Duke u Ndertuar Nje Bote e re
Jeta dhe fryma e shpresës
Nëse jeta është vështruar përmes dritares së Atij që ka dhuruar jetën, atëherë shpresa është dinamika e veprimit që nuk shuhet. Ajo është ushqim për ata që nuk mendojnë vazhdimisht për vete por më shumë për të tjerët, për ata që gjejnë lumturinë e vërtetë në lumturinë e të tjerëve dhe për ata që marrin jetë nga mbarësia e jetëve të të tjerëve. Ajo është gjithashtu një burim energjie që kurrë nuk shteron për ata që ia kanë kushtuar vetveten një ideali të bekuar, për ta shpënë jetën në nivelin e zemrës dhe shpirtit, duke e çliruar veten nga prangat e kohës, hapësirës, materies, fizikalitetit dhe interesit vetjak. Si rrjedhim, në një kohë kur gjithë të tjerët besojnë që "gjithçka po mbaron", në një kohë kur figura më e madhe e një kombi është nështruar në pikën e fundit, në një kohë kur vendosmëria dhe vullneti nuk dinë nga të shkojnë nga tërmetet, stuhitë dhe përmbytjet, dhe shuhen, në një kohë që ata që ndjehen të kapur pas punës, pozitës shoqërore, pasurisë, prosperitetit dhe forcës që nuk rrjedhin nga poseduesit e vërtetë të fuqisë dhe pushtetit, dhe ata që, për shkak të paaftësisë për të zbuluar të vërtetën, i kanë lidhur zemrat e tyre me yjet, hënën dhe diellin, objekte që veniten nga qielli, fillon të shfaqet dëshpërimi, shpresat e njerëzve të idealeve, të këtyre njerëzve që ne i përshkruam në fillim të paragrafit, marrin një cilësi të tillë epike që në të gjithë rrethanat ata mund të sfidojnë universin. Ata vazhdojnë të patundur në rrugën e tyre, edhe nëse llogaritjet dhe planet e tyre duan mijëra vjet për t'u realizuar, duke reflektuar begati edhe përballë varfërisë. Ata bëhen jetë për shpirtrat e vdekur dhe fuqi për ata që janë përthyer në gjunjë.
Një person i njohur në Perëndim shprehet, "Kur të gjithë e braktisin shpresën, edhe shpresën për mbrojtje, atëherë fillon sulmi i kombit turk." Goditjet e reja që u dhanë pas invazionit mongol dhe ndarjes së Anadollit, ripërqëndrimi i forcës dhe rritja e vitalitetit pas disfatës në luginën e Çubuklus, në Galipoli dhe në vijim, lufta e pavarësisë, në të gjithë betejat ku ishte luftuar deri në pikën e fundit të gjakut, në histori ato ishin epike dhe të pashembullta, dhanë përshtypjen që detyra thelbësore e kombit tonë në histori është të shkruajë dhe të rishkruajë epikat e rigjallërimit, ndërtuar mbi themelet e shpresës dhe besimit.
Sot, me mirënjohje, unë jam duke u përpjekur të jem i duruar përballë problemeve serioze shëndetësore. Unë jam duke përjetuar mallin për atdheun, shkaktuar nga qëndrimi larg tij, një vend të cilin e dua më shumë se vetë jetën. Larg nga uji, ajri, shkrepat, toka, qielli dhe njerëzit me faqet e trëndafilta - të gjitha më mungojnë tmerrësisht. Ky mall për atdheun është reflektuar në shpirtin tim sikur të ishte një pus pa fund. Unë ndjek me vëmendje dhe me ankth, por në të njëjtën kohë dhe me shpresë, çfarë po ndodh në vendin tim - edhe nëse mund të shoh vetëm kalimthi ose jam në gjendje të vështroj çfarë është në sipërfaqe - një vend që shumë njerëz e konsiderojnë të pamundur për të jetuar në të. Unë po orvatem të shoh se çfarë drejtimi do të marrin përpjekjet e fundit të Amerikës, dhe akoma, jam duke mbajtur gjallë shpresën për botën dhe njerëzimin, të freskët si gjethet e bulëzuara dhe vazhdoj të vështroj pas së nesërmes me buzëqeshje.
Natyra njerëzore është zanafilla për gjithçka
Natyra njerëzore, me të gjitha atributet e saj, është një krijesë e vështirë për t'u kuptuar. Ashtu si në të gjithë botërat, esenca e të gjitha gjërave të krijuara është treguar tek krijesat njerëzore, dhe në një mënyrë, me karakteristikat e tyre, në një kontekst është e mundur ta kuptojmë ekzistencën duke njohur natyrën njerëzore, ndërsa, nga një kontekst tjetër, njohja e natyrës njerëzore është e mundur nga kuptimi i ekzistencës. Në të vërtetë, kuptimi i natyrës njerëzore është misioni kryesor i njerëzimit, meqë natyra njerëzore është gjithashtu dritarja që hapet për kuptimin e Krijuesit. Për këtë arsye, detyra e parë dhe kryesore e krijesave njerëzore është të zbulojnë dhe njohin vetveten dhe atëherë të kthejnë vështrimet nga Zoti, me lupën e natyrës së tyre të ndriçuar. Eshtë fakt i hidhur që ajo ndaj së cilës ne kemi neglizhuar më shumë, është pikërisht kjo. Në të vërtetë, sa njerëz e ushtrojnë shpeshherë autokritikën? Sa njerëz e rizbulojnë për çdo ditë rishtaz vetveten, një rizbulim i dobësive të tyre, aftësive të tyre, mangësive të tyre, burimeve të fuqisë të tyre, së bashku me gjërat që kanë fituar dhe humbur? Sa njerëz mund të enden përmes botërave të tyre të brendshme? Sa njerëz përpiqen të shqyrtojnë qenien e tyre - ose me një druajtje kalimtare ose me një kureshtje të rastësishme, dhe jo duke vështruar thellë në të metat dhe veten zvetënuese - si në një panair, si një doktor profesionist dhe i arsyeshëm, duke e ulur veten në një stol për t'u ekzaminuar, duke dashur të hetojnë dhe të njihen me botët e tyre të vërteta, duke u përpjekur të studiojnë vetveten me realizëm, me qëllim që të diagnostikojnë sëmundjen? Përgjigja është e thjeshtë sepse kjo punë nuk është kryer meqë njerëzimi nuk mund të gjejë lumturinë në këtë kërkim të dëshpëruar në këtë "parajsë të humbur," më saktë, njerëzimi nuk mund të gjejë parajsën e humbur.
Patenta e të drejtave të një pakice të vogël
Eshtë e pamundur të mos vlerësojmë rezultatet e kërkimeve shkencore, mrekullitë e qytetërimit, prodhimet e teknologjisë. Por a jemi ne të suksesshëm në vënien në zbatim të kësaj shkence dhe teknologjie - produkt i të gjithë këtyre përpjekjeve dhe punës mendore - me ritmin dhe globalizimin që ato sjellin, në shërbim të qëllimeve më të larta? Kështu, hapësira e cila është duke u rrudhur çdo ditë e më shumë derisa të mos jetë më e madhe se një fshat, dhe koha, të cilën njerëzit janë duke u përpjekur ta shkurtojnë në minimum, a i shërbejnë një qëllimi prapa vetvetes? Ose kështu ata, që pavarësisht prej shumicës dërrmuese, a i shërbejnë begatisë tokësore të një pakice të vogël që mban "patentën" e të gjitha këtyre? Duke arritur në qoshet më të largëta të universit, duke hetuar çdo gjë ekzistuese, duke u familjarizuar me botën në të njëjtën mënyrë si me fshatin apo me rajonin tonë, duke zbuluar të dhëna edhe rreth aspekteve më të fshehta të gjërave - nëse e gjitha kjo është vlerësuar mbi nevojat dhe dëshirat njerëzore, nëse respekti për intimitetin dhe vlerat njerëzore është çrrënjosur dhe është lënë pas rrjedhës, atëherë ka ardhur koha për të shqyrtuar nëse është e preferueshme të jetojmë në këtë botë me të gjitha këto produkte moderne ose, nëse është më mirë të jetojmë pa ato, në një botë të periudhës së shkuar kur krijesat njerëzore ishin të lumtura dhe kur jeta personale dhe shoqërore dhe marrëdhëniet ishin të mbështetura në vlerat humane.
Deri më tani, shkenca, teknologjia dhe shpejtësia nuk kanë qenë kurrë nevojat kryesore të njerëzimit. Por do të ishte e gabuar të kundërshtosh shkencën dhe teknologjinë me mendime "idealiste," një kundërshtim i tillë është vetëm një formë utopie. Asnjë e mirë nuk i vjen njerëzimit nga fjalët bombastike pranë makinerive ose nga mallkimi i fabrikave. Makineritë do të vazhdojnë të punojnë, fabrikat do të vazhdojnë të nxjerrin tym, edhe nëse ne hedhim mallkime mbi ta. Për këtë arsye, mund të thuhet që ajo që ka rëndësi nuk është teknologjia por, më saktë, mbikëqyrja e shkencës dhe teknologjisë dhe çfarë qëllimi i shërbejnë ato. Shkenca dhe teknologjia mund të kthehen në një ferr në duart e një pakice të papërgjegjshme. Nëse të njëjtat mjete do të ishin në duart e engjëjve askush nuk do të vuante. Njerëzimi ka vuajtur shumë nga ata që e shohin të drejtën si plaçkë të atyre që kanë pushtet dhe ambicje të shfrenuar. Shkenca, teknologjia dhe shpejtësia me të cilën ato na lejojnë të punojmë janë të shenjta dhe të denja për respekt vetëm në proporcion me, sa ato i drejtojnë njerëzit nga qëllimet humane, lehtësinë e plotësimit të këtyre qëllimeve, sjelljen e paqes dhe lumturisë, shuarjen e mallit dhe dhimbjen e ndarjes, shkëputjen nga shumica e të këqijave përpara se koha të mbarojë, shërbimin ndaj harmonisë së përgjithshme në tokë, sigurimin e balancës midis shteteve, pjesëmarrjen në zgjidhjen e problemeve tokësore dhe shpirtërore, dhënien e vrullit për të hulumtuar dhe vërtetuar faktin që nxjerr në pah domethënien tonë. Kur shkenca dhe teknologjia janë larguar nga qëllimet e përmendura më sipër dhe kur ato bëhen vlera në dhe për vetveten, kur është kuptuar që ato do t'i shërbejnë vetëm vetes ose vetëm interesave të një pakice të vogël, atëherë largimi është më i mirë se prania e tyre.
Teknologjia dhe shkenca në shërbim të njerëzimit
Unë besoj që shkenca dhe teknologjia duhet të jenë vështruar pikërisht nga kjo perspektivë. Ne kemi për t'u informuar rreth funksionit të shkencës dhe teknologjisë në ditët e sotme. A u shërbejnë ato marrëdhënieve midis individëve, midis individit dhe shoqërisë, midis shoqërisë dhe shtetit, a i shërbejnë ato dashurisë së ndërsjelltë, respektit dhe mbështetjes për njëri-tjetrin në të gjithë gjërat e mira, tolerancës, pranimit të gjithsecilit në kontekstin e tyre, të vërtetës, devotshmërisë, respektit për të drejtat, ose a i shërbejnë ato gënjeshtrës, mashtrimit, hipotezave dashakeqe, shpifjes dhe një interesi të panatyrshëm për mëkatet dhe dobësitë e njerëzve të tjerë, dhunimit të intimitetit dhe ndërhyrjes në jetët e të tjerëve? A i shërbejnë ato respektit, nga zemra, për të drejtat e të gjithëve, diçka që duhet të jetë mbrojtur, për shembull, të drejtës së besimit, të jetës, pasurive personale, riprodhimit dhe shëndetit mendor dhe fizik? A i shërbejnë ato qëllimit të mirë, mirëkuptimit të ndërsjelltë, a i shërbejnë marrëdhënieve midis shteteve dhe kombeve, a i shërbejnë së drejtës, së vërtetës? A e inkurajojnë ato ndarjen, heqjen dorë nga shfrytëzimi, respektin për të drejtat dhe liritë themelore njerëzore ose a i shërbejnë sovranitetit të kapitalistëve dhe dhunës çnjerëzore? Nëse shkenca dhe teknologjia theksojnë elementët negativë të mësipërm, atëherë ky është një skenar i frikshëm për të ardhmen. Në të vërtetë, nëse vlerat që janë përgjithësisht të vlefshme sot dhe mbi të cilat është mbështetur globalizimi janë ato negativet të renditura më sipër, atëherë fakti që në kohët e sotme gjysma e botës po jeton me dy dollarë në ditë, me një bilion njerëz që mbijetojnë në minimumin jetik, fakti që një e katërta e botës nuk ka mundësi të përdorë ujë të pijshëm, që sëmundjet më të tmerrshme, si SIDA, kanë një tendencë për t'u përhapur me të shpejtë dhe kështu kërcënojnë njerëzimin, fakti që shëndeti, që është nevoja më jetike e natyrës njerëzore është bërë një industri me shërbim shumë të shtrenjtë, fakti i rritjes së ngrohjes globale dhe të ndotjes që është përhapur ngado, fakti që një pjesë e madhe e popullsisë së botës është duke jetuar pa të drejta demokratike, fakti që dhunimi i të drejtave njerëzore është bërë normë, që kushtet e jetës në shumë vende të botës janë skandaloze dhe që aktet e pashmangshme terroriste mbizotërojnë në nivel lokal dhe ndërkombëtar, do të thotë që ky është realitet i frikshëm për mbarë njerëzimin.
Një musliman nuk mund të jetë terrorist
Së pari, unë dua të vë në dukje që fetë që ka sjellë Zoti, nëse janë quajtur hebraizëm, krishterizëm ose Islam, nuk mund të mendohen si përkrahëse të terrorizmit e jo më ta kenë urdhëruar atë. E para nga të gjitha, në vlerësimin e Zotit, jeta ka një rëndësi madhore. E gjithë ekzistenca ka qenë programuar për t'i dhënë udhë jetës. Jeta është emri i të fshehtave hyjnore që lënë një gjë dhe mbajnë gjithë të tjerat. Një send pa jetë është jetim, edhe nëse është i lartë sa një mal, dhe marrëdhëniet e tij me çfarë e rrethon janë të kufizuara në vendin ku banon. Në njërën anë, diçka që ka jetë, edhe nëse mund të jetë e lehtë si një bletë punëtore, mund ta quajë mbarë universin "kopshti im" dhe mund t'i vështrojë të gjitha lulet si shokë. Kjo bletë ka shumë shumë lidhje dhe marrëdhënie me të gjithë gjinitë e ndryshme të ekzistencës, nga dielli tek ajri, nga ajri tek njerëzit. Prandaj, jeta është pika e koncentrimit të emrave të Shkëlqimit të Vërtetë, një pikë e vatrës së manifestimeve të njëkohshme të të gjithë këtyre atributeve. Zoti, duke i dhënë një rëndësi të tillë jetës, e ka vlerësuar atë të jetë një nga pesë vlerat esenciale që duhen mbrojtur nga fetë që Ai ka sjellë. Islami e ka vlerësuar vrasjen e një personi të vetëm të barabartë me vrasjen e tërë njerëzimit, ashtu si një jetë simbolizon jetën e të gjithëve, prandaj, shpëtimi i jetës së një personi të vetëm është i njëjtë me shpëtimin e jetës së të gjithëve. Përveç kësaj, nga që të drejtat janë të lidhura, është thënë, "nuk ka të drejta dytësore ose parësore", për shembull, vihet re që të drejtat individuale dhe të drejtat shoqërore janë të barabarta. Një njeri nuk mund të sakrifikohet për të tjerët, dhe për gjerësinë që ka kjo ide është urdhëruar, "nëse një barkë është duke transportuar nëntë vrasës dhe një shpirt të pafajshëm, kjo barkë nuk mund të fundoset për të ndëshkuar nëntë vrasësit."
Terrori nuk mund të jetë një mjet për qëllimin islam
Së dyti, ashtu siç Islami urdhëron që qëllimi i të gjitha akteve të muslimanëve të jenë i ligjshëm, po ashtu ka theksuar, në mënyrë të veçantë, që mjetet e përdorura për arritjen e këtij qëllimi, të jenë të ligjshme, duke u kujtuar atyre që përpiqen të arrijnë një qëllim të ligjshëm me mjete të paligjshme, se në fund do të gjenden ballë për ballë me të kundërtën diametrike të objektivit të tyre. Si rrjedhojë, ne mund të themi që terrorizmi nuk mund të jetë një mjet për të realizuar ndonjë qëllim islam. Përveç kësaj, Islami kurrë nuk e ka miratuar luftën, ndonëse ajo është një realitet dhe një prej elementëve më të spikatur në historinë e njerëzimit. Islami e ka kufizuar luftën para së gjithash me rrethanat e mbrojtjes, dhe atëherë, brenda kornizës së parimit "provokimi i divergjencave është më i keq se vrasja," që gjendet në Kur'an, e ka vlerësuar luftën të ligjshme vetëm për ta ndaluar luftën dhe grindjet që çojnë tek ajo, për të ndaluar kaosin, shtypjen dhe nënshtrimin. Këto janë kushtet që Islami i gjykon të nevojshme për t'u përfshirë në luftë. Për herë të parë në historinë njerëzore, Islami paraqiti kufizimet dhe parimet e përgjegjshme në lidhje me këtë çështje. Rregullat ashtu si pasuesit kanë hyrë në histori:
Mos e lër frikën nga Zoti të largohet nga zemrat tuaja. Mos harroni që ju nuk mund të bëni asgjë pa ndihmën e Zotit, gjithmonë kujtoni që Islami është feja e paqes dhe dashurisë.Gguximi i të Dërguarit të Zotit dhe qëndrimi i tij në udhën që Zoti ka caktuar, duhet të jenë gjithmonë një model për ju. Mos shkelni tokën dhe kopshtet e kultivuara. Respektoni priftërinjtë dhe murgjit që jetojnë në tempujt dhe ata që kanë dhënë veten për Zotin; mos i fyeni ata. Mos i vrisni civilët, mos veproni në një mënyrë të pahijshme ndaj grave dhe mos lëndoni ndjenjat e thyera. Mos pranoni dhurata nga popullsia vendase. Mos u përpiqni t'i strehoni ushtarët tuaj në shtëpitë e vendasve. Mos lini pas dore për të kryer lutjet tuaja pesë herë në ditë. Frikësojuni Zotit dhe mos harroni që vdekja mund t'ju gjejë në çdo kohë, edhe mijëra kilometra larg nga fusha e betejës. Prandaj, ji gati për vdekjen në çdo kohë.
Këto rregulla janë parimet që kryetarët e shteteve u kanë përkujtuar komandantëve të tyre gjatë gjithë historisë së Islamit, dhe ata i kanë ndjekur me përpikmëri. Lufta, e cila mund të ndërmerret nga një shtet vetëm duke qenë i detyruar dhe brenda kornizës së parimeve të përcaktuara, nuk mund të shpallet nga individët dhe organizatat, përveç kësaj, është e qartë që aktet e terrorit të cilat nuk kanë kufizim, që vënë në shenjë vlerat njerëzore që duhet të jenë mbrojtur dhe që shkatërrojnë sigurinë, nuk kanë vend në Islam. Si rrjedhim, ashtu si një terrorist nuk mund të jetë musliman i vërtetë, një musliman nuk mund të jetë terrorist. Një musliman nuk mund të jetë terrorist sepse Islami urdhëron ndëshkime të rënda tokësore për ata që vënë në shenjë jetën dhe sigurinë e njeriut. Në jetën e përtejme, ata që mohojnë Zotin dhe që i njohin partnerë Atij, së bashku me ata që vrasin njerëz dhe me paramendim marrin jetë, janë përballur me ferrin e përjetshëm. Një person nuk është e mundur që të angazhohet në një akt që është bërë e ditur se ka një ndëshkim të tillë, ndërsa është një musliman dhe manifeston karakteristikat e besimit dhe Islamit. Prandaj, nuk është e mundur që një terrorist të jetë musliman i vërtetë, ashtu siç është e pamundur që një musliman të jetë terrorist.
Problemet e shoqërive Islamike
Për më tepër, nëse aktet e terrorit vazhdojnë të kenë vend në këtë rrugë, në shoqëritë islamike apo gjetiu, së pari duhet një diagnostikim i drejtë i situatës dhe atëherë mund të mbahet çdo qëndrim ndaj diagnozës. Nga që ky proces ka filluar, në vazhdim mund të renditim shkaqet kryesore pse ca individë në botën islame janë ngatërruar ose janë formuar për t'u përfshirë në këtë rrjet të terrorizmit dhe arsyet pse terrori është një problem serioz në botë:
a) Shoqëritë islamike hynë në shekullin e XX si një botë e shtypur, e nëpërkëmbur dhe e kolonizuar. Gjysmën e parë të shekullit e zënë luftërat për liri dhe pavarësi që kishin filluar që në shekullin e XIX. Në të gjithë këto luftëra, Islami kishte rolin e një faktori të rëndësishëm duke bashkuar dhe nxitur popullin për të luftuar. Ashtu si këto luftëra ishin zhvilluar kundër atyre që ishin parë si pushtues, Islami, pavarësia kombëtare dhe çlirimi kishin synim të njëjtën gjë. Mandej, kur ishin themeluar shtetet kombëtare në këto pjesë të botës, ato nuk ishin në përputhje me popullsinë e tyre, ndërsa shtetet duhet të kenë udhëzuar popullsinë në Islam me identitetin dhe natyrën e saj të vërtetë, ata veprojnë në një mënyrë mospërfillëse për popullsinë, në një mënyrë që është në kundërshtim me vlerat dhe traditat e popullit. Kjo e bën Islamin një shtyllë, një strehë mbrojtëse kundër qeverisjes në sytë e publikut. Për pasojë, është gabim të thuash që Islami ka ardhur për t'u vlerësuar si një ideologji politike tradicionale nga shumë popuj.
b) Në shumë rajone të gjeografisë Islame, qeveritë që shpërfillin dhe denigrojnë popullsinë dhe që janë oligarkike në natyrën e tyre, kanë punuar për mirëqenien e dinastive, familjeve, anëtarë të së cilave ata janë, më shumë se të punonin për prosperitetin e vendit të tyre dhe të përpiqeshin për të vendosur unitetin e popullit dhe të shtetit, dhe kështu këto qeveri kanë degraduar thjesht në pozitën e shtypësve dhe kanë merituar neverinë në sytë e popullit. Shtresat e varfra dhe të pashkolluara janë bërë armiqtë e qeverive të tyre.
c) Në shoqëritë islame dhe në kombet e tjera, rrënjët e terrorit gjenden gjithmonë në varfërinë, injorancën dhe në mungesën e arsimimit. Në shumë vende, ende vazhdojnë sistemet feudale dhe fisnore, ku pjesa më e madhe e popullsisë e vlerëson zhvillimin e vendeve të tyre me Perëndimin, që në një kohë i ka pushtuar dhe zaptuar ato, si mbrojtës dhe mbështetës të administratorëve sundues mbi ta, dhe kështu ata i konsiderojnë vendet perëndimore plotësisht përgjegjëse për nëpërkëmbjen dhe shtypjen që pësuan në vendet e tyre.
d) Vlerat si demokracia, të drejtat themelore njerëzore, përhapja e dijeve dhe arsimimit në të gjithë shoqërinë, prosperiteti ekonomik, barazia në prodhim, institucionalizimi i konsumit dhe të ardhurave në një mënyrë që shmang formimin e shtresave shoqërore, autoriteti i ligjit dhe drejtësisë, që janë pranuar përgjithësisht anembanë botës, nuk kanë qenë përmbushur kurrë plotësisht në shoqëritë islamike, ose në rajonet e tjera të emërtuara si vende të botës së tretë. Pa dyshim, ata që janë së pari përgjegjës për këtë situatë, janë qeveritarët e këtyre vendeve dhe mbështetësit e tyre - vendet e zhvilluara perëndimore që i kanë ndihmuar për të ardhur në pushtet. Prandaj, edhe nëse këto vende mund të mbahen si kampione të vlerave të lartpërmendura, siç popujt e botës së tretë janë të interesuar, ato nuk do të shihen si deklarime të sinqerta por qeveritarët e tyre do të vështrohen si shfrytëzues të këtyre vlerave.
e) Bota e sotme, ashtu siç e kemi trajtuar shkurtimisht, është tkurrur në madhësinë e një fshati të madh, si rezultat i zhvillimit të pandërprerë në shpërndarjen e informacionit dhe në komunikacion. Të gjithë popujt dhe vendet janë tani fqinj me njëri-tjetrin. Një pakicë fqinjësh, një minoritet, kanë gjetur kënaqësi në një oqean të pasurisë, ndërsa pjesa dërrmuese është e varfër, në mënyrë të skajshme e varfër. Kolonializmi ose shfrytëzimi, që është ushtruar shumë dinakërisht dhe fshehurazi, konsiderohet të jetë një nga arsyet më domethënëse për këtë varfëri, dhe për më tepër, pjesa më e madhe e popullsisë gjendet në atë nivel që nuk është në gjendje të plotësojë nevojat më jetike. Të gjithë këta faktorë kanë çuar tek ndjenja e smirës, zemërimit dhe armiqësisë. Përveç kësaj, sot fatkeqësisht gjendemi në një realitet ku aktet e paligjshme janë normale po aq sa edhe aktet e ligjshme. Korrupsioni, mashtrimi, dëshira për të fituar para pa punuar, egoizmi, individualizmi, bixhozi ndërkombëtar dhe kontrabanda ndërkombëtare (veçanërisht e drogës dhe e armëve) mund të gjenden sot pothuajse në çdo vend të botës. Organizatat mafioze që kryejnë aktivitete të tilla, dhe organizata të tjera të ngjashme, si holdingje të mëdha, truste dhe kartele, janë të gjitha në rivalitet për vdekje, duke përdorur vrasës gjakësorë dhe kriminelë që përfaqësojnë dhunën më të egër fizike. Fakti që këto organizata i ushqejnë dhe mbështesin aktivitetet e tilla nuk ka dyshim se është një tjetër faktor i rëndësishëm dhe i pamohueshëm në përhapjen e terrorizmit në nivel ndërkombëtar.
f) Ndoshta më e rëndësishmja nga gjithçka më sipër është fakti që feja dhe vlerat fetare, spiritualiteti dhe etika që janë të lidhura me fenë janë gërryer vazhdimisht, anembanë botës, duke përbërë burimin kryesor të terrorizmit dhe problemeve të tjera madhore shoqërore që kërcënojnë sot njerëzimin. Bota është duke kaluar një krizë shpirtërore. Të gjitha shtyllat thelbësore mbështetëse për njerëzimin janë shembur dhe shkatërruar. Filozofitë e depresionit, satanizmi, rryma që janë në mënyrë fundamentale materialiste dhe natyraliste, por që duken shpirtërore (çdo ditë mbin një e re), dhe kështu cilësohen kulte, përgatisin të gjitha terrenin për dhunë dhe vetëvrasje. Në të vërtetë, këto fenomene janë si një goditje epileptike, duke tronditur botën tonë ose duke e drithëruar me ethe të forta. Pyetja pse njerëzit kryejnë vetëvrasje, vrasin dhe drogohen kur humbin shpresën, kur e shohin të kaluarën si një varr të paanë dhe të ardhmen si një hon të pafund, duke e gjetur jetën të pakuptimtë, mund të jetë bërë vetëm për të fshehur injorancën, nëse nuk është një synim dhelparak i injorancës.
g) Fjala përfundimtare që është e nevojshme të thuhet për çështjen, është në vijim: fakti që nuk ka një përcaktim ose kategorizim të terrorizmit, të njohur nga të gjithë kombet, ose së paku nga Kombet e Bashkuara, është një problem serioz. Cilat akte duhet të përfshihen dhe cilat jo brenda termit "akte terrori", kush është terrorist dhe kush nuk është? Kam përshtypjen se gjithsecili arrin në një përfundim për këto pyetje. Terrorizmi i një personi është mohimi i lirisë së tjetrit, trimëria e një personi për idealet mund të konsiderohet si terrorizëm nga dikush tjetër. Nëse duhet të ketë një luftë kundër terrorit në nivel ndërkombëtar - më qartë duhet të jetë një fushatë serioze - së pari duhet një përcaktim për terrorizmin që së paku të jetë pranuar nga Kombet e Bashkuara. Nëse është arritur kjo, një fushatë ndërkombëtare kundër terrorizmit mund të fitojë një status të ligjshëm, një status që çdokush do ta pranojë, një formulim i çështjes ku asnjeri nuk do të jetë në gjendje që ta shtrijë përgjegjësinë tek dikush tjetër, dhe ndoshta kjo do të përbëjë hapin e parë në parandalimin e terrorizmit. Eshtë shumë e nevojshme për të folur për vendimet, pasi ne kemi trajtuar problemet esenciale dhe çështjet që janë përmendur si shkaktarë të tyre: diagnoza e problemit e përmban vendimin brenda saj.
Struktura e parimeve të jetës shoqërore
Struktura e parimeve të jetës shoqërore është mbështetur në fenë, ligjin, urtësinë dhe pushtetin. Një person ose shoqëri pa fe nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë për shumë kohë, si edhe nuk do të jetë e dobishme për të tjerët. Në të vërtetë, feja është një element esencial që ka qenë përcaktuar përtej vetes sonë dhe që ka hyrë në jetët tona, ndonëse ne e pranojmë ose jo atë. Edhe nëse ne mund të jemi krijesat më të përsosura të lartësuara me vullnetin tonë të lirë, janë akoma shumë elementë të domosdoshëm që rrethojnë jetët tona dhe me të cilat ne jemi kufizuar. Për shembull, ku dhe kur kemi lindur, kur dhe ku do ta lëmë këtë botë, të gjitha janë planifikuar dhe vendosur jashtë vullnetit tonë. Gjithashtu, ne nuk jemi shprehur në vendimin për familjet tona - për nënën dhe babanë tonë - për racën, ngjyrën dhe karakteristikat tona fizike. Përveç kësaj, edhe funksionimi i trupit tonë është plotësisht i pavarur nga vullneti ynë. Ne nuk mund të ndërhyjmë në proçeset e urisë, etjes dhe gjumit. Gjithashtu, rrugët dhe metodat përmes së cilave ne përmbushim nevojat tona, janë të pavarura nga vetvetja. Në çdo aktivitet të thjeshtë të përditshëm, siç janë ngrënia dhe pirja, roli ynë i vetëm është të sigurojmë ushqim dhe lëngje dhe të marrim vendimin për një gjë të tillë. Në një mënyrë, ne mund të themi që roli ynë në aktin e përmbushjes së nevojave tona nuk është më shumë se një përqind. Kjo do të thotë që nëse ne e dëshirojmë atë ose jo, veprimet tona janë të kufizuara nga disa kushte mbizotëruese. Feja, gjithashtu, është një prej këtyre kushteve të forta. Nëse ne e pranojmë ose jo atë, feja është një nga elementët më esencialë në jetët tona, një element që nuk mund të zëvendësohet me ndonjë gjë tjetër. Kjo është arsyeja pse ajo luan një rol jetik në organizimin dhe rregullimin e nevojave tona shpirtërore, nevoja që kanë një domethënie të madhe dhe janë më të rëndësishme për ne se nevojat materiale. Feja nuk është e rëndësishme vetëm në vetvete, por gjithashtu në organizimin e jetëve tona individuale, familjare dhe shoqërore, si edhe në jetën tonë materiale. Feja luan një rol vendimtar në vendosjen dhe shpalljen e ligjeve që janë parimet rregulluese në aspektet e përcaktuara të jetëve tona. Qëllimi final nuk janë ligjet apo zbatimi i tyre, këto fitojnë vlera vetëm në atë shkallë me të cilën ata i shërbejnë njerëzimit dhe shoqërisë. Prandaj, kur aprovojmë ligjet, duhet të njihet mirë krijesa njerëzore me të gjitha karakteristikat e saj duke marrë në konsideratë natyrën esenciale të saj, gjithashtu të njihet shoqëria e cila është krijuar me njerëz me vetëdije dhe vullnet, nevojat dhe rrugët e mjetet me të cilat shoqëria i plotëson këto nevoja dhe, gjithashtu, duhet të njihet lloji i marrëdhënieve që ekzistojnë midis individëve brenda shoqërisë. Individët janë si atomet e një të tëre, dhe prandaj një njeri duhet të jetë i ndërgjegjshëm për marrëdhëniet dhe lidhjet që individët kanë me frymën kolektive të shoqërisë. Prandaj, në krijimin e familjaritetit në shoqëri dhe midis njerëzve që e përbëjnë atë, feja kryen një funksion të veçantë, meqë Krijuesi i Njerëzimit dhe Ai që Predikoi Fenë është Zoti. Si rrjedhim, roli i fesë në mirëkuptimin njerëzor dhe shoqëror është aq kritik sa që është e pamundur ta vlerësojmë rëndësinë e saj
Domosdoshmëria e fesë brenda rregullave shoqërisë
Së dyti, ashtu si pushteti ka një rol të pamohueshëm në zbatimin e ligjit, rëndësia e fesë në këtë fushë është gjithashtu e pamohueshme. Feja është bazuar në themelet e vendosjes së besimit në ekzistencë nga një Qenie që i sheh njerëzit, i kontrollon ata dhe nuk di vetëm gjithçka që ata bëjnë, por gjithashtu gjithçka që ata mendojnë dhe çdo gjë rreth qëllimeve dhe objektivave të tyre. Dhe ky besim është i natyrshëm për natyrën njerëzore dhe gjithmonë prehet i përgjumur në ndërgjegjen e saj duke e bërë veten ta ndjejë gjatë gjithë kohës. Gjithashtu, meqë natyra njerëzore është e mundur t'i përvidhet ligjit, qeverisë dhe detyrimit në këtë tokë, akoma është e pamundur të jetë përjashtuar nga kufijtë e mbikëqyrjes hyjnore të Zotit, feja i mëson njerëzit se ata janë përgjegjës për gjithçka që bëjnë në këtë botë dhe që do të gjykohen në botën tjetër për veprat e tyre, dhe që në përputhje me rezultatin e gjykimit, atyre do t'u jetë dhënë lumturia e amshuar ose ndëshkimi. Në të vërtetë, në edukimin njerëzor, për t'u bërë poemë e virtyteve më mirë se e të këqijave, është e pakonceptueshme që ndonjë sistem tjetër tokësor të mund ta zëvendësojë këtë sistem besimi.
Së treti, në veçanti parimet etike të fesë kanë një prioritet, që është i pazëvendësueshëm nga ndonjë gjë tjetër tokësore, në edukimin e natyrës njerëzore. Në fakt, këto norma etike janë kriteret që të gjithë popujt i kanë pranuar gjatë gjithë kohës, ky është një fakt i pamohueshëm. Këto kritere sfidojnë ekzistencën dhe kohën. Nëse ato japin impaktin e nevojshëm në popull, kushtëzohen përsëri nga stadi i besimit fetar dhe i aplikimit të tij në shoqëri.
Feja në botën perëndimore sot
Disa njerëz mund të binden për të deklaruar që feja nuk ka vend në jetën e shoqërive në vendet e zhvilluara siç janë SHBA dhe ata të Europës Perëndimore. Ne menjëherë duhet të vëmë në dukje që një qëndrim i tillë nuk është korrekt dhe që këta vende kanë dhe janë bashkëngjitur me fetë e tyre. Ashtu siç e kemi shprehur më parë, megjithëse vlerat fetare mund të kenë qenë të venitura gjatë dy shekujve të fundit anembanë botës, njerëzimi sot është përsëri në kërkim të fesë dhe është edhe njëherë i predispozuar për të. Edhe nëse popullsia mund të jetë indiferente për fenë në një shkallë të caktuar në Europën Perëndimore, ata që qeverisin duket se janë, në tërësi, mjaft fetarë. Midis tyre, në nivelet e larta të administratës ka pasur gjithmonë njerëz fetarë dhe ka akoma sot. Për më tepër, ndonëse laicizmi është normë në këto vende, kurrë nuk ka qenë një mentalitet i diktuar që drejtimi fetar duhet të jetë braktisur në shoqëri ose edhe jetën politike të një vendi. Historianët perëndimorë shprehen që krishterizmi është elementi më i rëndësishëm në formimin e strukturave shoqërore moderne në Europë. Në përputhje me këta historianë, krishtërizmi ka luajtur një rol që shtrihet në fushën politike dhe shoqërore dhe po ashtu ka luajtur gjithmonë një rol deciziv në fusha të veçanta, me sanksionimin e ligjeve të rëndësishme në lidhje me blasfeminë, pushimet për festat fetare, dhe adhurimin kolektiv.
Gjithashtu, në vendet si SHBA dhe Kanadaja, shumica e popullsisë i është kushtuar fesë së saj, pavarësisht nëse është thënë e kundërta, dhe përkushtimi fetar është vlerësuar seriozisht si në radhët e popullsisë, ashtu dhe në nivelet e ndryshme të qeverisjes. Kur ne vështrojmë përmbledhjen e ligjeve aktuale në këto vende, është e mundur të ndeshim ndikimin e fesë në to. Për shembull, në SHBA, dënimet për krimet e tilla siç është nxitja e vdekjes së një krijese njerëzore mund ta kalojnë vazhdimisht vlerën e zhdëmtimit të caktuar nga Islami. Së dyti, të gjitha kombet kanë karakteristika në vetvete, që rrjedhin nga natyra, historia dhe kultura e tyre. Turqit kanë qenë muslimanë për shekuj dhe është e pamundur t'i veçosh ata nga Islami. Në kohërat kur e kanë distancuar veten nga Islami, nuk kanë gjetur kurrë paqe apo progres, më saktë, në të kundërt, kjo rrugë ka çuar në degjenerim. Kjo për shkak të faktit që Islami është ndryshe nga fetë e tjera. Një çifut nuk beson as në Jezus as në Bibël, as në Muhammed dhe as në Kur'an. Një çifut është konsideruar besimtar nëse nuk beson në këto gjëra. Një i krishterë, po kështu, është konsideruar të jetë besimtar edhe nëse nuk beson në Muhammed, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, ose në Kur'an. Kjo është arsyeja pse këto fe nuk i pranojnë sistemet dhe librat hyjnorë që kanë hyrë në strukturat e tyre. Prandaj, feja mund të gjejë një vend brenda spektrit të gjerë të feve hyjnore që rrjedhin nga hebraizmi dhe krishterizmi. Ky spektër është një libër, një profet me të cilin është lidhur dhe kështu sistemi nuk mund të bëhet kurrë plotësisht i zvetënuar. Kur dikush e ka vënë poshtë atë, ai mund të jetë thartuar, si qumësht, por në të njëjtën mënyrë, ky produkt i thartuar mund t'i shërbejë akoma një qëllimi. Nëse ne përdorim një tjetër metaforë, feja mund të ketë gjetur strehë në një prej shumë dhomave të një pallati dhe është ndriçuar me dritën e kësaj dhome. Islami, në njërën anë, i përfshin të gjitha fetë. Besimi në Muhammed dhe Kur'an është kryesori dhe esenciali, dhe prandaj besimi në të gjithë profetët dhe librat e shenjtë është një nga shtyllat e Islamit. Me fjalë të tjera, Islami është përfshirës, duke bashkuar gjithçka. Nëse ne i referohemi metaforës së pallatit përsëri, Islami është një sistem elektrik, gjeneratori kryesor për të tërë ndërtesën. Nëse ju e braktisni këtë sistem, i tërë pallati, e tërë bota do të jetë zhytur në errësirë. Nuk ka më dritë që ndriçon. Ata që e braktisin këtë dritë, janë anarkistët që mohojnë të gjithë rregullat.
Në këta tre shekujt e fundit, që kanë qenë vitet e nënshtrimit për muslimanët, dhe akoma në ditët e sotme, kur pamja e Islamit është errësuar nga ata që deklarojnë të jenë pjesëtarët më të sinqertë - në një kohë kur Islami është paraqitur duke u nxirë nga armiqtë e tij - numri i njerëzve që anohen nga Islami ose që drejtohen për te Islami, vazhdon të rritet me një ritëm të jashtëzakonshëm, ndërsa numri i njerëzve që e largojnë veten nga Islami, është akoma shumë i vogël. Kjo mund të na japë disa ide rreth çështjeve që ne kemi diskutuar. Prandaj ata që duan rregull dhe rend në Turqi dhe në botë, duhet t'i binden Islamit dhe ta përqafojnë atë, jo ta lënë në mëshirë të atyre që e keqinterpretojnë dhe e keqpërdorin atë. Në strukturën e shoqërive të shëndosha, ligji duhet të jetë formuluar me urtësi. Eshtë për t'u theksuar që ai nuk duhet të jetë kundër natyrës esenciale të krijesës njerëzore dhe strukturës së natyrës, më shkurt, kundër ligjeve të krijimit. Ligji duhet të marrë në konsideratë karakterin e kombit dhe vlerat kombëtaro-fetare, të jetë i vëmendshëm ndaj këshillave të logjikës dhe gjykimit të shëndoshë dhe të jetë i pranueshëm nga shumica. Së bashku me fenë, historinë, traditat dhe vlerat kombëtare, parimet kryesore të sociologjisë, antropologjisë dhe madje të fizikës dhe kimisë janë me rëndësi jetike për vendosjen dhe institucionalizimin e ligjeve. Ligji nuk është një shkencë e pavarur, por është një shkencë që përfshin fenë, historinë, filozofinë, sociologjinë, sociologjinë e historisë, psikologjinë, antropologjinë, fizikën, kiminë etj, dhe ka për t'u vështruar në këtë dritë. Ndryshe, rregullat e vendosura do të jenë si një veshje e papërshtatshme dhe ligji do të ketë nevojë për ndryshime të shpeshta. Materiali është cilësi e dobët, modeli është i palavdërueshëm, merre këtu lëre atje - një veshje e tillë do të jetë më shumë e keqe se e mirë për kompozimin e shoqërisë.
Forca nuk mund të jetë qëllim në vetvete
Një tjetër element i rëndësishëm në strukturën e shoqërisë, është forca. Pa dyshim, është edhe një arsye hyjnore për ekzistencën e forcës. Ashtu si pa forcë do të jetë e pamundur të zbatohet ligji, gjithashtu do të jetë e pamundur të mbrohet siguria e vendit, veçanërisht përballë fuqive të huaja. Po ashtu, forca ka një vend të veçantë në ruajtjen e rregullit dhe rendit kushtetues, dhe prandaj duhet të jetë respektuar. Por forca nuk është një vlerë, synim apo qëllim në vetvete, ajo mund dhe nuk duhet të jetë mjet për arritjen e objektivit final. Forca është e denjë për respekt vetëm nëse u shërben të drejtave njerëzore dhe drejtësisë. Forca që ka dalë jashtë kontrolli në duart e një pakice të mposhtur nga ambicja dhe egoizmi i saj, nuk do të adhurojë të drejtat ose drejtësinë, ajo nuk do të sanksionojë ligjin dhe urtësinë. Fakti që të drejtat duhet të jenë sakrifikuar për forcën, që konsideratat për interesin vetjak ngrihen mbi planin e të gjitha vlerave të tjera, që racizmi i egër duhet të zëvendësojë vlerat universale, që përpjekjet për të zgjidhur çështjet kombëtare dhe ndërkombëtare duhet të jenë ndërmarrë me forcë, ka qenë gjithmonë një problem për njerëzimin. Në një situatë kur është përpjekur që problemet të zgjidhen me forcë, është e pamundur të flasësh për intelekt, gjykim, të drejta, drejtësi apo ligje. Në të kundërt, në vend të tyre janë ilegjitimiteti, padrejtësia dhe shtypja. Edhe nëse forca mund të jetë konsideruar një mundësi potenciale për eliminimin e problemeve - në duart e vërteta dhe përmes udhëheqjes së logjikës dhe gjykimit - ajo ka qenë gjithmonë një instrument për shkatërrim në duart e mizorëve që hidhen në boshtin e emocioneve. Eshtë egërsia e forcës që aktet me hamendësimin e një lirie të pakufizuar nuk sigurojnë të drejta, drejtësi, ligje, intelekt ose gjykimin e vlerave të merituara. Eshtë ky gabim fatal që e turbulloi Aleksandrin dhe e mjegulloi vështrimin e tij, që e dëmtoi gjenialitetin e Napoleonit, që e transformoi Hitlerin në njeriun më të çmendur të shekullit. Prandaj, nuk teprohet po të thuhet që prapa vargut të kaosit dhe kundërrymës që ne po përjetojmë sot, është forca e shfrenuar. Ajo tregon që ky kaos do të vazhdojë deri ditën që ata që përfaqësojnë forcën në botë t'ia dorëzojnë vetveten drejtësisë dhe turmat që i ndjekin këta njerëz, të jenë shkëputur nga korentet popullore të jetës së përditshme dhe ta vështrojnë botën përmes prizmit të drejtësisë.
Politika e luftës në SHBA
Pyetjet që ne jemi përpjekur deri më tani t'i adresojmë në strukturën e parimeve themelore dhe normave të përgjithshme, janë shprehur mjaft qartë jo për të kërkuar shpjegime individuale ose analiza të thella. Akoma, nëse ne kemi për të thënë gjëra specifike rreth ngjarjeve aktuale, lexuesit mund të shprehen: Të përsërisësh një të vërtetë sociologjike - një të vërtetë e cila ka qenë keqinterpretuar nga disa - që unë e kam treguar shumë kohë përpara: ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një fuqi që mban balancën në botë. Kjo fuqi ishte njëherë Roma, për një kohë ishte Islami, së pari me arabët dhe pastaj me anë të muslimanëve turq, që e morën këtë funksion. Duke filluar me shekullin e XIX, bota anglo-saksone kishte mbajtur pozitën e balancuesit të botës, së pari me Perandorinë Britanike, të ndjekur, pas luftës së II botërore, nga SHBA. Zoti deklaron në Kur'anin e shenjtë që Ai pasuron këdo që dëshiron dhe gjithashtu i merr pasurinë kujtdo që Ai dëshiron. Ai e bën këdo që dëshiron të respektuar ose të degraduar, dhe, gjithashtu, Zoti shpall që Ai i qarkullon fitoret, humbjet, sovranitetin dhe nënshtrimin e një kombi.
Kjo do të thotë që koha nuk ndjek një kurs të drejtë, por më saktë një orbitë rrethore. Ashtu si toka përshkon një orbitë rreth diellit ose sistemi diellor sillet përqark një destinacioni, po ashtu koha dhe historia i aviten një fundi relativ. E gjithë kjo është përcaktuar nga Zoti, e padyshimtë, por edhe vullneti i natyrës njerëzore, performanca e fituar me vullnetin dhe punën e tij mund të kenë gjithashtu efekt në një shkallë të caktuar. Duke vështruar çfarë po ndodh në univers, ne zbulojmë aktin ekzekutiv të të Vetmit që ka krijuar dhe të të Vetmit që administron ekzistencën, dhe ne i thërrasim këto "ligje." Ashtu si ligjet e Zotit janë manifestuar si fe, Ai gjithashtu ka ligje që lidhen me aktet ekzekutive të Tij në jetën e njerëzimit dhe në univers. Ashtu si fakti i bindjes ose jo ndaj fesë apo dispozitave të saj, të cilat ne mund t'i quajmë ligjet e fesë, ka pasoja, shpërblime dhe ndëshkime të cilat do të jenë të dukshme pjesërisht në këtë botë, por përgjithësisht në botën e përtejme, po ashtu bindja ose injorimi i ligjeve të shkencave fizike, kimisë, biologjisë dhe astronomisë ka pasoja, shpërblime dhe ndëshkime, shumë prej të cilave vijnë përpara në këtë botë dhe disa në botën e përtejme. Për shembull, përmes ligjeve në lidhje me jetën në tokë është arritur një qëllim, në shumë raste, si rezultat i qëndrueshmërisë këmbëngulëse ose duke u zhgërryer në llumin e rrugës për shkak të padurimit. Pasuria është rezultat i punës së rëndë dhe varfëria rezultat i përtacisë. Suksesi është rezultat i studimit sistematik dhe metodik dhe dështimi rezultat i studimit josistematik dhe jometodik. Zoti i trajton njerëzit, shoqëritë, kombet dhe shtetet në lidhje me bindjen e tyre ndaj ligjeve të kësaj gjinie dhe kështu shtetet dhe kombet zënë vendin e tyre në balancën e botës.
Sot, SHBA mbajnë mbajnë pozicionin dominues në balancën politike të botës, ndonëse dominimi i tyre kushtëzohet nga vazhdueshmëria e akteve në bazë të të drejtave njerëzore dhe drejtësisë. Kam përshtypjen se në këtë moment makineria e sistemit punon mirë në Amerikë. Por ashtu siç çdo ditë ngërthen natën e saj dhe çdo pranverë dhe verë sjell dimrin, nëse ky sistem çon tek verbimi i sistemit, nëse Amerika fillon të shfaqë tradhtinë ndaj vlerave të tilla si demokracia, të drejtat e njeriut dhe liritë fundamentale, për të cilat ajo deklarohet kampione, nëse nuk e përdor dominimin që fati e ka vënë në duart e saj për parimet e drejtësisë dhe mbrojtjen e drejtave të njeriut, atëherë gjithashtu dita e saj do të kthehet në natë, vera e saj do të kthehet në dimër. Ashtu siç u përmend më sipër, asnjë sistem nuk mund të jetojë gjatë nëse ai mbështetet vetëm në forcën. Forca që nuk kushtëzohet në të drejtat dhe drejtësinë do të shkojë pashmangshmërisht drejt shtypjes dhe kështu përgatit fundin e saj. Sot, bota është duke u tronditur nga problemet e mëdha, të cilat u trajtuan pjesërisht më sipër. Përveç kësaj, vendet si Kina dhe India, të cilat janë bartëse të qytetërimit antik dhe të popullsive të mëdha, gjenden sot në stadin e zgjimit. Në Europën Lindore, Rusia është një tjetër fuqi e madhe. Europa është në udhën për t'u bërë një shtet i unifikuar - sido që është akoma e paqartë se sa e suksesshme dhe jetëgjatë do të jetë kjo përpjekje. Për më tepër, vendet e Azisë dhe Afrikës, të cilat e shohin vetveten të shtypur për shekuj, kanë potenciale që mund të merren në konsideratë. Të vendosësh një sistem të kushtëzuar në forcën, në një botë të tillë dhe të sigurosh jetëgjatësinë e një sistemi të tillë, nuk është një detyrë e thjeshtë. Unë sinqerisht shpresoj që SHBA nuk do të bëjnë një gabim të vajtueshëm që do të prishte balancën ekzistuese, duke u dhënë udhë ngjarjeve që do ta shndërronin botën në lumenj gjaku.
Regjimet e shtypjes: regjime jetëshkurtra
Fakti që bota ka, në shumë aspekte, tendencën për t'u tkurrur në madhësinë e një fshati, për shkak të zhvillimit të shpejtë të teknologjive të komunikimit, na shfaq një situatë ku regjimet e shtypjes, si sovrane përmes forcës, nuk kanë gjasa të vazhdojnë në mënyrë të pandalshme. Krijesa njerëzore është një qenie e lartë, krijesa njerëzore nuk mund të durojë të jetë skllave ose shërbëtore për shumë kohë. Për të mirën e tyre, është jetike për të gjithë shtetet dhe njerëzit që qeverisin, të vendosin një sistem qeverisës që i shërben popullit dhe vepron në përputhje me parimin "udhëheqës është ai që shërben." Çdo individ ka dinjitet të natyrshëm, sedër dhe karakter të përshtatshëm për një krijesë njerëzore. Për sa kohë që dinjiteti, sedra dhe karakteri që Krijuesi i fali një personi nuk janë marrë në konsideratë, është e pamundur të vendosësh paqe dhe siguri në një vend ose në botë. Gjithë të drejtat bazë të krijesës njerëzore janë besimi, ushtrimi i besimit, mendimi i lirë, liria e shprehjes dhe liria e komunikimit dhe udhëtimit. Në një shoqëri që nuk mund të sigurojë dhe garantojë të drejtat më themelore, siç është e drejta e jetës, sigurisë, shëndetit, punësimit dhe fitimit dhe krijimit të një familjeje, në një shoqëri ku ndarja dhe konsumi i prodhimit dhe vlerave themelore që e mbajnë të gjallë shoqërinë, siç janë të drejtat, drejtësia dhe balanca, nuk janë mbrojtur, virtytet e tilla si dashuria, respekti i ndërsjelltë dhe bashkëpunimi nuk mund të jenë kultivuar. Për çdo sovranitet është e pamundur të jetë jetëgjatë në një botë që është e varfër në këto aspekte. Në fakt, çdo qeveri ose sovranitet që nuk ka këto karakteristika vitale, do të ndjehet gjithmonë i pasigurtë dhe thellësisht në ankth.
Edhe nëse gjykimi për botën si një fshat përforcohet dhe përhapet shumë mbi rrjedhën e kohës, besimet, racat, zakonet dhe traditat e ndryshme do të vazhdojnë të bashkëjetojnë në këtë fshat. Çdo individ është si një botë e veçantë në vetvete, prandaj dëshira që të gjithë njerëzit të jenë të ngjashëm me njëri-tjetrin është asgjë më shumë se një dëshirë e pamundur. Për këtë arsye, paqja e këtij fshati global varet në respektimin e të gjitha këtyre dallimeve, duke i konsideruar të jenë pjesë e natyrës sonë dhe në sigurinë që njerëzit do t'i vlerësojnë këto ndryshime. Përndryshe, është e pashmangshme që botën do ta përpijë vorbulla e konflikteve, grindjeve, luftërave dhe lumenjve të gjakut, duke përgatitur kështu rrugën për fundin e saj.
- Publikuar më .