Toleranca dhe Bujaria

Toleranca dhe BujariaHapja çdokujt zemrën sa mund t'ia hapësh, le të jetë si oqean! Tërhiqu me besim dhe për njeriun dashuri ndje, të mos mbetet zemër e dëshpëruar që s'u interesove për të e s'ia zgjate dorën!

Brohoriti të mirët për të mirat dhe, ndaj zemrave që kanë besuar, bëhu bujar! Mosbesuesve iu afro aq butë sa neveritë e urrejtjet t'u treten e shkojnë e ti, në frymëmarrjet e tua, gjithmonë një Mesih u bëj!..

Në marrëdhëniet me qiejt në më të shumëngjyrëshmen e rrugëve e me më të spikaturën e fjalëve, mos harro se ndodhesh pas Udhërrëfyesit të Lartë![1] Mos harro dhe, duke menduar për ata që nuk zotërojnë as dhe njërën prej këtyre veçorive, bëhu i matur!

Përgjigjju të keqes me të mirë, sjelljeve të pahijshme ndaj teje mos ua var! Çdo njeri, me sjelljet e veta, me karakterin e vet reflekton. Ti zgjidh rrugën e tolerancës dhe mirëkuptimit dhe, përballë atyre që s'dinë se ç'është tradita dhe edukata, tregohu bujar!

Ta duash dashurinë dhe të jesh armik i armiqësisë, është karakteristika më e spikatur e një zemre që ngazëllen me besim. Kurse urrejtja për çdo njeri është ose lëshim i zemrës djallit, ose një vepër marrëzie. Ti duaje njeriun, mahnitu pas njerëzores!

Duhet të ruhesh që qoftë edhe një herë të vetme të mos biesh nën pushtetin e egos, sepse, sipas saj, të gjithë njerëzit përveç teje janë mëkatarë dhe çdo individ është një i pafat! Dhe kjo, për atë më fjalëdrejtin, do të thotë shkatërrim i personit! Ti ji mjaft i ashpër me egon tënde, kurse me të tjerët, më i buti i të butëve!

Tregohu i vëmendshëm ndaj sjelljeve e veprimeve që të bëjnë t'i duash të tjerët e që i tregojnë ata të dashur para syve të tu! Mos harro se të njëjtat gjëra mund të bëhen pretekst që edhe ti të pëlqehesh e të duhesh nga të tjerët. Sillu gjithmonë si njeri dhe i mëshirshëm ji!

Duke pranuar si etalon trajtimin që të bën Zoti ty, edhe ti ashtu duhet të sillesh ndaj popullit. Atëherë ke për të qenë bashkë me Zotin mes njerëzve dhe ke për të shpëtuar nga egërsia e të dy vetmive![2]

Se ç'je para Zotit, mund ta vlerësosh me anë të vendit që i ke veçuar Atij në zemër, kurse se ç'pozitë ke mes popullit, duke e peshuar dhe matur me qëndrimet e tua. Mos u shkëput nga Zoti qoftë edhe për një çast dhe, mes njerëzve, njëri prej tyre bëhu!

Në qoftë se në shpirt të ka zënë vend mirë ideja se njerëzit që besojnë mund të të bëjnë keq, dije se kjo është një mungesë aftësie gjykimi dhe e rrjedhur prej mangësisë së mendjes, prej dobësisë ndaj një egoje, si dhe prej mjerimit shpirtëror! Dhe menjëherë iu drejto një hyjnori që do të ta ngrinte zemrën peshë e do të ta përlotte syrin!

Shkurt, për ta mbrojtur dashurinë dhe konsideratën tënde mes njerëzve, duaj për hir të Zotit, urrej për hir të Zotit dhe bëhu një njeri me zemrën të hapur ndaj Tij!


* Këto aforizma e kanë origjinalin në veprën Olcu veya Yoldaki Isiklar përkthyer në shqip me titullin Kriteret ose dritat e rrugës, Prizmi, Tiranë, 2003, f. 115-117.

[1] Eshtë fjala për profetin Muhammed.

[2] Vetmia larg njerëzve dhe vetmia larg Zotit.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.