Kaosi dhe Bota Mistike e Besimit
Sot çdokush mbushet me zemërim, gëlltit urrejtje, mallkon gjithçka që e gjykon të jetë një kundërshtar, me një pasion të pandryshueshëm sikur të jetë i tërbuar. Boja që mbush faqet e gazetave, pamjet që transmetojnë televizionet, valët elektromagnetike që rezonojnë në radio, i gërvishtin veshët tanë si klithma fatzeza që emetohen nga vende të ndryshme, në male ose në ujë, në lugina apo lart në kodra, ata godasin sytë tanë si blicet e fotografëve që na bëjnë të dridhemi dhe hapin plagë në zemrat tona. Këto epika të urrejtjes që dëgjojmë gjatë gjithë ditës dhe natës dhe që na trondisin, këto klithma ogurzeza, na ligështojnë zemrat dhe, për më tepër, njerëzit që kërkojnë shërim nga këto sëmundje, janë pak në të vërtetë. Mendimet e tyre shkojnë në drejtime të ndryshme, por gjithmonë arrijnë në të njëjtën pikë: para, prosperitet ekonomik dhe sukses.
. . . emocionet thjeshtohen, dëshira konsumohet,
Kuptimi që buron nga vështrimi, është plot mospërfillje për subjektin e Zotit.
Akif
Shumë pak janë përjashtuar nga një këndvështrim i tillë i turbulluar, nuk ka ndryshim nëse është i përbashkët apo jo, nëse është kapitalizëm, komunizëm apo liberalizëm. Largësia në karakter mes atyre që i kalojnë jetët duke menduar vetëm për të ngrënë e për të pirë, për të pushuar, për të fituar para, duke pasur në përgjithësi një jetë të këndshme, dhe atyre që janë obliguar për shkak të karakterit të pandryshueshëm të natyrës së tyre, bëhet më e vogël nga dita në ditë. Dallimet themelore midis dy krahëve zhduken në klimën e brishtë njëri pas tjetrit, dhe krijesat njerëzore kërkojnë drejtime të reja, pavarësisht nga natyra e tyre.
Feja, përkushtimi fetar, morali, mendimi i lirë, këndvështrimet tona për artin janë thuajse të parëndësishme. Forca është ulçeruar si të jetë e panjohshme, fantazia ka zënë vend në imazhin e ideve dhe këto ide të pakëndshme kanë dalë mbi të tjerat. Në të vërtetë, unë dua të them që në një kohë të vështirë kam kuptuar që një dramë e brendshme e tillë është një fanatizëm i tmerrshëm. Në ditët e sotme, kur sqarimi dhe ndriçimi i njerëzve është përgjithësuar, kur intelektualizmi është në kulmin e tij, fakti që shkenca dhe injoranca do të takohen në të njëjtën pikë, në kundërshtim me distancën që pritet të ekzistojë në mes tyre, lë për të nënkuptuar një bashkëpunim të errët dhe i krijon ekzistencës një problem serioz të dukshëm. Një kondradiktë e tillë na bën ne të besojmë se dëshira emocionale e disa njerëzve është shumë më përpara nga dëshira logjike dhe mendore e tyre.
Unë besoj që në një periudhë të tillë të errët, kur kundërshtitë janë gërshetuar, kur në pjesë të ndryshme të shoqërisë kaosi ka kaluar çdo lloj kufiri, kur veprimet e errëta me origjinë të ndryshme kanë errësuar pamjen e tokës, kur çfarë është poshtë, ka mbizotëruar mbi çfarë është lart, kur polemikat dhe dialektika janë bërë aq të shumta dhe popullore, kur thashethemet, veçanërisht përmes mjeteve të komunikimit masiv, janë mirëpritur, kur jetët e të tjerëve janë bërë si ushqim për ekzistencën tonë, kur shpirti i bashkimit është tronditur dhe grupimet e ndryshme janë thërmuar ngado, kur shpresat janë thyer dhe dëshirat janë paralizuar, kur shpirtrat kanë braktisur luftën kundër dëshirave, është një nevojë e zjarrtë për t'u kthyer në drejtim të sferës sonë shpirtërore dhe për të dëgjuar botën tonë të brendshme, për të na shkëputur nga atmosfera e errët e botës materiale për të lundruar në atmosferën magjike e të ngrohtë të jetës shpirtërore. Ata që nuk do të bien në letargji dhe do kthehen tek vetvetja sa më shpejt të jetë e mundur, do të ndjejnë magjinë dhe bukurinë e botës së tyre të brendshme. Fatkeqët që dështojnë për t'u kthyer dhe qëndrojnë në mes, ose në krahun tjetër, vazhdojnë të zemërohen, të urrejnë, të shpifin, të gënjejnë dhe të ndjejnë përbuzje, ata vazhdojnë në rrugën e mospërputhjeve të mëdha në të cilën kanë ecur deri në këtë ditë, madje dhe kur dielli shkëlqen, ata do të flenë në errësirë, do të pëshpërisin mendime të errëta gjithmonë në kërkim të vendeve të fshehta dhe qosheve të errta për të jetuar.
Ndokush shpreson që ata do të jenë në gjendje të ndjejnë gëzimin e ditëve dhe netëve të bekuara që ne kemi përjetuar, ku lumenjtë e dritës derdhen ngado. Dikush tjetër shpreson që ata gjithashtu do ta braktisin herezinë, ateizmin, përçarjen dhe rebelimin në zemrat e tyre dhe kështu do të jenë të aftë të respektojnë mirëkuptimin e parapëlqyer dhe qëndrimin e çdo shpirti të vetëm! Ndoshta një ditë këto dëshira do të jenë përmbushur, por duke u vetëshpallur kundërshtarë për Zotin, profetët, fenë dhe përkushtimin fetar, gjë që nuk është asgjë tjetër veçse materializëm që ka arritur në frenezi duke mohuar hyjnitetin dhe duke u zhytur në baltovinën e anarkisë dhe nihilizmit, kurrë nuk do të jenë në gjendje të thithin këtë ajër të përtërirë. Zoti ynë i dashur, vetëm ti mund t'i bindësh ata për ekzistencën tënde dhe t'i çlirosh zemrat e tyre nga vargonjtë!
Në çdo komunitet dhe shoqëri gjenden njerëz që janë të prirur për të braktisur besimin e tyre dhe ka shumë kohë që ata kanë dalë jashtë kontrollit. Bashkësitë dhe shoqëritë e tjera nuk janë aq të fuqishme porsi ne për të kërkuar shpëtim kur përballen me këto abuzime dhe dobësi. Në të vërtetë, ne kemi mendimet me të cilat qetësohemi, besimin me të cilin paqtohemi, ditët dhe netët gjatë të cilave dridhemi nga gëzimi, festivalet dhe karnavalet, por këto ditë, këto netë, këto festivale, këto karnavale janë të lira për çdo shenjtëri. Ato janë si fishekzjarre, ndriçojnë për një moment dhe pastaj shuhen duke dhënë vetëm kënaqësi të çastit, ato janë kalimtare dhe materiale, duke mos premtuar asgjë në rrugën e kënaqësisë shpirtërore. Sigurisht që në botët e tyre ju nuk mund të ndjeni madhështinë e besimit te Zoti dhe as nuk mund të ndjeni që shpirtrat janë të pakufizuar nga koha dhe hapësira, gjithçka fillon me një lumturi të gënjeshtërt dhe të përkohëshme, me delirin për t'u majmur. Atëherë gjithçka është transformuar në kujtime të dhimbshme, në ëndërra të vajtueshme, në shpresa zhgënjyese dhe, në fund, çdo gjë zhduket si të mos kishte qenë kurrë!
Në këtë atmosferë shpirtërore ku ne jemi pranë pragut të Zotit, çdo zë, çdo fjalë, çdo veprim është përjetuar si një vjershë për fëmijë dhe është dëgjuar si të jetë një melodi. Këto rrebeshe poshtë tek ne janë si shiu, ne njomim zemërgjerësinë me këto rrebeshe. Hëna ndryshon pamjen e saj çdo natë, si të jetë duke lajmëruar kohë të përpikta dhe orë të lumtura, dielli lëviz në një pikë të re në horizont për çdo agim, zgjimi i ndjenjave dhe mendimeve tona është në një moment të ri të kohës, duke nxitur ëndrrat tona ta ndjekin atë, duke treguar kujtimet për ne, që ngjajnë me lumin Keuther, premtuar për ne në parajsë. E shkuara bëhet si një mbulesë me shumë ngjyra që mbulon sytë tanë, kulmi i ëndrrave tona është e ardhmja e lumtur, në pritje me krahë të hapura dhe ne, që jemi të çliruar nga kufijtë kufizues të kohës, jetojmë larminë e së djeshmes, e së sotmes dhe e së nesërmes njëkohësisht, dhe si engjëjt, ndjejmë të gjitha gëzimet e kohëve të kaluara. Eshtë e pamundur për ata që nuk janë ushqyer nga i njëjti burim si ne, që nuk ndajnë të njëjtat ndjenja dhe mendime me ne, të ndjejnë dhe kuptojnë thellësitë e shenjta në të cilat ne humbim veten, ku lumturia dhe gëzimi që ne përjetojmë janë si lumenjtë e parajsës.
Besimi ynë, horizontet tona të mendimit, dhe sjellja jonë - karakteristika të mbarësisë, por në të njëjtën kohë që i përkasin një kombi paksa gabues, në këtë pjesë të botës - janë bërë, përmes formimit dhe riformimit në karakterin e personalitetit kolektiv, shumë të përsosura dhe të stolisura me vlera universale. Kjo është një situatë që nuk ekziston tek komunitetet e tjera. Kjo është aq shumë e qartë, sa ata që e kalojnë kohën me ne, nuk është e nevojshme të qëndrojnë gjatë për të qenë të ndërgjegjshëm për këtë ndryshim. E vërteta është që në këto ndryshime, trishtimi i shenjtë në zemrat tona dhe entuziazmi në shpirtrat tanë, që rrjedh si ujë përmes shkëmbinjve, është ndjerë dhe dëgjuar. Sigurisht, ata që u vënë veshin fjalëve tona, gjithmonë do të dëgjojnë meloditë e dhimbjeve të zërave të përzgjedhur me shpresë, do të dëgjojnë notat e ribashkimit, në kërkim të strehës së bukur dhe të përjetshme, në intonacionin dhe në sjelljen tonë. Në të vërtetë, ndërsa në njërin krah ne pëshpërisim "o kupëmbajtës, unë jam djegur në zjarrin e dashurisë, më jep një gotë me ujë," në krahun tjetër themi "unë ngjeva gishtat e mi në mjaltin e dashurisë dhe e shijova atë, më jep një gotë me ujë," dhe kështu jemi në gjendje të kthejmë dhimbjen tonë në buzëqeshje. Gjuhët tona nganjëherë flasin për dashurinë dhe nganjëherë për mërzitinë. Ndonëse dashuria dhe lodhja shkaktojnë dhimbje për të tjerët, tek ata ne gjithmonë dëgjojmë, si Rumiu, poemën e dëshiruar për botën që kemi lënë për të ardhur këtu. Dashuria dhe mërzitja për ne janë si një argument për gjuhën e shpirtit, shkaktuar nga një dëshirë e brengosur për amshim. Meqë besimi dhe ndjenjat tona na dërgojnë në botët magjike të përtejme, ne pothuajse gjithmonë i ndjejmë të gërshetuara trishtimin dhe gëzimin, ne dëgjojmë zërat që qajnë dhe qeshin si notat e ndryshme të së njëjtës melodi. Ne u përgjigjemi kraharorëve që rënkojnë nga shqetësimi me buzëqeshje në faqet tona, siç sytë tanë mbyten nga lotët, ndërgjegja jonë skuqet nga trëndafilat e kopshteve të Iremit.[1]
Edhe nëse kjo nuk është e thjeshtë për çdo individ, lidhja jonë me Zotin është qëndrimi më i natyrshëm që ne mund të marrim, marrëdhënia jonë me Atë është si një magji që transformon të gjithë momentet e jetës sonë në entuziazëm dhe gëzim. Zemrat tona që rrahin me ndjenjat për Të, mbushen dhe rimbushen me ëndrrën për këtë vështrim: ne jemi në gjendje të jetojmë me të ftohtin e hidhur të vjeshtës në zemrat tona sepse kemi gëzimin e pranverës. Shpirtrat tanë adoptojnë qëndrimet më të lakmueshme me instinktet e ndjenjave dhe gëzimit të veçantë që janë rezultat i lidhjes sonë me Lavdiplotin. Në këtë mënyrë, ne shndërrohemi, ata na bëjnë të ndjejmë një entuziazëm të përtërirë, një hapje dhe revelim të ri edhe në momentet kur jemi të pikëlluar e të brengosur. Kënaqësi apo trishtim, revelim apo hidhërim, të gjitha këto emocione pësojnë metamorfozë në zemrat tona që rrahin me besim dhe flasin për ne me kënaqësinë më të natyrshme dhe me shpresat më realiste. Eshtë një fakt, që ne gjithashtu provojmë si momente qetësie po ashtu dhe momente të vështira, javë të bukura dhe ditë të këqija, dritë dhe errësirë që vjen dhe shkon, si dita dhe nata. Megjithatë, ne marrim dashamirësi dhe gëzime të pakapërcyeshme nga duart e të gjitha këtyre vuajtjeve, sepse ne kemi besimin tonë, lidhjen tonë me të Vetmin dhe shpresat tona! Ata që nuk pranojnë që telashet dhe kënaqësitë janë produkt i së njëjtës dëshirë, përpëliten në agoninë e pafund, ndërsa në atmosferën tonë ne shohim qartë që gjithçka do të jetë shndërruar në dhembshuri të thellë. Shijimi i tërë jetës, me të këqijat dhe të mirat e saj si Keuther, në çdo gjë që ne hamë dhe pijmë, në çdo vend që ne banojmë, me të gjitha bukuritë hyjnore të zbuluara në botën tonë të brendshme, me të gjitha gjatësitë e ndryshme të valëve të tyre, na bën që të ndjejmë hidhërimet tona të tkurren para lumturisë, të ndjejmë dhimbjet tona të treten në kënaqësi dhe të ndjejmë jetët tona të derdhen në rezervuaret e qelqta në një spektër ngjyrash. Vdekshmëria jonë është transformuar në përjetësi, ne buzëqeshim edhe kur qajmë.
Në botën tonë, besimet dhe shpresat që burojnë prej tyre janë aq të ndërthurura me jetët tona, sa që çdo kapitull i këtyre jetëve na jep krahë për në vendin e lutjeve dhe na drejton për tek hyrja e botës së përtejme. Na dërgon ne atje dhe i lë zemrat tona të shijojnë bukuritë e parajsës. Në këtë rrugë, ne ndjehemi sikur jemi duke thithur aromat e parajsës. Edhe nëse do ta lëmë veten të rrëmbehet nga jetët tona të përditshme, thirrjet për lutje, këngët që lartësojnë Zotin, zërat e larmishëm për falje, recitimet për emrat e Zotit, ata që i kushtohen mirënjohjes së Tij, duke thirrur Unitetin e Tij në minaret e xhamive, na sjellin ne në atmosferën e tyre. Ato ngjyejnë shpirtrat tanë me ngjyrat e tyre, ato u dhurojnë zemrave tona një zë të qëndisur, psherëtimat na i kthejnë në një fyell duke na zgjuar me bukurinë e muzikës. Këto zëra i zgjojnë shpirtrat tanë dhe ne jemi të magjepsur nga misteret që i përkasin Zotit, magjia e këtyre mistereve që vijnë me shpejtësi nga thellësitë e botëve tona të brendshme dhe që përhapen në të gjithë gjykimet tona, kjo bukuri që zbukuron të gjitha kopshtet e parajsës në mendimet tona dhe që vërshon pas buzëve tona, është si ujëvarat e frymëzimit. Në këtë mënyrë mahnitemi dhe qëndrojmë të tronditur.
Kjo magji, kjo njohje me misteret që i përkasin Zotit, i shton ditët dhe netët e bekuara me begati dhe zemërgjerësi të pakufishme për ne. Kjo është aq e vërtetë, sa gjithçka përreth nesh shfaqet e gëzueshme, çdo kënd merr një pamje spirituale dhe stimulon shpirtrat tanë duke i drejtuar në destinacionet e metafizikës, dhe si arrijnë në kulmin e saj ose në termat sufi, shpirtrat tanë kanë arritur në pjekurinë më të lartë qiellore. Gjithashtu, për të matur shkallën në të cilën ne mund të dëgjojmë dhe kuptojmë çdo gjë që ndodhet rreth nesh, ngazëllehemi si fëmijët që ndjehen sikur janë në parqet e bukura të gëzimit. Kështu ne provojmë lumturinë dhe gëzimin e një dite feste.
Në një botë të tillë, agimi vjen në shtëpitë tona nga dyert e dritaret si një vizitor i pritur, mbrëmja vjen në dhomat tona personale si një e dashur dhe ulet pranë nesh, nata kacaviret tek ne me bashkëshoqërimin e saj për ribashkimin me Konfidentin dhe në çdo luginë duart janë ngritur në lutje drejt Tij, gati për të marrë dhuratat që do të vijnë prej Tij, duke tejkaluar gjendjen e tensionit metafizik me forcën e shpirtit, duke psherëtirë, duke thënë "Merri duart e mia i shtrenjti Konfident, mbaji ato, sepse unë nuk mund të bëj pa Ty!"
Në një botë të tillë, lutja buçet si zërat kumbues të lutjes korale[2] dhe jehona e saj është si zëri dhe fryma e thellësive hyjnore. Vetmia e ngrohtë e natës i mbështjell shpirtrat tanë si një pëlhurë e mëndafshtë, pulset tona rrahin me gjallëri për lajmet e mira që kanë marrë. Ndoshta disa prej nesh këndojnë himnet e lartësimit të Tij, edhe nëse bie shi apo dielli shkëlqen, si një bilbil që e copëton zemrën në përpjekje për të gjetur ritmin ideal për emocionet e tij me tingujt më mallëngjyes. Me një fjalë, gjithësecili është duke kënduar nëpër dhëmbë një melodi me vuajtje dhe gëzim të pafund, me dashuri dhe gjallëri të pashuar, duke dëgjuar drithërimat e shpirtit të vet dhe duke i lënë të tjerët gjithashtu ta dëgjojnë atë. Çdokush psherëtin nga ethet e dashurisë dhe i bën dhe të tjerët t'i ndjejnë ato gjithashtu. Po, siç ata reflektojnë gjallërinë e shpirtit dhe frymëzimin e zemrave të tyre, duke shfaqur vetveten në një moment të fundit, po ashtu ata bëhen zëdhënës për ndjenjat e të gjithëve dhe janë në gjendje për të folur për domethëniet e fshehta ndërsa të tjerët duan, por nuk arrijnë të shprehen.
Horizonti i të jetuarit të së djeshmes, të së sotmes dhe të së nesërmes në të njëjtën kohë me një shkallë të tillë besimi dhe shprese, dashurie dhe mirënjohjeje për misteret që i përkasin Zotit, i jep një thellësi të tillë jetës, që çdo zemër në orbitën e jetës së përtejme e gjen veten të kredhur në harmoninë melodioze të emocioneve dhe ideve dhe është e çliruar nga kufizimet, që janë efektet mbytëse të lëndës. Unë besoj që baza më e fuqishme e marrëdhënieve njerëzore, zanafilla e të gjithë kënaqësive dhe burimi për të gjithë dashuritë, ashkun, atraksionin dhe gravitetin është ky besim dhe kjo shpresë. Çdo dishepull i zemrës që arrin tek ky besim dhe tek kjo shpresë, mund ta provojë dhe ta ndjejë gjendjen e të qenit jashtë kohës, me aftësinë për ta ndjerë të gjithë në thellësitë e tij.
Në të vërtetë, në shkallën ku mund të arrijë pamja, ekzistenca ndjehet në një mënyrë të ndryshme, gjërat vlerësohen në një rrugë të ndryshme dhe shkrihen në vetvete me ngjyrën, shijen, aromën dhe theksin e manifestimit nga amshimi. Këto atribute depërtojnë në gjithçka dhe njerëzit mund të arrijnë një ekzistencë të dytë me një "lindje dhe vdekje" të re. Përgjatë këtyre orëve të gëzuara, kur vështrimi i përjetshëm është përqëndruar në atë që shihet përtej pamjes së dukshme të ekzistencës, ndjehen të gjitha gëzimet e jetës. Ato ndjehen si po të kesh marrë dijet e duhura, ashtu edhe po të jesh çliruar nga pesha e të gjitha gjërave që janë të papranueshme. Qiejt e largët lëshojnë me rrebesh bekimet për këto zemra që janë të etura për dashuri dhe vrapojnë me përmallim dhe mëshirë. Të gjitha zemrat që jetojnë me frikën e shterimit janë të ndrydhura. Lulet qiellore lulëzojnë në këto ëndërra të zbukuruara!
Disa prej nesh mund të mos jenë në gjendje për të arritur në këtë stad - stad në të cilin bëhet një tejkalim i luftës (për të kapërcyer errësirën me të gjitha kuptimet e saj) dhe agimit - për njerëzit me besim dhe horizont, por të gjitha këto janë fenomene për zemrën, shpirtin dhe emocionet. Duke jetuar përmes revelimeve të panumërta të jetës, asnjë tjetër veç heronjve aktivë të lindjes dhe garave të mëdha nuk mund ta kuptojë këtë dashuri, entuziazëm, poezi dhe muzikë që vërshon në shpirtrat tanë nga i Përjetshmi. Ata që nuk janë në gjendje ta kuptojnë këtë, nuk do të jenë për më tepër në gjendje të na kuptojnë ne. Ata që qëndrojnë larg nga kjo jetë delikate dhe e bukur, jetojnë në errësirën e këtij hendeku, ndërsa aftësia për të kuptuar e atyre që kanë gjetur një pozicion prej nga mund ta vështrojnë vërtetësinë në një mënyrë të tillë që shfaqet qartë siç është në të vërtetë, është ndijimi i kësaj dhurate në të gjithë gjatësitë e valëve të saj, dhe e gjerbin atë si lumenjtë e parajsës dhe jetojnë jetët e tyre tokësore si të jenë në qiell.
Kush e di dhe përsa kohë ne do të flasim për këtë kënaqësi dhe gëzim të pafund, me ëndjen e një festivali, për një ditë të gëzuar! Ndonëse do të vazhdojmë të shprehemi për të - të metat në shprehje nga oratorët i lëmë mënjanë - ne do të dëgjojmë akoma me kënaqësi dhe do të përpiqemi ta ndajmë atë me të tjerët!
[1] Përmendur në Kur'an (el-Fexhr, 89:7-8). Shpesh identifikohen me kopshtet e varura të Babilonisë.
[2] Lutjet e përbashkëta që bëhen në xhami në pjesë të caktuara të faljes si dhe refreni "Amin!"
- Publikuar më .