Deklaratë për shtyp e M. Fethullah Gylenit në lidhje me ngjarjet e fundit në Turqi
Si dje, edhe sot, ekzistojnë disa forca të së keqes, që ndërkohë që i nxitën disa që të merrnin rrugën e t’i kallnin datën kujtdo, nxitën edhe disa të tjerë që të përgatiteshin për t’u marrë hakun të parëve, duke i vënë kësisoj njerëzit kundër njëri-tjetrit dhe duke u përpjekur për të hedhur në xhep interesat e tyre vetjakë.
Duket sikur bëhet fjalë për të njëjtat duar, të cilat, që para grushtit të shtetit të 27 majit të 1980, krijojnë të njëjtat provokacione, duke i ndarë njerëzit në klasa të ndryshme si të majtë dhe të djathtë, pa harruar asnjëherë që t’i shkelin ata në kallo kur të ketë qenë nevoja, pavarësisht faktit se në këtë mes janë vrarë fëmijët e këtij kombi. Kështu, këta njerëz janë përpjekur të ngrenë salltanetet e tyre mbi gjakun e derdhur të sa e sa njerëzve të pafajshëm.
Edhe situata në të cilën gjendemi duket sikur bëhet fjalë për skena të të njëjtit skenar, ku po i çelet rrugë gjithfarë konfliktesh dhe përplasjesh etnike e kulturore, madje mund të shihet edhe se vendi po shtyhet - Zoti na ruajtë! - drejt një lufte civile.
është e qenësishme që kushdo që e do çdo anë, ngjyrë, motiv, lloj apo dialekt të atdheut tonë, të tregohet sa më i matur e i kujdesshëm, të mos bierë pre e nxitjeve dhe të mos mbërthehet kurrsesi prej parimit të “përgjigjes me të njëjtën monedhë”.
Mirëpo, fatkeqësisht, gjuha e përdorur nga një varg politikanësh, aktorësh mediatikë dhe sa e sa kalorësish të penës është tejet nxitëse, çka e shton edhe më tensionin e pranishëm, duke e bërë edhe më të lehtë vënien e flakës nga çasti në çast.
Ajo çfarë duhet bërë është ulja, diskutimi dhe kërkimi i zgjidhjeve me arsye, largpamësi dhe gjithëpërfshirje dhe jo duke bërtitur e akuzuar gjithkënd, duke rrënuar e shkatërruar apo duke vrarë njerëz.
Veç kësaj, unë jam më se i bindur se është e dobishme që ta rikujtojmë edhe njëherë se në profesionin e të përkushtuarve të Hizmetit nuk ka vend për rrugën, dhunën, sherret dhe nxitjen e njerëzve.
Ata njerëz që ia kanë dedikuar veten shërbimit të shoqërisë shoqërisë nuk do t’i largohen parimeve të kushtetutës dhe kufijve të shtetit ligjor, cilado qoftë mënyra e papranueshme e sjelljes së, duke mos u përfshirë asnjëherë në rrugë të papranueshme.
Anëtarët e kësaj lëvizjeje që e ka bërë punën e mirë shenjë dalluese të vetvetes, që e duan dhe e respektojnë vendin dhe kombin e tyre, brenda mundësive do të vazhdojnë të ruajnë të drejtën dhe ligjin duke vepruar veçse me drejtësi, pa rënë kurrsesi pre e lojrave dhe nxitjeve të skenaristëve të errësirës, me lejen dhe ndihmesën e Allahut.
Për këtë arsye, dua t’i lutem edhe njëherë Zotit që t’i lumturojë në amshim dëshmorët e rënë në këto sulme, t’i falë durim popullit tonë, t’u mundësojë largapamësi autoriteteve në vend dhe t’ua kthejë mbi kryet e tyre të gjithë kurthet e planifikuara prej atyre që ushqehen me gjak.
Si përfundim, dua t’i ftoj të gjithë drejt fuqisë së pashtershme të lutjes ndaj Zotit: “O Zot, mundësona që të jemi të bashkuar, lidhna neve fort pas njëri-tjetrit dhe na bëj të mundur që të jemi të gjithë si një e tërë. Tregoju rrugën e drejtë dhe falu udhëzimin të gjithë njerëzve që Ti i ke zgjedhur për t’i udhëzuar, duke ndjellë paqen e dashurinë në mendjet dhe zemrat e tyre. Nëse në mesin e atyre që ushqejnë gjithë këtë armiqësi ka të atillë që nuk e meritojnë udhëzimin Tënd dhe nuk e duan as vetë një udhëzim të këtillë, atëherë prishjua atyre lojrat dhe planet e kobshme që ata çojnë nëpër mend!”
M. Fethullah Gylen
- Publikuar më .