Gjyqtarët e Erdoganit dhe ekstradimi i M. Fethullah Gylenit
Në vazhdën e zbulimit të skandaleve për korrupsion dhe mitmarrje, të bëra publike rreth një vit më parë në datat 17-25 dhjetor 2013, të cilat çuan në dorëheqjen e katër ministrave të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim në pushtet të implikuar në këto skandale, ish-kryeministri në detyrë në atë periudhë, Rexhep Tajip Erdogan publikisht filloi një valë shpifjesh dhe akuzash në adresë të mendimtarit dhe klerikut Fethullah Gylen, duke e cilësuar atë si terrorist pa paraqitur asnjë fakt apo provë të vetme, ndërsa në deklaratat e tij të mëparshme publike kishte vlerësuar shumë punën dhe kontributin e tij në të kaluarën. Ndërsa tani Erdogan po përpiqet të sigurojë një urdhër-arresti ndërkombëtar për z. Gylen, duke kërkuar me këmbëngulje përfshirjen e tij në të ashtëquajturën ‘listë të kuqe’.
Deri para rreth një viti, Partia për Drejtësisë dhe Zhvillim ka pranuar publikisht se ky pretendim dhe akuzat e tjera, të cilat janë të papranueshme për një njeri racional dhe të përgjegjshëm, janë pjesë e një përpjekjeje për të krijuar një infrastrukturë ligjore të nevojshme. Në atë kohë partia në pushtet kaloi me ngut një sërë projektligjesh aspak normale dhe duke përdorur politikën e “kulaçit dhe kërbaçit” (një politike të ofruar nëpërmjet kombinimit të shpërblimeve dhe dënimeve për të nxitur sjellje të caktuara), ajo ia ka arritur të garantojë nënshtrimine nevojshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në këtë kontekst, ai zëvendësoi qindra gjyqtarë dhe prokurorë të paanshëm, duke krijuar ndërkohë gjykata të jashtëzakonshme në përbërjen e të cilave u emëruan gjyqtarë të deklaruar publikisht për besnikëri ndaj partisë në pushtet. Përfundimisht, z. Erdogan ia arriti të sigurojë atë që dëshironte: një urdhër-arresti për z. Gylen me akuzën se drejton një organizatë terroriste.
Për opinionin demokratik ndërkombëtar, ky veprim nga ana e tij nuk përbën asnjë surprizë. Për rreth një vit e gjysmë, e thënë ndryshe që pas protestave të parkut “Gezi”, gazetat më prestigjioze në mbarë botën kanë botuar vazhdimisht artikuj të shumtë, ku vinin theksin në faktin se z. Erdogan është shndërruar në një armik autoritar dhe represiv i të drejtave dhe lirive duke dënuar dhe persekutuar këdo që shprehet apo ushqen pikëpamje të papajtueshme me të.
Në të vërtetë kjo është pikërisht ajo që mund të pritet nga një parti në pushtet, e cila në përpjekje për të minimizuar denoncimin dhe diskutimin e praktikave të saj korruptive (të fshira), pa mëshirë ndaloi aksesin në rrjetet sociale Twitter dhe Youtube si dhe urdhëroi policinë të shtypte ashpërsisht protestat paqësore në parkun “Gezi” në Stamboll, duke shkaktuar lëndime, madje edhe humbjen e jetës së disa protestuesve.
Kudo në botë, sundimtarët despotikë kanë tendencën që të anatemojnë kundërshtarët e tyre si terroristë apo si tradhtarë, duke u përpjekur t’i stigmatizojnë ata, si para publikut vendas dhe para atij ndërkombëtar. Asnjë sundimtar autokrat nuk pranon që këto qëndrime janë një përpjekje për të asgjësuar rivalët e tyre, sepse në thelb ata nuk mund të pranojnë ide, mendime apo pikëpamje të kundërta më të tyret. Në vend të kësaj, ata formojnë gjykata komike dhe nxjerrin vendime të paligjshme ndaj kujtdo që mendon ndryshe.
Pikërisht kjo ka ndodhur dhe me z. Fethullah Gylen. Por, ashtu sikundër brenda Turqisë, edhe në të gjithë botën, gazetat prestigjioze, politikanët dhe intelektualët e atyre vendeve nuk e kanë marrë seriozisht vendimin më të fundit të gjykatës në fjalë. Ata e shohin këtë si një shenjë të qartë të asaj se si partia në pushtet në Turqi ka humbur kontrollin e saj në përdorimin e pushtetit.
Nuk është e nevojshme të jesh ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare apo shkencave politike për të parë dhe kuptuar standardet e dyfishta të partisë në pushtet, e cila nga njëra anë, në mënyrë të përsëritur, deklaron një partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke siguruar një mbrojtje nga Siria përmes sistemit anti-raketor të ofruar prej NATO-s, lejimin e ndërtimit të bazës Kürexhik përveç bazës ekzistuese në Inxhirlik, dhe nga ana tjetër në përpjekje për të siguruar votat e konservatorëve përdor një retorikë antiperëndimore, anti-SHBA dhe anti-Bashkim Europian.
Kuptohet qartë se përmes akuzave të saj joserioze dhe të pabaza kundër “Lëvizjes për Shërbim”, çka, në fakt, ka bërë që dhe një numër i madh i mbështetësve të saj të lodhen nga ky qëndrim dhe kjo retorikë, partia në pushtet tashmë nxiton të shpikë një organizatë terroriste, duke e vënë veten e saj në një pozitë qesharake. Për më tepër, ajo imponoi një gjykatë nën varësinë e saj të kalojë një vendim thjesht dhe vetëm për ta përdorur atë për qëllime propagandistike gjatë fushatës së ardhshme të zgjedhjeve të përgjithshme, duke thënë: "Ne i kemi kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës ekstradimin e tij, por SHBA-të nuk na e dorëzojnë, sepse ja pra tek del që ai është një bashkëpunëtor i CIA-s”.
Vendimi i gjykatës është i parregullt në të gjitha aspektet ligjore. Partia në pushtet dhe gjykatat në varësi të saj e dinë mjaft mirë vendqëndrimin e z. Gylen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ata mund t’u kërkojnë autoriteteve amerikane të sigurojnë dëshminë e tij duke përdorur dispozitat e marrëveshjeve dypalëshe rreth ndihmës së ndërsjelltë në çështjet penale. Por në vend të kësaj praktike, me vetëdije kanë zgjedhur një tjetër mënyrë. Në një rast tjetër, në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij, për të cilat, më vonë gjykata e pati shpallur të pafajshëm, autoritetet amerikanë kanë marrë dëshminë e z. Gylen, duke iu referuar pikërisht procedurave të marrëveshjeve dypalëshe të ndihmës së ndërsjelltë ligjore. Fakti që ata zgjodhën qëllimisht t’i shmangen marrëveshjes dypalëshe të ndihmës së ndërsjelltë ligjore, për të ndërmarrë një tjetër nismë e destinuar të dështojë, tregon qartë se ky njoftim po përdoret vetëm për qëllime propagandistike.
Për më tepër, dihet botërisht se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet anglo-saksone janë të prirura të mos i marrin në konsideratë të ashtëquajturat ‘lista e kuqe”.
“Lista e kuqe”, nuk është një dokument me ndofarë vlefshmërie ligjore, dhe shumica e vendeve perëndimore shqyrtojnë imtësisht përmbajtjen e njoftimit dhe vlerësojnë provat dhe faktet për çështjen në fjalë, duke mos pranuar menjëherë vlerësimet e Sekretariatit të Përgjithshëm të Interpolit për një çështje të caktuar.
Me pak fjalë, bazuar në procedurat dhe praktikat ligjore, mund të thuhet se Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit nuk do të lëshojë një urdhër-arresti ndërkombëtar dhe autoritetet amerikane nuk do ta vlerësojnë të arsyeshme t’i kërkojnë gjykatës një vendim për kërkesën në fjalë. Vendime të tilla do të tregojnë edhe një herë se Turqia ka tendencë për të paraqitur kërkesa të paligjshme, duke dëmtuar edhe më shumë prestigjin e vendit në arenën ndërkombëtare.
- Publikuar më .