• Home
  • Nga Media
  • Simpozium
  • Dialogu Kulturor Ndërfetar në Perspektivën e Paqes Sociale; Rasti Shqiptar si Vlerë Pozitive

Dialogu Kulturor Ndërfetar në Perspektivën e Paqes Sociale; Rasti Shqiptar si Vlerë Pozitive

Dhëmshuria është fillimi i qenies, pa të gjithçka është kaos. Gjithçka ka ardhur në ekzistencë përmes dhëmshurisë dhe përmes dhëmshurisë vazhdon të ekzistojë në harmoni… Gjithçka flet për dhemshuri dhe premton dhemshuri. Për këtë, universi mund të konsiderohet një simfoni e dhemshurisë. Të gjitha llojet e zërave shpallin dhëmshurinë, kështu që është e pamundur  për të mos e njohur dhe e pamundur të mos ndjehet mëshira e gjerë që rrethon gjithçka. Sa të pafatë janë shpirtërat që nuk e perceptojnë këtë… Njeriu ka një përgjegjësi për të treguar dhemshuri për të gjitha qeniet e gjalla, si një kërkesë e qenies njerëzore. Sa më shumë dhemshuri që të tregojë, aq më i lartë bëhet, ndërsa sa më shumë që t’i drejtohet të keqes, shtypjes dhe egërsisë, aq më shomë  rrënohet dhe poshtërohet, duke u bërë turpi i njerëzimit.

Fethullah Gylen

Në viete ’60, specialistët dhe ekspertët flisnin për lëvizjet etno – nacionale. Sot, duket se është identiteti fetar që po mbështjell gjithçka; perëndimi judeo – kristian, bota myslimane ose arabo – myslimane, Jeruzalemi si kryeqyteti “i përjetshëm”, i shtetit të Izraelit, Meka, Roma, në mënyrë paqësore ose të dhunshme, janë bërë vendet më të dukshme dhe vendet që tërheqin vëmendjen dhe njerëzit. Por, edhe Moska, Athina dhe Beogradi, qendrat jetësore të kishës orthodokse të ripërtëritur pas rënies së komunizmit, po zenë gjithnjë e më tepër vend në tregun mediatik. Në këtë dekor përfshihen edhe grupet evangjeliste. Vizitat spektakolare të papës Gjon Pali II, vdekja dhe funerali i tij, u bënë ngjarje mediatike ndëkombëtare.

Edhe kontinenti aziatik nuk mbetet më mbrapa. Zgjimi i fesë hinduiste në Indinë laike u shoqërua me masakra të përgjakshme ndërmjet myslimanëve dhe hinduistëve, luftime të përgjakshme në Kashmir nën emrin e fesë, mbrapa të cilave qëndrojnë Pakistani dhe India, atentate terroriste në Indonezi; Dalai Lama, kryetari shpirtëror i Tibetit, gjithmonë në emigrim, është bërë personazh mediatik ndërkombëtar.

Këtij dekori mund t’i shtojmë edhe atë ballkanik, sidomos me ngjarjet në Bosnjë. Kësaj serie ngjarjesh të përgjakshme, i shtohet edhe ai i Afganistanit dhe talebanëve, Iraku dhe, më në sfond ngrihet figura e Bin Ladenit.

Megjithatë dekori i botës, gjysëm shekulli pë parë nuk ishte ai i fesë. Zoti nuk mirrte pjesë në përcaktimin e dekorit. Atëherë, si ndryshoi kaq befas dekori i botës ku ne jetojmë? Si u bë i mundur ky ndryshim? Pak kohë më parë bota njohu suksesin e veprës së politologut amerikan Frensis Fukujama mbi triumfin e sistemit demokratik. Një vit më pas, një tjetër politolog amerikan foli për “përplasjen e qytetërimeve” (e kuptuar kryesisht si përplasje fesh). A mos po jetojmë një kohë që Zhil Kepel e quante “revanshi i Zotit”[1]? Përtej këtij dekori, a nuk do të ishte më mirë që shikojmë jetën reale të shoqërive? Në qoftë se ideologjitë e mëparshme na mbanin në mashtrim, diskutimet e sotme mbi Zotin, kthimin e fetarisë, identitetet tona, a mund të ndikojnë në paqen sociale dhe të na mbajnë në mashtrim për njohjen e realitetit? Apo jetojmë një politikë të përgjegjshme, apo kemi një thirrje hipokrite ndaj të shenjtës për qëllime të vogla pushtetmbajtëse?

Të gjitha fetë, nga natyra e tyre doktrinare, predikojnë dashurinë, tolerancën dhe paqen. Nuk është e vështirë të gjenden në librat e shenjtë maksimë dhe parabola mbi këto vlera. Megjithatë, në realitet, anëtarët e një grupimi fetar përbuzin pasuesit e një feje tjetër. Edhe ata që bazohen në librat e shenjtë – ose mësojnë paqen, dashurinë dhe tolerancën – shpesh i kthehen urrejtjes nën parrullat e një “çështje të mirë”, “të drejtë” apo “fisnike”. Si është e mundur një gjë e tillë?

Një poet romantik I shek. XIX shkruante se “zemra e njeriut është endur me urrejtje”. Sigurisht, ne mund të mos biem dakort me një vizion poetik të zemrës njerëzore, por duket se, duke marrë parasysh dekorin e mësipërm, ai ka patur të drejtë. Megjithatë, shumë kohë më parë Ovidi, poet tjetër latin, kishte shkruar se “Njeriu e do të mirën, e kërkon të mirën, por në realitet bën të keqen».

Sigurisht, urrejtja nuk është pronë e fesë. Urrejtja prek edhe fusha të tjera. Ajo ka të bëjë edhe me qytetarët e një vendi që urrejnë ata të një vendi tjetër, aq e dukshme në pikat kufitare të rajonit tonë. Të gjitha shembujt që mund të sjellim, dhe këto janë të shumta edhe në jetën tonë të përditshme, shtrojnë pyetjet; përse provojmë ne, në mënyrë spontane, një përbuzje për ata që janë të ndryshëm nga ne? Nga vjen kjo ndjenjë distancimi? A buron kjo nga zemra e njeriut? Është plotësisht e mundur, gjë që e bëri Bertrand Rasellin të pyeste: “Pse ështe më e lehtë që të nxitet urrejtja se sa simpatia?”.

Në fakt, urrejtja ushqehet edhe nga ndjenja të tjera, si frika, pasiguria, pakënaqësia, padrejtësia. Kësaj i shtohet edhe prirja që kanë njerëzit për të besuar në një fajësi kolektive me të gjitha pasojat negative që tërheq pas vetes. Në historinë njerëzore gjejmë shumë shembuj të njerëzve të tradhëtuar që kanë kërkuar të hakmerren duke mos u marrë me vetë tradhëtarin, por me anëtarët e familjes, të grupit të tij etnik, të fisit, të vendit të tij, ose të fesë së tij. Po kështu, shpesh, justifikohen aktet terroriste duke i bërë thirrje fajësisë dhe përgjegjësisë kolektive. Sigurisht, urrejtja fetare nuk është e vetmja formë e urrejtjes, por, meqë pranohet se feja duhet të ketë pronë të saj dashurinë dhe tolerancën, ne biem dakort se urrejtja fetare është tepër revoltuese.

Sigurisht, faktori fetar luan një rol të madh në shumë akte trroriste, por dhuna e motivuar nga feja nuk ka filluar me atentatet terroriste të këtyre viteve të fundit dhe ajo shfaqet edhe në shumë forma të tjera. Sot diskutohet shumë mbi marrëdhëniet ndërmjet fesë dhe politikës, fesë dhe dhunës dhe shtrohet çështja nëse fetë janë në gjendje të jetojnë në paqe. Si shpjegohet që feja mbetet ende një nga shkaqet e dhunës dhe si mund të ndikojnë besimtarët në krijimin e paqes?

Flitet shumë për një instrumentalizim të fesë për qëllime politike. Fetë, në çdo kohë, mund ta shtojnë zjarrin e konflikteve që kanë shkaqe krejt të tjera – politike, sociale, ekonomike etj. Luftërat e viteve ’90 në ish Jugosllavi janë një ilustrim tragjk se si mund të përdoret feja në një konflikt për interesa etno – politike. Pa u ndalur në këtë çështje, që ëshëtë trajtuar gjatë, megjithatë mbetet çështja nëse fetë janë vërtet paqësore dhe nëse janë politikanë pa skrupuj dhe fanatikë të verbër që e instrumentalizojnë atë për qëllime politike. Por, a duhet ta lerë veten feja që të instrumentalizohet? Pse ndodh që feja arrin të instrumentalizohet në një mënyrë kaq të tmerrshme?

Sepse bindjet fetare mund, fare lehtë, të integrohen me çfardo objektivi duke i dhënë një thellësi të veçantë dhe një dimension të shenjtë. Për shumë njerëz, besimi përbën një pikë të rëndësishme referimi për jetën; ajo jep përgjigje për çdo gjë dhe i jep individit një ndjenjë sigurie. Ngandonjëherë ndodh që njerëzit të manipulohen në një mënyrë të tillë, sa ata një konflikt politik ose social nuk e konsiderojnë si të tillë, por më shumë si një luftë ku janë vënë në lojë vlerat themelore të jetës dhe të Zotit; kështu, një problemi të kulluar material i atribohet një rëndësi shpirtërore dhe konflikti “fanatizohet”. Paradigma logjike ëshrë e thjeshtë; “Në qoftë se Zoti është me ne”, logjikisht ai nuk mund të jetë me të tjerët. Pra, ata që janë kundër nesh i përkasin “Mbretërisë së të keqes”. Për pasojë, është e urdhëruar nga Zoti dhe të gjitha mjetet janë të mira për të mundur të “Keqen”. Të shtosh një përmasë fetare dhe morale në konfliktet e pastra politike dhe të kontribosh në përhapjen e një një vizioni të thjeshtëzuar të një bote ku gjithçka është krejt e zezë ose krejt e bardhë, pa gri, pa nuanca, përbën një rrezik real për paqen. Në këtë rast, nuk duhet të habitemi që egërsitë më të këqia shtohen nën emrin e fesë, dhe as që drejtuesit politikë dhe demagogët që edhe nuk besojnë, e përdorin fenë për të arritur qëllimet e tyre politike.

Këtu mund të shtojmë edhe kultin e martirëve dhe atentatet vetvrasëse që janë bërë, pothuajse, një fenomen masiv, veçanërisht në Irak. Të sakrifikosh jetën për një ide, fetare ose jo, mund të përfaqësojë një formë të fanatizmit për një rast të izoluar, por mund të cilësohet edhe si një akt fisnik në qoftë se ka të bëjë vetëm me personin që e kryen aktin. Martirë, si teologu protestant Ditrih Bonhofer, në Gjermaninë naziste, ose peshkopi katolik Oskar Romero, në Salvador, me të drejtë janë konsideruar si shembuj të admirueshëm, sepse ata vdiqën për të tjerët dhe nuk ishin të dhunshëm. Por, qëllimi i sakrificës mund të devijojë fare lehtë në disa raste. Nuk bëhet më fjalë për humbjen e jetës, por për ta përdorur vdekjen për të shkaktuar vdekje të tjera, sigurisht nën një qëllim të madh, madje edhe në emër të Zotit, të shoqëruar edhe me tërë terminologjinë dhe simbolikën fetare. Atëherë martiri bëhet autor i një atentati vetvrasës ose “kamikaz”. Edhe etimologjia e këtij termi është interesante, sepse është e lidhur me fenë; “kami” përfaqëson nocionin e hyjnisë sipës shintoizmit japonez dhe fjala “kamikaze” nënkupton “erë hyjnore”. Edhe koha jonë e tashme është e mbushur me shembuj të kësaj natyre. Këto tregojnë se sa e lehtë është që të instrumentalizohet feja për të nxitur dhunën kundër tjetrit, jo vetëm në nivel kolektiv, por edhe individual.

Në studimet aktuale mbi strategjinë e paqes, bëhet një dallim ndërmjet dhunës direkte dhe dhunës strukturore. Dhuna “direkte” ose “personale” bëhet nga persona të identifikueshëm kundër personave të tjerë. “Dhuna strukturore” gjenerohet nga rrethanat, prandaj ka edhe shkaqe strukturore. Padrejtësia ekonomike botërore, për shembull, mund të përbëjë  një formë të dhunës strukturore. Fetë, gjithmonë, u janë drejtuar të dy këtyre tipeve të dhunës. Edhe sot hasen bashkësi fetare që shprehin forma të dhunës strukturore, për shembull, ndaj grave.

Por, përveç këtyre dy tipeve të dhunës flitet edhe për një përmasë të tretë të saj; dhuna kulturore. Këtu kemi të bëjmë me disa aspekte të kulturës që kanë të bëjnë me sferën simbolike të ekzistencës sonë – që shprehet nga feja dhe ideologjia, gjuha dhe arti etj. – që mund të përdoren për të legjitimuar dhunën direkte ose strukturore. Sot gjejmë shembuj të shumtë që e ilustrojnë këtë lloj dhune. Kemi kisha ose udhëheqës fetarë që rreshtohen në krahë të diktaturave ose regjimeve që nuk e respektojnë dinjitetin njerëzor – si në rastin e aparteidit në Afrikën e Jugut – kemi raste kur huazohen mite historike ose fetare dhe përdoren për të justifikuar dhunën në disa rajone, përfshirë edhe Europën ose konfliktet e armatosura në territoret palestineze etj.

Dihet se feja paraqitet si zotëruesja e të vërtetës. Të tre besimet e mëdha profetike, judaizmi, krishtërimi dhe islami kanë paraqitur të vërteat e tyre në Shkrimet e tyre të shenjta. Problemet lindin kur një fe prtendon të jetë zotëruesja e vetme e tërë të vërtetës dhe, për këtë arësye, ajo i detyron adhuruesit e vet për të konvertuar të tjerët, duke iu drejtuar, në rastin më të keq, shtrëngimit dhe dhunës. Të marrësh si mision detyrimin e të tjerëve për tu konvertuar në fenë tënde (që tradicionalisht quhet « proselitizëm »), mund të krijojë shumë probleme, sidomos kur bëhet agresiv në përpjekjet për të bindur të tjerët. Koncepsione të tilla të të vërtetës mbështeten mbi një keqkuptim të madh. Në fakt, të gjitha fetë pretendojnë – me të drejtë – se vetëm Zoti e zotëron të vërtetën dhe se ne, qeniet njerëzore, kapim vetëm disa parcela të të vërtetës. Nga kjo mund të deduktohet se njerëzit mund t’i afrohen të vërtetës, por duke e ditur se ajo qëndron përtej secilit. Askush nuk e zotëron të vërtetën. Parkundrazi, çdo besimtar, cilido qoftë besimi i tij, duhet të konsiderohet si një bashkësi pelgrinësh në kërkim të të vërtetës. Një kuptim i tillë do të ketë pasoja të konsiderueshme në sjelljen e njerëzve me njeri tjetrin. Në këtë kuptim, pa respektimin e përpjekjeve të secilit në kërkimin e të vërtetës nuk mund të kemi dialog kulturor, por do të kemi vetëm britma agresive. Ne shkojmë drejt paqes vetëm atëherë kur vendin e një kuptimi statik të të vërtetës e ze, në mënyrë progresive, një kuptim më dinamik. Shfaqjet agresive të një feje nuk varen vetëm nga disa komponente dhune, por nga mënyra se si besojnë adhuruesit e një feje. Fondamentalistët nuk janë të rrezikshëm sepse ata përhapin mesazhe themelore – mund të ekzistojnë fondamentalistë pacifistë që më shumë preferojnë të sakrifikohen se sa t’i bëjnë keq tjetrit – por, sepse ata janë të ngurtë dhe të bindur se janë zotëruesit e vetëm të të vërtetës. Peshkopi i Oranit, në Algjeri, Pjer Klaver, i vrarë nga terroristët më 1996, e ka shprehur shumë mirë këtë dialektikë: «I kushtohem bindjes personale se ka njerëzim shumës dhe se, sapo ne prtendojmë… se zotërojmë të vërtetën ose të flasim në emër të njerëzimit, ne biem në totalitarizëm dhe në përjashtim. Asnjë nuk e zotëron të vërtetën, secili e kërkon. Sigurisht ka të vërteta objektive, por që na kalojnë të gjithëve dhe që mund të arrihen vetëm në një rrugëtim të gjatë dhe duke e riformuar, pak nga pak, këtë të vërtetë, duke qëmtuar në kulturat e tjera, në tipet e tjera të njerëzimit, atë që edhe të tjerët kanë arritur, kanë kërkuar në vetë rrugëtimin e tyre drejt të vërtetës. Unë jam besimtar, unë besoj se ka një Zot, por unë nuk kam pretendimin se e zotëroj atë Zot atje, as përmes Jezusit që ma ka zbuluar, as përmes dogmës së besimit tim. Nuk zotërohet Zoti. Nuk zotërohet e vërteta dhe unë kam nevojë për të vërtetën e të tjerëve»[2].

Kujtesa kolektive dhe dialogu kulturor, përbejnë një binom tjetër të rëndësishëm për jetën paqësore. Kujtimi i ngjarjeve tragjike të historisë, që nuk është integruar si duhet në ndërgjegjen e njerëzve, në një situatë konfliktuale, e shtojnë prirjen ndaj dhunës.

Për shembull, nuk ka dyshim se kryqëzatat, kolonitë europiane dhe sundimi i vazhdueshëm i politikës perëndimore përbëjnë trauma historike, të cilat formojnë, në shumë shoqëri arabe, një terren pjellor urrejtjeje, të cilat pushtojnë grupet ekstremiste për ta transformuar në akte dhune. Lufta ballkanike është një shembull tipik i mënyrës se si tensionet fetare, që i referohen historisë, mitet e vjetra historike mund të ringjallen në periudha konfliktesh politike dhe të priren për të refuzuar dialogun duke shkuar drejt dhunës më brutale. Gjashtëqind vjet më pas, ende evokohet kujtimi i betejes së Kosovës, betejë e humbur nga serbët më 1389 kundër turqve, për të justifikuar frikën nga ndarja, sot ndërmjet serbëve orthodoksë dhe boshnjakëve myslimanë. Një shembull tjetër më konkret; ideja që kanë aktualisht për turqit një numër i madh europianësh, a nuk kanë si origjinë, në mënyrë të ndërgjegjshme apo të pandërgjegjshme, konfliktet e shek. XVI dhe XVII? Spektri turk në dyert e Vjenës më 1683, shpjegon frikën nga «pushtimi islamik» i shoqerive europiane.

Prandaj, për të shkuar në kulturën e paqes ndërmjet feve të ndryshme, duhet që secili të fillojë të shërohet nga kujtimet, ose, e thënë ndryshe, të integrojë traumat e të kaluarës. Ky është kushti paraprak thelbësor në rrugën për ç’rrënjosjen e dhunës dhe kulturës së dhunës.  

Dialogu kulturor ndërmjet feve ka disa pika të përbashkëta, sidomos në nivelin e etikës.

Së pari, të gjitha fetë i bashkon një kërkesë themelore; parimi i humanizmit, domethënë se çdo person duhet të trajtohet në mënyrë humane dhe dinjitoze. Ky parim buron nga karakteri i patjetërsueshëm i dinjitetit të njeriut dhe bazohet edhe nga Deklarata universale e të drejtave të njeriut. Edhe pse për momentin mbetet më shumë formal, ne gjejmë, në të gjitha fetë dhe kulturat, një parim të dytë, i cili quhet edhe rregulli i artë i reciprocitetit.

Së dyti, «Mos i bëj tjetrit, atë që nuk do të dëshiroje të ta bënin ty», ose, në mënyrë pozitive, «Vepro ndaj të tjerëve ashtu si do të dëshiroje që të vepronin ndaj teje».

Ky rregull i artë ekzistonte që në kohën e Konfucit dhe ka qenë në të gjitha fetë. Ky parim është rimarrë edhe nga Kanti dhe filozofë të tjerë që nuk kanë patur lidhje me fenë. Në këtë kuptim ai mund të shërbejë si bazament i një konceptimi etik ku të gjithë njerëzit, besimtarë ose jo, mund të gjenden së bashku.

Këto dy parime mund të zbërthehen në mësime konkrete që kanë të bëjnë me katër fusha të rëndësishme të bashkëjetesë njerëzore dhe që ndodhen në shumicën e feve, të cilat mund t’i përmbledhim si më poshtë:

  • Angazhimi në favor të një kulture të jo-dhunës dhe të respektimit të jetës që bazohet në urdhëresën «Ti nuk do të vrasësh», ose e thënë në mënyrë pozitive; «Respekto jetën».
  • Angazhimi në favor të një kulture të solidaritetit dhe të një rendi ekonomik të drejtë, që bazohet në urdhëresën «Ti nuk do të vjedhësh», ose e thene pozitivisht; «Vepro me drejtësi dhe ndershmëri».
  • Angazhimi në favor të një kulture të tolerancës dhe të një jete sipas të vërtetës, që bazohet edhe në urdhëresën, «Ti nuk do të gënjesh», ose, Fol dhe vepro në mirëbesim!
  • Angazhimi në favor të një kulture të barazisë të të drejtave dhe të partneritetit ndërmjet burrave dhe grave; «Ti nuk do të kesh marrëdhenie seksuale të kundraligjshme», ose Respektoni dhe doni njeri tjetrin!

Sigurisht kjo kërkon edhe një punë pedagogjkike në bazën e shoqërisë, në shkollë, por edhe në media si dhe në diskutimet me vendimarrësit në fushat ekonomike dhe politike. Tashmë është pranuar si aksiomë se është iluzore që ta bësh këtë botë më të mirë, pa ndryshuar, në radhë të parë, ndërgjegjen e individëve. Prandaj të gjithë duhet të dialogojnë dhe të punojnë së bashku. Në qoftë se ne nuk shqetësohemi që të njohim të tjerët, si do të mund t’i respektojmë ata? Fanatikët nuk duhet të jenë në radhën e parë të skenës fetare. Për këtë, formulës së ndarjes së kishës ngë shteti duhet t’i shtohet edhe formula e ndarjes së fesë nga urrejtja.

Në dallim nga tablloja e mësipërme, në Shqipëri kemi të bëjmë me ringjalljen e fesë. Kuptohet se një situatë e tillë shoqërohet me të gjitha të mirat dhe rreziqet e një ringjalljeje. A do t’i shërbejë paqes dhe dialogut kulturor, apo do t’i shtojë zënkat dhe grindjet tona, me motive nga më të ndryshmet? Vlerën tonë historike të tolerancës dhe dialogut ndërmjet tri besimeve të ndryshme, a do ta përdorim si faktor ndërtues të shoqërisë demokratike, apo rrezikojmë ta prishim në funksion të interesave nga më të ndryshmet? A do të merremi me dikutime shterpë se cili besim është më i mirë, apo do të përpiqemi që të ndërtojmë një shoqëri të respektimit të lirisë dhe dinjitetit të personit njerëzor? A do të perhapim këtë vlerë që i ofron Shqipëria Europës, apo do ta ndyjmë edhe këtë vlerë? Kjo është sfida me të cilën ndeshet shoqëria jonë post – diktatoriale.

Pluraliteti fetar në Shqipëri ka ekzistuar para atij politik dhe historikisht ky pluralitet nuk e ka rrezikuar ekzitencën dhe identitetin kombëtar. Mund të themi se ky pluralitet është një rezultat historik dhe kulturor mjaft i rëndësishëm, i cili meriton që të respektohet dhe jo të përdoret në funksion të faktorëve destabilizues të paqes sociale. Kështu, glorifikimi i një besimi në dëm të besimeve të tjera nuk bën gjë tjetër veçse e shton problematikën e rënduar politike dhe sociale të shoqërisë shqiptare.

Të mos harrojmë se ne jetojmë në një botë ku izolimi nuk është më i mundur. Jetojmë në një epokë që karakterizohet ngë lëvizshmëria e njerëzve dhe një përzierje të kulturave të ndryshme. Ne të gjithë jemi të ndërvarur dhe kemi një përgjegjësi të përbashkët, së cilës nuk mund t’i fshihemi, për të krijuar një shoqëri të re të bazuar mbi pluralizim, liritë e njeriut dhe harmoninë kulturore.

Sigurisht, feja nuk është i vetmi ilaç që mund t’i shërojë të këqiat, ose plagët tona, por ajo ka një rol të jashtzakonshëm në këtë periudhë kritike që po jetojmë, ku edhe ideja e demokracisë dhe pluralitetit ende nuk janë konsoliduar. Si element mjaft i rëndësishëm kulturor feja në Shqipëri ka, ose duhet të ketë, një rol shumë të madh në kultivimin e vlerave dhe atyre formave të jetës, të cilat respektojnë vizionin për botën të çdo kulture dhe feje. Për disa kultura, feja ka përfaqësuar aspiratat më të larta të ekzitencës njerëzore. Në kultura ta tjera, fetë kanë qenë institucione që pohonin se sillnin përsosjen.

Në Shqipëri, për shkaqe historikë dhe politikë, feja nuk u ngrit dot në këto nivele, por nuk e cënoi dhe rrezikoi bashkëjetesën. Është detyrë e studimit historik që t’i studjojë këta faktorë në funksion të kuptimit sa më të mirë të fenomenit, por në radhë të parë të vetvetes. Ne nuk mund ta kuptojmë se çfarë jemi pa kuptuar më parë se çfarë kemi qënë. Në funksion të kësaj ideje po sjell disa dëshmi, pa u bërë komente, nga autorë dhe kohë të ndryshme.

Mehdi Frashëri: “Kur panë shqiptarët, se disa nga paria, që pranuan muhamedanizmin, (qoftë edhe faqeza), fituan shumë sende tërheqëse, nakari, se mos mbeten më poshtë ngë të tjerët, u shtynë prej lakmisë që të pranojnë islamizmin grumbull. Brezi i parë ishte krejt hipokrit, bile thonë se kur ishin dy - tre vëllezër, i madhi mbetej i krishterë edhe të tjerët pranonin islamizmin edhe të mirat dhe fitimet përkatëse. Prej këtej ka mbetur fjala, që u thonë të krishterëve “lalë”. Kjo në fillim, s’ka qenë një fjalë poshtëronjëse, përkundrazi përmbante nderin, sepse, pas mendimit të tyre, i madhi i familjes është edhe mbrojtësi i fesë. Por brezi I tretë u bë plotësisht muhamedan, duke ruajtur edhe disa zakone kombëtare edhe kristiane. Këto zakone më tepër vihen re nëpër katunde edhe sidomos nëpër malësitë e gegërisë e të toskërisë. Bie fjala, në katunde thjesht muhamedane festohen ditët e shenjtorëve më me rëndësi si Shën Gjergji edhe Shën Mitri ashtu edhe ditët e shenjtorëve që kanë qenë mbrojtësit e atij katundi si Shën Kolli e Shën Pjetri e të tjerë. Gjithshtu gratë muhamedane, kur zenë farën e kosit ose kur bëjnë brumë për të gatuar, pa i ditur shkakun, bëjnë shenjën e kryqit. Gjithashtu arkat, ku vihen rrobat e nuses edhe të dhendrit në dasmë, me doemos do të kenë ngjyrë të kuqe e të zezë edhe shenjën e kryqit. E para tregonte kombësinë, e dyta fenë kristiane”.[3]

Sër Karl Eliot: “Shqiptarët kënë një neveri natyrore ndaj bindjes në fushën spirituale dhe temporale. Në kohën e pushtimit turk ata, nominalisht, ishin të krishterë, megjithatë, nisur nga numri i zakoneve pagane ato ende mbijetuan në dasmat, funeralet dhe ceremoni të tjera, duhet hamendësur se konvertimi i tyre ishte sipërfaqësor. Për pasojë, ata e dallojnë veten në përqafimin e islamit më shpejt se ndonjë racë tjetër europiane. Ky ndryshim i besimit u bë kryesisht në dy periudha, së pari, menjëherë pas pushtimit dhe, së dyti, në shekullin XVII kur një apostazi e madhe ndodhi që kur kariera të mira u hapën për myslimanët europianë. Por, edhe në shkullin e tashëm edhe fiset dhe fshatrat e ndryshojnë fenë e tyre, për shkaqe fare të vogla. Sipas një historie, një pjesë e një fisi të krishterë u bë muhamedan, sepse prifti i tyre, që shërbente në disa fshatra dhe i vizitoi ata të parët, insistoi në bërjen e meshës në një kohë të parsyeshme. Në tërësi, veriorët kanë qenë besimtarë më të krishterë se jugorët, me gjasë sepse ata u lejuan që të mbajnë armë. Edhe në ditët tona, të krishterët ndërmjet toskëve të kishës orthodokse, por edhe në ndarjen veriore, thuhet se shumë praktika Lindore vëzhgohen ende, të tilla si Komunioni i laikëve në dy lloje. Kisha romane katolike është nën mbrojtjen e Austrisë dhe jo të Francës, si në pjesët e tjerë të Turqisë. Shenjat e dukshme të islamit janë të pakta; xhamitë janë të rralla, vera pihet haptazi dhe myslimanët e shpallur betohen për virgjëreshën… Shumica e myslimanëve shqiptarë i përkasin drvishëve bektashi, të cilët, pavarësisht faktit se, zyrtarisht, janë të lidhur me qeverinë turke përmes jeniçerëve, janë sekti muhamedan më pak joorthodoks dhe thuhet se mësojnë, në mënyrë sekrete, jo vetëm panteizmin, por edhe doktrina që nuk ka precepte morale që ta kufizojnë sektin”[4].

J. Swire: “Shqiptari nuk është fanatik. Për të feja nuk nënkupton nacionalitet; dhe progresi i tij drejt realizimit të aspiratës së tij kombëtare ka qenë vështirësuar nga paftësia e botës për të kapur faktin se një shqiptar mysliman nuk nënkupton një turk”[5].

Alen Dyselier: “Për ta përmbledhur, duket se, megjithë varfërinë e burimeve, në qoftë se Shqipëria tashmë ishte përfshirë në masë ngë besimi romak, ky përparonte ngadalë në pjesën tjetër të vendit ku aristokracia ishte natyrsisht e para për tu konvertuar, për më tepër ky konvertim ishte më shpesh i frymëzuar nga motive të rendit politik: duke kaluar nga Veriu në Jug, duke kaluar kështu  në një vend në mazhorancë katolike në zonën e Durrësit, ku ligji katin duhet lehtë të priret për tu ekuilibruar me besimin orthodoks, për të shkuar, së fundi, që parë kufijve të provincës bizantine të Vlorës, në një zonë ku othodoksia qartazi ishte dominante. Me pak nuanca, pozicionet respektive të dy besimeve ishin në Shqipëri, që në gjysmën e parë të shek. XIV, ashtu sç janë akoma sot. Përsa i takon faktit që, drejt vitit 1350, në Shqipërinë qendrore zhvillohej një luftë e pasigurtë ndërmjet dy besimeve, kjo do të ndikojë fortë në shpjegimin e kalimit relativisht të shpejtë të kësaj krahine në Islam, në shekullin në vazhdim, ndërkohë që blloqet kompaktë të Veriut dhe Jugut di t’ja dalin mbanë, mirë apo keaq për tu mbajtur”[6]. Nisur nga ky fakt, Dyselier do të nxjerrë përfundimin: “Që në këtë epokë, për shkak të pozicionit të saj gjeografik, Shqipëria, dëshmonte një tolerancë fetare shumë të rrallë dhe që do të mbetet një nga tipret permanente të historisë së saj, cilido qofshin protagonistët”[7].

Këto citime i solla për të treguar se ringjallja e fesë kërkon, së pari, jo vetëm një studim shkencor nga mendimi historik, por, së dyti ky proces nuk duhet të bëhet objekt spekullimi politik për hir të përfitimeve imediate. Ajo që ka rëndësi mbetet fakti se fetë kanë bashkekzistuar për shekuj dhe kanë luajtur një rol të rëndësishëm social kulturor. Marrëdheniet ndërmjet besimtarëve nuk janë karakterizuar nga urrejtja fetare dhe fanatizmi. Me terma filozofikë, mund të themi se toleranca është qenia e shqiptarëve. Kjo tolerancë është produkt i shpirtit shqiptar, por edhe i rrethanave historike.

Por ne duhet të na shqetësojë e tashmja dhe e ardhmja, në kuptimin që kjo vlerë të mos cënohet dhe, akoma më keq, të shkatërrohet. Boshllëkut vleror që la pas komunizmi i shtohet edhe logjika që mbështetet te tregu. Përfitimi ekonomik priret të shkojë përtej çdo kriteri etik. Ky faktor mund të ndikojë edhe në përdorimin fundamentalist të fesë, pse jo edhe politikës.

Në këtë kohë kritike është e domosdoshme që të favorizohen mirëkuptimi, toleranca dhe miqësia ndërmjet njerëzve duke respektuar bindjet, fenë dhe kulturën e secilit duke u mbështetur në parimin e respektimit të të dejtave të njeriut dhe lirive themelore për të gjithë. Respektimi i larmisë fetare dhe kulturore kërkon rritjen e dialogut ndërfetar dhe ndërkulturor në favor të lirisë dhe progresit. Shoqëria duhet të shqetësohet ndaj shfaqjeve të intolerancës dhe të diskriminimit, ndaj frikësimit dhe shtrëngimit që janë rezultat i intolerancës fetare. Jo më kot, mendimtari i shquar i demokracisë, Tokëvili, porosiste që më 1830: “Lereni shpirtin njerëzor të ndjekë prirjen e tij dhe ai do ta rregullojë në mënyrë uniforme shoqërinë politike dhe qytetin hyjnor; ai do të kërkojë, në qoftë se do të guxoja të thoja, të harmonizojë tokën me qiellin”[8]

Të gjithë aktorët socialë, politikë dhe fetarë, duhet të punojnë në ndërtimin e një shoqërie të re mbi bazat e lirisë së shprehjes, pluralizmit, lirisë, drejtësisë, demokracisë, tolerancës, solidaritetit, kooperimit, respektimit të larmisë kulturore dhe fetare, dialogut dhe mirëkuptimit, të cilat janë të domosdoshme për paqen.

Këto vlera që përmendëm, kërkojnë një shoqëri civile të zhvilluar, por edhe mjaft aktive në presionin ndaj shoqërisë politike, me qëllim që kjo e fundit të pos bëjë dëme të rënda në shoqëri. Përvoja e vendeve demokratike, që ne më shumë e kemi bërë objekt të retorikës politike, por jo të përpiqemi për ta realizuar, ka treguar se shteti dhe shoqëria kanë interes që të komunikojnë me institucionet e shoqërisë civile, përfshirë këtu edhe ato fetare. Shpesh këto të fundit kanë shërbyer si tampon ndërmjet individit dhe shtetit. Feja ndikon për t’i dhënë një kuptim jetës së individit ose ekzistencës së tij. Për më tepër, institucionet fetare janë janë mjaft aktive, ose duhet të jenë mjaft aktive, në përhapjen e e virtyteve të ndershmërisë dhe integritetit moral, virtyte shumë thelbësore për funksionimin e shoqërisë. Këto institucione kanë mundësi që të mobilizojnë enegji në fusha të tjera bamirësie si shëndeti, edukimi, asistenca sociale. Një shembull i mrekullueshëm i këtij aktiviteti është lëvizja Gylen. Kjo lëvizje kërkon që të integrojë me botën moderne vlerat më të mira tradicionale. Kjo lëvizje kërkon t’i kapërcejë armiqësitë dhe urrejtjet dhe ta bazojë shoqërinë mbi tolerancën dhe pajtimin, sepse kështu zhvillohet kultura dhe dija në favor të njerëzimit dhe të krijohet një balancë ndërmjet individuales dhe sociales pa e sakrifikuar njerën për tjetrën dhe duke e mbajtur fenë larg çdo presioni shtrëngues.

Prirja e fesë për ta mbajtur vështrimin e njerit drejt transcendencës është burim vizionesh të reja dhe të një angazhimi, për të mirën e shoqërisë. Nisur nga roli moralizues, Tokëvili ishte i pari që vuri në dukje rolin që ka feja në përmirësimin e zakoneve në demokracinë amerikane. Ai tregoi se një shpirt materialist, i pakufizuar, mund të bëhet një burim i tmerrshëm destabiliteti në një demokraci. Prandaj, është e domosdoshme që të ketë një kontroll ndaj pasioneve natyrore të njeriut për përfitim dhe mirëqenie. Fetë kanë një prirje për tu bërë thirrje virtyteve morale. Prandaj, të tria besimet te ne duhet të ndikojnë që vlerat morale ta shpëtojnë shoqërinë tonë nga rënia në korrupsionin e lluksit, dhe akoma më keq nga korrupsioni shpirtëror.

Për të përfunduar, ndaj atyre që glorifikojnë një fe në dëm të një tjetre do të kufizohem që të citoj gjatë një këshillë tjetër të Tokëvilit për rolin e fesë në një shoqëri demokratike, që ai e nxorri nga analiza e përvojës së revolucionit amerikan, ku maksima bazë, mbi të cilën ngrihet shoqëria civile dhe politike në këtë vend është; providenca i ka dhënë çdo individi, cilido qoftë ai, një shkallë të domosdoshme arsyeje që të mund të drejtojë vetveten për gjëra që e interesojnë në mënyrë eskluzive. “Kur një fe çfardo ka hedhur rrënjë të thella në gjirin e një demokracie, ruajuni ta trondisni; por ruajeni më shumë duke e konsideruar si trashëgimi shumë të çmueshme të shekujve aristokratikë; mos kërkoni t’ua shkulni njerëzve opinionet e tyre të vjetra fetare për t’i zëvendësur me të reja, nga frika se, në kalimin e një feje në një tjetër, shpirti gjendet në një moment bosh të besimit, dashuria për kënaqësitë materiale të shtrihet dhe ta mbushë plotësisht… Besimi në një parim jomaterial dhe të pavdekshëm, i bashkuar për një kohë me materienn është aq i domosdoshëm për madhështinë e shpirtit, saqë prodhon më tej pasoja të bukura kur nuk bashkon opinionin e kompensimit dhe të dënimeve dhe kufizohet në besimin se pas vdekjes parimi hyjnor brenda njeriut thithet nga Zoti ose gjallëron një krijesë tjetër”[9].

Prof. Gjergj Sinani
Universiteti i Tiranës
Fakulteti i Shkencave Sociale
Departamenti i Filozofisë


[1] Gilles Kepel, La Revanche de Dieu, chrétien, juif et musulmans à la reconquête du monde, Seuil, Paris, 1992. 

[2] Pierre Claverie, Humanité plurielle, Le Monde, 4 – 5 aout 1996, p. 10.

[3] Mehdi Frashëri, Probleme shqiptare, Liria, Tiranë, 2001, f. 13.

[4] Sir Charles Eliot, Turkey in Europe, Edward Arnold, London, 1908, p. 354 – 355.

[5] J. Swire, Albania the Rice of a Kingdom, Arno Press & the New York Times, 1971, f. 39.

[6]<[!endif]> Alain Ducellier, La façade maritime de l’Albanie au Moyen Age, Institute for Balcan Studies, Selanik, 1987, f. 437.

[7] Po aty, f. 211.

[8] A. dë Tocqueville, De la démocratie en Amerique, V. I, Flammarion, 1981, f. 392.

[9] Vepër e cituar, f. 182.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.