Pafajësia e profetëve në kuptim të përgjithshëm

1. Pafajësia specifike e profetëve -ismet- në sensin leksikologjik dhe terminologjik

Një prej vetive të profetëve është edhe pafajësia e tyre dhe të qenit pa asnjë mëkat. Kjo cilësi emërtohet “Ismet”.

Në fjalor, ismet ka kuptimin “mbrojtje, ruajtje, moslejim ose i mbrojtur, i ruajtur”. Kurse në terminologjinë islame nënkupton të mbrojturin e të gjithë profetëve - me mirësinë e Zotit - nga të gjithë mëkatet, të vogla apo të mëdha. Pra, Allahu (xhel’le xhelaluhu) nuk ia njeh asnjëherë mundësinë e të mëkatuarit njeriut që ka zgjedhur profet… Ai nuk i lejon profetët të hyjnë në gjynah.

Ky term përmendet edhe në Kur’an në nocione të ndryshme, siç do ta shohim në disa shembuj të mëposhtëm.

Kur Profeti Nuh a.s. i flet të birit: “O biri im, hip me ne e mos u bëj me mohuesit!” ai i përgjigjet: “Unë do të strehohem në një mal i cili do të më ruajë nga uji”.

Folja “jea’simuni” që kalon në këtë ajet, vjen nga rrënja A-S-M, që është e njëjta rrënjë me emrin ismet dhe do të thotë “mbrohem”. Profeti Nuh i përgjigjet të birit me një tjetër fjalë, që vjen nga e njëjta rrënjë: “La Asimel- yeume min emril-lah - Sot askush nuk do të kursehet nga dënimi i Allahut” (Hud, 11/43). Përdorimi i fjalës Asim, si në kuptimin e vet, si në kuptimin Masum, nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Në të dy rastet, kur Asim ka kuptimin “mbrojtës” dhe Masumi mbrojtur”, kuptimi sillet rreth boshtit të rrënjës ismet.

Për të treguar pafajësinë e pastërtinë morale të Jusufit, Zelihaja shprehet kështu: “Jam përpjekur ta josh, por ai është ruajtur nga gjynahu” (Jusuf 12/32). Fjala istea’seme që kalon në ajet, është e të njëjtës rrënjë dhe njëkohësisht, ka edhe kuptimet “u mbrojt, u largua, u pengua”.

Në ajetin (Al - Imran 3/103) fjala i’tea’semu, që është gjithashtu e të njëjtës rrënjë, ka kuptimin “të mbahesh fort pas diçkaje që të mos rrëzohesh, të mos shkëputesh, të shtrëngosh fort diçka”. Këtu shpreh urdhrin për t’u mbajtur fort pas litarit të Allahut. Kush mbahet fort pas atij litari, është i ruajtur nga humbja e nga rënia.

Në ajetin e mëposhtëm, sërish folja yea’simuke ka të njëjtin kuptim: “Uallahu yea’simuke minennas” “Allahu të ruan ty prej njerëzve”. (Maide 5/67)

2. Çdo profet është i ruajtur nga mëkati

Të gjithë profetët janë pa gjynahe. Në jetën e tyre nuk bëhet fjalë për asnjë lloj devijimi. Ata janë njerëz të jashtëzakonshëm, të krijuar në mënyrë të shenjtë e të zgjedhur. Ata nuk janë thjesht të mirë, por elita e të zgjedhurve mes më të mirëve. (Haxhxh 22/75) [1]. Dhe gjatë gjithë jetës së tyre, ata nuk e kanë cënuar as edhe një grimë këtë shenjtëri e këtë veçanti.

Profetët kanë karakter të kulluar, shpirt sublim dhe ndjenja krejtësisht të dëlira. Gjithë reflektimi i të vërtetës së ardhur nga Allahu (xh.xh.), kristalizohet te ata ashtu sikur transmetohet, përjetohet e ndjehet prej tyre në të gjitha përmasat e saj. Ata janë si një burim i kristaltë, si një pikë uji e kulluar, që reflekton e pasqyron të gjitha rrezet e diellit; në zemrat e tyre as drita nuk përthyhet dhe as spektri i saj nuk pëson humbje.

Po, ashtu është; dhe arsyeja e kërkon të jetë ashtu. Sepse profetët ndodhen mes nesh me detyrën e shenjtë të kumtimit… Qëllimi i ekzistencës së tyre është kumtimi. Kështu që ata janë të parët që përballen me normat e me urdhëresat e Zotit… dhe ata i përcjellin këto urdhëresa ashtu siç i marrin. Nëse profetët nuk do të kishin një strukturë të tillë të dëlirë shpirtërore, atëherë nuk do të ishin të suksesshëm në përcjelljen e mesazheve hyjnore, ashtu siç u shpallën nga Zoti. Përndryshe, shpallja hyjnore përplaset në një karakter që e ka humbur kristalitetin, në ndjenja të turbulluara dhe në ndërgjegje të privuar nga dëlirësia, thyhet sikur përthyhet rrezja e dritës dhe shndërrohet sikur shndërrohet ngjyra e dritës; pastaj, merr formë në një botë sipërfaqësore, në muzgun e ndjenjave e mendimeve individuale dhe, dashje pa dashje, e humb origjinalitetin e tjetërsohet. Karakteri origjinal i shpalljes, urdhëresës e vullnetit hyjnor, tjetërsohet e humbet.

Njëkohësisht, profetët kryejnë funksionin e një pasqyre për të na përcjellë misteret e Shenjtërisë dhe të Karakterit Hyjnor. Kjo pasqyrë duhet të jetë detyrimisht e pastër, në mënyrë që të vërtetat që pasqyron në vetëdije, të jenë krejtësisht të sakta.

Njerëzimi i mëson të gjitha normat fetare të besimit, adhurimit dhe veprimit në sajë të profetëve. Njerëzit duhet të shohin te ata fenë dhe besimin në mënyrën më të saktë e më të përsosur, që t’i pasojnë ata e të arrijnë kështu të fitojnë lumturinë edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër… e nëse këta prijës e udhërrëfyes për njerëzimin mund të gabojnë ose mëkatojnë, nuk ka se si të jetë e ligjshme që njeriu t’u bindet atyre. Bindja ndaj profetit është e lidhur drejtpërsëdrejti me nevojën e njeriut për t’u orientuar. Nevoja e njeriut për orientim është në kundërshtim me bindjen ndaj një njeriu që gabon e devijon.

Jo, asnjë profet nuk ka kryer as edhe një gjynah, përkundrazi, secili ka pasur një mënyrë jetese më të bukurën, më të përsosurën, me veprimet e sjelljet që e kanë karakterizuar dhe gjithnjë jetesa e tyre ka qenë në një drejtim të vetëm. Është e vështirë të besohet se dikush, që nuk është për vete i denjë për parajsë, t’ia dalë mbanë të marrë njerëzit për dore e t’i sjellë ata në rrugë të mbarë drejt parajsës. Sepse Zoti i ka dërguar të gjithë profetët me qëllimin që t’i bëjnë njerëzit të denjë për parajsë.

Në themel të epërsisë të padiskutueshme të besimit të bazuar në shpalljen hyjnore ndaj gjithë sistemeve e teorive njerëzore, qëndron pikërisht pafajësia e veçantë e profetëve. Po të mos ishte kështu, edhe rezultati do të ishte ndryshe.

Natyrisht që edhe para profetësisë së tyre, profetët kanë pasur idealet e qëllimet e veta individuale… nuk ka asnjë problem në pranimin e këtij fakti. Këtu kemi parasysh edhe dhimbjen shpirtërore të të Dërguarit të Zotit para shpalljes hyjnore, kur kalonte kohë të tëra në malin Nur duke medituar e duke vuajtur për njerëzit; si duket, kjo dhimbje ishte brenda përmasave të idealeve të tij individuale. Vërtet që ai kishte një qëllim, një ideal; njerëzimi duhej shpëtuar me çdo kusht nga kjo kënetë ku po lëngonte. Po ja që caku i potencialit të tij individual mbaronte këtu. Receta për shpëtimin e njerëzimit nuk ishte as e tij dhe as e mendimeve të tij. Ajo recetë do të vinte drejtpërsëdrejti nga Zoti, me anë të shpalljes hyjnore. Këtu është pika ku idealizmi ndahet nga shpallja. Njëri është tërësisht njerëzor, tjetra krejtësisht hyjnore. Ndaj dhe i Dërguari që do t’i dilte zot këtij sistemi hyjnor, duhet të zotëronte një strukturë shpirtërore krejtësisht të ndryshme nga ajo e idealistëve të tjerë, ashtu siç edhe e kishte.

Në këtë pikë dua të përmend edhe diçka. Ashtu sikur profetët janë ndryshe nga idealistët e tjerë dhe kanë një pafajësi totale, ashtu edhe njerëzit që pasojnë një profet dhe janë populli i tij, duhet të kenë një strukturë e një pafajësi të ngjashme. Për mendimin tim, kjo është dhe gjëja që dallon popullin e një profeti nga turmat e tjera!

Pa dyshim, çdokush duhet të ketë një ideal. Njerëzit pa ideale ndjehen pa orbitë, pa qëllime. Një sulltan i fjalës, thotë: “Nëse një ideal sublim nuk ekziston, ose harrohet, ose lihet pas dore, gjithë aftësia e të menduarit përqendrohet te uni”.[2]

Dëlirësia e pafajësia është pjesë e pandarë e qenies së profetëve, është karakteri i tyre, virtyt dhe strukturë themelore e ekzistencës së tyre. Edhe në fytyrën e hënës, edhe në trupin e diellit mund të gjenden ca hije e njolla të zeza, po në shpirtin e një profeti nuk mund të strehohet as hija më e zbehtë e mëkatit.

Nëse një njeri që ka arritur afërsinë e Zotit bën një mëkat, si për shembull, nëse thotë pa dashje një fjalë pa vend, gjatë gjithë jetës ai e vuan këtë thellë në ndërgjegje. Po sikur ta zëmë se një fjalë e tillë, megjithëse larg mendsh, të dalë nga goja e një profeti? Vuajtja e tij nuk do të pushonte deri në Ditën e Ringjalljes.

Kjo është arsyeja që Profeti Ibrahim, edhe Ditën e Gjykimit madje, përjeton sëmbimin e ndërgjegjes për tre fjalitë aluduese[3] të thëna gjatë jetës dhe i përcjell për te Hz. Musa personat që kërkonin ndërhyrjen e tij për shpëtim[4]. Këtu dua të theksoj se aludimi nuk është gënjeshtër, po një mënyrë komunikimi për t’i tërhequr bashkëfolësit vëmendjen drejt një kuptimi jashtë teme.

Edhe ai, edhe gjithë profetët e tjerë, e kanë ndërgjegjen po kaq të ndjeshme dhe të mbyllur përballë çdo mëkati.

Gjatë shtjellimit të kësaj teme, qëllimi ynë ishte të shpjegonim pafajësinë e ismetin e të Nderuarit Muhamed. Po që të gjithë profetët, me shprehjen e të Dërguarit të Allahut, janë Ebnau allat[5] - bijtë e të njëjtit baba. Ata janë të gjithë bij të rritur e të edukuar në strehën e të njëjtit baba. Për këtë arsye nuk do të kalojmë pa prekur qoftë edhe shkurtimisht, atributin ismet te të gjithë profetët. Veçanërisht do të ndalemi te ato personalitete të jashtëzakonshëm e shpirtra të lartë, të cilëve u është hedhur baltë e janë paraqitur shumë ndryshe nëpër librat e shenjtë të mëparshëm, tashmë të deformuar dhe tepër larg nga origjinali, si dhe do të shtjellojmë veçanërisht personalitetet e tyre nën rrezet e Kur’anit Famëlartë, duke nxjerrë në pah shpifjet e gënjeshtrat që u janë mveshur.

Por tema jonë kryesore, ashtu siç e theksuam edhe më lart, është Profeti Muhamed (a.s.), ismeti i tij dhe pafajësia e virtyti i tij.

Çdo profet, pa përjashtim, është i virtytshëm e i mbrojtur nga mëkati. Ndërsa i përzgjedhuri Muhamed (a.s.) është më i virtytshmi i të virtytshmëve, më i pastri i të pastërve; i tërë karakteri i tij është brumosur me reflektimet e të Vërtetës Hyjnore dhe në pasqyrën e kulluar të shpirtit të tij është pasqyruar çdo çast shëmbëlltyra e atributeve të Zotit. Pa dyshim që një karakter i tillë specifik dhe një shpirt i tillë i mbushur me ndjenjë, do të ishte më i Virtytshmi i të Virtytshmëve. Për një çështje sublime e të veçantë, Allahu (xh.xh.) ka zgjedhur posaçërisht njerëz të veçantë, që janë të aftë të mbajnë mbi shpatulla rëndesën e asaj çështjeje; këta janë profetët. Zoti, në lidhje me misionin e tyre të dallueshëm, i ka ruajtur e mbrojtur profetët në mënyrë të veçantë. Kjo nënkupton pajisjen e tyre me atributin e pafajësisë -ismet- dhe ruajtjen e pozicionimin e tyre në horizontin më të largët prej mëkatit. Natyrisht, sepse profetët janë të detyruar ta ruajnë në çdo çast atë pozitë të lartësuar e të përsosur, në mënyrë që t’i prijnë e t’i tregojnë rrugë gjithë njerëzimit. Çdo cep i pelerinës së tyre duhet të jetë larg njollave e papastërtive, në mënyrë të tillë që sytë e atyre që janë vënë pas atij prijësi dhe kanë hyrë nën udhëheqjen e tij, të mos shohin në drejtime të tjera. Profetët janë udhërrëfyesit e dorëzanët e udhëtimit të njerëzimit drejt Allahut (xh.xh.) dhe drejt miratimit të Tij. Por aprovimi i Allahut (xh.xh.) e kënaqësia e Tij nuk mund të jenë pranë mëkatit, qoftë ai edhe më i vogli e më minimali. Kështu, është e pamundur që dikush që ndodhet vetë larg miratimit të Zotit, të udhëheqë të tjerët drejt Tij. As që mund të bëhet fjalë për diçka të tillë. Ndaj dhe mundësia që ndonjëri profet t’i afrohet mëkatit, thjesht nuk ekziston.

3. Profetët janë të mbrojtur ndaj mëkateve të mëdha e të vogla

Sipas mendimit të shumicës së dijetarëve islamë, profetët janë të mbrojtur nga çdo lloj mëkati, qoftë i madh apo i vogël. Nuk bëhet fjalë që ata të kenë kryer qoftë edhe më të voglin e mëkateve edhe disa gabime a lëkundje që u janë veshur disa profetëve, së pari, nuk klasifikohen në kategorinë e mëkatit, së dyti, këto janë lapsuse të ndodhura para se t’u ngarkohej misioni i profetësisë. Sidoqoftë, profeti është i mbrojtur edhe nga mëkati, edhe nga ato lëkundje a devijime të lehta, të cilat në terminologji i quajmë “dhele” ose lapsus. Ato janë cilësuar të tilla në aspekt të pozitës dhe të gjendjes specifike të profetëve. Këto lapsuse nuk cilësohen aspak si gabim apo si lëkundje për njerëzit e thjeshtë e të zakonshëm, po mund të cilësohen të tillë për “mukarrebin”, të përafruarit, duke marrë parasysh afërsinë e dhe pozitën e tyre pranë Zotit. Rrjedhimisht, kam idenë se do të ishte e gabuar që çështjen e “lapsusit” ta konsideronim si një çështje të rëndomtë, pasi kjo është diçka që i përket drejtpërdrejt gjendjes së tyre specifike.

Si është e mundur që profetët të mos jenë të mbrojtur nga çdo lloj mëkati, si është e mundur që ata të devijojnë, kur edhe ne, në lidhje me specifikat tona njerëzore, tregohemi aq të kujdesshëm e bëjmë kontrolle e hulumtime nga më të detajuarat edhe për një njeri që duam ta emërojmë në një post që kërkon pak besim e siguri? Po kur dikujt i besohet një mision e një post aq sublim, siç është profetësia!… atëherë kontrolli, prova e sigurisë dhe e besnikërisë së tij, përfshin shtatë breza.

E nëse për poste kalimtare e të rëndomta që i përkasin vetëm kësaj bote, ushtrohet një kontroll i atillë i imtësishëm, atëherë për postin më sublim të njerëzimit, që përfshin një mision e detyrë që i intereson edhe kësaj bote, edhe botës së përtejme, logjikisht duhet një përzgjedhje e detajim edhe më i përpiktë, në përshtatje me rëndësinë e delikatesën e misionit. Kështu që, edhe për personin që do t’i besohet përmbushja e misionit në fjalë, pa dyshim që kërkohet që të jetë i denjë për të.

Mendoni që edhe engjëlli, i cili ka për detyrë t’i transmetojë shpalljen profetit, zgjidhet mes atyre engjëjve që spikasin me besnikërinë e tyre, pastaj i ngarkohet kjo detyrë. Kur’ani i Madhëruar e përmend engjëllin Xhebrail kështu: “… e që është i respektuar atje dhe besnik…” (Tekvir 81/21)

Ai engjëll ishte edhe i bindur ndaj urdhrave të Allahut (xh.xh.), edhe i besuar për të përcjellë shpalljen e tij. Tani, nëse edhe për engjëllin që do të përcjellë shpalljen kërkohen gjithë këto kritere e premisa besnikërie, si të mos kërkohen edhe për profetët, të cilët janë shëmbëlltyra konkrete e shpalljes?

Zoti nuk lejon kurrsesi që një mision i tillë, kaq i shenjtë, kaq delikat, të përfaqësohet nga një njeri hipokrit, hajdut, gënjeshtar, pijanec apo imoral. Këto dobësi morale, që janë të papëlqyeshme edhe mes njerëzve të thjeshtë, nuk mund të pozicionohen kurrsesi në të njëjtën kornizë me një profet. Gjithashtu, është krejtësisht i patolerueshëm qëndrimi i disa ndaj profetëve, që nuk ngurrojnë aspak të shpifin e t’u mveshin atyre lloj-lloj veprimesh të ulëta. Një njeri i njollosur nuk mund të jetë kurrsesi përfaqësues i pastërtisë e i dëlirësisë. Të tillë njerëz nuk mund të quhen profetë. Ashtu si nuk mund të pranohet si krijesë që posedon njëfarë intelekti, dikush që nuk ngurron aspak të hedhë të tilla shpifje mbi profetët.

Është krejt e logjikshme që profetët duhet të jenë larg mëkatit. Po ashtu, edhe ata njerëz engjëllorë, që i kanë dalë zot kauzës sublime të profetëve e që e kanë bërë atë ideal të jetës së tyre, duhet ta kenë shembull e qëllim kryesor atë pastërti e atë virtyt karakteristik të profetëve. Aq shumë, duhet ta përvetësojnë këtë mënyrë jetese, të pastër e të virtytshme, sa duhet të jetë më e rëndë për ta t’i afrohen mëkatit se sa t’i afrohen zjarrit.

Pafajësia -ismet- është një prej atributeve më të rëndësishëm të profetëve. Në fakt, të gjithë profetët e mëdhenj e kanë konkretizuar më së miri pafajësinë që i karakterizonte, në çdo aspekt të jetës së tyre. Madje nuk gjendet askush që të pretendojë se profetët kanë gabuar ose kanë kryer mëkate, përveç disa fragmente që gabimisht kanë zënë vend në tekstet, tashmë të deformuara e larg të vërtetës së librave të kaluar, fragmente që nuk do t’i quaja tjetër, veçse gjepura. Në Kur’an ato personalitete të larta janë prezantuar ashtu siç e meriton karakteri e madhështia e tyre, përmendore morali e virtyti.

Pozita e profetëve në tokë është e njëjtë me pozitën e engjëjve Xhebrail, Azrail, Mikail e Israfil në qiell. Vetëm se ne, nga armata e ndritur e profetëve, njohim vetëm ata që përmend Kur’ani dhe dimë vetëm emrat e tyre. Ibrahim Hakki e ka shprehur me këto vargje zinxhirin e profetëve të përmendur në Kur’an:

“Është domosdoshmëri, thonë disa
të njihen profetët me emrin e vet
në Kur’an, Zoti ka përmendur njëzet e tetë
njëri Ademi, njëri Idrisi, Nuh’u Hudi dhe Salihu
dhe Ibrahimi, dhe Is’haku dhe Ismaili- Dhebihullah
[6]
pastaj Jakubi e Jusufi, Shuajb, Lut e Jahja
Zekerija, Harun e vëllai i tij Musa
Davudi, Sulejmani, Iljasi, Ejjubi
Një tjetër Eljesa, vëllai i Isait - Ruhullah
[7]
Njëri Dhulkifl, tjetri i dërguari Junus
Dhe vula e profetëve, i drejti Muhamed Resulullah
Uzejri, Lukmani, Dhulkarnejni
Për ta mendime të ndryshme ka
Dikush thotë janë miq të Zotit, dikush thotë Nebijullah
[8]

Secili nga profetët e lartpërmendur është si një fletë e pastër, së cilës nuk i është shënuar as edhe një gjë e vockël nga jashtë. Çfarëdo që është shënuar aty, është shkruar me dorën e Plotfuqishme, me lapsin e Fatcaktimit dhe me qëllimin për të udhëhequr njerëzit drejt së Vërtetës e për t’u shpalosur para dëshmisë, vlerësimit e përfitimit të njerëzimit.

Sikur e përmendëm edhe më lart, edhe pse ka nga ata dijetarë që e kanë pranuar se profetët mund të kenë pasur lapsuse apo devijime para periudhës së shpalljes, numri i tyre asnjëherë nuk ka qenë i konsiderueshëm dhe kjo teori është hedhur poshtë dhe është kritikuar rreptë nga shumica e dijetarëve islamë, të cilët mbrojnë teorinë se çdo profet është i ruajtur nga mëkati që nga çasti kur lind. Kjo teori është bazuar në fakte të pakundërshtueshme dhe është provuar me shpallje e me norma kur’anore.

4. Faktet rreth pafajësisë së profetëve

Në një ajet kur’anor, Allahu (xh.xh.) i drejtohet Profetit Musa (a.s.) me këto fjalë: “Unë kam hedhur në ty dashurinë Time, që të rritesh nën Syrin (kujdesin) Tim! (Taha 20/39)

Nga ky ajet kuptohet se i Gjithëpushtetshmi vendos Musain në pallatin e Faraonit dhe eliminon në këtë mënyrë çdo ndikim të jashtëm të mundshëm në edukimin dhe rritjen e tij, qoftë nga e ëma, qoftë nga Faraoni. Kështu, Zoti e merr vetë përsipër edukimin e Musait dhe parandalon kështu hyrjen e çdo imazhi tjetër në syrin e tij dhe interferimin e çdo ndjenje tjetër në shpirtin e në botën e tij. E si mund të jetë ndryshe, përveçse i pafajshëm, një profet i rritur e i edukuar nën një tutelë të tillë. Që në fëmijërinë e hershme, ai është gjendur pa ndërprerje nën vëzhgimin e Mësuesit të Shenjtë dhe është edukuar prej Tij në mënyrën më të përsosur.

I nderuari zotëria ynë, Muhamedi (a.s.) në një hadith të tijin, shprehet kështu: “Gjithë fëmijët e porsalindur i viziton shejtani; përveç Profetit Isa dhe nënës së tij. Ata janë mbajtur veçmas nga ky rregull”.[9]

Nga ky hadith kuptojmë se as në momentin që ka lindur, djalli nuk e ka vizituar atë profet të nderuar. Profeti Isa (a.s.) është një profet i marrë në mbrojtje ndaj çdo lloj ligësie, qysh në çastin që ka ardhur në këtë botë. E si mund t’i përshtatet atëherë mëkati një profeti të tillë?

Dy herë është nisur i Dërguari i Zotit të shkojë në dasmë. Dy herë gjatë gjithë jetës së Tij. Dhe që të dyja herët Zoti e pengoi duke i dhënë një gjendje gjumi aq të rëndë, sa mbeti i fjetur në mes të rrugës[10]. Ndoshta atje mund t’i hynte në sy diçka e ndaluar, ndoshta ndonjë mëkat i mundshëm i kishte zënë pritë. Por Zoti nuk do ta lejonte as që t’i afrohej cakut të mëkatit, as që të anonte sadopak drejt një mundësie të tillë. Duhet theksuar se që të dy këto raste kanë ndodhur para profetësisë së tij.

Ishte ende fëmijë. Punonte edhe ai bashkë me të tjerët për të ndihmuar në rindërtimin e murit të Qabes. Në shpinë mbartte gurë dhe ua çonte xhaxhallarëve të vet. Po ata ia kishin bërë plagë shpinën e zbuluar. Atëherë xhaxhai i tij, Abasi (r.a.) e këshilloi që të ngrinte cepin e pelerinës e ta vinte nën shpatull, kështu gurët nuk do ta vrisnin dhe aq shumë. Kjo ishte diçka fare normale që e bënin të gjithë atë kohë. Edhe profeti ashtu bëri, po kur ngriti cepin e pelerinës, iu zbulua paksa kofsha. Nuk kishte hedhur ende një hap, kur ra me shpinë dhe sytë iu ngulën në një pikë. Ishte Xhebraili vetë ai që e vështronte duke i thënë: “Nuk të shkon ty ky veprim!”[11]

Sepse do të vinte një ditë kur ai do të këshillonte të tjerët të mbulonin trupin. Njerëzimi priste të mësonte prej tij turpin, edukatën e sjelljen.

Edhe pse ende fëmijë, ai ndodhej nën mbrojtjen e edukimin specifik të Zotit… Qysh atë kohë Allahu (xh.xh.) e ruante të zgjedhurin e Vet nga çdo lloj mëkati, qoftë ai edhe më i vogli.

Ashtu sikur komandantët ushtarakë të të ardhmes, që edukohen në shkolla të veçanta e ndiqen me kujdes mos rrëshqasin majtas a djathtas, duke ua regjistruar të gjitha karakteristikat, të gjitha vlerat e prirjet e mundshme. Sikurse një individ, që mundësisht pas dyzet vjetësh do të emërohet në një post kyç e për këtë mbahet nën mbikëqyrje të rreptë për dyzet vite me radhë, duke iu kontrolluar çdo sjellje, çdo veprim, çdo nuancë e karakterit e ideologjisë së tij. Ashtu edhe i Gjithëpushtetshmi zgjedh komandantët e armatës së shpëtimit njerëzor dhe i ndjek ata qysh në fëmijërinë e tyre të hershme, i mbron me përpikmëri dhe nuk lejon që t’i afrohen as edhe një mëkati. Shumica e dijetarëve dhe teologëve janë të një mendimi për këtë çështje. Profetët janë të zgjedhurit e krijesave, ajka e virtytit dhe e moralit njerëzor. Sikur ajka, që si lëndë është qumësht, por përmban cilësitë më të larta të tij, ashtu edhe profetët janë njerëz, veçse cilësitë e vetitë e tyre janë të karakterit më të lartë. Shprehja e Kur’anit “El mustafejnel ahjar” - “Të zgjedhurit mes më të mirëve”, i shpjegon më së miri cilësitë e tyre.

Ndaj dhe profetët qysh në pikënisje, janë prej “më të mirëve”. Porse jo gjithë “më të mirët” janë profetë, profetët zgjidhen mes elitës së më të mirëve.

5. Pafajësia përveç profetëve

Një aspekt tjetër i kësaj teme, është se a mund të bëhet fjalë për pafajësinë specifike - ismet- edhe për njerëz të tjerë, përveç profetëve. A i mbron Allahu (xh.xh.) prej mëkateve edhe disa njerëz të tjerë të përafruar, por që nuk janë profetë? Përgjigja e shumicës së dijetarëve në këtë çështje është negative, mendimi i tyre është se “nuk ka ismet te njerëz të tjerë, veç profetëve”.

Kushdo ka gjasa, ka mundësi të kryejë mëkate, të vogla ose të mëdha. Pafajësia specifike është një atribut që u përket vetëm profetëve. Një hadith i Profetit e përforcon më tepër këtë teori: “Gjithë njerëzit gabojnë. Më të mirët e atyre që gabojnë, janë ata që pendohen”.[12]

Por në këtë pikë duhet të theksojmë një të vërtetë. Mundësia hipotetike dhe fizike e një personi për të gabuar ose mëkatuar, nuk do të thotë se ai person gabon patjetër. Ndaj nisur nga kjo, mund të themi se edhe disa njerëz të tjerë përveç profetëve, të cilët janë pajisur me virtyte të larta dhe janë të aftë për të qenë udhërrëfyes për të tjerët, mund të ndodhen nën mbrojtjen e të Plotfuqishmit dhe nuk mëkatojnë. Kjo ide nuk ka aspak lidhje me teorinë e shtatë imamëve shiitë, të cilët besojnë se “imamët nuk mëkatojnë, ata janë të pafajshëm dhe të pajisur me atributin -ismet-”

Pyetjes se a mundet Imam Rabbani të kryejë një mëkat, që të gjithë i përgjigjemi pozitivisht. Sepse teorikisht, mundet; ai nuk është profet. Porse pyetjes se a ka kryer ndonjë mëkat gjatë jetës së tij Imam Rabbani, nuk mund t’i përgjigjemi si pyetjes së parë. Sepse askush nuk është në gjendje të vërtetojë ose të dëshmojë qoftë edhe për mëkatin më të vogël të Imam Rabbaniut. Rrjedhimisht, të zotërosh aftësinë e të gabuarit, nuk është fakt se ke gabuar medoemos. Ndaj, e parë nga ky aspekt, del edhe ideja se Zoti mund të mbrojë edhe të përkushtuarit, evlijatë, të përafruarit (mukarrebin), si dhe të përzgjedhurit e Tij dhe të mos i lejojë ata të mëkatojnë.

Abdulkadir Gejlani është prijësi i evlijave dhe kurora e të mëdhenjve. Dhe është fakt se Allahu (xh.xh.) e ka ruajtur edhe këtë lider të madh të shpirtit islam dhe e ka mbrojtur atë nga mëkati në mënyrë specifike. Për të tregohet:

“Ditën e parë të Ramazanit ndodh shpesh që ka probleme me përcaktimin e hënës, ndaj dhe nuk dihet saktë dita e parë e agjërimit. Kjo ditë quhet “ditë e dyshuar” dhe njerëzit janë të lirë të zgjedhin për të agjëruar ose jo. Në një rast të tillë, një grup besimtarësh kanë dyshim dhe ngurrojnë të nisin agjërimin a të presin, ndaj dhe shkojnë pranë një njeriu të ditur e të shquar dhe e pyesin si të veprojnë. Ai u thotë kështu:

- Shkoni në Gejlan. Sonte atje ka lindur një fëmijë. Pyesni nënën e tij, nëse fëmija ka pirë para agimit, hani e pini. Nëse nuk ka pranuar të pijë, atëherë vazhdoni agjërimin.

Shkojnë në Gejlan dhe pyesin nënën e fëmijës. Ajo është në ankth se foshnja nuk pranon të pijë kurrsesi. Të pranishmit e kuptojnë si është puna dhe i kthehen gruas:

- Mos u shqetëso, nuk është i sëmurë fëmija, jo. Po ti ke lindur dikë që do të bëhet baba për njerëzimin, - dhe vazhdojnë agjërimin.

Kjo është një histori dhe nuk ka pse merret për bazë gjatë vendosjes së normave juridike të Islamit. Po kjo histori është shumë domethënëse rreth vetive të atij personi. Po për këtë person tregojnë se si pranon t’u tregojë vendin ku mban paratë hajdutëve që i presin rrugën, vetëm e vetëm që të mos gënjejë.[13] Allahu (xh.xh.) i ruan dhe i mbron të gjithë ata që janë në rrugën e Tij dhe i pengon t’i afrohen mëkatit.

Në një ajet thuhet kështu: “O ju që keni besuar! Po t’i druheni Allahut (xh.xh.), Ai ju jep një furkan (koncept) që e ndan të mirën nga e keqja, mbulon gabimet e ligësitë tuaja dhe ju fal. Allahu (xh.xh.) është Zot i mirësisë së madhe.”

Ky ajet tregon qartë se Zoti i ruan e i mbron edhe ata njerëz që mundohen të jetojnë brenda rrethit të besimit e të frikës nga Ai. Ai i pajis këta besimtarë të sinqertë me një ndjesi të tillë, me anë të së cilës ata janë të aftë të perceptojnë menjëherë të mirën e të keqen dhe t’i largohen menjëherë mëkatit.

Në një ajet tjetër, thuhet kështu: ”A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve, me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?! Kësisoj, jobesimtarëve u duken të bukura veprat që bëjnë”. (En’am 6/122)

Për sa kohë që ata njerëz që kanë marrë mbi supe besimin e Zotit dhe e kanë bërë qëllimin e jetës së tyre lartësimin e emrit të Tij, t’i rrinë besnikë fjalës e besës që kanë dhënë, do të kenë një pozitë të veçantë e do të mbrohen nga Zoti në kornizën e paragrafit hyjnor: “Ju mbani fjalën që më keni dhënë, që edhe Unë të mbaj fjalën që ju kam dhënë”.

Në një tjetër ajet, urdhri hyjnor shpallet kështu: “O besimtarë, nëse ndihmoni Allahun (çështjen e Tij), edhe Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja!”. (Muhamed 47/7)

Ja, ata që ndodhen në shërbim të besimit e të Kur’anit, kanë një garanci të tillë dhe nuk kryejnë mëkate të mëdha, madje ndonjëherë janë të mbrojtur edhe ndaj mëkateve të vogla. Vetëm se garancia ndaj tyre është e varur me kushtet përkatëse e me vlerësimin që u bëhet. Askush tjetër, përveç profetëve, nuk ndodhet nën një garanci absolute. Vetëm nëse e shohim me sy ose e dëshmojmë konkretisht një mbrojtje të tillë, mund të themi “Po, Zoti e ruajti aksh person nga mëkati” dhe vetëm atëherë mund të flitet për një mbrojtje specifike. Për njerëzit e tjerë nuk ka asnjë garanci për të ardhmen e tyre, kurse për profetët kjo ndryshon, mbrojtja e tyre specifike dhe garancia e tyre është e pakushtëzuar me kohën, ajo përfshin të ardhmen e të kaluarën.

Secili prej nesh mund të mbesë i mahnitur po të vëzhgojë me kujdes çaste të ndryshme të jetës, se si për shkaqe fare të papritura jemi marrë nën mbrojtjen hyjnore e jemi larguar prej mëkatit. Çdo njeri mund ta dëshmojë këtë. Përveç kësaj, mirësitë e bashkëkohësve të profetit, të pasuesve të tij dhe të atyre që kanë pasuar rrugën e tij, sikur kanë ngritur një barrierë në emër të të ardhmes për të mbrojtur ose për t’u bërë shkak që të mbrohen nga mëkatet, duke u përfshirë dhe ata në kuptimin e ajetit: “...për të t’i falur ty Allahu gabimet e mëparshme dhe të ardhshme, për ta plotësuar dhuntinë e Vet ndaj teje dhe për të të udhëzuar në rrugën e drejtë,...” (Fetih 48/2).

Kjo gjë shprehet në një farë kuptimi me mbrojtjen e tyre prej Zotit në të tashmen a të ardhmen, për hir e për hatër të disa veprave të tyre të mrekullueshme në të kaluarën.

Për shembull, dikush përgatitet të kryejë një veprim që përmban mëkat ose për të shkuar në një vend të tillë, ku kurthi i mëkatit është i pashmangshëm. Po Zoti e bën t’i rrëshqasë këmba dhe kështu e pengon të shkojë. Do që të kryejë një mëkat me sy, po syri nuk i sheh, do që të bëjë diçka të keqe me dorë, po dora nuk i mban. Kështu, në një farë mënyre, Zoti krijon shkakun për ta mbrojtur atë rob të Tij të dashur e për ta penguar në rrugën drejt mëkatit. Ndonjëherë, këto ngjarje që bëhen shkak, mund të jenë edhe fatkeqësi ose disfata në lidhje me këtë botë. Po në të vërtetë ato nuk kanë asnjë farë vlere, kur mendon se janë shkak për të shpëtuar botën tjetër të njeriut.

Në një hadith të shenjtë paraqitet më së mirë një urdhëresë që është e lidhur drejtpërdrejt me këtë temë: “Gjëja më e dashur me të cilën më afrohet robi Im, janë veprat që i kam shpallur farz. Pastaj, ai rob vazhdon të Më afrohet me vepra të dobishme -nafile-, derisa bëhet i dashur për Mua. Dhe Unë bëhem veshi i tij që dëgjon, syri i tij që shikon, dora e tij që mban, këmba e tij që ec”.[14]

Ky hadith mund të shpjegohet kështu:

Unë i tregoj atij robi të mbarën, të mirën, të bukurën dhe e mbroj nga ligësia e nga gjërat e këqija. Në shpirtin e tij dija e njohja konkretizohet, arrin në një nivel tepër të lartë dhe ai ndjehet gjithmonë i hapur ndaj mesazheve hyjnore. Çdo çast ka në mendje Allahun (xh.xh.) dhe ky mendim lulëzon e gufon brenda tij. Gjithmonë mendon për më të mirën, vullneti i tij drejtohet gjithmonë andej dhe e gjithë vepra e tij ka këtë qëllim. Unë e ndihmoj të kapërcejë çfarëdo pengese që mund t’i dalë para në këtë rrugë, sepse Unë nuk dua që zemra e ndjenja e tij të marrin plagë nga mëkatet, sepse Unë e dua atë rob, ai është pranë Meje. Hadithi i mësipërm mbaron me këto fjalë: “Nëse ai më kërkon diçka, Unë ia jap menjëherë, nëse kërkon mbrojtje nga ndonjë e ligë, atë e mbroj dhe e ruaj Unë vetë”.

Atëherë, edhe po ta pranojmë atë hipotezë të të tjerëve se edhe profetët, edhe njerëzit e dashur të Zotit, teorikisht e fizikisht mund të bëjnë mëkate, prapë është e qartë se Zoti i ruan të gjithë profetët dhe ata që do nga njerëzit e tjerë dhe nuk i lejon të kryejnë mëkate.

Në epokën e kalifit Omer jetonte një djalë i ri, që nuk ndahej nga mesxhidi. Ai ishte si një zog që e kishte folenë aty. Përkushtimi i tij ishte i dukshëm nga çdo aspekt, ai ishte i zhytur thellë në adhurim dhe mundohej t’i afrohej Zotit me vepra të dobishme. Kishte disa ditë që Hz. Omeri nuk po e shihte djalin në mesxhid.

Ja edhe një nga qëllimet e tjera të faljes me xhemat, vepër kjo e pranuar “farz” - e detyrueshme nga disa dijetarë, “kusht i namazit” nga disa të tjerë, ose më e pakta “suneti muekkede”. Imami do të kontrollojë me sy xhematin dhe nëse vëren se dikush mungon, do të pyesë se çfarë ka, mos ka ndonjë hall a mos është sëmurë… Aq më tepër kur imam është Hz. Omer e xhemat janë pasuesit e Profetit.

Sado që xhemati ishte i madh, Hz. Omeri i njihte që të gjithë dhe i kontrollonte me sy çdo ditë. Ndaj dhe kur nuk e pa atë djalosh , u merakos dhe e pyeti:

- Çfarë ka vallë filani, që ka dy-tre ditë që nuk e shoh në faltore?

Në fillim, asnjëri nuk deshi të përgjigjej. Fshehën sytë majtas e djathtas, që të mos u hasnin vështrimet me Hz. Omerin. Por atij nuk i kishte shpëtuar nga sytë ajo sjellje e çuditshme, ndaj këmbënguli në pyetjen e tij. Më në fund, dikush iu përgjigj.

- O prijësi i besimtarëve! Ai djalë vdiq. E gjetëm të vdekur në rrugë. Se ku do të shkonte… I falëm xhenazen dhe e varrosëm pa të thënë, se nuk donim të të mërzisnim.

Por Hz. Omeri e kupton pak a shumë si qëndron puna. A thua sipari i vështrimit i ishte hapur dhe e shihte djalin të vërtetë, para syve.

Thelbi i ngjarjes është ky: ndërsa djaloshi shkonte e vinte në faltore, një grua që e kishte shtëpinë mbi atë rrugë, e kishte parë dhe i ishte qepur keq. Djali ishte ende shumë i ri, po gruaja nuk hiqte dorë dhe kishte vendosur të përdorte gjithë format më djallëzore, derisa ta bënte për vete. Po megjithatë, djaloshi çdo herë i kishte kundërshtuar, duke u rezistuar me vendosmëri propozimeve të saj. Ai nuk donte as t’i afrohej mëkatit.

Por çdo njeri e ka një moment dobësie. Kështu dhe djaloshi një ditë nuk e gjen forcën për t’i rezistuar këmbënguljes së gruas, që e fton me gjithë tërheqjen e paturpësinë e saj, hedh dy-tre hapa drejt shtëpisë së gruas. Po ndërkohë ndjen në buzë se si pa vetëdije përsëriste një ajet. Kishte kohë që djali pa e pasur mendjen, përsëriste ajetin që i kishte mbetur në mend. Por sapo i kishte rënë në të, i ishte hapur vetëdija dhe kishte menduar ajetin që përsëriste, e kishte lënë zemra. Kishte marrë fund…

Ajeti që i kishte ardhur në buzë si një rrufe nga qielli, ishte ky: “Ata që i frikësohen Allahut, kur u vjen ndonjë mendim i lig nga djalli, i kujtojnë (urdhrat e Tij), e atëherë e shohin rrugën e drejtë,...”. (Araf 7/201)

Ky ajet e fut djalin në një gjendje të tillë shpirtërore, sa atij i duket se ajeti po i shpallet nga qielli drejtpërsëdrejti atij, ndjen një turp të paskajshëm prej Zotit të vet, “e vret marrja”. Rrënqethet nga halli që ndjen, qoftë edhe për një çast të vetëm, ai ka lënë mënjanë drejtimin e tij, ka harruar mirësitë e Zotit të vet dhe i është përgjigjur ftesës së djallit drejt mëkatit. Atë Zot, që edhe në ato çaste kur ai shkonte drejt mëkatit, nuk e kishte braktisur, po i kishte shtënë ndërmend atë ajet, për ta kthyer në vete. Aq shumë e emocionon kjo gjendje këtë njeri drite, sa balanca e zemrës së tij nuk i reziston dot frymëzimit hyjnor, ai përmend Zotin dhe ec drejt së përtejmes.

Si mëson historinë kuptimplotë të djaloshit, Kalifi Omer vrapon drejt varrezave, përkulet te varri i tij dhe i thërret:

- O djalosh, dy parajsa e presin atë që ka frikë nga Zoti!

Pikërisht atë çast, varri dridhet, i vjen goja e një zë i dendur, sa zëri i Omerit, dëgjohet të thotë:

- O prijësi i besimtarëve! Zoti më ka dhuruar dyfishin e asaj që po thua ti![15]

Është zëri i djaloshit…

Këtu nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë fakti nëse është djaloshi ai që flet apo ka folur një engjëll në vend të tij. Ndoshta ka qenë një kolonë zanore qiellore ajo që i është përgjigjur Hz. Omerit, ose asnjëra prej tyre. Po këtu, frika e djaloshit nga Allahu është vlerësuar e ka gjetur një shpërblim të dyfishtë. Dhe pikëlidhja e kësaj ngjarjeje me temën tonë, qëndron këtu: ky djalosh ishte nisur të hynte në mëkat. Një mëkat, që fundja ishte individual dhe do të ndikonte vetëm atë, do të bëhej shkak vetëm për shkatërrimin e tij, por nuk do të ndikonte të tjerët. Sepse ai nuk kishte ndonjë përgjegjësi si prijës apo si udhërrëfyes ndaj njerëzve. Po nëse hamendësojmë se personi që shkon drejt mëkatit ishte profet, atëherë shkatërrimi i tij do të sillte edhe shkatërrimin e tërë botës. Sepse pozicioni i një profeti është i tillë që ndikon e përfaqëson gjithë botërat. Atëherë, pse nuk do t’i ruajë Zoti profetët nga çdo lloj mëkati, ashtu siç ruajti atë djalë të ri?

Në një hadith që flet për ata besimtarë që e kanë provuar shijen e mrekullueshme të besimit, Profeti ynë shprehet kështu: “Shijen e vërtetë të besimit e ka provuar ai njeri, për të cilin është më e rëndë të hyjë në kufr[16], se sa të hyjë në zjarr”.[17]

Këtu flitet për një njeri normal, si gjithë të tjerët, të cilin Zoti e ka shpëtuar nga kufri e rebelimi. Për të është më e rëndë të kthehet prapa se sa të hyjë në ferr. Dhe faktori që e bën atë njeri të zhvillojë një reaksion të tillë ndaj mëkatit, është shija e besimit, kënaqësia që ka marrë ai nga imani, siguria e virtyti që ai i ka falur.

Domethënë se ata mendjelehtë që nuk ngurrojnë aspak t’u veshin profetëve petkat e mëkatit, nuk e shohin forcën e besimit të profetëve as sa forca e besimit të një njeriu të zakonshëm, ndaj dhe mendojnë kështu. Mos qoftë e thënë! Mos qoftë e thënë që forca e besimit te një profet të mos jetë e një niveli të tillë, që të pengojë mëkatin!

Profetët pa dyshim që e kanë një mbrojtje të tillë, po kush kërkon të vërtetojë e të dëshmojë se madje dhe evlijatë kanë qenë të pajisur me një mbrojtje të tillë ndaj mëkatit, mjafton të shfletojë Mefahatul Uns ose Tabakat’in e Sharanit dhe do të hasë qindra shembuj konkretë, që tregojnë se si edhe ata kanë qenë të izoluar ndaj mëkatit.

Sa për shembull. Një njeriu të afruar me Zotin, veli, i sjellin për të ngrënë. Ai fut një kafshatë në gojë, përtypet e përtypet, po nuk e gëlltit dot. Atëherë e kupton se në atë kafshatë është përzier diçka e ndaluar, -haram-, dhe heq dorë. Tani mendoni vetë se ç’mungesë logjike është të mendosh se Zoti, që ruan edhe një mik të Tijin nga një kafshatë haram, të mos ruajë profetët e Vet nga çdo lloj mëkati.

Atributi i pafajësisë -Ismet- është një atribut i pandarë nga profetësia, ai është i lidhur drejtpërdrejt me misionin e me qenien e profetëve. Secili profet vjen në këtë botë i pajisur e i kurorëzuar me këtë atribut. Rrjedhimisht, një person që nuk e zotëron këtë atribut, nuk mund të jetë profet. Para se të kalojmë në vërtetimin dhe faktimin e pafajësisë te profetët, do të bëjmë një ndalesë të shkurtër, sa për të vërejtur se si është hedhur baltë mbi pafajësinë e virtytin e tyre, duke paraqitur shembuj nga tekstet e deformuara të Ungjillit dhe të Tevratit (Tora). Pastaj do ta analizojmë çështjen në aspekt të Kur’anit dhe do të hedhim poshtë një e nga një të gjitha shpifjet që janë bërë për ta. Ndaj dhe këtu është e pamundur të kalojmë pa i shtjelluar pak këto çështje.

6. Pafajësia e profetëve në aspektin e Librave të Kaluar dhe Kur’anit

Librat e kaluar, Ungjilli, Tevrati e Zeburi (Psalmet), megjithëse kanë të njëjtin burim hyjnor, në ditët tona janë deformuar aq shumë dhe fjala e njeriut është përzier aq shumë me fjalën e Zotit, sa tashmë është e pamundur të gjendet e vërteta dhe të ruhet destinacioni i idealeve duke u bazuar në normat e tyre të tanishme. Rrjedhimisht, edhe tablotë e shëmtuara që paraqiten aty, janë të papranueshme edhe për njerëzit e rëndomtë, jo më për profetët, sepse në themel të tyre qëndron shtrembërimi konceptual që u është bërë këtyre librave. Mund ta shprehim edhe kështu: edhe nëse nuk faktohet dot asnjë e dhënë tjetër për shtrembërimin që u kanë bërë njerëzit atyre librave, tablotë e mbushura me shpifje e me mëkate, me të cilat ata paraqesin profetët, janë një fakt i mjaftueshëm për këtë gjë.

Allahu (xh.xh.) nuk ka dhënë asnjë garanci për ruajtjen dhe mbrojtjen e përjetshme të këtyre librave, sepse vlefshmëria e tyre kohore është e kufizuar. Kurse për Kur’anin, thotë kështu: “Vërtet, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe Ne do ta ruajmë atë me siguri.” (Hixhr 15/9),

duke shprehur kështu referencën hyjnore në mbrojtjen e ruajtjen e Kur’anit. Duke u bazuar në këtë fakt, është pranuar me konsensus nga të gjithë dijetarët se normat e Kur’anit do të jenë në fuqi deri në fund të botës. Ai libër është i garantuar. Duke u bazuar te kjo, burimi themelor dhe më i saktë për të vërtetat rreth profetëve është Kur’ani. Librat e Kaluar, të cilët kanë pësuar një sërë ndërhyrjesh e ndryshimesh nga njerëzit, është afërmendsh që të përbëjnë një referencë të saktë me shprehjet që përmbajnë në lidhje me profetët, për sa kohë që nuk vërtetohen nga Kur’ani. Aq më tepër pafajësia e profetëve, e cila është një temë delikate, krejtësisht hyjnore dhe nuk pranon as edhe ndryshimin më të vogël nga dora e njeriut. Këto janë çështje që i përkasin të kaluarës, ndaj janë të panjohura, për aq sa nuk i bën të ditura Zoti, ndaj në lidhje me to, e drejta e fjalës u përket vetëm profetëve, të cilët flasin të bazuar në shpallje dhe aspak njerëzve të rëndomtë. Ndaj dhe pas Profetit tonë, askush nuk mund të shtojë as edhe një presje në lidhje me këtë temë, sepse ai i ka thënë të gjitha ç’janë për t’u thënë. A nuk ia ka lënë edhe Profeti Isa fjalën atij duke thënë: “Unë po shkoj, se do të vijë zotëria i botërave”?

Përshkrimi e trajtimi që i bën Perëndimi kësaj çështjeje, mua personalisht nuk më duket aspak i këndshëm. Vetëm se jam i detyruar këtu të jap disa shembuj nga këta libra, tashmë janë tepër larg origjinalit, që të formojmë një ide më të saktë për temën, ndaj dhe kërkoj falje për këtë nga personaliteti i lartë shpirtëror i atyre profetëve të kulluar. Më pas, sidoqoftë, do të paraqesim shembujt e saktë të Kur’anit në lidhje më këtë çështje.

Shpifjet që janë hedhur mbi profetët në Librat e Kaluar

Në faqen 228 të Gjenezës, shkruhen shpifje të tilla të shëmtuara, sikur profeti Lut ka pasur marrëdhënie incesti me vajzat e veta, se ka pirë e ka mëkatuar dhe se gjenerata e tij ka vazhduar nëpërmjet vajzave të tij. Mendoni, Sodoma e Gomorra janë bërë një me tokën se nuk i kanë vënë veshin thirrjes së këtij profeti. Ky profet ishte një përmendore morali e virtyti, që ua kishte dërguar Zoti për t’i sjellë në rrugë të mbarë, porse ata vetëm e kishin tallur e përqeshur. Ndaj dhe u ndëshkuan si popull.

A nuk janë fakt i moralit të kulluar të Profetit Lut, që është nipi i Profetit Ibrahim (a.s.), gërmadhat e muret e shkatërruara të atij qyteti që u varros nën tokë? Tani, si mund ta pranojmë si libër hyjnor atë tekst që përmban të tilla shprehje?

Sërish në kreun e 38 të Gjenezës, në faqen 228, flitet për Jahozën, birin e Profetit Is’hak, i cili gjithashtu mendohet të ketë qenë profet. Sipas këtij teksti, Jahoza ka mëkatuar me nusen e djalit të vet dhe Profeti Davud, Sulejman e gjithë soji i profetëve të tjerë të Izraelit, e kanë zanafillën te kjo marrëdhënie e shëmtuar. Padyshim që kjo fyerje e hedhur mbi gjithë gjeneratën e profetëve, nuk është veçse një gënjeshtër e shëmtuar. Profeti ynë e ka deklaruar se soji i tij, që nga profeti Adem (a.s.), ka rrjedhur i pastër dhe gjithmonë brenda kurore. Në një tjetër hadith, Profeti ka thënë: “Që të gjithë profetët janë bij të të njëjtit baba”. Përderisa prejardhja e Profetit tonë është krejtësisht e kulluar dhe soji i tij është përcjellë gjithmonë brenda kurore, ky është një rregull që vlen edhe për profetët e tjerë. A nuk është Profeti Muhamed (a.s.) nga nipërit e Profetit Ibrahim (a.s.)? Edhe Jahoza, për të cilin flitet, është nip i Profetit Ibrahim. Në degët fisnore të këtyre profetëve, tradhtia nuk ka vend…

Mendoni që, kur ka edhe persona të tjerë, nuk këshillohet që namazin ta drejtojë dikush që ka lindur nga marrëdhëniet jashtëmartesore[18]. Po si mund të pranohet atëherë që një person i tillë të jetë prijës e profet për gjithë njerëzimin? Kjo është larg mendsh!

Në kreun e 11 të Gjenezës, thuhet për Profetin Sulejman se nga fundi i jetës së tij, ai është kthyer nga besimi i tij, ka mohuar Zotin dhe i është drejtuar sërish idhujtarisë. E kush, Profeti Sulejman! Ai të cilit Zoti i ka dhuruar mbretëri në këtë botë e në botën tjetër! Ai, i cili ka adhuruar Zotin ditë e natë, e ka shtuar falënderimin e përkushtimin e tij përballë çdo mirësie të Zotit, çdo çast e më tepër, ashtu siç i shkon atij!

Profeti Isa në Kur’an cilësohet Ruh-ul Kudus – i lindur me frymën e shenjtë hyjnore[19], profeti Musa cilësohet Kelimullah - njeri që Zoti i ka folur drejtpërdrejt[20]. Kurse Profetit Davud dhe familjes së tij, Zoti i drejtohet kështu: “O familja e Davudit! Falënderoni Zotin ashtu si ju ka hije!”, duke i cilësuar pjesëtarët e asaj familjeje me epitete të veçanta.

Në Dhiatën e Vjetër tregohet se si Davudi vret njërin prej komandantëve të ushtrisë së vet dhe i merr gruan. Tani mendoni vetë se sa hyjnor është ai libër, që i vesh Profetit Davud – i cili në Kur’an cilësohet Ni’me-l abd - një rob i mrekullueshëm - (Sad 38/30) këtë sjellje kaq të pahijshme, sa edhe në ëndërr ta shohë një njeri i zakonshëm, i del gjumi e i kthehet menjëherë pendesës. Ndërsa të pranosh si të saktë qoftë edhe një grimcë të këtyre shprehjeve, do të thotë të mos dish ç’është profeti dhe të mos kesh idenë se ç’përmbledh misioni i profetësisë.

Profeti Davudi (a.s.), njeriu që lotët i kanë bërë vraga në fytyrë! Profeti Davud, që kur njerëzit vinin në kuvendet e tij, i linte zemra kur dëshmonin dashurinë e marrëdhënien e tij hyjnore. Ai mallëngjehej dhe mallëngjente, qante dhe i bënte të gjithë të qanin… Ai rënkonte… gjithmonë kishte një psherëtimë në buzë, gjithmonë kishte një rënkim në shpirt…

As dhe për një çast të vetëm ai nuk e kishte ndarë vështrimin nga Zoti i vet. Adhurimi ishte boshti e qëllimi i jetës së tij.[21]

Profeti e vlerësonte dhe e këshillonte mënyrën e tij të agjërimit si më të virtytshmen. Shokëve të tij, që kërkonin të agjëronin në mënyrën më të përsosur, ai u këshillonte të agjëronin si Profeti Davud (a.s.). Ai një ditë agjëronte, një ditë hante.

Ai ishte mbret. Në duart e tij ndodhej gjithë thesari i një shteti mjaft të pasur. Por ai as nuk e çoi nëpër mend të merrte për vete qoftë edhe një kafshatë nga prona e shtetit. Edhe pse mbret, ai vazhdoi profesionin e vet dhe ushqeu familjen me ato që fitonte me duart e veta. Tani përfytyroni një profet, që cilësohet përmendore adhurimi, që kujdeset edhe për kafshatën e gojës që ta ketë të pastër, të cilit i mvishen sjellje të tilla, kaq të ulëta, kaq të neveritshme. Edhe imagjinata e atij profeti të lartë është aq e pastër, sa nuk e pranon as për një çast, sa nuk e prodhon dot një mendim të tillë! Jo më ai vetë, personalisht, të kryejë një diçka të tillë! Më tej, mes hipotezave të papërfytyrueshme të Dhiatës së Vjetër, hasim edhe këtë fragment absurd: “Israeli u kacafyt me Zotin dhe e mundi Atë”.

Israeli është Profeti Jakub (a.s.). Filozofia materialiste perëndimore ka arritur gjer atje, sa me mendjen që i ka rënë veç te sytë, e sheh Zotin - mos qoftë thënë - si një qenie njerëzore, që bën ndeshje me profetët.

I nderuari Hamza ende nuk e kishte pranuar Islamin, kur një ditë vjen te Profeti e i thotë një fjalë, që i jep më së miri përgjigjen e duhur këtyre dogmave.

“O bir i tim vëllai! Kur tërhiqem krejt i vetëm nëpër shkretëtirë, atëherë e kuptoj se Zoti është aq i madh, sa nuk hyn dot mes katër mureve”.

Tani imagjinoni një libër hyjnor, që nuk ka arritur ende nivelin e vetëdijes së Hz. Hamzait, i cili ia thotë këta fjalë profetit pa hyrë akoma në Islam. Si mund të jetë hyjnor ai libër, që paraqet një ide kaq shterpë rreth Zotit?

(Edhe Ungjilli, edhe Tevrati janë plot me shpifje e me shtrembërime edhe mbi Allahun (xh.xh.) edhe mbi robtë e Tij më të çmuar, profetët. Njëri syresh është burim shpifjesh, tjetri, rrjet shtrembërimesh. Kur’ani Famëlartë i hedh poshtë të gjitha fyerjet që u janë bërë profetëve dhe urdhëron bindje e respekt ndaj të gjithë atyre, pa asnjë përjashtim. Kur’ani e bën këtë urdhëresë për faktin se ata që të gjithë janë prijës e udhërrëfyes që duhen ndjekur nga çdo aspekt. Secili profet është një pasqyrë, ku reflektohet kënaqësia e miratimi i Zotit. Në ta është e pamundur të gjendet qoftë një grimcë pluhur, qoftë çfarëdo lloj papastërtie. Ja, ky është koncepti për ta në Kur’an dhe ky theksohet kur shpjegohen ata ose kur urdhërohet Profeti ynë të shpjegojë karakteristikat e tyre.

Nuk është se nuk ekzistojnë rastet kur edhe shprehjet kur’anore në lidhje me disa profetë janë keqkuptuar e janë keqinterpretuar, duke iu ngarkuar atyre fjalëve koncepte gabimi a devijimi të profetëve. Madje, disa prej këtyre teorive kanë gjetur edhe përkrahësit e vet. Natyrisht, e pranojmë se këto keqinterpretime, në shumicën e rasteve, kanë për shkak komentimin e ngushtë të shprehjes ose, pse jo, horizontin e cekët të interpretuesit. Po të ishin treguar pak më të kujdesshëm e më optimistë e po të kishin arritur të mendonin të zhveshur nga ndikimet e izraelizmave[22], edhe këta interpretues do të arrinin të shpëtonin nga paragjykimet e do të mendonin edhe ata si shumica e dijetarëve, duke u treguar më të ndjeshëm ndaj figurës së profetëve.


[1] Muslim, Fedail 1; Tirmidhi, Menakib, 1.
[2] Bediuzzaman, Fjalët, Vetëtimat
[3] Këto tre fjali do të sqarohen më poshtë
[4] Muslim, Iman, 326.
[5] Buhari, Enbija, 48; Muslim, Fedail, 144; Ebu Davud, Sunne, 13.
[6] Kurban i Zotit. Quhet kështu se i ati, Ibrahimi (a.s.), do ta sakrifikonte për të përmbushur vullnetin e Zotit
[7] Shpirti i Allahut. Ai u krijua pa baba, me shpirtin që i fryu Zoti
[8] Nebijullah - Profet i Zotit
[9] Buhari, Enbija, 44; Musned, 2/288.
[10] Ibn Kethir, el- Bidaje, 2/350-351
[11] Buhari, Haxhxh, 42; Ibn Kethir, el-Bidaje, 2/350.
[12] Tirmidhi, Kijame 49; Ibn Maxhe, Zuhd, 30
[13] en-Nebhani, Xhamiu Keramati-l Evlija, 2/203
[14] Buhari, Rikak, 38; Musned, 6/256
[15] Ibn Kethir, Tefsir, 3/539
[16] kufr- mosbesim, mohim
[17] Buhari, Iman, 9; Edep 42. Muslim Iman 66; Tirmidhi Iman 10
[18] Merginani, el-Hidaje
[19] Shih Kur’an Bakara 2/87, 253; Maide 5/110; Nahl 16/102
[20] Shih Kur’an Nisa 4/164; Araf 7/143
[21] Shih Kur’an Sad 38/17
[22] Doktrina hebraike

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.