PE dënon shtypjen e medieve në emër të shtetit të së drejtës në Turqi
Ditën e enjte, Parlamenti Evropian dënoi përpjekjet e qeverisë turke për t’i ‘mbyllur gojën’ medieve kritike ndaj qeverisë përmes trysnisë së vazhdueshme ndaj medieve dhe arrestimit të gazetarëve më 14 dhjetor të vitit të kaluar, duke vënë theksin në faktin se hapat e ndërmarra nga qeveria e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim kundër këtyre medieve ngre pikëpyetje serioze mbi respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës dhe lirisë së shtypit në këtë vend.
Si rrjedhojë e trysnisë gjithnjë në rritje, bastisjeve, ndalimeve dhe kufizimeve në mediet turke, Parlamenti Evropian në rezolutën e miratuar përdori tone tejet tw ashpra nw adresw tw qeverisw turke. Në rezolutën e miratuar nga Parlamenti Evropian, ky i fundit thekson se "dënon me forcë bastisjet e fundit të policisë dhe arrestimin e shumë gazetarëve dhe përfaqësuesve të mediave më 14 dhjetor 2014 në Turqi dhe thekson se këto veprime vënë në dyshim respektimin e shtetit të së drejtës dhe lirisë së mediave, një nga parimet themelore të demokracisë”.
Rezoluta e Parlamentit Evropian gjithashtu vë theksin në faktin se qeveria turke duhet të ofrojë ‘informacion të mjaftueshëm dhe transparent” për akuzat e ngritura ndaj të pandehurve dhe t’u mundësojë atyre “qasje të plotë në provat që i implikojnë ata si dhe t’u mundësojë të drejta të plota për t’u mbrojtur”. Ajo i bën thirrje qeverisë turke të garantojë trajtimin e duhur të rasteve dhe të provojë vërtetësinë e akuzave pa vonesa dhe të përtej çdo “dyshimi të arsyeshëm”.
Operacioni i ndërmarrë nga qeveria kundër medieve të pavarura, i zhvilluar më datë 14 dhjetor 2014 dhe që përfundoi me arrestimin e dhjetra personave, përfshirë kryredaktorin e gazetës më të madhe turke “Zaman”, z. Ekrem Dumanllë dhe drejtorin e përgjithshëm të rrjetit mediatik televiziv “Samanyolu”, z. Hidajet Karaxha, skenaristë, producentë dhe drejtorë, tërhoqi vëmendjen e Bashkimit Evropian. Arrestimet nxitën reagime nga e gjithë bota, nga Kanadaja në Francë. Zyrtarë të qeverive të huaja dhe monitorues të të drejtave të njeriut, e cilësuan këtë aksion si sulm ndaj medias së lirë, ndaj lirive dhe të drejtave në vend dhe i bënë thirrje Turqisë të respektojë lirinë e shtypit.
Rezoluta, vlerësohet si një paralajmërim i ashpër ndaj qeverisë turke në aspekte që lidhen me lirinë e shtypit. Rezuluta e hartuar nga partitë politike në Parlamentin Europian, mori 551 vota pro, 11 kundër dhe 31 abstenime. Parlementi Europian vuri në dukje se një shtyp i lirë dhe pluralist është një komponent thelbësor i demokracisë në një vend, ashtu sikundër është trajtimi i drejtë i çështjeve përmes një sistemi normal gjyqësor, prezumimi i pafajësisë dhe pavarësia e gjyqësorit.
- Publikuar më .