Jeta e Vertete dhe Natyra Njerezore e Vertete

Meqë jeta e "vërtetë" është e mundur vetëm nëpërmjet dijeve, ata që kanë lënë pas dore arsimimin dhe njohuritë konsiderohen të "vdekur," edhe kur janë biologjikisht të gjallë. Ne jemi krijuar për të mësuar dhe për t'u treguar të tjerëve ato që kemi përvetësuar.

Jeta e vërtetë është jetuar në nivelin shpirtëror. Ata që jetojnë me zemër, ata që mposhtin të kaluarën dhe të ardhmen, kapërcejnë kufizimin e kohës. Njerëzit e tillë nuk janë kurrë tejet të brengosur nga e kaluara e dhimbshme ose shumë të shqetësuar për të ardhmen. Ata që nuk janë të aftë të përjetojnë plotësisht ekzistencën në zemrat e tyre, ata që e kalojnë jetën përciptazi dhe në mënyrë të rëndomtë, janë gjithmonë të trishtuar dhe të mbytur në dëshpërim. Ata e konsiderojnë të kaluarën si një tronditje të rëndë dhe e shohin të ardhmen si një pus pa fund. Ata jetojnë në agoni, në mëdyshje nëse do të jetojnë ose vdesin.

Ne jemi të gjithë udhëtarë, kurse kjo botë është një demonstrim shumëngjyrësh dhe një libër i pasur dhe i gjallë. Ne jemi sjellë për ta studiuar këtë libër, për të pasuruar njohuritë spirituale dhe për të frymëzuar të tjerët. Ky udhëtim plot ngjyra dhe i këndshëm është një ngjarje e dikurshme. Për ata që i kanë ndjenjat dhe zemrën të zgjuar, ky udhëtim është më se i mjaftueshëm për të provuar një parajsë - si kopshtet me trëndafila. Por për ata që i kanë sytë e zëna, ky rrugëtim është sikur gjithçka largohet me një frymëmarrje të vetme.

Të përvuajturit dhe modestët janë shumë të vlerësuar nga krijimi dhe Krijuesi. Arrogantët dhe mendjemëdhenjtë, ata që përçmojnë të tjerët dhe marrin një pamje kryeneçi, janë gjithmonë të padëshiruar nga krijimi dhe të ndëshkuar nga Krijuesi.

Përulësia është shenjë e virtytit dhe e pjekurisë, ndërsa arroganca dhe mendjemadhësia tregojnë një shpirt të mangët dhe të ulët. Krijesat njerëzore më të përsosura janë ata që gjejnë qetësinë dhe intimitetin në shoqërinë e të tjerëve. Në të kundërt, ata që janë tepër të ngrefosur për t'u lidhur me të tjerët dhe për të krijuar një shoqëri të ngrohtë, nuk janë më shumë se përfaqësues të papërsosmërisë. Përulësia i jep njeriut natyrën e tij të vërtetë. Një shenjë e përulësisë është kur njerëzit nuk ndryshojnë pasi kanë arritur një pozitë shoqërore apo pasi kanë vënë pasuri, pasi janë arsimuar apo kanë fituar famë, ose çdo gjë tjetër që mund të jetë vlerësuar publikisht. Nëse ndonjë prej këtyre rrethanave i nxit njerëzit të tjetërsojnë idetë, sjelljet dhe qëndrimin, atëherë ata nuk mund të vlerësohen se kanë arritur natyrën njerëzore të vërtetë apo përulësinë e vërtetë.

Kur keni marrëdhënie të ndërsjellta me të tjerët, i trajtoni ata si një masë për të kuptuar nëse keni gjetur kënaqësi apo mërziti. Dëshironi për të tjerët atë që dëshironi për veten tuaj dhe mos harroni që çfarëdo që ju çon ju në pakënaqësi, do t'i shpjerë gjithashtu dhe të tjerët në pakënaqësi. Nëse ju e arrini këtë, do të jeni të pacënuar nga gabimet dhe sjellja e pahijshme dhe nuk do të fyeni të tjerët.

Pjekuria dhe përsosja e shpirtit do të thotë që ju duhet të jeni të drejtë në trajtimin e të tjerëve, veçanërisht ndaj atyre që ju kanë bërë padrejtësi. I ktheni veprimet e tyre të këqija në mirësi. Mos pushoni së bëri mirë edhe për ata që ju kanë dëmtuar ju. Më saktë, i trajtoni ata me mirësjellje dhe fisnikëri, shpagimin për të dëmshmit e merr dikush tjetër. Shpërblimi i së keqes me të keqe tregon dobësi karakteri, e kundërta është fisnikëria.

Nuk ka kufij për mirësitë ndaj të tjerëve. Ata që ia kanë kushtuar jetën synimit për t'i sjellë të mira njerëzimit, janë po aq vetmohues sa edhe ata që mund të kenë sakrifikuar jetët e tyre për të tjerët. Megjithatë, një altruizëm i tillë është një virtyt i madh vetëm nëse origjina e tij është në sinqeritetin dhe pastërtinë e qëllimit, ajo duhet të jetë larguar nga paragjykimet raciale apo fisnore.

Ata që i vlerësojnë edhe favoret më të mëdha që kanë bërë për të tjerët si gjëra të parëndësishme, ndonëse çmojnë shumë edhe favorin më të vogël të bërë për vetveten, janë të përsosurit që kanë fituar standartet hyjnore të sjelljes dhe kanë gjetur paqe në ndërgjegjen e tyre. Individët e tillë kurrë nuk do t'u kujtojnë të tjerëve të mirat që kanë bërë për ta dhe kurrë nuk do të ankohen pasi të tjerët të tregohen indiferentë ndaj tyre.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.