Organizohet në Bruksel Simpoziumi: Qëndrimi Islam dhe përgjegjësitë e myslimanëve kundrejt ekstremizmit të dhunshëm
Plaftorma e Dialogut Ndërkulturor në bashkëpunim me Qendrën Gylen për Studime Ndërkulturore në Universitetit Katolik të Leuvenit, në datat 15 dhe 16 mars 2016, organizuan në Bruksel, Konferencën Ndërkombëtare dy ditore me temë: “Qëndrimi Islam dhe përgjegjësitë e myslimanëve kundrejt ekstremizmit të dhunshëm”. Në këtë konferencë morën pjesë rreth 400 studiues, akademikë, personalitete të rëndësishme dhe drejtorë të Organizatave Joqeveritare nga rreth 57 vende të ndryshme të botës.
Simpoziumi u iniciua nga Platforma e Dialogut Ndërkombëtar dhe Qendra Gylen për Studime Ndërkulturore në Universitetin Katolik të Leuvenit, e cila mblodhi në një tryzë dijetarë dhe studiues myslimanë nga vende të ndryshme të botës si dhe personalitete të rëndësishme të feve të ndryshme. Të pranishmit në këtë konferencë theksuan se aktet terroriste dhe ngjarjet e fundit në shumë vende të botës nuk kanë asnjë lidhje me islamin.
Në ditën e dytë të këtij simpoziumi, përmes një mesazhi, punimet e konferencës i përshëndeti dhe mendimtarit, Fethullah Gylen. Në mesazhin e tij drejtuar pjesëmarrësve, Gylen nënvizoi faktin se myslimanët dhe përfaqësuesit e feve të ndryshme, dhe jo vetëm, të gjithë sëbashku kanë një përgjegjësi të madhe në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.
Lexoni në vijim mesazhin e plotë të mendimtarit mysliman, Fethullah Gylen, drejtuar pjesëmarrësve në Konferencë:
Grupet ekstremiste me vetëdije dhe dashakeqësi shkëpusin nga konteksti dhe përdorin burimet themelore të islamit për qëllimet dhe interesat e tyre. Ata injorojnë kontekstet historike, gjuhësore, sociale dhe fetare dhe i shfrytëzojnë këto fragmente në kundërshtim me frymën dhe thelbin e vërtetë të fesë islame.
Një aspekt i keqkuptuar dhe keqinterpretuar i traditës islame, me të cilin grupet ekstremiste abuzojnë, janë dispozitat e luftërave vetëmbrojtëse. Kur’ani i Shenjtë është shumë i qartë dhe ndalon në mënyrë kategorikë përdorimin e dhunës. Në dispozitat që përcaktojnë dhe rregullojnë sjelljet në rastet e luftërave vetëmbrojtëse, Kur’ani dhe Tradita Profetike janë shumë të qartë dhe kërkojnë shmangien e konflikteve të armatosura dhe, kur kjo është e pamundur, ata kërkojnë nga besimtarët që të minimizojnë humbjet e jetëve të njerëzve si dhe të rikuperojnë dëmet e mundshme të marrëdhënieve njerëzore që shkaktohen nga konfliktet e armatosura të pashmangshme.
Megjithatë, ne nuk mund të shmangim përgjegjësitë tona, vetëm duke deklaruar se grupet e dhunshme ekstremiste nuk kanë lidhje me islamin e vërtetë ose duke u shprehur se këto grupe janë të manipuluar nga individë apo grupe të tjera jo-myslimane. Në fund të fundit, këto grupe rekrutojnë individë nga radhët e komuniteteve tona dhe abuzojnë duke nxjerrë jashtë kontekstit burimet dhe referencat e fesë islame. Vuajtjet dhe dhuna e ushtruar ndaj myslimanëve nga fuqitë koloniale në të kaluarën, ose praktikat shtypëse të qeverive aktuale, asesi nuk mund të justifikojnë dështimin për të dënuar me forcë aktet barbare të grupeve ekstremiste. Myslimanët, edhe nëse ndërmarrin veprime që kanë për qëllim të ndalojnë dhunën dhe padrejtësitë, asesi nuk mund të zgjedhin rrugë jolegjitime siç është vrasja e civilëve të pafajshëm.
Në kohët moderne, myslimanët nuk kanë reaguar siç duhet ndaj koncepteve të demokracisë dhe shtetit laik dhe kjo ka ndodhur për shkaqe që lidhen me mangësitë në shpjegimin e koncepteve dhe paqartësive të terminologjisë së gjuhëve të tjera. Nëse themelet kryesore të koncepteve të demokracisë i shërbejnë garantimit të diversitetit të shoqërisë, gjithëpërfshirjes, mbështetjes së të drejtës dhe sundimit të ligjit, si dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, atëherë nuk mund të pretendojmë që ato bien ndesh me parimet dhe vlerat e islamit.
Së fundmi, është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme që myslimanët të ftohen dhe të jenë pjesë e tryezave ku diskutohen zgjidhjet për problemin e ekstremizmit të dhunshëm. Një gjë e tillë është shumë e vështirë në kushtet kur në ditët e sotme ndaj myslimanëve mbizotëron një atmosferë frike dhe dyshimi. Megjithatë, pavarësisht vështirësive, ky është një mision absolutisht shumë i rëndësishëm për të garantuar një marrëdhënie të shëndetshme për brezat e ardhshëm.
Në kushtet e globalizimit, është shumë e rëndësishme që qytetarët jomyslimanë të kuptojnë që është e pamundur që të shpëtojmë nga kërcënimi i ekstremizmit të dhunshëm të grupeve të tilla si ISIS, Boko Haram, apo Al-Kaeda, pa angazhimin pozitiv të myslimanëve të vërtetë. Të gjithë bashkarisht duhet të kontribuojmë për izolimin e grupeve që nxisin urrejtje dhe fanatikëve që nxisin frikë. Myslimanët nuk duhet të mbahen larg shoqërive dhe qeverive të tyre.
Kjo konferencë, duke mbledhur sëbashku përfaqësues shumë të rëndësishëm nga të dyja palët, (myslimanët dhe jo myslimanët), ka për qëllim që të përgatisë terrenin e një dialogu të domosdoshëm, ndonëse të vonuar në kohë. Shpresoj dhe lutem që idetë dhe konkluzionet e këtij simpoziumi, aktivitetet e mëvonshme dhe nismat që do të ndërmerren në të ardhmen për implementimin e këtyre konkluzioneve, do të ndihmojnë për të çuar përpara kauzën e paqes dhe harmonisë sociale, jo vetëm në Belgjikë, por dhe në Europë dhe më gjerë... në të gjithë botën.
- Publikuar më .