaloj këtë natë me adhurim ndaj Zotit tim?

Unë iu përgjigja:

- Më pëlqen të rri me ty, po më pëlqen edhe ajo që të pëlqen ty.

Profeti u ngrit dhe nisi të falet. Atë natë, gjer në mëngjes, ai lexoi katër ajete: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët” (Ali Imran 3/190) dhe derdhi lot pa pushim, kur u bë mëngjes, erdhi pranë tij Bilali, i cili do të thërriste ezanin dhe i tha:

- O i Dërguari i Allahut, pse e mundon veten kaq shumë? Allahu (xh.xh.) t’i ka falur të gjitha mëkatet e së shkuarës e të së ardhmes.

Kurse profeti iu përgjigj:

- Atëherë, përse të mos bëhem një rob që e falënderon shumë Zotin e tij, që i ka dhënë gjithë ato të mira?[8]

Ja pra përse derdhte lotë profeti. Ai druhej se mos nuk arrinte nivelin e përshtatshëm të falënderimit për pozitën e vet, ndaj edhe qante! A mund të besoni se një person i tillë mund të kryejë një mëkat ose mund të tregojë ndonjëfarë prirjeje ndaj mëkatit?

Profeti ynë, sa përpikmëri tregonte për të mos iu afruar ndalesave të Allahut (xh.xh.), po dhe aq kujdes shfaqte për të mos iu afruar mëkatit, po aq përkushtim tregonte për të zbatuar edhe urdhëresat e tij, gjithnjë i gatshëm, gjithnjë i përpiktë. Edhe sikur të trajtohet pafajësia e tij veç nga ky këndvështrim, besoj se nuk ka nevojë për të shtuar as edhe një fakt tjetër. Në fakt, askush nuk do t’ia dilte mbanë të jetonte një jetë si të tijën. Ai ishte shumë i rreptë ndaj vetes dhe ndaj adhurimit individual, gjithashtu dhe shumë i disiplinuar në çdo aspekt. Thuajse e gjithë jeta e tij ishte programuar sipas adhurimit, nuk kishte asnjë çast që ai të mos ndodhej brenda dhikrit. Natyrisht që adhurimin këtu nuk mund ta kufizojmë vetëm në formën e atyre që dimë, namaz, agjërim etj. Çdo veprim që bënte, ai e kryente me ndërgjegjen e adhurimit. Kur e cilësuam si Asketi i Asketëve, zgjodhëm këtë term të shtyrë nga pamjaftueshmëria e fjalëve. Sepse asketizmi i tij është i një cilësie të veçantë, që duhet shprehur me tjetër term, me të tjera fjalë.

7. Përpikmëria e tij

Një ditë, ai erdhi në xhami, kaloi para xhematit dhe nisi të falej. Po menjëherë la namazin përgjysmë dhe u drejtua për nga dhoma e vet i shqetësuar. Aq i tronditur e aq i merakosur dukej, sa mendoje se po shkonte drejt zjarrit. Pas pak, u kthye sërish. Ishte qetësuar krejtësisht, shkoi në vendin e vet dhe rinisi faljen. Pas namazit, shokët e pyetën për shqetësimin e ngutin e mëparshëm dhe ai u përgjigj;

“Pak më parë më kishin sjellë ca gjëra për t’ua ndarë të varfërve. Unë harrova. Sapo nisa faljen, më erdhi ndërmend. Nuk m’u duk e arsyeshme të falja namaz, ndërsa në shtëpi ndodhej një mall i tillë, ndaj shkova në shtëpi dhe i thashë Aishes (r.a.) ta shpërndajë menjëherë”.[9]

Ja, ky quhet asketizëm, ky është besim i fortë, kjo është të ruhesh nga mëkati. Kaq është lidhja e tij me botën… Qindra herë bota është drejtuar nga Ai, duke dashur ta tërheqë drejt vetes, por secilën herë ai e ka shtyrë mënjanë.[10]

8. Etje dhe uri për ditë të tëra

Shpesh ndodhte që ai të mos vinte një kafshatë në gojë, për ditë të tëra.[11] Gjatë gjithë jetës së tij si profet, nuk ka ndodhur që ai të mbushte barkun, qoftë edhe me bukë thatë.[12] Kalonin muaj të tërë, pa u ndezur zjarri për një supë në shtëpinë e tij.[13] Një ditë, po falte namaz ndenjur. Ai ishte një namaz “nafile”. Pasi u fal, Ebu Hurejre iu afrua dhe e pyeti: “Mos jeni i sëmurë, o i Dërguari i Allahut? U falët ndenjur, ndaj pyes”. Përgjigja ishte e tillë, që të rrënqethte mishtë: “Ka ditë që nuk kam gjetur gjë të vë në gojë, o Ebu Hurejre! Më është prerë fuqia nga uria. S’më ka mbetur forcë të qëndroj në këmbë, prandaj u fala ndenjur”.

“Si dëgjova këto fjalë, u mbyta në lotë”, thotë Ebu Hurejre. Por profeti e harroi hallin e vet e nisi të merrej me mua. “Mos qaj, Ebu Hurejre. Uria në këtë anë e shpëton njeriun nga dënimi në anën tjetër (në botën e përtejme)”[14]

Ai ishte një lider. Mes pasuesve të vet kishte edhe nga ata që vuanin ditë të tëra nga uria. Ja dhe profeti e kishte përcaktuar standardin e jetës së tij, sipas këtyre. Në krahasim me bashkëkohësit e vet, ai jetonte jetën më të vobektë materialisht… dhe këtë e bënte me dëshirën e vet. Po të donte, mund të jetonte mes gjithë të mirave. Kjo nuk ishte aspak e vështirë për të. Vetëm dhuratat që vinin për të nëse do t’i mbante e të mos i shpërndante nëpër të varfër, do t’i mjaftonin të kalonte një jetë luksoze për standardet e asaj kohe, por ai as që e çoi nëpërmend një gjë të tillë. Kjo gjë nuk duhet interpretuar kurrsesi si braktisje e botës nga shoqëria që ai po ndërtonte dhe as si largim i plotë prej saj. Dhe as nuk ishte parimi moral i profetit “Një kafshatë në gojë, një gunë në shpinë”, të cilin e marrin nëpër gojë disa e disa, të cilët duan të gjejnë një bazë për kritikat e tyre.

Ai që do, fiton, pasurohet dhe jep zekatin në masën e paracaktuar nga Allahu (xh.xh.), bën mirë e ndihmon. Askush nuk është kundër një fitimi të tillë, madje Islami vetë e shtyn dhe e mbështet fitimin e lejuar. Po megjithatë, profetit dhe disa shokëve të afërt të rrethit të tij, u është dashur t’i qëndrojnë besnik botëkuptimit që pasqyruam më sipër me shembuj konkretë. Përndryshe, do të ishte e pamundur të ruhej kjo shoqëri, e cila po rritej nga dita në ditë e që i kishte kaluar me kohë kufijtë e Mekës e Medinës, në ato standarde dhe cilësi të pastra e të kulluara që kishte që ditën e parë. Kjo shoqëri nuk është thjesht një shoqëri fizike e materiale, kjo shoqëri është njëkohësisht bashkësi e ndjenjave, zemrave, shpirtit e ndërgjegjes. Dhe profeti mundohej të mbante në këmbë këtë bashkësi, duke u mëshuar gjithmonë e më fort këtyre vlerave. Secilën sakrificë që priste prej tyre, e bënte vetë i pari dhe si gjithmonë, edhe këtu, bëhej vetë shembull për pasuesit e vet. Ja një shembull nga më mbresëlënësit:

“Ishte mesnatë. Uria e kishte sfilitur tashmë profetin dhe nuk ishte në gjendje as të flinte. Ndoshta po ta zinte pak gjumi, do t’i lehtësohej qoftë edhe për pak kohë tortura e urisë. Por ishte e pamundur, uria nuk e linte të mbyllte sy. Doli nga shtëpia dhe nisi të ecte. Pas pak, vuri re një siluetë. Dikush po afrohej. Ktheu sytë andej, e njohu menjëherë. Ishte personi që nuk ishte ndarë prej tij në asnjë çast të jetës. Në çdo mendim, në çdo veprim, ai kishte qenë pranë tij. Dhe tani, në mes të natës, në një cep të Medinës, thua se e kishin bërë me fjalë, ishin sërish së bashku. I sapoardhuri ishte Ebu Bekri. Profeti e përshëndeti dhe pastaj e pyeti: “Ç’të ka nxjerrë jashtë në këtë orë të natës, o Ebu Bekr?” Po Ebu Bekri, me të parë profetin, e kishte harruar hallin që kishte. Gjithmonë ashtu kishte qenë. Edhe në Mekë, pasi kishte hyrë në një grindje për të mbrojtur profetin, kishte humbur ndjenjat e nuk kishte ardhur në vete për një ditë të tërë. Më vonë, sapo kishte hapur sytë, pyetja e parë që kishte bërë, kishte qenë: “Ç’u bë me profetin?”. Madje e ëma, Ummu Umare, ishte zemëruar me të dhe i kishte thënë: “Je bërë për vdekje, po prapëseprapë, te ai e ke mendjen!”[15] Nuk e dinte ajo se Ebu Bekri vuante e humbte ndjenjat pikërisht kur nuk mendonte për të. Sepse burimi i jetës për Ebu Bekrin ishte i Dërguari i Allahut. Ja, tani sërish nuk kishte ndenjur dot i ndarë prej tij dhe një ndjenjë e brendshme e kishte shtyrë gjer në atë cep të Medinës. Dhe ai tani ndodhej mu pranë tij, duke iu përgjigjur pyetjes që i bëri: “Nga uria! Nuk gjeta asgjë për të ngrënë në shtëpi. Nuk më zuri dot gjumi dhe dola jashtë”. E njëjta botë! Menjëherë shtoi: “Nënë e baba të qofshin falë, o i Dërguari i Zotit! Po ti, pse dole?” Përgjigja nuk kishte si të ishte ndryshe. Edhe profetin e kishte nxjerrë uria. Ndërkohë, u duk më tej edhe një tjetër siluetë. Kuptohej që ky burrë truplartë e madhështor ishte Omeri. A nuk duhej plotësuar ajo tablo? Profeti kishte Ebu Bekrin në të djathtë, por ai që ishte i përhershëm në të majtën e tij, mungonte. Dhe ai erdhi me vrap; thua se nuk donte ta linte tablonë të mangët. Po, ai që erdhi ishte Omeri! Edhe ai kishte mbetur i çuditur kur kishte parë miqtë e vet aty. Përshëndeti, e përshëndetën dhe mbreti i fjalës e pyeti Omerin pse ishte jashtë në atë orë. Edhe përgjigjja e tij ishte njëlloj: “Uria, o i Dërguar i Zotit! Uria më nxori jashtë!” Profetit i erdhi ndërmend Ebul Hejsemi. Shtëpia e tij ishte diku aty afër. Me shumë gjasa, e kishte parë gjatë ditës tek punonte në vreshtë. Të paktën do t’u jepte ndonjë hurmë, kështu do ta mundnin disi urinë. “Eja të shkojmë te Ebul Hejsemi”, u tha shokëve. Arritën te shtëpia e Ebul Hejsemit. Ai dhe e shoqja ishin në gjumë. Në shtëpi kishin edhe një fëmijë të vogël; duhej të ishte katër a pesë vjeç. I pari i ra derës Hz. Omeri. “O Ebul Hejsem!” thirri me zërin e tij të trashë. Po as Ebul Hejsemi, as e shoqja nuk dëgjuan gjë. Ndërsa fëmija i vogël, që flinte i qetë në shtratin e vet, e dëgjoi dhe u hodh menjëherë nga shtrati: “Babi, ngrihu, ka ardhur Omeri!” Por Ebul Hejsemi mendoi se i biri kishte parë ndonjë ëndërr:

- Fli, bir, fli! Ç’punë ka Omeri këtu në mes të natës?

Si nuk morën përgjigje, derës i ra Ebu Bekri dhe me zërin e tij të ëmbël, thirri: “O Ebul Hejsem!”. Fëmija u hodh sërish, shkoi pranë të atit dhe e zgjoi: “Babi, ngrihu! Erdhi Ebu Bekri!” Por i ati e vuri sërish në gjumë. Herën e tretë, ishte zëri i atij që ngjallte edhe të vdekurit: “O Ebul Hejsem!” thirri profeti. Atëherë fëmija fluturoi si shigjetë. Ndërsa vraponte drejt derës, i thërriste të atit: “Ngrihu, babi! Ka ardhur profeti!” Ebul Hejsemi nuk po kuptonte se ç’po ndodhte. Vrapoi edhe ai drejt derës, po nuk u besonte syve. Në këtë orë të natës, te dera e tij, kishte denjuar të vinte mbreti i mbretërve. I ftoi menjëherë brenda. Pa humbur aspak kohë, shkoi e theri një bagëti. Ky rast i vinte njeriut një herë në jetë! Ai po jetonte çastin më të lumtur të tij; Profeti i kishte nderuar shtëpinë. Edhe shpirtin t’ua vinte para këtyre miqve të shenjtë, prapë atij i dukej pak. Menjëherë solli hurma, qumësht e mish dhe ua serviri miqve të nderuar. Hëngrën aq sa shuan urinë. Pastaj sërish profeti, me lotë në sy, duke iu derdhur këto fjalë nga ato buzë të shenjta, që ishin të afta t’i jepnin një kuptim e një thellësi tjetër çdo ngjarjeje, tha: “Betohem në emër të Zotit se nesër do t’ju kërkohet llogari për këto të mira”.[16] Pastaj lexoi këtë ajet: “Pastaj, atë Ditë do të pyeteni për kënaqësitë (e kësaj bote)”. (Tekathur102/8). Ja, i tillë njeri i jashtëzakonshëm ishte ai dhe të tilla ishin kriteret mbi të cilat ndërtonte ai jetën. Të përpiqesh të gjesh devijime në jetën e një njeriu të tillë, në mos injorancë, s’është tjetër veçse armiqësi. Omeri është njëri prej më të afërmve të tij dhe ai tregon për asketizmin në jetën e profetit me këto fjalë: “Betohem për Zotin, që unë e di si palosej më dysh nga uria profeti, se as më të lirën e hurmës (dakkal) madje, kishte raste që nuk e gjente dot”.[17] E pra, kujtdo që t’i kërkonte, do të shtronte për të më të mirën e sofrave. Madje pa pasur nevojë për këtë, vetëm dhuratat që i vinin, ishin të mjaftueshme që ai dhe familja e tij të jetonin mes gjithë të mirave. Por ai shpërndante gjithë ç’kishte, gjithë çfarë i vinte, pa ruajtur e pa ndarë asgjë për të nesërmen.[18] Dhe kur dikush e pyeste se pse nuk i afrohej asnjërës prej të mirave të kësaj bote, ai i përgjigjej: “E si mund të mendoj të marr nga të mirat e kësaj bote, kur Israfili ka surin në duar e pret urdhrin e Zotit për t’i fryrë?! Si mundet të shfrytëzojë njeriu të mirat e kësaj bote, kur është në një gjendje të tillë?”[19]


[1] Buhari, Feraid, 23; Ibn Kethir, Bidaje, 5/304.
[2] Buhari, Tefsir, 2; Muslim, Talak, 31.
[3] Tirmidhi, Zuhd, 44; Ibn Maxhe, Zuhd, 3; Musned 1/30
[4] Musned 2/193
[5] Tirmidhi, Tefsir, 57
[6] Kenzul Ummal 7/206
[7] Buhari, Tefsir 4/9; Muslim, Musafirin, 247-48
[8] Ibn Kethir, Tefsir 2/64. Kurtubi, 4/197
[9] Buhari, Ezan, 158; Nesai, Sehv, 104
[10] Musned, 2/231
[11] Musned, 3/213
[12] Buhari, Etime, 23. Muslim, Zuhd, 22.
[13] Buhari, Rikak, 17. Muslim, Zuhd, 28.
[14] Ebu Nuajm, Hilje, 7/109, Kenzul Ummal 7/199
[15] Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/40
[16] Muslim, 40; Kenzul Ummal, 7/196.
[17] Muslim, Zuhd, 36. Ibn Maxhe, Zuhd 10, Musned 1/24, 50.
[18] Buhari, Bed’ul Vahj, 5-6, Savm, 7. Muslim, Fedail, 50.
[19] Tirmidhi, Kijame, 8; Musned 1/36, 3/7.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.