Tolerance ne Jeten Individuale dhe Shoqerore

Tolerance ne Jeten Individuale dhe ShoqeroreMë së pari, dëshiroj t'ju them që toleranca nuk është diçka e zbuluar prej nesh. Toleranca u bë e njohur në këtë botë prej profetëve, të cilët ishin udhëzuar prej Zotit. Edhe nëse nuk është korrekte që t'ia atribuojmë tolerancën Zotit, Ai ka atributet që janë rrënjosur në tolerancë, si mirëkuptimi, mirëkuptimi për mëkatet, dhembshuria dhe mëshira për të gjitha krijesat dhe fshehja e mëkateve dhe gabimeve të të tjerëve. Më i Mëshirshmi, Më i Dhembshuri dhe Fshehësi më i Madh i Dobësive janë ndër lavdërimet më të shpeshta në emër të Zotit në Kur'an.

Epoka më e artë kur toleranca u shfaq në kulmin e saj, është “Epoka e Lumturisë”[1], dhe unë dëshiroj t'ju jap disa shembuj të vërtetë prej asaj periudhe historike, ndodhi që shtrihen në një linjë prej "kohës së trëndafilave" deri në ditët e sotme.

Një shembull mirëkuptimi

Siç është e ditur, në ngjarjen e shpifjes, hipokritët bënë akuza të rreme kundër Aishes, gruas së dëlirë të Profetit dhe nënës shpirtërore për të gjithë besimtarët. Aishja ka një vend të veçantë ndër gratë e nderuara të Profetit, sepse Profeti ishte burri i parë që ajo kishte parë kur ishte ndjerë grua. Në një moshë kur u bë plotësisht e ndërgjegjshme për pjekurinë e saj femërore, Aishja bëhet një pjesëtare e shtëpisë së thjeshtë të Profetit dhe vetëm frymëzohej në atmosferën e pastër e të nderuar. Aishja, një shembull i dëlirësisë, bëhet objekt i një fushate me shpifje të qëllimshme gjatë kësaj periudhe. Ajo, familja e saj dhe Profeti, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, vuajtën shumë prej kësaj shpifjeje, ndonëse ajeti i zbritur një muaj më vonë shpallte pafajësinë dhe pastërtinë e plotë të Aishes. Megjithatë, babai i saj Ebu Bekri, i cili e kishte ndihmuar financiarisht njërin prej atyre që ishin përfshirë në këtë shpifje, u betua të mos e mbështeste më këtë person. Por, ajeti që u revelua bënte me dije që miku më besnik i Profetit, Mbretit të Tolerancës, duhej të ishte më zemërbutë[2]. Ajeti thoshte:

Të ndershmit dhe të pasurit nga ju të mos betohen se nuk do t'u japin të afërmve, të varfërve dhe atyre që për hir të Allahut lanë vendlindjet e tyre, po le t'ua falin (gabimin) dhe mos t'ua zënë për të madhe. A nuk dëshironi që Allahu t'u falë ju? Allahu fal dhe mëshiron shumë! (en-Nur, 24:22)

Unë dua të tërheq vëmendjen tuaj në mënyrë të veçantë lidhur me shprehjen e fundit të këtij ajeti: A nuk dëshironi që Allahu t'u falë ju? Allahu fal dhe mëshiron shumë. Në të vërtetë, Zoti i Plotmëshirshëm, mëshira e të cilit është e pashoqe dhe çdo mirësi tjetër në botë e krahasuar me të është një pikë uji në oqean, vazhdimisht e fsheh veten dhe, me gjithë dobësitë tona, na mëshiron ne, mëshiron gjithçka, prej fjalëve të pahijshme që na hyjnë nga veshët dhe na errësojnë mendjen dhe shpirtin me ndyrësitë që vërshojnë prej universit dhe kundër shoqërisë që ne e kemi përdhosur. Pyetja e Tij, A nuk dëshironi që Allahu t'u falë ju? u drejtohet njerëzve si ne që kanë nevojë gjithmonë për pastrim, është shumë e bukur, e sinqertë dhe e denjë për krijesat e dëshiruara. Me domethënien e këtij ajeti, Zoti ka treguar që vetëm Ai na mëshiron ne, prandaj gjithashtu ne duhet të falim njëri-tjetrin për gabimet tona dhe ky është ilustrim për ne i një virtyti kur'anor në karakterin e Ebu Bekrit.

Mirëkuptimi dhe toleranca zënë një vend shumë të rëndësishëm në mesazhet për profetët, të cilat janë prej burimeve hyjnore. Një profet e ka për detyrë të mësojë dhe edukojë të tjerët. Në përputhje me vërtetësitë që ai është duke përçuar për të ndikuar në zemrat e të tjerëve, zemra e tij duhet të trokasë me mirëkuptim dhe tolerancë. Kur gabimet që janë rezultat i natyrës njerëzore, ndeshin në atmosferën tolerante të një njeriu me besim, ato davariten dhe treten si një meteor. Në vend që të shqyejmë kokën e ndonjërit, me burimin e ndriçimit, që ngjan me dritën e llampës në netët e kremtimit, do të qetësojmë sytë dhe sjellim gëzim në zemër. Siç e theksova më sipër, në të vërtetë një virtyt hyjnor i tillë propozohet në hadithin e Profetit tonë: "Merrni një virtyt prej Zotit."[3] Nuk mund t'i mëshirojë Zoti gjithmonë ata që e mohojnë Atë! Në planin kozmik, ky krim është i pafalshëm, vrasës dhe rebelues. Por vështroni pafundësinë e mirëkuptimit dhe faljes së Zotit. Me gjithë mosmirënjohjen e shërbëtorëve të Tij, Ai thotë:

Pa dyshim, mëshira ime i paraprin zemërimit tim![4]

dhe

Mëshira ime ka përfshirë të gjitha gjërat! (el-A'raf 7:156)

Me atributin e Tij të mëshirës, pa shfaqur ndonjë parapëlqim, Zoti i edukon dhe mbron të gjitha qeniet humane, madje të gjitha krijesat e gjalla, dhe vazhdon t'u japë ushqim edhe atyre që e mohojnë Atë.

Këtu është e mundur të vështrojmë të gjithë profetët me të njëjtën perspektivë dhe të japim disa shembuj prej të gjithë atyre, por po mjaftohemi duke treguar një pjesëz nga profeti Muhammed, thelbi i ekzistencës, paqja dhe bekimi qofshin mbi të!

Hamzai ishte njëri prej sahabeve, shokëve dhe bashkëpunëtorëve të Profetit, të cilin ai e deshi më shumë. Ai nuk ishte vetëm një bashkëpunëtor i zakonshëm, por ishte gjithashtu ungji i Profetit dhe ata ishin ushqyer të dy nga e njëjta mëndeshë. Duke mposhtur krenarinë dhe privilegjet e tij, ky kolos me zemër luani hyri në atmosferën shpirtërore të Krenarisë së Njerëzimit, paqja dhe bekimi qofshin mbi të! Duke mbështetur nipin e tij dhe duke deklaruar "unë jam me ty" në një kohë kritike kur muslimanët ishin të pakët në numër, lartësoi vlerat e tij të shumta. Në këtë mënyrë, nga demonstrimi i cilësive për natyrën e tij të mbyllur në planin shpirtëror si edhe në planin fizik, ai ishte në gjendje të arrinte në lartësitë që dukeshin më të paarritshme për nga madhështia. Sigurisht, devotshmëria e këtij heroi të madh u shpërblye nga Profeti. Ai u martirizua një ditë ndërsa ishte duke luftuar në Uhud, nga vrasësit e etur për gjak që ishin betuar të bastisnin Medinën dhe të vrisnin të gjithë burrat e gratë. Hamzai ishte gjendur në mes të vrasësve të cilët me duart, sytë dhe mendjet e gjakosura, e kishin bërë copa copa. Sytë e tij të shenjtë i ishin nxjerrë jashtë, gjuha dhe veshët i ishin prerë, gjoksin ia kishin çarë dhe mëlçia i ishte shqyer. I Dërguari i Zotit, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, kraharori i të cilit ishte plot dhembshuri dhe mëshirë, vështronte këtë skenë tronditëse dhe sytë iu mbushën me lot si retë me shi. Shtatëdhjetë dëshmorë ranë në betejën e Uhudit - dyfish ishte numri i të plagosurve - gra që kishin mbetur të veja dhe fëmijë të mbetur jetimë. Kur ai vështronte këtë pamje me dhembshurinë e një profeti, ishte pothuajse e padurueshme. Fëmijët e Hamzait dhe të martirëve të tjerë u shfaqën para Profetit duke u dridhur si zogjtë që porsa kanë dalë nga veza. Siç tregohet në veprat biografike të tij, mendimi “për shpagimin e asaj që kishin bërë armiqtë” që i kishte përshkuar mendjen, u ndoq nga ajeti i reveluar:

Në qoftë se doni të merrni hak, atëherë ndëshkoni në atë masë sa jeni ndëshkuar ju e, nëse duroni, pa dyshim ai është më i mirë për ata që durojnë. (el-Nahl, 16:126)

Ky ajet i adresohej Profetit në përputhje me nivelin e tij të të kuptuarit, me fjalë të tjera i ishte thënë, "Ti nuk duhet të kesh mendime të tilla." Ky diell i zemërbutësisë dhe tolerancës, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, groposi dhembjen në kraharorin e tij dhe zgjodhi rrugën e durimit.

Në të vërtetë, Profeti e ndërthuri tërësisht jetën e tij, jo vetëm për një moment, me tolerancë. Politeistët nuk kursyen torturë dhe mundim pa provuar mbi të. Ata e dëbuan nga atdheu i tij, krijuan ushtri dhe e sulmuan atë. Por menjëherë pas pushtimit të Mekës, kur paganët po prisnin me padurim të shihnin si do të silleshin me ta, si një provë për dhembshurinë dhe mëshirën e pakufishme të tij, Profeti u tha:

Po ju flas siç u foli Jozefi vëllezërve të tij: Nuk ka qortim për ju sot (për aktet e mëparshme)! Zoti do t'ju falë! Ai është më i Mëshirshmi i të Mëshirshmëve! Shkoni, jeni të lirë![5]

Kur'ani është burimi për zemërbutësinë dhe tolerancën dhe sepse këto koncepte kanë vërshuar tek ne si një lumë prej Prurësit të Kur'anit, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, ne nuk mund të kemi një mendim të ndryshëm në këtë kontekst. Çdo ide e kundërt synon që ne të mos e njohim Kur'anin dhe të Dërguarin e Zotit. Nga kjo perspektivë, pse toleranca rrjedh nga Kur'ani dhe Sunneti, është një virtyt i natyrshëm i muslimanëve dhe, meqë rrjedh prej tyre, është e qëndrueshme. Marrëveshja[6] që i Dërguari i Zotit u propozoi të krishterëve dhe çifutëve meriton me të vërtetë vëmendje. Krahasuar me parimet që ushtroi Profeti ynë, njerëzimi sot nuk e ka arritur nivelin e tij as me deklaratat për të drejtat e njeriut që nxirren në Hagë, Strasburg apo Helsinki. Ky njeri me vetëpërmbajtje të madhe jetoi së bashku me të krishterët dhe çifutët në Medine. Në të vërtetë, ai ishte ende në gjendje të gjente aspekte për mirëkuptim me shpirtrat e errët që edhe pse deklaronin "ne jemi muslimanë," vazhdimisht nxisnin ngado grindje dhe përpiqeshin të vinin në lojë njerëzit me ndërgjegje të pastër kundër të tjerëve. Ai komunikonte me ta me synimin për vetëpërmbajtje. Me vdekjen e Abdullah ibn Ubajt, i cili kishte qenë një kundërshtar i përjetshëm i tij, Profeti madje dha këmishën për t'u përdorur si qefin në varrimin e tij. Duke thënë, "për sa kohë nuk është zbuluar kërcënim për mua, unë do të kujdesem për funeralin e tij,"[7] ai shfaqi respektin e tij për të vdekurin. Nuk ka mesazh të ngjashëm apo të njëjtë me mesazhin e dhënë nga Profeti Muhammed për njerëzimin. Në këtë mënyrë, nuk është e mundur për ata që përpiqen dhe ndjekin "Shembullin më të Bukur" të mendojnë ndryshe nga ç'ka menduar ai.

Në këtë vlerësim, është e pamundur të mendojmë për tolerancën si diçka që është e shkëputur nga ne, si një ngjyrë dhe ton i ndryshëm për ndjenjat dhe mendimet tona. Prej kësaj kohe duhet të jenë shfaqur platformat e tolerancës në shoqërinë tonë. Toleranca duhet të jetë shpërblyer, duke i dhënë përparësi në çdo rast, dhe ata që u sollën me mirëkuptim ndaj të tjerëve, duhet të kenë një mundësi të shfaqin veten.

Shpërblimet e tolerancës

Duke u tubuar rreth këtyre ndjenjave dhe ideve, Fondacioni i Gazetarëve dhe Shkrimtarëve formoi një këshill dhe kohët e fundit u dha çmime për tolerancën njerëzve të cilët qenë dalluar duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për harmoninë shoqërore. Ky aksion pati mbështetjen e pothuajse çdo segmenti të shoqërisë, nga politikanët dhe artistët, nga akademikët dhe gazetarët, nga shkrimtarët dhe njerëzit në rrugë. Sigurisht, një pjesë e parëndësishme që nuk ishte renditur në krah të këtij aktiviteti, për arsye të botëkuptimit të tyre të ndryshëm, shprehu pakënaqësinë për të, ndërkohë që çdo njeri e kishte përkrahur atë. Ata bënë gabim duke akuzuar individët dhe institucionet që i thanë po këtij konsensusi. Por le t'i lëmë të thonë çfarë të duan. Në një kohë kur bota është bërë si një fshat i madh dhe në një moment kur shoqëria jonë është në prag të një ndryshimi dhe transformimi të rëndësishëm, nëse ne jemi duke biseduar rreth dialogut me popujt e tjerë, atëherë nuk do të jetë e mundur të shpjegojmë plotësisht mosmarrëveshjet me njëri-tjetrin. Në këtë këndvështrim, toleranca është virtyt që ka nevojë të shpërblehet dhe për këtë arsye, toleranca duhet të depërtojë në të gjithë shoqërinë. Aq shumë sa universitetet duhet të frymëzojnë tolerancë, politikanët duhet të diskutojnë rreth tolerancës, popujt në muzikën botërore duhet të shkruajnë lirika për tolerancën dhe mjetet e komunikimit masiv duhet të japin mbështetje për zhvillimet pozitive lidhur me tolerancën.

Tolerancë nuk do të thotë të jesh i ndikuar ose i lidhur me të tjerët, por t'i pranosh të tjerët siç janë dhe të dish si të ecësh përpara me ta. Askush nuk ka të drejtë të shprehë diçka rreth këtij aspekti të tolerancës, gjithsecili në këtë vend ka këndvështrimin e tij. Njerëzit me mendime dhe qëllime të ndryshme ose do të kërkojnë rrugët për të ecur përpara me synimin për harmoni, ose do të luftojnë vazhdimisht me njëri-tjetrin. Gjithmonë ka pasur njerëz që mendojnë ndryshe nga njëri-tjetri dhe kështu do të jetë përherë. Unë nuk mendoj se ata njerëz që janë zëdhënës të ca grupimeve të papërfillshme, që as pranojnë dërgimin e shkrimeve hyjnore të Zotit, as realitetin e sotëm, dhe që fillojnë të përleshen për diçka të parëndësishme, do të rishikojnë pozicionin e tyre edhe njëherë. A janë duke pretenduar ata për hir të vlerave humane, apo për hir të shkatërrimit të vlerave humane?

Sot, më tepër se për çdo gjë tjetër, shoqëria jonë ka nevojë për tolerancë. Në të vërtetë, populli ynë duhet të mbështetet tek kjo forcë lëvizëse duke i dhënë përparësi asaj, duhet të shfaqë tolerancën në botë sepse paraardhësit tanë të lavdishëm pushtuan zemrat e njerëzve me synimin për tolerancë dhe u bënë mbrojtësit e paqes së përgjithshme. Periudha më e gjatë e paqes në Ballkan dhe në Lindjen e Mesme, që kanë qenë gjithmonë arenë përleshjesh, u arrit me tolerancën e përhershme të të parëve tanë. Nga momenti që toleranca dhe përfaqësuesit e mëdhenj të saj e lëshuan historinë, ky rajon u zbraz nga paqja dhe kënaqësitë. Me mirënjohje për mirësitë e Zotit, pas disa shekujsh jete në harresë, ky komb i madh ka filluar të hedhë hapa drejt përtëritjes. Ky "rrap" i madh, gjethet e të cilit kanë filluar të bien në Anadoll, me dëshirën dhe zemërgjerësinë e Zotit, duhet edhe një herë tjetër të frymëzohet vetë me tolerancë dhe të mësojë të tjerët të thithin tolerancë.

Në të njëjtën kohë, bashkëkombasit tanë në Europë mund të jetojnë në harmoni në këto vende vetëm nëse ata i lënë një hapësirë të pakufishme tolerancës.

Këtu, unë dua të theksoj një moment. Të pranosh tolerancën, nuk do të thotë të anashkalosh traditat që burojnë nga feja jonë, nga populli ynë, nga historia jonë, toleranca është virtyt që ka ekzistuar gjithmonë. Otomanët ishin besnikë të fesë së tyre dhe të vlerave të tjera dhe, në të njëjtën kohë, ata ishin një komb i madh që mund të ecnin përpara së bashku me popujt e tjerë. Nëse njerëzit sot, që janë civilizuar, ndriçuar, dhe hapur ndaj botës, nuk e shohin me realizëm dhe thellësi periudhën e shkuar, do të thotë që ata nuk e kanë kuptuar këtë kohë. Në këtë vlerësim, si individë, si familjarë dhe si një shoqëri, ne do ta përshpejtojmë këtë proces që tashmë ka filluar. Unë personalisht besoj që njerëzit që nuk ndajnë të njëjtin mendim apo që nuk ndjejnë të njëjtën gjë si ne, do të ndryshojnë kur ne të kujdesemi për ta. Atëherë, në emër të dialogut ne mund të bashkohemi në tokën e përbashkët dhe të shtrëngojmë duart me të gjithë. Kjo është arsyeja pse gjërave që Zoti u dha më shumë vlera janë krijesat njerëzore, dashuria dhe mëshira.

Vlerat që i Dërguari i Zotit i dha njerëzimit

Më shumë se çdo gjë tjetër, me udhëzimet që kishte marrë nga Zoti i tij, profeti Muhammed, Krenaria e Njerëzimit, vlerësonte çdo krijesë njerëzore, pa asnjë paragjykim nëse personi ishte një musliman, krishter ose çifut. Përpara se ta përfundoj këtë temë, do të ishte me interes të kuptonim se çfarë cilësish zotëronte ai për të qenë një njeri vizionar, largpamës. Ai ishte Krenaria e Njerëzimit, shpirti i tij ishte fillimi i librit të ekzistencës dhe mesazhi i tij ishte fundi. Kjo është e qartë për ata që e njohin misionin e Profetit. Ne e njohim atë si një prej atyre që mund të kenë vëzhguar ndriçimin e universit dhe ta kenë studiuar si një libër. Ndonëse shumë njerëz, ndjekësit e Profetit në veçanti, ndjehen krenarë në jetën e tyre me Profetin e Mëshirës, kjo nuk është e mjaftueshme, sado që kush dashurohet me të shprehet se sa fat ka që është bashkuar me të. Në të vërtetë, lidhur me bekimin e lartë që ka marrë, i Dërguari i Zotit thotë:

 Gjëja e parë që Zoti krijoi - fara e parë që ishte mbjellë në gjirin

 e mosekzistencës - ishte drita ime![8]

Kjo është e vërtetë sepse ai ishte fara, esenca dhe ngrohtësia e ekzistencës. Nëse ne shprehim të njëjtin sentiment por me termat e sufizmit, ekzistenca e Muhammedit ishte shkaku për krijim dhe qëllimi i tij final. Ekzistenca ishte krijuar për të që ai të ishte në gjendje të shfaqej në të si personifikim për të gjitha vlerat humane dhe si një teatër në të cilin të gjithë treguesit për emrat e Zotit do të ishin të qartë.

Siç e kam përmendur herë të tjera në kontekste të ndryshme, Krenaria e Njerëzimit, shkaku i krijimit dhe Princi i Profetëve, një ditë ishte çuar në këmbë ndërsa kalonte funerali i një çifuti. Një prej bashkëpunëtorëve që gjendej në krah të tij i pëshpëriti, "O i Dërguari i Zotit, është një çifut!" Me të njëjtin qëndrim dhe pa ndryshuar shprehjen e fytyrës, Princi i Profetëve dha këtë përgjigje: "Por është një krijesë njerëzore!"[9] Sa kuptimplotë është ky gjest i Profetit për ndjekësit e tij që nuk e njohin atë në këto dimensione dhe për avokatët e të drejtave të njeriut të cilët janë të painformuar për mesazhin universal që ai solli në emër të njerëzimit! Nuk kam asgjë për t'u shtuar këtyre fjalëve, por nëse jemi nxënësit e Profetit të lavdishëm që shqiptoi këtë frazë, është e pamundur që ne të mendojmë sadopak ndryshe. Kështu, ky shembull do të jetë në dobi të atyre që kundërshtojnë aktivitetet e fundit në emër të dialogut dhe tolerancës për të rishikuar pozicionin kontradiktor ose kryeneçësinë që ka depërtuar në personalitetin dhe shpirtin e tyre.

Toleranca dhe demokracia

Demokracia është një sistem që i jep mundësinë çdokujt që gjendet në krahët e saj të jetojë dhe punojë duke shfaqur ndjenjat dhe mendimet e tij. Toleranca është një komponent i rëndësishëm i saj. Në fakt, nuk mund të flitet për demokraci në një vend ku toleranca nuk ekziston. Por le të shohim ata që në njërën anë flasin për demokraci dhe në anën tjetër duan që burimi i cili e frymëzon atë, të shterojë. Në një vend demokratik gjithsecili duhet të jetë në gjendje të marrë përgjegjësitë dhe të drejtat që i takojnë. Nëse një segment i shoqërisë bëhet pengesë për ekzistencën e një segmenti tjetër, atëherë është e qartë që ata të cilët përbëjnë rrezik për komunitetin nuk janë të sinqertë dhe kjo është më e pakta në pretendimin e tyre "ne jemi demokratë dhe e mbështesim demokracinë." Siç e theksova më sipër, nuk është e mundur që demokracia të zhvillohet në një vend ku mungon toleranca. Në të vërtetë, avokatët e demokracisë duhet të jenë të aftë t'i pranojnë edhe ata që nuk ndajnë të njëjtin vizion me ta dhe të hapin zemrat e tyre për të tjerët. Eshtë e rëndësishme që ne ta theksojmë këtë moment. Duke i pranuar të gjithë njerëzit siç janë, pa pyetur cilët janë, nuk kemi qëllim të vëmë një shenjë barazimi mes besimtarëve dhe jobesimtarëve. Në përputhje me këndvështrimin tonë, pozicioni i besimtarëve dhe jobesimtarëve ka vlerat e veta specifike. Krenaria e Njerëzimit ka një vend të posaçëm në zemrat tona, përpara dhe të ndarë prej gjithë të tjerëve. Lidhur me këtë pikë, dëshiroj t'u tregoj për përjetimet e mia. Pasi u ktheva nga një vizitë në vendin ku prehet Profeti ynë, isha shumë i brengosur që nuk kisha vdekur atje. Unë mendoja që nëse e doja atë me të vërtetë, atëherë duhet të kacaviresha në kangjellat e hekurta dhe të vdisja në vend. Që nga ajo ditë, kam menduar që lidhja ime me Profetin ishte e fuqishme. Sigurisht, ai ka një vend shumë të madh në zemrat tona, dhe nuk dëshirojmë që ndokush ta dëmtojë këtë dashuri në ndonjë mënyrë, por unë ende mendoj që ndjenjat e mia për të janë aq të forta, sa nuk mund të më ndalojnë për të dialoguar me dikë që nuk ka të njëjtin mendim dhe besim me mua.

Toleranca dhe e ardhmja

Edhe nëse kemi ide dhe mendime të ndryshme, jemi pjesëtarë të kësaj shoqërie. Akoma ne mendojmë që nuk mund të arrijmë në konkluzione të përbashkëta për shumë çështje, megjithëse të gjithë jetojmë në këtë botë dhe udhëtojmë në të njëjtën anije. Në këtë kontekst, ka shumë gjëra të përbashkëta që janë diskutuar dhe formuluar me njerëzit nga çdo pjesë e shoqërisë.

Pa dyshim, koha do ta qartësojë gjithçka dhe do të provojë që ata të cilët nisën të orientohen duke u bazuar në tolerancën, kishin të drejtë. Përsëri, koha do t'i asimilojë ndjenjat dhe mendimet ziliqare dhe hakmarrëse. Vetëm synimet që i ka pushtuar dashuria, mirëkuptimi, toleranca, dhe dialogu, do të përparojnë. Popujt me tolerancë do të ndërtojnë një botë të bazuar në tolerancën. Ata që nuk e njohin tolerancën, do të notojnë në ligësinë, urrejtjen, dhe zemërimin e tyre në të mirë të intolerancës. Unë dëshiroj që këta njerëz të hapin sytë për të mos u mbytur në moçalin ku kanë rënë. Ose përndryshe, ne do të lotojmë për fatkeqësinë e tyre. Unë tashmë po ndjej keqardhje dhe jam shumë i dëshpëruar për ta!


[1] Koha në të gjallë të profetit Muhammed.

[2] Buhari, Shehade, 15:30; Muslim, Tevbe, 56.

[3] Mansur Ali Nasif, et-Taxh, 1:13.

[4] Buhari, Tevhid, 15, 22, 28, 55; Bediu'l-Halk, 1; Muslim, Tevbe, 14 (2751); Tirmidhi, Davaat, 109 (3537).

[5] Ibni Ethir, Usd el-Gabe, I, 528-532.

[6] Teksti origjinal gjendet sot në Angli.

[7] Buhari, Xhenaiz, 85; Tefsir, el-Bakara, 12; Muslim, Fedailu's-Sahabe, 25.

[8] Axhluni, Keshf'u'l-Hafa, I, 266.

[9] Buhari, Xhenaiz, 50; Muslim, Xhenaiz, 81; Nesai, Xhenaiz, 46.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.