Mesazhi i Fethullah Gylen gjen jehonë të gjerë në shtypin amerikan
Fethullah Gylen, me anë të një deklarate të dhënë gazetave kryesore amerikane dënoi terrorin e ISIS.
Z. Fethullah Gylen, me anë të një deklarate të dhënë gazetave kryesore amerikane, dënoi aktet terroriste të ISIS. Deklarata me titull “Egërsitë e ISIS duhet të gjykohen sa më ashpër” u publikua në gazetat New York Times, Washington Post, Chicago Tribune, Wall Street Journal dhe Los Angeles Times.
Fethullah Gylen duke i vlerësuar aktet e ISIS si “Baltë e hedhur në çehren e pastër të fesë që ata pretendojnë se i përkasin” tha se këto akte janë “krime ndaj njerëzimit”. Pasi përmendi që një nga qëllimet parësore të fesë është themelimi i një terreni ku do të sundojë paqja, të drejtat dhe liritë njerëzore dhe drejtësia Fethullah Gylen u shpreh se “Kushdo që bën komentime që bien ndesh me këtë, veçanërisht ata që i përdorin këto komentime për nxitjen e përplasjeve fetare, janë ose mashtrues ose të mashtruar”.
Deklarata e z. Fethullah Gylen dhënë gazetave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës vazhdon kështu:
ISIS nuk është organizata e parë që kryen barbarizma duke u fshehur mbas një diskursi fetar. Para 13 vitesh Al-Kaeda dhe pak kohë më parë Boko Haram, kryen të njëjtat krime ndaj njerëzve të pafajshëm duke përdorur ligjërim fetar. Pika e përbashkët e këtyre organizatave është se të gjitha janë frut i një mentaliteti totalitar, i cili dëshiron ta privojë njeriun nga vlerat e larta dhënë atij ditën që ai është krijuar.
Çdo formë e shtypjes ose e persekutimit ndaj pakicave apo civilëve të pafajshëm është një akt që bie në kundërshtim me parimet e arta të Kuranit dhe traditës së Profetit tonë (pqmT). Nëse veprimet e anëtarëve të ISIS nuk kanë qëllim shërbimin e interesave të qarqeve të caktuara ose të interesave të tyre personale, atëherë mund të thuhet se ata janë injorantë që nuk kanë arritur ta kuptojnë frymën e Islamit, fe të cilës pretendojnë se i janë besnikë, dhe as të profetit të tij të bekuar. Sido që të jetë, veprat e tyre janë akte terrori dhe çdokush që është përzierë në ato akte duhet dorëzuar para drejtësisë dhe duhet të mbahen përgjegjës për gjithçka kanë bërë.
U përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të gazetarëve James Foley dhe Steven Sotloff dhe familjeve dhe miqve të të gjithë të vrarëve në këto sulme të dhimbshme. I lutem Zotit t'u japë atyre durim dhe forcë dhe t'ua lehtësojë sa më shumë dhimbjet.
I ftoj të gjithë që të bashkohemi e t'i lutemi Zotit të Gjithmëshirshëm për lirimin e menjëhershëm të pengjeve të tjera që gjenden në duart e ISIS dhe që të na tregojë sa më shpejt ditët e një bote të mbushur me paqe dhe respekt reciprok.
Deklarata orgjinale u publikua në faqen zyrtare të “Aleanca për vlerat e përbashkëta” me qendër në New York më datë 22 gusht.
- Publikuar më .