Njeriu i Ri
Historia na ka sjellë në pragun e një shekulli të ri i cili ka filluar me manifestimin e mirësisë hyjnore. Pavarësisht, ose në të njëjtën kohë me përparimin e shkencës dhe të teknologjisë, dy ose tre shekujt e kaluar kanë dëshmuar një shkëputje nga vlerat tradicionale dhe, në emër të përtëritjes, një lidhje me vlera të dyshimta dhe spekulative. Ne shpresojmë, duke u mbështetur në zhvillimet premtuese, që shekulli i ri do të jetë shekulli i besimit dhe vlerave morale që do të dëshmojë rilindjen dhe përtëritjen e besimtarëve.
Mes turmës së lëkundur që nuk ka asnjë zë mendimi ose arsyetimi, një model i ri njeriu do të shfaqet. Njerëzit e rinj do të mbështeten njëkohësisht në arsyen dhe përvojën, por do t'i japin më shumë rëndësi ndërgjegjes dhe frymëzimit, ndonëse kanë vepruar po ashtu edhe në të shkuarën. Ata do të kërkojnë përsosjen në çdo gjë, vënien në ekuilibër të kësaj bote dhe asaj që vjen më pas, dhe do të bashkojnë zemrën me intelektin.
E ardhmja për këta njerëz nuk do të jetë e lehtë. Gjithë të porsalindurit janë të dhembshëm, por këta të bekuar do t'i japin botës një gjeneratë të re, të fuqishme dhe të ndritshme. Ashtu siç shiu fillon të bjerë nga retë e mbedhura ngadalë dhe uji buron nga nëntoka, po ashtu dhe "lulet" e gjeneratës së re do të shfaqen një ditë midis nesh.
Këta njerëz të rinj do të jenë të veçantë për nga ndershmëria, në mënyrë që, të çliruar nga influencat e jashtme, të mund të sillen të pavarur nga të tjerët. Asnjë forcë tokësore nuk do të jetë në gjendje t'i detyrojë ata dhe asnjë modernizëm nuk do të mund t'i shtyjë të shmangen nga udha e tyre. Të pavarur me të vërtetë nga çdo forcë tokësore, ata do të mendojnë dhe veprojnë lirisht, ndërkaq që liria e tyre do të jetë në proporcion të drejtë me robërinë tek Zoti, domethënë, sa më të robëruar ndaj Zotit, sa më të lidhur pas Tij, aq më të fuqishëm në personalitet, për rrjedhojë, më të lirë. Më tepër se një imitim i të tjerëve, ata do të mbështeten në forcën e tyre lëvizëse të veçantë e cila ka lëshuar rrënjë thellë në histori, dhe do të përpiqen t'i pajisin aftësitë gjykuese me vlerat e tyre autentike.
Ata do të mendojnë, hetojnë, besojnë dhe mbushen me kënaqësi shpirtërore. Ndërsa përfitojnë nga kushtet lehtësuese të ditëve të sotme, ata nuk do të lënë pas dore vlerat shpirtërore dhe tradicionale në ndërtesën e botës së tyre.
Nëse ndryshimet dhe reformat mbështeten në vlerat universale të përjetshme, ato mund të mirëpriten me padurim. Ndryshe, do të jenë thjesht fantazi spekuluese por që do të jenë tërheqëse për shkak të modernizmit dhe risisë së tyre. Duke qëndruar i patundur në këto vlera të përjetshme, njeriu i ri dëshiron të vështrojë gjithmonë të ardhmen dhe të ndriçojë errësirën që ka mbuluar botën.
Ata do të jenë plotësisht të besueshëm dhe të dhënë pas së vërtetës dhe në mbështetje të saj do të gjenden gjithkund, gjithmonë të gatshëm të lënë familjet dhe shtëpitë e tyre kur të jetë e nevojshme. Duke mos u dhënë pas kënaqësive tokësore, komoditetit ose luksit, por pas Zotit, ata do të punojnë për të mirën e njerëzimit dhe do të mbjellin farën për një të ardhme të lumtur. Atëherë, duke kërkuar vazhdimisht ndihmë dhe mbarësi nga Zoti, ata do të mbrojnë farërat e tyre nga dëmtimi, ashtu si një pulë mbron vezët e saj. E tërë jeta e tyre do t'i kushtohet rrugës së vërtetësisë.
Për të qëndruar vazhdimisht pranë dhe në komunikim me mendimet, zemrat dhe ndjenjat e popullit, njerëzit e rinj do të përdorin mjetet e komunikimit masiv dhe do të përpiqen të vënë një balancë të re për drejtësinë, dashurinë, respektin dhe barazinë mes njerëzve. Ata do ta bëjnë pushtetin të dobishëm për të drejtën dhe kurrë nuk do t'i diskriminojnë të tjerët për shkak të ngjyrës apo racës.
Njerëzit e rinj do të bashkojnë plotësisht vlerat morale dhe shpirtërore, dijet e ndryshme, gjykimet e shëndetshme, temperamentin shkencor dhe aktivizmin e matur. Kurrë nuk do të jenë të kënaqur me dijet e tyre, ata vazhdimisht do të jenë në kërkim të dijeve të reja, dije për veten, natyrën dhe për Zotin.
Të pajisur me virtytet dhe moralin që i ka bërë njerëz të vërtetë, njerëzit e rinj do të jenë vetmohues që e pranojnë dhe e përfshijnë njerëzimin me dashuri dhe janë gati të sakrifikojnë vetveten për të mirën e të tjerëve kur është e nevojshme. Siç e kanë modeluar vetveten në formën e virtyteve universale, në të njëjtën kohë përpiqen të ndriçojnë udhën për të tjerët. Ata do të mbrojnë dhe mbështesin gjithçka që është e mirë dhe e këshillueshme për të tjerët, ndërsa do të kërkojnë të sfidojnë, të ndeshen dhe të çrrënjosin të gjitha të këqijat.
Këta njerëz të rinj do të besojnë që i Gjithëfuqishmi u dha atyre jetë që ata të mund ta njohin dhe ta adhurojnë Atë. Pa bërë dallime midis librit të universit (ku Emrat Hyjnorë janë treguar dhe prandaj është i mbushur me provat dhe veprat e Tij që si një "shkallë" të dërgojnë tek Ai) dhe shkrimeve hyjnore (përkthimit të librit të universit), ata do ta shohin shkencën dhe fenë si dy manifestime të së njëjtës vërtetësi.
Ata nuk do të jenë kurrë reaksionarë. Ata nuk do të jenë në gjurmim të eventualiteteve, për ta do të jetë dinamizmi i historisë që i inicion dhe u jep trajtën eventualiteteve. Me një këndvështrim të drejtë për kohën në të cilën jetojnë dhe për kushtet që i rrethojnë, me përkushtimin ndaj vlerave esenciale të tyre dhe me besimin më të lartë tek Zoti, ata do të jenë në gjendje për të vazhduar vetëpërtëritjen.
Duke mposhtur veten e tyre, mendimet dhe zemrat e tyre si për ta po ashtu edhe për të tjerët, ata do të zbulojnë të panjohurën. Ata do ta vlerësojnë çdo kohë të humbur gjatë së cilës nuk kanë bërë hapa të rinj në thellësi të vetes dhe universit, si një dobësi të tyren. Siç ata largojnë, përmes besimit dhe dijeve, velin që mbulon pamjen e realitetit, po ashtu do të bëhen edhe më të etur për të përparuar më tutje. Me mesazhet dhe përgjigjet e dërguara nga qiejt, toka, dhe detrat, ata do të vazhdojnë të udhëtojnë deri sa të kthehen tek Krijuesi i tyre.
- Publikuar më .