Sufizmi (Tasavvufi) dhe Origjina e Tij

Sufizmi është udha e ndjekur nga sufitët për të arritur tek e Vërteta: Zoti. Ndërsa ky term rëndom shpreh aspektin teorik dhe filozofik të këtij kërkimi, aspektit fizik ose praktik i referohet përgjithësisht "të qenët një dervish."

Ç'është sufizmi?

Sufizmi ka qenë përkufizuar në shumë mënyra. Disa e shohin atë si asgjësim të egove personale për hir të Zotit dhe, pastaj, rilindje shpirtërore me anë të dritës së esencës së Tij. Një transformim i tillë, rezultat i drejtimit të vullnetit personal tek Zoti, është në përputhje me dëshirën e Tij. Nga një këndvështrim tjetër, sufizmi është një përpjekje e vazhdueshme për të pastruar vetveten nga të gjitha të këqijat me qëllim fitimin e virtyteve.

Xhunejd Bagdadi (vd. 910 e.r.), një mjeshtër i famshëm sufit, e përkufizoi sufizmin si një metodë për bashkimin e "vetasgjësimit për Zotin" me "vazhdimësinë ose ekzistencën me Zotin." Shibliu e përmbledh atë si një zhvillim që është gjithmonë së bashku me Zotin ose me praninë e Tij, kështu që asnjë qëllim tokësor ose rreth kësaj bote nuk do të jetë madje i mirëpritur. Ebu Muhammed Xheriri e përshkruan atë si qëndresë ndaj tundimeve të vetë trupit dhe cilësive negative dhe sigurim të cilësive morale të lavdërueshme.

Disa e përshkruajnë sufizmin si vështrim prapa "objektit" ose pas aparencës së gjërave dhe eventualiteteve dhe, interpretimin për çfarëdo gjë që ndodh në botë në lidhje me Zotin. Kjo do të thotë që njerëzit e lidhin çdo akt me Zotin, si një dritare përmes së cilës ata mund ta "shohin" Atë, mund të jetojnë jetët e tyre si një përpjekje e vazhdueshme për ta shquar ose "shikuar" Atë me një "vështrim" shpirtëror të thellë që është i papërshkrueshëm me terma fizike dhe me një vetëdije të thellë për të qenë vazhdimisht i vëzhguar nga Ai.

Të gjitha këto përkufizime mund të përmblidhen si më poshtë: Sufizmi është një udhë e ndjekur nga individët që kanë qenë të aftë ta çlirojnë vetveten nga veset dhe dobësitë njerëzore, me qëllim që të fitojnë cilësi engjëllore dhe t'i drejtojnë kënaqësitë për Zotin, të jetojnë në përputhje me nevojën për diturinë dhe dashurinë e Zotit dhe të përjetojnë, si rezultat, kënaqësi shpirtërore.

Sufizmi është bazuar në vëzhgimin edhe më të "parëndësishëm" të normave të sheriatit me qëllim që të depërtojnë në kuptimin e brendshëm të tyre. Një i pranuar ose udhëtar (salik) në udhën e sufizmit kurrë nuk e ndan vëzhgimin e jashtëm të sheriatit nga dimensioni i brendshëm i tij, dhe prandaj vëzhgon gjithçka që nevojitet me dimensionin e jashtëm dhe të brendshëm të Islamit. Përmes një vëzhgimi të tillë, ky person udhëton drejt qëllimit me përulje dhe nënshtrim të plotë.

Duke qenë një udhë e vështirë që drejton te njohuritë për Zotin, sufizmi nuk lejon neglizhim apo mendjelehtësi. Ai kërkon iniciativë për t'u përpjekur vazhdimisht, si një bletë punëtore që fluturon nga kosheret te lulet dhe nga lulet te kosheret, për t'i fituar këto njohuri. Iniciativa duhet ta pastrojë zemrën e tij ose të saj nga të gjithë lidhjet e tjera, t'u rezistojë të gjitha prirjeve, dëshirave, orekseve trupore dhe të jetojë në një mënyrë që reflekton njohuritë me të cilat Zoti ka përtërirë dhe ndriçuar zemrën, gjithmonë gati për të marrë bekime dhe frymëzime hyjnore, si edhe për ta ndjekur saktë shembullin e profetit Muhammed. Me bindjen që bashkimi dhe aderimi te Zoti është merita dhe respekti më i madh, iniciativa duhet të braktisë dëshirat e tij apo të saj për kërkesat e Zotit, të Vërtetit.

Sufizmi kërkon respektimin me rreptësi të të gjitha detyrimeve fetare, një mënyrë jetese të thjeshtë, dhe heqjen dorë nga dëshirat trupore. Përmes kësaj metode të vetëdisiplinimit shpirtëror, zemra e individit është pastruar dhe ndjenjat dhe aftësitë e tij ose të saj janë punësuar në rrugën e Zotit, çka nënkupton që tani udhëtari i rrugës shpirtërore të sufizmit mund të fillojë të jetojë në një nivel shpirtëror të caktuar.

Sufizmi gjithashtu i lejon individët, përmes adhurimit të vazhdueshëm për Zotin, të thellojnë dijet e tyre për vetveten si adhurues të Zotit. Përmes heqjes dorë nga kjo botë materiale dhe kalimtare, si edhe nga dëshirat dhe emocionet që ajo krijon, ata zgjohen me realitetin e një bote tjetër, e cila është kthyer drejt emrave të bukur hyjnorë të Zotit. Sufizmi lejon që individët të shfaqin dimensionin moral të ekzistencës së tyre dhe mundëson përftimin e një përvoje të fuqishme dhe bindëse që buron nga zemra për normat e besimit që ata më parë vetëm i kanë pranuar në mënyrë sipërfaqësore.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.