Portreti I Njeriut te Zemres
Me vizionin, besimin, dhe veprat e tyre, njerëzit e zemrës janë heronjtë e bashkuar mendërisht dhe shpirtërisht. Thellësia e tyre mbështetet jo në dijet apo njohuritë e fituara, por në pasurinë e zemrave, në pastërtinë e shpirtrave dhe në afërsinë e tyre tek Zoti. Ata besojnë që parimet që i përcillen natyrës njerëzore në emër të dijeve janë të vlefshme vetëm nëse ata e drejtojnë njerëzimin tek e vërteta. Gjithashtu, ata vlerësojnë informacionin dhe veçanërisht njohuritë abstrakte që nuk kanë funksion praktik, sikur të jenë të parëndësishme, siç nuk mund t'i ndihmojnë njerëzit të kuptojnë të vërtetën e krijimit, subjektin dhe vetë krijesën njerëzore.
Njerëzit e zemrës janë përmendore të përvuajtjes dhe modestisë që i janë kushtuar jetës shpirtërore, të vendosur të qëndrojnë larg nga përbaltja shpirtërore dhe fizike, gjithmonë vigjilentë me dëshirat fizike të trupit, dhe të gatshëm të përleshen me urrejtjen, zemërimin, lakminë, xhelozinë, egoizmin dhe epshin. Ata gjithmonë përpiqen të japin më të mirën dhe më të çmueshmen, t'u transmetojnë të tjerëve mendimet e tyre për këtë botë, si edhe për tjetrën, dhe janë përherë të duruar e të matur. Njerëzit me besim dhe veprim, që më shumë se të flasin dhe të bëjnë zhurmë, jetojnë sipas besimit të tyre, shfaqin një personalitet shembullor për të tjerët. Njerëzit e tillë nuk rreshtin së mësuari ata që janë duke ecur drejt Zotit se si ta bëjnë këtë më mirë. Në brendësi, ata kanë një zjarr që kurrë nuk mund të shuhet. Megjithëse të pafuqishëm për të larguar dhimbjen brenda vetes, këta njerëz kurrë nuk ankohen tek të tjerët përreth tyre. Si të tillë, janë vazhdimisht emetues të zjarrtë për shpirtrat e atyre që kërkuan strehë tek ata.
Një përmallim për botët transhendentale është i dukshëm në sytë e njerëzve të zemrës. Të përkushtuar për pëlqimin e Zotit, ata vrapojnë pa pushuar për asnjë çast në garë me largësitë përpara tyre, derisa arrijnë tek i Dashuri pa pritur, dhe ndërkohë, gjithçka përsëritet pa pushim.
Njerëzit e zemrës janë aq të sinqertë në përkrahjen e së vërtetës, sa të gjithë mendojnë si të vendosin drejtësinë në tokë dhe janë të gatshëm kur të vijnë tek pranimi i Tij, të heqin dorë nga dëshirat dhe kërkesat e tyre. Ata hapin zemrën e tyre për çdo njeri, i mirëpresin me dhembshuri, dhe duken si engjëj në mbrojtje të shoqërisë. Në lidhje me sjelljen dhe veprat e tyre, ata përpiqen që të jenë në pajtim me gjithsecilin, gjithashtu të shmangin rivalitetin e dëmshëm me të tjerët, duke shmangur në këtë mënyrë zemërimin dhe mërinë. Edhe po qe se herë pas here këta njerëz japin zgjidhje në favor të bindjes, besimit, metodave dhe rrugëve të tyre, përsëri ata nuk janë në garë me të tjerët. Përkundrazi, i duan të gjithë ata që shërbejnë në emër të fesë së tyre, duan vendin dhe idealet e tyre. Për më tepër, tregohen zemërgjerë me të tjerët në kërkim të veprimtarive frytdhënëse dhe përpiqen të shfaqin respektin më të madh për filozofinë dhe idetë e tyre.
Së bashku me këto përpjekje dhe aktivitete, njerëzit e zemrës që janë në kërkim të rrugëve për të marrë ndihmën e Tij, i japin një rëndësi të madhe përkrahjes dhe mbështetjes te Zoti. Ata i kushtojnë një vëmendje të posaçme bashkimit dhe solidaritetit që janë konsideruar një tregues i përkrahjes së Zotit. Ata janë gati, me gjithë zemër, të bashkëpunojnë me çdo njeri që është në udhë të drejtë, për më tepër, duke e kuptuar në këtë mënyrë bashkimin, ata ngulin këmbë në këtë udhë. Duke besuar që bashkimi sjell me vete edhe mëshirën dhe se mosmarrëveshjet dhe përçarja nuk të çojnë askund, njerëzit e tillë bëjnë gjithçka është e mundur për të fituar përkrahjen dhe miqësinë e të gjithëve, gjithmonë në pritje të mbështetjes Hyjnore.
Njerëzit e zemrës janë të dashuruar pas Zotit, kërkues të përkushtuar të pëlqimit të Zotit. Ata i bashkojnë veprat e tyre me dëshirën e Tij, të pavëmendshëm ndaj ceremonive. Ata shfaqin një ambicje të madhe për ta kënaqur Atë, dhe janë të gatshëm për hir të këtij qëllimi të vënë në përdorim ose të braktisin gjithçka posedojnë - për këtë botë ose jo. Në mbretërinë e mendimeve të tyre kurrë nuk ka ndonjë qoshe për shprehje të pakëndshme, të tilla si "unë e bëra atë", "unë e zëvendësova", ose "unë e trajtova atë." Njerëzit e zemrës e gjejnë kënaqësinë në plotësimin e detyrave për të tjerët, sikur kanë ndërmarrë veprime jashtë vetvetes, ata marrin të njëjtën kënaqësi në arritje të tilla si të jenë të tyret dhe vijnë kokulur prapa njerëzve duke lënë gjithashtu nderimet dhe titujt për drejtimin e tyre. Për më tepër, siç i konsiderojnë të tjerët të jenë më të përshtatshëm dhe më të suksesshëm në shërbim të fesë dhe njerëzimit, ata u krijojnë njerëzve të tjera kushte lehtësuese dhe, duke bërë një hap prapa, vazhdojnë punën e tyre si të jenë "njerëz të zakonshëm."
Njerëzit e zemrës janë gjithashtu të zënë duke luftuar me vetveten dhe me gabimet e tyre, për të qenë të interesuar për mbrapshtitë e të tjerëve. Në të kundërt, ata sjellin një shembull për të tjerët se si duhet të jetë një njeri shembullor, duke i drejtuar njerëzit të arrijnë horizontet më të larta. Ata bëjnë një sy qorr për gabimet e të tjerëve. Duke iu përgjigjur me buzëqeshje atyre që kanë shfaqur qëndrime negative, ata zëvendësojnë sjelljen e pahijshme me mirësjellje, pa menduar të lëndojnë ndokënd, edhe kur kanë mbetur vetë të fyer.
Për njeriun e zemrës, një ushtar i së vërtetës që ka qenë i përkushtuar për të fituar pëlqimin e Zotit me ndjenjat, idetë dhe veprat e tij, e para përparësi është ta çojë jetën bazuar në një besim të plotë dhe të sinqertë. Kështu, është e pamundur që një person i tillë të jetë këshilluar keq nga arritja e qëllimit të tyre edhe nëse i kanë ofruar qiejt përveç botës.
Njerëzit e zemrës kurrë nuk bëhen ziliqarë apo konkurrojnë me ata që kanë të njëjtin ideal dhe që ecin në të njëjtën udhë. Në kundërshtim me këtë, ata plotësojnë boshllëqet e të tjerëve dhe, kur bashkëpunojnë me ata, i trajtojnë sikur të jenë lidhur fort pas njëri-tjetrit, tamam si organet e një trupi. Me vizionin e tyre të qartë, ata tërhiqen vetë për të nxjerrë të tjerët në pah në çdo çështje tokësore ose jotokësore, ndërsa vetë kalojnë në plan të dytë. Ata veprojnë si zëdhënës të aftësive të të tjerëve, i mirëpresin dhe i duartrokasin sukseset e tyre me të njëjtën kënaqësi që ata ndjejnë në një festival.
Njerëzit e zemrës çdo veprim e ndërmarrin në përputhje me bindjet dhe natyrën e tyre. Ata përpiqen, megjithatë, që të respektojnë mendimet dhe veprimet e të tjerëve. Ata janë në gjendje të jetojnë në harmoni dhe të marrin pjesë në projekte të përbashkëta dhe, gjithashtu, të zëvendësojnë fjalën "unë" me fjalën "ne." Lumturia e tyre është sakrifikuar për të tjerët. Megjithatë, nuk presin ndonjë vlerësim apo respekt prej ndokujt. Duke menduar se një pritje e tillë është një formë e korruptimit moral, shmangin personifikimin, famën dhe fatin e tyre, dhe më tepër se të dëshirojnë pickimin e një gjarpri apo akrepi, shpresojnë vetëm të jenë harruar sa më shpejt.
Hakmarrja dhe dhunimi i të drejtave të të tjerëve nuk janë pjesë e jetës së tyre. Edhe në kushtet më kritike, ata nuk e humbin toruan por qëndrojnë të qetë. Ndonëse janë njerëz me vlera të mëdha, duken të zakonshëm. Veprimeve të pakëndëshme u përgjigjen gjithmonë me mirësjellje dhe, duke e konsideruar të keqen një karakteristikë të të këqijve, i trajtojnë ata që janë dëmtuar prej tyre, si monumente të ndershmërisë.
Njerëzit e zemrës e kalojnë jetën të ndriçuar nga drita e Kur'anit dhe sunnetit dhe të udhëhequr nga devocioni, bekimi dhe virtytshmëria. Ata janë një mburojë e vazhdueshme kundër ndjenjave të egoizmit, mburrjes dhe famës, etj, ndjenja që e vrasin zemrën. Lumturinë e tyre ata ia dedikojnë Zotit të Vërtetë, duke thënë "gjithçka është prej Tij." Me ndërgjegjen dhe bindjet e tyre në rrugë të drejtë, ata i shmangen shqiptimit të fjalës "unë" dhe në vend të saj kanë gjetur shpëtim tek fjala "ne."
Asgjë nuk mund t'i trembë njerëzit e zemrës. Ata nuk i pushton paniku për një ngjarje të vetme. Duke u mbështetur tek Zoti, ata punojnë me këmbëngulje, duke shpresuar në ndihmën e Tij, gjykojnë karakterin e tyre dhe kurrë nuk e thyejnë premtimin e dhënë.
Njerëzit e zemrës kurrë nuk e humbin gjakftohtësinë ndaj kujtdoqoftë edhe nëse janë fyer prej atyre që i kanë lidhur zemrat me Zotin. Kur shohin ndonjë nga vëllezërit apo motrat muslimane të gabojë, nuk e braktisin atë. Me qëllim që të shmangin problemet, gabimet nuk i bëjnë të njohura as për personin, as për publikun. Në të kundërt, ata hetojnë dhe fajësojnë vetveten pasi kanë dëshmuar një akt imoral.
Njerëzit e zemrës u shmangen komenteve për qëndrimet e besimtarëve që janë të prirura për t'u interpretuar ndryshe. Ata mendojnë pozitivisht për çdo gjë që shikojnë dhe dëgjojnë dhe kurrë nuk i shohin veprimet e tilla si zhvillime negative.
Në çdo veprim dhe vepër të tyre, njerëzit e zemrës e kanë plotësisht të qartë që kjo botë nuk është vendi i shpërblimit, por më saktë është vendi për të shërbyer. Prandaj ata zbatojnë detyrat për të cilat janë përgjegjës në një disiplinë të saktë, të shqetësuar për pasojat nëse janë të pasjellshëm ndaj Zotit. Për ta është shumë e rëndësishme të veprojnë në emër të Zotit dhe me pëlqimin e Zotit në gjendje t'i shërbejnë fesë, besimit dhe njerëzimit, dhe ndonëse arritjet e tyre mund të jenë të mëdha, ata ia atribuojnë të gjitha Zotit pa menduar që të marrin një pjesë të suksesit për vete.
Rrënimi për shkak të qëllimit të tyre nuk mund t'i çojë në dëshpërim ose në kundërvënie ndaj njerëzve të tjerë, duke i shqetësuar ata. Ata thonë, "kjo botë nuk është vendi i konflikteve dhe grindjeve, por i qëndresës dhe durimit" dhe, të përmbajtur shtrëngojnë dhëmbët të vendosur në durim. Ata kërkojnë rrugët për të dalë nga çdo situatë ku mund të gjenden, pa humbur shpresën edhe në momentet më kritike, dhe janë vazhdimisht të patundur në krijim të strategjive të reja shumëplanëshe. Sot, kur shohim që vlerat njerëzore janë të dëmtuara, kur në mendimin fetar janë shfaqur të krisura, kur në çdo vend shpërthejnë trazirat nga indiferenca, ne kemi nevojë për njerëzit e zemrës po ashtu siç kemi nevojë për ajër dhe ujë.
- Publikuar më .