Lëvizja për Shërbim në këndvështrimin e intelektualëve lindorë dhe perëndimorë
Intelektualët, klerikët dhe akademikët që kanë studiuar “Lëvizjen Hizmet”, pa përjashtim, ndajnë të njëjtën bindje, se lëvizja ka mbajtur përherë një qëndrim të prerë kundër terrorizmit dhe ka përcjellë gjithnjë mësazhin e paqes. Intelektualë të ndryshëm nga Lindja dhe nga Perëndimi shprehen se “Lëvizja Hizmet” si një lëvizje e pavarur e shoqërisë civile i kushton rëndësi përfaqësimit të Islamit të pastër.
Përçojnë mësimet e Profetit në shekullin XXI
Prof. Dr. Philip Clayton nga Universiteti i Claremont-it: Askush para mendimtarit dhe dijetarit Fethullah Gylen nuk ka arritur të përfaqësojë në botën perëndimore anën mahnitëse të mësimeve të Profetit Muhamed (s.a.s.). Sigurisht që ka pasur personalitete, të cilët kanë shpjeguar mësimet e Tij, por nuk ekziston asnjë imam, (ndërkohë ai është edhe një sufi), apo mendimtar, i cili t’i ketë vënë në jetë këto mësime në të tilla përmasa, siç ia ka dalë t'i jetësojë i nderuari Fethullah Gylen.
Duke nisur që nga fillimi i viteve ’90, e sidomos në vitet e fundit, duket qartë që Gylen ka arritur të fitojë një rëndësi dhe një peshë me përmasa gjithnjë në rritje. Personalisht besoj se e gjithë kjo rëndësi dhe peshë e tij buron në faktin se ai ka përfaqësuar fenë Islame si një të tërë, si një mënyrë e plotë e të jetuarit sipas dispozitave të fesë islame, në mënyrë të mençur, të thellë dhe shpirtërore.
Ajo që i nderuari Fethullah Gylen dhe “Lëvizja Hizmet” ka bërë është pikërisht vizatimi i një modeli të “një myslimani të devotshëm dhe të përkushtuar” për çdo mysliman në çdo cep të botës, në mënyë që ata të jenë qytetarë të denjë të botës, posaçërisht modeli i një qytetari që jeton në botën e shekullit XXI.
Ato çfarë përçon, shkruan dhe mëson “Lëvizjen Hizmet” me shkollat që ka arritur të ngrejë anekënd botës, personalisht i konsideroj si tejet të rëndësishme. Mirëpo, ndjenjën e krenarisë të të qenit një mysliman që jeton në shekullin XXI, e konsideroj më të rëndësishme se çdo gjë tjetër. Pikërisht ndjenjën e një myslimani krenar, kontribues në kulturën universale dhe që nuk ndien në asnjë mënyrë nevojën për t’u larguar nga mësimet gjithëpërfshirëse të Kuranit të Shenjtë, Profetit, historisë dhe të drejtës islame. Ajo çfarë Fethullah Gylen dhe “Lëvizja Hizmet” ka bërë, është pikërisht mbartja e këtij botëkuptimi, e botëkuptimit të islamit tradicional dhe përshtatja e tij me kushtet dhe nevojat e shekullit të 21-të.
Këto mësime plot mirësjellje, rruga e Profetit, e cila në një kurrfarë rrethane nuk i referohet dhunës; mbartin misionin e një antidoti përballë një pakice të vogël brenda Islamit, e cila shfaq prirje për përdorimin e dhunës. E thënë me gjuhën e një amerikani; përfaqëson atë shumicë dërrmuese, atë 99 përqindësh që ka vendosur të ndjekë rrugën e Profetit.
Asnjë lëvizje shoqërore në rruzullin tokësor nuk ka arritur të shtrihet në ato përmasa universale sa të “Lëvizjes Hizmet”. Kjo lëvizje, e cila përfshin të gjitha ato nisma, përpjekje dhe punë të admirueshme dhe që nga njerëzit emërtohet si “Lëvizja Hizmet”, është tregues i ekzistencës së një thirrjeje dhe një kauze madhore për myslimanët; Një shërbim që i bëhet botës në emrin e Allahut, një shërbim që i bëhet njerëzimit. Dhe pikërisht kjo është ajo që e bën “Lëvizjen Hizmet” të pakrahasueshme me lëvizjet e tjera civile.
Organizimi dhe përkushtimi në misionin për të shërbyer që ekziston tek “Lëvizja Hizmet”, nuk është arritur dot në përmasa të këtilla dhe në kësi madhështie nga asnjë prej lëvizjeve të tjera shoqërore apo civile. Fakti që i nderuari Fethullah Gylen ka investuar pikësëpari në arsim dhe edukim, duke u bërë burim frymëzimi për hapjen e shkollave në më shumë se 160 vende të ndryshme të botës, ngjall tek unë një respekt dhe admirim të madh ndaj tij. Në këtë mënyrë, si rrugëtarë të rrugës së ndjekur nga Profeti, myslimanët kanë arritur në pozita udhëheqëse në çdo vend të botës, kanë përçuar mësimet e Profetit në shekullin XXI dhe janë përshtatur me botën e ditëve të sotme. Dhe ai këtë e bën me njohuritë e shkencës, politikës, ekonomisë, feve dhe një sërë fushave të tjera. Arsimi dhe edukimi shërben si një derë dhe si një vend kalimi që e çon Islamin në shekullin XXI. Dhe i nderuari Fethullah Gylen ketë ka si pikën kyçe të projektit të tij.
Kapitali i tyre më i madh është sinqeriteti
Dr. Xhemal Seferti (Akademik, Jordani): Të mëdhenjtë vetëm të mëdhenjtë mund t'i vlerësojnë. Profesori ynë i ndjerë, për të cilin të gjithë ndajnë njëzëri mendimin se ai është një dijetar i madh, Ramazan El-Buti, në letrat që i dërgon dijetarit dhe mendimtarit Fethullah Gylen, të shkruara me dorën e tij, shpreh konsideratat, respektet dhe nderimet e tij më të larta dhe i drejtohet me titullin “Mësuesi im”.
Ajo që ka ndikuar më shumë tek unë, është shprehja e qartë e sinqeritetit dhe pastërtisë së besimit të tyre në fytyrat e vetë të nderuarit Fethullah Gylen, nxënësve dhe rrethit të tij. Të gjithë pjesëtarët e “Lëvizjes Hizmet” ndajnë të njëjtat ndjenja. Në zemrat e tyre mbartin një sinqeritet dhe një besim të pastër nga i cili jam ndikuar jashtëzakonisht shumë. Kanë të njëjtin sinqeritetit dhe besim të pastër, pavarësisht moshës që kanë apo pozicioneve që bartin. Mund të them, se përkushtimi i tyre ndaj Allahut, dëshira dhe zelli që kanë për parajsën e Tij, puna dhe përpjekjet e tyrë në emër të kauzës, lidhja dhe orientimi me Allahun me zemër dhe me vepra kanë patur lënë një ndikim dhe shpresa të pashlyeshme tek unë. Fakti që ata veprojnë sipas asaj që dinë… Dhe vazhdimisht veprim…Veprim...Veprim...
Nga ana tjetër, një tjetër çështje që më ka magjepsur tek këta njerëz të paqes dhe të shpirtit është pikë së pari mënyra se si mësuesi Fethullah Gylen i lutet Allahut (xh.xh.) plot përulësi dhe sinqeritet, e poashtu dhe ata që e duan dhe e ndjekin atë, të cilët, nën shembullin e tij, i drejtohen All-llahut (xh.sh.) në të njëjtën mënyrë me përulësi dhe sinqeritet. Këta pjesëtarë që ia kanë përkushtuar jetën rrugës së Allahut (xh.xh.) kanë shumëzuar me zero egon e tyre, ashtu sikundër i ka mësuar imami i nderuar. Dhe vetëmohimi është kthyer kësisoj në moton kryesore të jetës së tyre. Askush prej tyre nuk e njeh fjalën “unë”. Madje ndonjëherë edhe fjala “ne” nuk gjen vend në fjalorin e tyre.
Ata besojnë me zemër dhe sinqeritet, se arritjet, suksesi, pajisja me të mirat e kësaj bote, mirësitë, vijnë të gjitha nga Allahu dhe është veçanësisht Ai që mund t'i mundësojë dhe realizojë...
Po, duhet të nënvizoj që profesori i nderuar, i cili në të njëjtën kohë është edhe mësues dhe hoxha jonë, Fethullah Gylen, me besimin e tij të pakufi dhe me mënyrën e tij të të jetuarit, ka lënë gjurmë tek të gjithë ata që e kanë parë apo që e njohin atë. Përpara njerëzve është shfaqur veç me ndjenjat e tij të pastra dhe të sinqerta. Ngado që kam qenë, në çdo vend që kam shëtitur apo kam shkuar për vizitë, kam takuar prej këtyre njerëzve të paqes dhe të shpirtit. Disa garonin në arsimimin dhe edukimin e brezave. Disa të tjerë garonin për të pajisur njerëzit me moralin më të lartë dhe për t’i mësuar ata me vetëdijen fetare.
Vërejta një paqe të brendshme dhe pasuri shpirtërore
Budd Friend Jones (Teolog): Qindra shkolla në Amerikë, Europë, Japoni, Afrikë. Dhe nuk janë shkolla të zakonshme, janë shkollat më të mira në rajonin ku gjenden. Dhe mua, personalisht, më duket se “Lëvizja Hizmet” parashikon dhe po përpiqet të ndërtojë një botë të re, ku njerëzit do të jetojnë së bashku në vëllazëri me njëri-tjetrin. Unë vetë jam një prift në Kishën Kongregacionale. Njerëzit e ndikuar nga Fethullah Gyleni, të cilin unë e njoh personalisht, kanë tipare shumë të bukura të karakterit dhe një karakter tejet të shëndoshë. Në qëndrimet e tyre vëren një qetësi dhe një paqe, përkushtim dhe pasuri të jashtëzakonshme shpirtërore.
Përsa i përket çështjes së dialogut ndërfetar, aktualisht edhe me myslimanët – madje dhe me njerëz të përkatësive të ndryshme fetare, kur mendoj marrëdhëniet e mia me ta, kam vënë re që ashtu sikundër shumë njerëz të tjerë në mbarë botën, se edhe unë jam rritur në një botë shumë të vogël ku kam njohur vetëm njerëz që janë njëlloj si unë.
Nëse fenë tonë e jetojmë aq sa e shpjegojmë atë, si të krishterë, dhe ne e shpresojmë dhe e duam që kjo të jetë edhe gjendja jonë, më e mirë. Nga ana tjetër, personalisht mendoj se “Lëvizja Hizmet” është përpjekur me ccdo lloj metode për të luftuar dhe për të zhdukur varfërinë nëpër botë.
Arsim, spiritualitet dhe shërbim ndaj njerëzimit...
Prof. Dr. Muhammed Shafiq (Kolegji Rochester, Nazareth): Jam profesor për studime fetare dhe mbi Islamin në kolegjin “Rochester”, Nazareth, në qytetin Rochester të shtetit të Nju Jorkut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lëvizja e Fethullah Gylen, është një lëvizje shumë e ndryshme nga lëvizjet e tjera islame. Fuqia dhe ana shpirtërore e kësaj lëvizjeje buron nga qasja mistike që ngërthen Islami. Gyleni dëshiron të ndryshojë metodologjinë tek myslimanët e shekullit XXI, dëshiron të bashkojmë njerëzimin, t’i shërojmë plagët njerëzimit. Në botë ka shumë probleme, çfarë mund të bëjmë për t'i zgjidhur ato?, pyet ai. “Lëvizja Hizmet” ka një domëthënie shumë të madhe. Ajo përfshin tri gjëra: arsimin, spiritualitetin (anën shpirtërore) dhe shërbimin ndaj njerëzimit në çdo aspekt të jetës njerëzore. Ju mund të shikoni që të gjitha janë të ndërthurura me njëra-tjetrën dhe jo si subjekte të ndara. “Lëvizja Hizmet” nuk bën kurrfarë ndarjeje mes besimtarëve dhe jobesimtarëve, nuk bën ndarje mes myslimanëve, të krishterëve, hebrenjëve dhe ateistëve; nuk bën asfarë dallimi sidomos nëse bëhet fjalë për t'u shërbyer njerëzve.
Mua personalisht më duket, se z. Gylen ia ka arritur të parashikojë se si do të jetë dhe ku do të jetë e ardhmja e botës. Objektivat dhe idealet e “Lëvizjes për Shërbim” kanë të bëjnë me bashkimin e tri parimeve, arsimit, shpirtërores dhe shërbimit ndaj njerëzimit. Dhe kjo, në fund të fundit do të jetë në të mirë të njerëzimit. Shohim se e vërteta e monoteizmit është absorbuar sipas një kuptimit të pranisë së një uniteti në mesin e njerëzimit.
Shoh vetëm dashuri, asgjë tjetër
Prof. Dr. Kenneth Hunter (Akademia e Karrierës në Çikago): Vite më parë kam zgjedhur profesionin e arsimitarit sepse besoja se në këtë mënyrë mund të shpëtoja botën. Me aq sa kam lexuar në shkrimet e tij, Fethullah Gylen e vlerëson profesionin e mësuesit dhe arsimtarit si më të bukurin. Ai beson se arsimi mbart një forcë transformuese në vetvete.
Kur vjen fjala tek thelbi i “Lëvizjes Hizmet”, me aq sa kam mësuar nga kjo lëvizje dhe kur mendoj për ato që kam vëzhguar në Niagara, shoh veçse dashurinë. Nuk shoh asgjë tjetër veç dashurisë. E gjitha çështja ka të bëjë me transformimin e njerëzve drejt të mirës. Dhe ky shndërrim nuk bëhet duke ndërhyrë në jetët e njerëzve të tjerë, por ajo nis brenda (në botën e brendshme) të çdo njeriu.
Nëse ndjenjat e brendshme nuk arrijnë që të të ndryshojnë përmes rrugës së dashurisë, ato nuk do të arrijnë të përhapen dot as tek të tjerët. Që të bësh diçka për të tjerët, duhet që t’i shohësh ata në sy. Kam parë që ajo që qëndron në thelb të punës së bërë në Niagara dhe atë të dialogut ndërfetar, është mendimi se “çfarë mund të bëjmë për ty dhe bashkë me ty”. Nuk presin asnjë kompesim për këtë. Shkojnë në Somali, i gjen të pranishëm edhe në Irak; madje ata shkojnë në vende që nuk do t'i gjeni dot as në “Michelin Travel Guide”. Ata shkojnë edhe në ato vende ku mund të bëhet fjalë për rrezikshmëri nga më të ndryshmet. Shfaqin menjëherë dashurinë dhe ndershmërinë që i karakterizon. Dhe këtë e bëjnë në një mënyrë tepër heroike.
Një bashkësi jopolitike
Prof. Dr. Frances Hassencahl (Universiteti “Old Dominion”): Jam profesor në Departamentin e Arteve të Komunikimit dhe Teatrit në Universitetin “Old Dominion”, ku jap lëndën e komunikimit ndërkulturor. Sapo kam përfunduar një cikël leksionesh mbi Pranverën Arabe dhe do t’i vazhdoj ato edhe vitin e ardhshëm. Njëkohësisht, po punoj për koordinimin e një programi akadamik për Lindjen e Mesme. Kam qenë disa herë në Turqi. Njohja ime me Lëvizjen Gylen vijon prej 15 vitesh. “Lëvizja Hizmet” më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme me organizimin e dialogut ndërfetar, ku kam pasur edhe mundësinë që të jem pjesëmarrës në një pjesë të këtyre orgazimeve. Njërëzit nuk duhet të harrojnë se “Lëvizja Hizmet” është një lëvizje e shoqërisë civile. Dhe si një lëvizje e shoqërisë civile, brenda kësaj lëvizjeje mund të ketë individë të cilët duan të bëhen pjesë e politikës, apo që duan të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme politike. Duke qenë se “Lëvizja Hizmet” nuk është një grupim i organizuar dhe i drejtuar prej një qendre të centralizuar, një qendre të vetme, kushdo që mund të jetë pjesë e administratës shtetërore nuk mund të shprehet, se “Unë flas në emër të tyre”. Kam lexuar shumë artikuj pozitivë dhe negativë rreth Lëvizjes Gylen. Personalisht do të thosha, se kontributi më i shquar dhe më i rëndësishëm i Lëvizjes Gylen është realizuar në fushën e arsimit.
Një lëvizje e integruar në botën moderne
John Suthers (Prokuror i Shtetit të Kolarados): Prej më shumë se dhjetë vitesh mbaj postin e Prokurorit të Shtetit të Kolorados. Vitet e fundit kam qenë dëshmitar i një sërë ngjarjesh të rënda të sulmeve terroriste në këtë vend. Për shembull, pas sulmeve të 11 Shtatorit mbi Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë, Fethullah Gylen duke u shprehur se një sulm i tillë është i papranueshëm, ishte një nga njerëzit e botës islame që foli më qartë dhe më hapur. Gjatë gjithë jetës time kam jetuar në shtetin e Kolorados. Kam një përshtypje shumë pozitive rreth “Lëvizjes për Shërbim”. Kjo përgjithësisht buron nga njohja që kam me pjesëtarët e “Lëvizjes Hizmet”.
“Lëvizjen Hizmet” e shoh si një lëvizje që punon për zhvillimin dhe përparimin e myslimanëve në botën moderne. Këtë ajo e arrin duke vënë theksin e veçantë tek arsimi dhe dialogu ndërfetar, si kushte të rëndësishme për të qenë i suksesesshëm në botën moderne. Nëse doni që të jeni të suksesshëm në botën e sotme, atëherë jeni të detyruar të kuptoni rëndësinë e bashkëpunimit me njerëz të feve të ndryshme, të asaj që ne në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e quajmë pluralizëm fetar.
Gylen është një person i cili është takuar me Papën dhe me Patriarkun Ikumenik të Stambollit. Padyshim ai që punon dhe përpiqet për nxitjen e dialogut ndërfetar. Është diçka që të gjithë duhet ta përqafojnë. Për të jetuar së bashku, që të zhvillohemi dhe përparojmë së bashku, është e domosdoshme që të kemi marrëdhënie me njëri-tjetrin.
Një tjetër çështje është dhe theksi dhe rëndësia që “Lëvizja Hizmet” i kushton arsimit. Dhe kjo rëndësi nuk i kushtohet vetëm meshkujve, por është një rëndësi që i kushtohet arsimit të meshkujve dhe femrave njëkohësisht. Gjatë historisë ka pasur grupe myslimane që janë shprehur dhe kanë mbajtur një pozicion kundër arsimimit të femrave. “Lëvizja Hizmet” meriton një lavdërim për faktin se ajo beson se arsimimi i femrave është një domosdoshmëri për suksesin dhe prosperitetin kudo në botë.
Po, në traditën islame shkollat nuk janë vetëm për myslimanët. Në këto shkolla ka dhe nxënës të besimeve të tjera. Pra, për rrjedhojë në shkolla i kushtohet një rëndësi e veçantë edhe dialogut ndërfetar. Me rëndësi është dhe fakti se në këto shkolla nuk zhvillohen mësime fetare. Këto shkolla u mësojnë nxënësve se si të përparosh në mësimin e letërsisë, matematikës dhe shkencave natyrore, pa u përqendruar në besimet e ndryshme fetare dhe ato shkolla kanë si qëllim të vetëm që nxënësit e tyre të jenë të suksesshëm në botën e sotme.
Fethullah Gylen ka ndërtuar ura pa fund
Prof. Dr. Fuad El-Bennâ (Universiteti “Taiz”, Jemen): Jam autori i më shumë se 700 artikujve shkencorë në Jemen dhe në arenën ndërkombëtare. Kam shkruar rreth tridhjetë libra, dy prej të cilëve i kushtohen punës dhe veprave të të nderuarit Fethullah Gylen. Jap mësim në programet e masterit dhe doktoraturës dhe në kurset e mia kam të përfshirë edhe mendimin e këtij hoxhe të nderuar. Dy librat që kam shkruar për Fethullah Gylen i jap në formën e leksioneve me titullin “Mendimi i Ripërtëritjes së Islamit në Epokën Moderne”. Ky personalitet i nderuar e meriton të jetë arkitekti i mendimit modern dhe konceptit autentik për shërbimin. Për rrjedhojë, unë heq dorë nga mbiemri im “el-benna”, i cili ka kuptimin “ai që ndërton” dhe ia dedikoj atë të nderuarit Fethullah Gylen. Është ai që e meriton plotësisht këtë epitet. Po, ai ka ndërtuar pafundësisht ura. Mirëpo shtrohet pyetja, si i ka ndërtuar këto ura Fethullah Gylen? Ai është mendimtar dhe dijetar, nuk është një inxhinier! Ura e parë, të cilën Fethullah Gylen e ka ndërtuar me një mjeshtëri të madhe, një urë të cilën shumë mendimtarë, studiues dhe akademikë duhet ta vëzhgojnë dhe studiojnë me kujdes, është pikërisht ura që lidh mendjen me zemrën.
Në epokën ku jetojmë, në përgjigje të prapambetjes dhe gjendjes së dobët të myslimanëve dhe nga ana tjetër ndikimit të Perëndimit në botën tonë të të menduarit, Fethullah Gylen u përqëndrua në hapjen e universiteteve, qendrave akademike-kërkimore dhe shkollave. Pikërisht ashtu siç veprojnë institucionet në botën perëndimore. Këto aktivitete dhe investime të tij kanë sjellë një frymë të re në mjediset dhe komunitetet e myslimanëve anëkënd botës. Ai i ka ofruar një perspektivë të re botës së mendimit islam. Sepse ne e dimë, që ndryshimet e negatives në pozitive ose anasjelltas, nisin prej “të menduarit”.
Disa lëvizje, duke burgosur veten e tyre në të kaluarën kanë injoruar njëfarësoj kushtet e epokës. Mirëpo Gyleni ka mbledhur gjithë vlerat e së shkuarës, duke i sjellë ato në kushtet e ditëve të sotme, ka mbartur akumulimin e së kaluarës në ditët e sotme, ka shoshitur të kaluarën dhe duke i përshtatur me kushtet e ditëve të sotme, ka zhvilluar argumente të qenësishme. Dhe këto janë argumente, të cilat i japin zgjidhje problemeve të ditëve të sotme, mundësojnë realizimin e mirësive (të mirave) të shumta dhe shkatërrojnë të keqen. Nga ana tjetër, në emër të trashëgimisë sonë, ai ka hedhur poshtë të gjitha argumentet, të cilat nuk sjellin asgjë të mirë dhe nuk ndalojnë të këqiat.
Jam njohur me njerëz mikpritës dhe të sjellshëm
Dr. Maureen Mekkormak - (Murgeshë, Loretto): Në vitin 2007 pata fatin që të marr pjesë në një nga shëtitjet e organizuara nga shoqata “Mozaik” në Turqi. Jam njohur me njërëz të “Lëvizjes Hizmet” dhe jam prekur shumë prej tyre. Janë shumë mikëpritës, të sjellshëm, të këndshëm dhe kanë kontakte me njerëz nga të katër anët e botës. Kjo është shumë mbresëlënëse. Dhe Fethullah Gylen është një burim i madh frymëzimi për të gjithë njerëzit e “Lëvizjes Hizmet”. Ai, udhëheq një brez, i cili është i hapur ndaj të gjithë llojeve të njerëzve, atyre që nuk besojnë tek armiqësitë, besimtarë të feve të ndryshme, njerëz që nuk kanë patur mundësi të jenë besimtarë. Gylen flet për jetën e zemrës, për gjallërinë shpirtërore. I dua shumë këto shprehje. E dua shumë dhe shprehjen “Hape zemrën sa të mundesh e për këdo, le të jetë ajo sa një oqean…”
- Publikuar më .