Gyleni dhe Sartri në Lidhje me Përgjegjësinë

Dy kapitujt e fundit përqendroheshin tek njeriu ideal, siç përfytyrohet ai nga Konfuci, Sokrati dhe Gyleni dhe tek roli që ky njeri luan në qeverisjen shtetërore, apo kombëtare, si dhe në udhëheqjen e komunitetit. Ne arritëm në konkluzionin se të tre këta mendimtarë mund të quhen humanistë në kuptimin e gjerë të fjalës. Së pari sepse ata e mbështesin gjerësisht idenë se qeniet njerëzore janë të afta të aktualizojnë në vetvete një moral dhe intelekt ideal dhe se një shoqëri njerëzore mund të përparojë si e tërë drejt këtij ideali në nivele kolektive, se edukimi është mekanizmi kryesor nëpërmjet të cilit ky objektiv arrihet. I tërë diskutimi i dy kapitujve të mëparshëm bazohet në besimin themelor për qeniet njerëzore për të cilët Gyleni flet në veprat e tij dhe tek të cilët ai përqendrohet në shkrimet e veta, pra për idenë se qeniet njerëzore janë përgjegjëse për fatet e botës.

Përgjegjësia njerëzore për fatet e botës, për fatin e secilit, për atë të të tjerëve dhe për të ardhmen, përbën temën e vazhdueshme të diskutimit të humanistëve për shekuj me radhë edhe në shumë diskutime fetare. Parimet qendrore të humanizmit në lidhje me fuqinë, kapacitetin, aftësinë dhe bukurinë e qenieve njerëzore, si individualisht, ashtu edhe kolektivisht, nuk kanë kuptim, apo të paktën cenohen ndaj boshllëkut moral, derisa të mos jenë të shoqëruara nga një besim i fortë në përgjegjësinë njerëzore për fatet e botës. Të flasësh për fuqi dhe aftësi njerëzore, por jo për përgjegjësi për ta ushtruar siç duhet këtë fuqi, për krijimin e një bote që nuk rrezikohet nga ndërhyrjet e pavend të njerëzve, kjo e pakta mund të quhet jologjike, për të mos thënë cinike. Filozofia humaniste që është besimi në aftësitë dhe në përgjegjësitë e qenieve njerëzore për të qenë krijues në botë, në aspekte të caktuara, ka qenë baza që i ka çuar disa popuj dhe disa shoqëri në disa prej arritjeve më të mëdha njerëzore. Shumë mrekulli në botën e artit, letërsisë, arkitekturës, filozofisë dhe zbatimit të saj shoqëror e politik të saj, shkencave mjekësore dhe fushave të tjera, ekzistojnë për arsye se njerëzit kanë besuar në fuqinë e tyre për të krijuar gjëra të reja, për të përhapur pikëpamje të reja dhe për të arritur thyerjen e koncepteve të vjetra. Disa e konsideronin fuqinë e tyre, si një fuqi të dhënë nga Zoti, apo zotërat dhe e shikonin shërbimin dhe arritjet e tyre, si adhurim ndaj Zotit. Të tjerë e shikonin forcën e tyre nga një këndvështrim jofetar. Në të dy rastet, njerëzit e konsideronin fuqinë e tyre si përgjegjësi në përdorimin e saj për të mirën e shoqërisë pavarësisht nga buronte ajo.

Lidhur me dialogun përfundimtar të këtij libri për temën e përgjegjësisë, dëshiroj të zgjedh si partner të dialogut me Gylenin një numër humanistësh nga skaje të kundërta të traditës perëndimore dhe lindore. Shumë filozofë, shkrimtarë, burra shteti, teoricienë dhe mendimtarë nga epoka dhe kultura të ndryshme kanë folur në veprat e tyre në lidhje me temën e përgjegjësisë në shkallë të ndryshme. Edhe ata të cilët ishin të pajisur me pikëpamje të forta teologjike dhe që flasin për gjithçka si të paracaktuar nga Zoti, mund t’i fusnim në listën e atyre që mbrojnë pikëpamjet e përgjegjësive njerëzore për fatet e botës (Gyleni vetë, bën pjesë në këtë kategori). Megjithëkëtë, për këtë dialog të fundit unë kam zgjedhur të ballafaqoj me të, liderin e njërës prej shkollave më me ndikim të shekullit të njëzetë në fushën e filozofisë, i cili ka mbrojtur më shumë se kushdo tjetër nocionin e përgjegjësisë njerëzore për fatet e botës. Ky filozof është Zhan Pol Sartri nga shkolla ekzistencialiste e mendimit.

Menjëherë lindin pyetje të shumta në lidhje me këtë zgjedhje, pyetje të ligjshme të cilave duhet t’u përgjigjemi përpara se të fillojmë. Pikësëpari, mund të duket problematike që të vësh në krah të Gylenit një ateist si Sartri. Pyetja që shtrohet është: Si është e mundur të ketë përputhje mendimesh, apo dialog ndërmjet një ateisti nga njëra anë dhe një dijetari mysliman nga ana tjetër? Përse u dashka të ndërtojmë një dialog ndërmjet tyre? Ateistët dhe fetarët, veçanërisht monoteistët, zakonisht kundërshtojnë njëri-tjetrin dhe nuk janë të interesuar për dialog. Megjithatë, kjo është arsyeja e vërtetë përse duhet të ndërmerret një dialog i tillë, edhe pse në këtë rast ai bëhet vetëm në faqet e një libri. Natyra e lirë e trashëguar, e ndërgjegjes njerëzore, virtualisht garanton që ateistët dhe monoteistët, si dhe të gjithë shkallët e besimit dhe mosbesimit që ndodhen ndërmjet tyre, do të vazhdojnë të ekzistojnë në botë përgjithmonë, ashtu siç ndodh tani. Akuzat e ndërsjella të ateistëve dhe besimtarëve nuk bëjnë gjë tjetër përveçse minojnë bashkekzistencën paqësore në botën e sotme të globalizuar, por me kultura thellësisht të ndryshme. Por ne nuk mund të pranojmë të lejojmë që akuzat e ndërsjella të bëhen, apo të ngelen norma ndërmjet njerëzve të cilët nuk ndajnë të njëjtin mendim në çështjet e besimit. Ne duhet të nxisim dialogun edhe ndërmjet atyre të cilët nuk kanë, apo nuk duket se kanë gjë për t’i thënë njëri-tjetrit.

Së dyti, Gyleni vetë e kritikon hapur Sartrin dhe ekzistencializmin. Tek “Statuja e shpirtrave tanë”, Gyleni e vendos ekzistencializmin në listën e gjatë të “izmave” jonormale të cilat kanë pushtuar Turqinë dhe Perëndimin në fundin e shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në shekullin e njëzetë dhe ku bëjnë pjesë marksizmi, durkheimizmi, leninizmi dhe maoizmi. Ai i thotë rinisë turke të asaj periudhe:

“Disa e ngushëllojnë vetveten me ëndrrën e komunizmit dhe diktaturës së proletariatit, disa të tjerë shkojnë dhe zhyten në komplekset frojdiane, disa e humbasin mendjen pas ekzistencializmit dhe ngatërrohen me Sartrin, disa të tjerë pështyjnë mbi gjërat e shenjta duke cituar Markuzen, e disa e shpenzojnë jetën e tyre mes delirit të Kamysë...”[1]

Është e qartë se Gyleni nuk është përkrahës i ekzistencializmit, apo i dy përfaqësuesve kryesorë të kësaj rryme, Sartrit dhe Kamysë. Prandaj, si dhe pse duhet ta vendosim Sartrin në ndonjë lloj bashkëbisedimi me njëfarë sensi me idetë e Gylenit kur vetë Gyleni ka një opinion të tillë kaq të ulët për idetë e Sartrit? Ky përbën një version tjetër të pyetjes së parë që shtruam. Gyleni e hedh poshtë ekzistencializmin në shumë pika; edhe Sartri nëse do të ishte gjallë, do të hidhte poshtë shumë nga idetë e Gylenit. Prapëseprapë, kjo nuk e përjashton një dialog të mundshëm mes tyre. Në rast të kundërt, i tërë projekti i dialogut, i cili është kaq i rëndësishëm për lëvizjen e Gylenit, komprometohet dukshëm, për arsye se dihet që vetëm ata të cilët janë të një mendjeje në shumë pika, mund të dialogojnë me njëri-tjetrin. Marrëdhëniet dhe respekti i ndërsjelltë mund të ekzistojnë ndërmjet njerëzve të cilët kanë me njëri-tjetrin mospërputhje të thella pikëpamjesh, siç është rasti i Gylenit dhe i Sartrit, apo i cilitdo besimtari dhe ateisti tjetër. Për më tepër, Gyleni mund ta përmbushë detyrën e tij si një dijetar mysliman i obliguar nga Kurani për të luftuar ateizmin duke kundërshtuar idetë ateiste, por megjithatë, duke respektuar personin e tij përfaqësues, thjesht për faktin se ai mund të jetë një qenie njerëzore me vlera të trashëguara dhe me dinjitet. Dialogu është mënyra përmes së cilës e mbajmë të përqendruar vëmendjen në humanizmin e të tjerëve edhe kur, apo veçanërisht, kemi mospërputhje të thella me idetë e tyre. Gjetja e pikave të përbashkëta, mes hendekut të ndryshimeve të thella, përbën një strategji të dëshmuar nga koha për arritjen e bashkekzistencës paqësore ndërmjet njerëzve me pikëpamje krejtësisht të ndryshme. Një dialog i tillë i vështirë mund të përbëjë elementin më të rëndësishëm që duhet të përdorin njerëzit. Duke pasur parasysh sa thamë më lart, le të rikthehemi tek Sartri dhe Gyleni për të parë çfarë lidhjesh mund të ekzistojnë, nëse është e mundur, ndërmjet ideve të tyre respektive.

Idetë e Sartrit dhe ato të ekzistencializmit si tërësi, zhvlerësohen nga popullariteti që ka patur kjo lëvizje në mesin e shekullit të njëzetë. Prandaj, ajo u bë kaq popullore si filozofi qoftë në Francë, ashtu edhe në krejt Perëndimin, saqë u shndërrua edhe në një modë magjepsëse. Ekzistencializmi ishte dhe vazhdon të jetë i përhapur në literaturën e shkruar vendase prej atyre të cilët e pasqyrojnë dhe e interpretojnë si një botëkuptim “masiv” popullor të ideve, më tepër sesa një studim të bazuar dhe të hollësishëm të temave kryesore të paraqitura për diskutim në veprat e shumë përfaqësuesve të kësaj shkolle mendimi. Këtë e komplikon edhe më tej fakti se shumica e ekzistencialistëve nuk përputhen me njëri-tjetrin në të gjitha pikat dhe në disa raste në shumicën e pikave. Shumica e njerëzve e shohin Sartrin si një nga shkrimtarët më prodhimtarë të kësaj rryme, si ekspozuesin kryesor të krejt pikëpamjeve ekzistencialiste, një pozicion të cilin ai e pranon në njëfarë mënyre në momente të caktuara të punës së tij.

Sartri ishte i vetëdijshëm për interpretimet e kufizuara dhe shpesh të gabuara të ekzistencializmit si dhe për vlerësimin e bërë në kulturën popullore rreth kësaj shkolle mendimi, si tërësi. Ai i shpreh këto pikëpamje në një ese që njihet më së shumti nën titullin “Ekzistencializmi si Humanizëm”, apo thjesht “Ekzistencializmi”, që është pjesë e një vepre më të vëllimshme të botuar në 1957 dhe të titulluar “Ekzistencializmi dhe Ndjenjat Njerëzore”. Në këtë pjesë të shkëputur, Sartri identifikon gabimet kryesore të njerëzve në interpretimin e ekzistencializmit, apo në identifikimin e pikëpamjeve kryesore të kësaj rryme që lidhen me realitetin njerëzor. Ndërsa ai e mbron ekzistencializmin ndaj këtyre mendimeve problematike, ne vërejmë në realitet një vizion të ekzistencës njerëzore mjaft të ndryshëm nga ç’e japin interpretimet e zakonshme të ekzistencializmit. Sartri artikulon një lloj përgjegjësie njerëzore që frymëzon veprimet pasionante dhe afirmimin e fuqishëm të aftësive njerëzore për të modeluar botën. Sartri përdor termin lakonik “detyrë”, për të përshkruar marrëdhëniet e njerëzve me botën të cilën mund të modelojnë. Megjithatë, shpirti i fjalës është aty edhe pse shkronjat mungojnë. Ata që zgjedhin të jetojnë në botë por që nuk marrin përgjegjësi për fatet e saj, janë qenie që nuk meritojnë të quhen njerëz, por frikacakë. Kjo pikëpamje dhe të tjera si ajo, përbëjnë një bashkësi idesh të cilat përputhen mjaft me temat e zgjedhura që janë pjesë e ideve të Gylenit.

Sartri, në fillim të esesë së tij bën një përmbledhje të sulmeve kundër ekzistencializmit, pastaj vijon me përkufizimin dhe shpjegimin e versionit të tij. Pasi shpjegon përbërësit bazë të ekzistencializmit, ai u jep përgjigje sulmeve më të përhapura kundër tij. Sulmet janë të thjeshta dhe të mirënjohura, ato rrjedhin nga kuptimi popullor për ekzistencializmin si për shembull: se ai nxit pasivitetin, apo plogështinë, se ai bazohet dhe promovon gjithçka të shëmtuar rreth jetës dhe se ai mohon seriozitetin e iniciativave njerëzore. Shkurt, njerëzit e kritikojnë dhe e hedhin poshtë ekzistencializmin ateist francez për shkak se ata e interpretojnë atë si një lloj nihilizmi, apo promovim të kotësisë. Sipas tyre, kjo rrymë mbështet idenë se nuk ekziston asgjë absolute, as Zot, as vlera absolute, as kuptim thelbësor i fiksuar në lidhje me jetën, apo me njerëzit, prandaj nuk ka arsye për t’u bërë aktiv nga pikëpamja sociale, apo politike, por as edhe për të ndërmarrë iniciativa të përmirësimit të botës, apo për të arritur nivele të reja në fushën e dijes.

Sartri hedh poshtë, edhe pse në mënyrë paksa artificiale, këto pikëpamje në lidhje me ekzistencializmin dhe shpenzon krejt pjesën e parë të përgjigjes së tij ndaj këtyre sulmeve duke e përkufizuar me kujdes ekzistencializmin. Ai thotë se të gjitha versionet e ekzistencializmit, si ato kristiane, ashtu edhe ato ateiste, pohojnë një gjë të përbashkët: ekzistenca paraprin thelbin. Sartri, si përkrahës i tipeve të ndryshme të ateizmit, thotë se këto mendime e gjejnë bazën e tyre në versionin e tij të ekzistencializmit. “Thelbi” këtu ka kuptimin e një qëllimi, domethënieje, apo natyre. Shumica e objekteve të pajeta janë krijuar për të përmbushur një qëllim, apo synim që ekziston në mendjen e krijuesve të tyre. Një gërshërë për shembull, krijohet, pasi shpikësi i saj e skicon dhe e prodhon atë si përgjigje ndaj një qëllimi, synimi, apo vizioni të këtij shpikësi për gërshërën. Shpikësi ka nevojë për diçka që i duhet për të prerë copa letre, por nuk ekziston asgjë që të bëjë të mundur kryerjen e kësaj pune, kështu që ai shpik një gërshërë, qëllimi dhe domethënia e të cilës është për të prerë copa letre. Pra, thelbi paraprin ekzistencën. Shumica e njerëzve, - thotë Sartri, - mendojnë për Zotin në këtë mënyrë përsa i përket ekzistencës së qenieve njerëzore: Zoti i krijoi qeniet njerëzore për të përmbushur qëllimin e tij dhe kuptimi i tyre në lidhje me këtë çështje mbështetet tek ky qëllim. Thelbi paraprin ekzistencën e tyre, ashtu si gërshëra. Kuptimi, qëllimi dhe natyra parapërcaktohen nga krijuesit në të dy rastet. Llojet e ndryshme vijnë në ekzistencë dhe në rastin e njerëzve, ata përpiqen të kuptojnë qëllimin e kësaj ekzistence në mënyrë që të gjejnë lumturinë.

Megjithatë, Sartri është një ateist që mendon se nuk ka Zot, në mendjen e të cilit kuptimi, qëllimi dhe natyra njerëzore -pra thelbi njerëzor- ekzistojnë përpara se ai të krijojë vetë njerëzit. Meqenëse nuk ka Zot, njerëzit thjesht vijnë në jetë, pra futen në ekzistencë dhe në fillim dhe më vonë vjen thelbi i tyre. Tek njerëzit, ekzistenca paraprin thelbin dhe ky përbën parimin e parë të ekzistencializmit. Sartri shpjegon:

“Çfarë do të thotë që ekzistenca paraprin thelbin? Do të thotë se para së gjithash, njeriu ekziston, shfaqet, del në skenë dhe vetëm më pas ai përvijon vetveten. Në qoftë se njeriu, siç e konceptojnë ekzistencialistët, është i papërkufizueshëm, kjo ndodh, sepse në fillim ai nuk është asgjë. Vetëm më pas ai do të jetë diçka dhe ai vetë do të bëjë atë çfarë ai do të jetë. Prandaj nuk ka natyrë njerëzore, meqenëse nuk ka Zot për ta përcaktuar atë. Jo vetëm që është njeriu ai i cili e përvijon konturin e vetvetes, por gjithashtu është vetëm ai që dëshiron të jetë pas kësaj hyrjeje të tij në ekzistencë. Njeriu nuk është asgjë tjetër, përveç asaj që ai bën me vetveten. Ky përbën parimin e parë të ekzistencializmit.”[2]

Kësisoj nuk ekziston asnjë kuptim, apo qëllim i parapërcaktuar për jetën njerëzore, apo për gjallesat, meqenëse nuk ka Zot për ta përcaktuar atë. Qeniet njerëzore thjesht ekzistojnë, hyjnë në botën e gjallë dhe duhet të kenë qëllimet e veta, kuptimin dhe natyrën e vet të pavarur. Mirëpo, në këtë parim të parë, vërejmë filizat e përgjegjësisë që Sartri përmend në filozofinë e tij të qenieve njerëzore, veçanërisht në idenë sipas së cilës, meqenëse qeniet njerëzore vijnë në ekzistencë si qenie të ndërgjegjshme dhe me aftësi njohëse që rriten vazhdimisht, ata bëhen të vetëdijshëm. Sartri vazhdon:

“Njeriu është në fillim një projekt i ndërgjegjshëm për vetveten e jo thjesht një grumbull mbeturinash, një pjesë moçali, apo një lulelakër. Asgjë nuk është më e rëndësishme se ky plan. Nuk ka asgjë në qiell. Njeriu do të jetë ai që ka planifikuar vetë të jetë... Por nëse ekzistenca realisht paraprin thelbin, njeriu realisht është i përgjegjshëm për atë që është. Prandaj hapi i parë i ekzistencializmit është ndërgjegjësimi i njerëzve për atë çfarë ata përfaqësojnë dhe marrja nga ana e tij e përgjegjësisë së plotë në lidhje me ekzistencën e vet. Por, kur shohim se një njeri është i përgjegjshëm për vetveten, nuk kemi parasysh që ai është i përgjegjshëm për individualitetin e tij, por sa është përgjegjës për të gjithë njerëzit.”[3]

Nga ky fragment që cituam, për diskutimin tonë dalin në pah dy çështje të rëndësishme. Së pari, përgjegjësia për të cilën flet Sartri, përhapet nga individët e veçantë tek të gjitha qeniet njerëzore. Ky version mbështetet në konceptin e Sartrit për subjektivizmin që është: në çdo kohë qeniet njerëzore janë të lidhura me botën, me botën njerëzore dhe me botën e qenieve njerëzore. Ne kurrë nuk mundemi që të dalim jashtë botës, jashtë natyrës sonë njerëzore, jashtë ndonjë këndvështrimi “objektiv” të izoluar nga bota dhe të tjerët. Ne ekzistojmë natyrshëm në botë, së bashku me të tjerët, si pjesë e botës, në bashkekzistencë me qeniet e tjera njerëzore. Prandaj, kur ne bëjmë zgjedhjet tona për jetën dhe marrim përgjegjësitë për krijimin e jetës sonë të pavarur, ne nuk krijojmë një model vetëm për veten tonë, ne krijojmë për të gjithë, sepse jemi të lidhur me të gjithë. Ne i kemi rrënjët në subjektivizëm. Të zgjedhësh, do të thotë ta shtrish këtë zgjedhje jo vetëm tek vetvetja, por tek të gjithë. Sartri thotë: “Në krijimin e njeriut, sipas mënyrës që duam ne, nuk ekziston as edhe një veprim i vetëm, i cili të mos na krijojë në të njëjtën kohë një imazh të njeriut që ne përpiqemi të krijojmë sipas përfytyrimit tonë.”[4] Një pikë e dytë e rëndësishme del në pah nga fragmenti i mësipërm në lidhje me përkufizimin e Sartrit për qeniet njerëzore. Në këtë fragment, ai i dallon qeniet njerëzore nga “një grumbull mbeturinash, një pjesë moçali, apo një lulelakër.” Qeniet njerëzore nuk janë thjesht objekte midis objekteve të tjera të lëna në dorë të fatit, instinkteve të verbra trupore, apo kohës. Më pas, në esenë e tij ai e thekson këtë pikë më fort. Në lidhje me teorinë e ekzistencializmit, ai thotë:

“Kjo teori është e vetmja që i jep njeriut dinjitet, e vetmja që nuk e katandis në një objekt. Efekti i gjithë materializmit është trajtimi i të gjithë njerëzve, duke përfshirë edhe filozofët, si objekte që do të thotë, si një ansambël reaksionesh të përcaktuara që nuk kanë asnjë dallim nga ansambli i cilësive dhe i fenomeneve që përbëjnë një tavolinë, një karrige, apo një gur. Ne dëshirojmë ta përkufizojmë në mënyrë të qartë mbretërinë njerëzore si një ansambël vlerash të dallueshme nga bota materiale.”[5]

Këtu, Sartri bën ndarjen e ekzistencializmit nga materializmi, të cilin Gyleni dhe shumë të tjerë, të nisur nga këndvështrimi fetar, e hedhin poshtë, qoftë duke e konsideruar si simptomë të një sëmundjeje shpirtërore, ashtu edhe si një aspekt të ateizmit, apo si nënvleftësim të jetës njerëzore. Sartri gjithashtu e hedh poshtë këtë teori, ndonëse nëpërmjet linjash të ndryshme argumentimi. Ekzistencializmi i Sartrit nuk lejon që njerëzit të bien në nivelin e gurëve, karrigeve, apo mbeturinave. Përkundrazi, ai këmbëngul në faktin se njerëzit janë shumë më tepër se kaq, jo sepse janë krijuar nga Zoti me një qëllim, apo domethënie të caktuar, por sepse që nga lindja e më tej, ne, në mënyrë të qartë, paraqesim në jetët tona aftësinë për ndërgjegje, vetëdije dhe vetë-vetëdije, gjë që është e ndryshme nga qeniet e tjera të gjalla. Ndryshe nga gjallesat e tjera, ne mendojmë në kuptimin më të plotë kartezian të fjalës, ky akt përfshin vetëmendimin, apo të menduarit rreth vetes. Kjo veti përbën një ndryshim kategorik ndërmjet njerëzve dhe gjallesave të tjera. Për më tepër, kjo është baza e cila jep motivin e krijimit të vlerave, të idealeve dhe të botëkuptimit. Duke qenë njerëz të këtyre përmasave dhe duke i pasur rrënjët në subjektivizmin njerëzor, ne duhet të pyesim vetveten, nëse duam të jemi të ndershëm dhe të përgjegjshëm në këtë botë: “A jam unë vërtet njeriu i duhur i cili gëzon të drejtën të veprojë në mënyrë të tillë, sipas së cilës, njerëzimi të mund të udhëhiqet nga veprat e mia?”[6] Sartri thotë se mosbërja e kësaj pyetjeje, përbën të jetuarit në atë që ai e quan “besim i keq” me vetveten dhe me botën.

Është e qartë se një person i zhytur në depresion, i lodhur, pasiv dhe i izoluar, nuk është ai që ka në mendje Sartri, pra, njeriu që merr përgjegjësi për vetveten dhe për botën. Një person i tillë u shmanget përgjegjësive, si për jetën e vet, ashtu edhe për atë të të tjerëve, me një lloj dorëzimi që shprehet: “E çfarë mund të bëj unë? Asgjë.” Përkundrazi, sipas Sartrit, mund të bëhet shumë. Për më tepër, ne jemi të vetmit që duhet të bëjmë diçka dhe ne e “bëjmë atë edhe kur jemi duke ndenjur, duke mos i shmangur përgjegjësitë tona, me justifikimin se kështu kemi lindur, apo s’kemi ç’të bëjmë, apo fati ka përcaktuar të ndodhë kështu. Pasiviteti fatalist është rezultat i një filozofie që ia bashkëngjit jetën njerëzore fatit dhe determinizmit materialist. Ekzistencializmi nga ana tjetër e hedh poshtë fatalizmin dhe determinizmin materialist dhe e shikon gjithë jetën njerëzore si një arenë veprimesh dhe përgjegjësie të bazuar në pikëpamjen, se nuk ka tjetër përveç nesh, ne do të jemi ata që vetëzgjedhim të jemi, asgjë më shumë, apo më pak. Sartri shpenzon shumicën e esesë së tij duke përshkruar “gjurmët” e të jetuarit të plotë brenda kësaj vetëdijeje dhe ndjenje përgjegjësie e veprimi, ndaj ai i quan ato me tri fjalë: ankth, dëshpërim dhe pikëllim. Keqinterpretimi i këtyre koncepteve na bën të dëshpëruar dhe pasivë. Nëse ato kuptohen siç duhet, ato na krijojnë një gjendje shpirtërore në të cilën ne përpiqemi të dalim në jetë duke u munduar të aktualizojmë planet më të mira për vetveten dhe për botën. Me ankth, Sartri nënkupton thjesht përvojën e një njeriu që ka jetuar gjithmonë me ndjenjën e plotë të përgjegjësisë. Ai thotë:

“Domethënia e ankthit është kjo: njeriu që e përfshin veten dhe që kupton se ai nuk është vetëm personi që zgjedh të jetë, por gjithashtu edhe si një ligjvënës, në të njëjtën kohë është duke bërë një zgjedhje për gjithë specien njerëzore, e jo vetëm për vetveten, pa mundur t’i shmanget ndjenjës së tij të përgjegjësisë së plotë dhe të thellë. Sigurisht, ka shumë njerëz të cilët nuk jetojnë me ankth, por ne mendojmë se ata janë duke e fshehur ankthin e tyre dhe se janë duke u shmangur prej tij.”[7]

Të dy këto veprime, si shmangia nga ankthi, ashtu edhe nga përgjegjësia, në kuptimin e plotë të fjalës, përbëjnë sipas Sartrit besimin e keq. Ai thotë se çdokush që ka një pozitë udhëheqëse e njeh një ankth të tillë, siç është rasti i një komandanti ushtarak që zgjedh t’i udhëheqë ushtarët në një betejë duke ditur se nga zgjedhjet e tij varet jeta e tyre. Sigurisht, ai mund ta shmangë përgjegjësinë dhe t’ia kalojë atë eprorëve të tij, duke thënë se në drejtimin e luftës ai thjesht ka zbatuar urdhrat. Megjithatë, Sartri thotë se komandanti në fjalë është interpretuesi i urdhrave dhe është ai që vendos, nëse duhet të veprojë, apo jo sipas tyre. Prandaj ai mban përgjegjësi për vendimet e tij. Mospasja e ankthit në këtë pozitë është mungesë përgjegjësie. Për më tepër, ndjenja e ankthit nuk përbën arsye që komandanti të mos veprojë. Prapëseprapë, ai duhet të zgjedhë nëse do t’i dërgojë ushtarët në luftë, apo jo, në vend që të jetë një justifikim për mosveprim, ankthi i tij përbën kushtin e vërtetë të veprimeve që ai kryen. “Ky ankth”, thotë Sartri, “nuk është një perde që na ndan nga veprimet, por është pjesë e veprimit tonë.”[8]

Dëshpërimi gjithashtu është shumë i thjeshtë, thotë Sartri. Me dëshpërim, thotë ai, “ne kuptojmë vetëm se Zoti nuk ekziston dhe se duhet të përballemi me pasojat e këtij fakti.”[9] Sartri hedh poshtë tendencën moderniste në perëndim për të bërë thirrje për ateizëm, megjithëse ajo akoma vepron sikur të ekzistonte një mbretëri transcendente morali, qëllimi dhe kuptimi. Në një skemë të tillë, Zoti është një koncept i vjetruar që duhet braktisur, megjithëse vlerat dhe domethëniet që burojnë nga ekzistenca e Zotit, mund të vazhdojnë të jenë të pranishme në të njëjtën shkallë, si atëherë kur merret në konsideratë ekzistenca e tij, në mënyrë që shoqëria të ecë me lehtësi përpara. Sartrit i duket kjo gjë jo vetëm jashtë logjike, por edhe e papërgjegjshme. Ai thotë:

“Përkundrazi, ekzistencializmi pohon se distancimi i plotë nga Zoti nuk ekziston, për arsye se çdo mundësi për të gjetur vlera në një qiell idesh, zhduket së bashku me Të. Nuk mund të ketë më tej një të mirë a priori, meqenëse nuk ekziston më ndonjë ndërgjegje e pafundme dhe e përkryer për ta menduar atë... Dostojevski ka thënë: “Nëse Zoti nuk do të ekzistonte, çdo gjë do të ishte e mundur.” Kjo përbën pikënisjen e vërtetë të ekzistencializmit. Nga ana tjetër, çdo gjë është e lejueshme nëse Zoti nuk ekziston dhe për rrjedhojë, njeriu ndjehet i dëshpëruar për arsye se as brenda vetes dhe as nga jashtë tij, ai nuk gjen diçka që të kapet pas saj. Ai nuk mund të vazhdojë të justifikojë vetveten më tej.”[10]

Fjalia e fundit përbën thelbin e çështjes dhe është tepër komode të mos i kushtohet vëmendja e duhur. Sartri nuk thotë se ne duhet të bëjmë gjithçka që na pëlqen, meqë nuk ekziston Zoti dhe se asgjë nuk ka vlerë hyjnore e se nuk ekziston asnjë nocion rreth së mirës, përkundrazi, ai po thotë se kur ne jetojmë të ndërgjegjshëm për këto fakte, shohim qartë se ne dhe jo Zoti jemi përgjegjës për gjithçka. Ne nuk kemi të drejtë të heqim dorë nga punët që na takojnë të kryejmë gjatë jetës me justifikimin e “vullnetit të Zotit”, apo “përcaktimit të Zotit”, apo me diçka tjetër të kësaj natyre. Ne jemi ata që vendosim çfarë është e mirë dhe e vlefshme, jo Zoti. Ne e ndjejmë ankthin që vjen nga një pozitë e tillë, përgjegjësinë e pabesueshme për gjithçka, dëshpërimin, apo vetminë që është karakteristikë në këtë botë. Mospasja e këtyre ndjenjave, apo përpjekja për mospasjen e tyre përbën nga ana jonë një “justifikim”.

Sartri vazhdon më tej se edhe nëse Zoti ekziston, situata jonë njerëzore nuk ndryshon. Ai në esenë e tij jep shembuj të ndryshëm për besimtarë të cilët jetojnë sikur Zoti të kishte zgjedhur rrugën e tyre, apo jeta dhe vlerat e të cilëve të mbështeten fort tek Zoti: një grua e cila dëgjon zëra shpirtërorë që e urdhërojnë atë të kryejë veprime të ndryshme, një student i cili merr udhëzim nga Zoti me anë të një prifti, një katolik i cili vepron duke u mbështetur në shenjat që jepen nga Zoti dhe një jezuit, i cili e ndjen dorën e Zotit në rrethana të ndryshme të jetës së tij. Në të gjithë këta shembuj, Sartri thotë se njerëzit janë duke i ikur përgjegjësive, jo sepse ata i përkushtohen besimit në Zot, por sepse ata refuzojnë të shohin përgjegjësitë e tyre në besim. Të tillë njerëz nuk e vërejnë faktin se janë ata vetë që e përcaktojnë çfarë përbën, ose jo një shenjë nga Zoti, nëse zërat e dëgjuar janë nga Zoti, apo nga djalli, nëse prifti ka të drejtë, apo jo, si duhet interpretuar teksti i shenjtë e kështu me radhë. Edhe nëse Zoti ekziston dhe na dërgon engjëj të flasin me ne, të zbresin shpallje hyjnore, të cilat ne i shkruajmë fjalë për fjalë, jemi ne ata që vendosim, nëse engjëjt duhen dëgjuar, apo jo dhe si t’i interpretojmë fjalët e thëna nga ata. Në fund të fundit, ne përsëri jemi përgjegjës. Ne nuk mund të nxjerrim justifikime për veten tonë, por dhe nuk mund ta nxjerrim veten duarlarë. Sartri në fund të esesë së tij shpjegon se ekzistencializmi nuk harxhon kohë për të mbrojtur ateizmin e vet, sepse në fund të fundit, kjo nuk ka rëndësi përsa i përket përgjegjësive njerëzore. Ai thotë:

“Ekzistencializmi nuk është aq ateist, sa ç’duket nga jashtë, kur flet për mosekzistencën e Zotit. Përkundrazi, ai thotë se edhe nëse Zoti do të ekzistonte, kjo nuk do të ndryshonte gjë. Kjo përbën pikëpamjen tonë kryesore. Jo se ne besojmë tek ekzistenca e Zotit, por ne mendojmë se problemi i ekzistencës së Tij nuk ka rëndësi.”[11]

Sidoqoftë, ne jemi përgjegjës për botën tonë, për vlerat tona, për botëkuptimin tonë dhe për synimet tona. Këtyre nuk mund t’iu shmangemi, prandaj, përpjekja për t’u ikur këtyre përgjegjësive, do të thotë të jetosh me mosbesim ndaj botës.

Në fund, me dëshpërim, Sartri na lë të nënkuptojmë faktin që ne duhet të veprojmë në botë si agjentë që kanë përgjegjësi të plotë, pa e ditur nëse veprimet tona do të japin rezultatet e dëshiruara. Ne nuk mund të mbështetemi si Hegeli në një Geist transcendent me qëllimin që historia të ecë drejt objektivave më të larta të veprave tona. Madje as që mund të mbështetemi në mirësinë njerëzore të lindur, apo në kudondodhjen e së vërtetës e në nocione të tjera të ngjashme me këto për t’u siguruar që veprat tona do të sjellin të ardhmen e dëshiruar. Asgjë nuk është e garantuar, thotë Sartri:

“Duke u nisur nga fakti që njerëzit janë të lirë dhe se nesër do të vendosin lirisht çfarë lloj njerëzish do të jenë, unë nuk mund të jem i sigurt se pas vdekjes sime të rinjtë luftëtarë do të pasojnë gjurmët e mia për të bërë që vepra ime të arrijë përsosmërinë e vet më të lartë. Nesër, pas vdekjes sime, disa njerëz mund të vendosin që të na risjellin fashizmin dhe të tjerët mund të jenë aq të dëshpëruar dhe të hutuar, sa t’i lejojnë që ta bëjnë këtë. Fashizmi mund të jetë realiteti njerëzor, pavarësisht dëmit që na shkakton. Aktualisht, gjërat do të jenë ashtu siç kanë vendosur njerëzit që ato të jenë.”[12]

Ne nuk kemi garanci që veprat tona do të sjellin fryte, pasi ne të kemi vdekur dhe të kemi dalë nga arena e veprimeve. Nisur nga kjo, disa mund të thonë se ky fakt justifikon mosveprimin dhe pasivitetin, por dhe mund të pyesin përse duhet të rropatemi duke punuar, kur nuk qenka e sigurt se veprat tona do të sjellin fryte? Sartri thotë se edhe kësisoj ne jemi përgjegjës. Ne mbetemi përgjegjës për mbarë botën, edhe pse jemi të ndërprerë nga vdekshmëria jonë. Në këtë mënyrë ne përjetojmë zhdukjen. Sartri thotë:

“Mos do të thotë kjo se unë duhet ta braktis vetveten në plogështi? Jo! Së pari, unë duhet ta angazhoj vetveten, pastaj të veproj sipas shprehjes së vjetër që thotë: “pa rrezik, nuk ka fitim.” Kjo nuk do të thotë se unë duhet të bëj pjesë në ndonjë parti, por, përkundrazi, unë nuk duhet të kem iluzione dhe do të bëj çfarë mund të bëj. Për shembull, supozojmë se unë e pyes vetveten “A do të vijë socializmi duke vepruar kështu? Unë nuk di asgjë rreth tij. Gjithçka që di, është se unë po bëj gjithçka që kam në dorë për ta sjellë atë. Nuk mund të vë dorën në zjarr për asgjë tjetër, përveç kësaj. Mosveprimi është karakteristikë e atyre që thonë “Le ta bëjnë të tjerët atë që unë nuk mund ta bëj.” Doktrina që unë po paraqes këtu është krejtësisht e kundërt me mosveprimin, sepse sipas saj, “Nuk ekziston realitet tjetër përveç veprimit.” Për më tepër, ajo shkon më tej me fjalët: “Njeriu nuk është asgjë tjetër, përveç planeve të tij, ai ekziston vetëm në atë shkallë që përmbush vetveten, prandaj ai nuk është asgjë tjetër përveç grumbullit të veprave të tij, asgjë më tepër, sesa jeta e tij.”[13]

Ashtu si ankthi, edhe dëshpërimi është gjendje shpirtërore që vjen nga veprimet tona dhe ne nuk mund të justifikohemi për mosveprim nëse mbetemi përgjegjës për botën. Imazhi i paraqitur në këtë fragment është ai i njerëzve të përkushtuar tërësisht ndaj qëllimeve, projekteve dhe planeve për të cilat janë angazhuar më së shumti dhe ku e gjejnë vetveten, gjithçka që ata dinë, është se nuk ka asnjë garanci që kjo punë e tyre do të çohet deri në fund, por ne dimë gjithashtu se ata janë plotësisht përgjegjës për botën, edhe pse kanë ankth, dëshpërim dhe mërzi.

Është e rëndësishme të theksohet se të qenit i përgjegjshëm dhe ndjesia e ankthit, dëshpërimit dhe mërzisë, nuk do të thotë domosdoshmërisht kalim i një jete të mjerë brez pas brezi. Sartri vazhdon më tej duke thënë se ekzistencializmi është një lloj optimizmi. Jeta e jetuar brenda përgjegjësive parashikon sigurisht edhe sakrifica, vuajtje, por nuk ka asgjë të përbashkët me mjerimin e tejzgjatur dhe depresionin. Jeta e jetuar brenda përgjegjësive është një jetë veprimi, arritjesh dhe përmbushje projektesh, është jetë e krijimeve të fuqishme. Ajo është me të vërtetë një jetë e shpikur dhe një botë e shpikur dhe kjo shpikje bëhet nga ne, nga qeniet njerëzore, si qenie të dalluara prej të gjitha të tjerave, për shkak të vetëndërgjegjes sonë dhe brendësisë sonë të vlerësimit dhe vetëdijes. Sigurisht, shumica e njerëzve tmerrohen nga mundësia e të jetuarit të një jete të tillë, të krijuar, apo të shpikur. Ata nuk duan të marrin përgjegjësitë e plota që u takojnë për jetën e tyre, apo për botën, dhe preferojnë të bëjnë përgjegjëse të tyre fatin, Zotin, rrethanat, natyrën, apo biologjinë për jetën e tyre kur përballen me tmerrin e përgjegjësive. Ata zhyten në një besim të keq dhe bëhen pjesë e atyre shkollave të mendimit, të cilat i mësojnë të heqin dorë nga përgjegjësitë e tyre.

Sartri e ka jetuar jetën e vet si një aktivist social dhe politik, si filozof, mësues, ushtar dhe si një qytetar i angazhuar vazhdimisht dhe i pajisur me këtë ndjenjë përgjegjësie. Aty nga fundi i esesë së tij, Sartri thotë:

“Kështu, unë mendoj se i jemi përgjigjur një numri sulmesh ndaj ekzistencializmit. Ju mund të vëreni se kjo filozofi nuk mund konsiderohet si një filozofi e pasivitetit, meqenëse ajo e përkufizon njeriun nëpërmjet veprimit, as nuk mund të akuzohet për përshkrim pesimist të njeriut. Nuk ka doktrinë më optimiste se kjo, përderisa deklaron se fati i njeriut është brenda vetes së tij, nuk mund të akuzohet as për shtytje dekurajuese të njerëzve ndaj veprimeve, meqenëse ajo i tregon atij se shpresa e vetme qëndron tek të vepruarit dhe se të vepruarit është gjëja e vetme që e bën njeriun të aftë për të jetuar. Për rrjedhojë, këtu kemi të bëjmë me një etikë të veprimit dhe të angazhimit.”[14]

Gyleni nuk e hedh poshtë Sartrin për pikëpamjet e tij në lidhje me përgjegjësinë. Në fakt, Gyleni dhe Sartri gjejnë përputhshmëri të madhe në këtë çështje, edhe pse ata nuk janë të një mendjeje në çështjet e tjera. Si një mysliman dhe person i cili i paraqet tërë idetë e tij brenda kontekstit islam, Gyleni flet rreth çështjes së veprimit dhe përgjegjësisë njerëzore në botë në një rrugë paralele me atë të pothuajse gjithë teologëve të monoteizmit. Kur bie fjala për to, këto tema kanë qenë gjithmonë objekte për diskutim, analizë dhe debat, përgjatë shekujve në të gjitha fetë e mëdha që mbështeten në një Zot të Plotfuqishëm dhe të Gjithëdijshëm. Pika kyçe e çështjes është mbyllja e hendekut të tensionit ndërmjet vullnetit të Zotit dhe paracaktimit të Tij, nga njëra anë dhe vullnetit e veprimit të njerëzve nga ana tjetër. Shumica e teologëve monoteistë, veçanërisht ata që flasin për shpërblim, apo ndëshkim të përjetshëm, nuk e mohojnë vullnetin e lirë të njerëzve për arsye se duke vepruar kështu, ata mohojnë përgjegjësitë e njerëzve për veprimet e tyre, veprime të cilat bëhen shkak për vendosjen e drejtësisë hyjnore të ferrit apo të parajsës, si “shpërblim” për veprat njerëzore, një besim qendror ky, si për krishtërimin, ashtu dhe për islamin. Në qoftë se njerëzit nuk do të kishin vullnet të lirë, me ç’të drejtë do të ndëshkoheshin, apo do të shpërbleheshin për veprat e tyre? Nga ana tjetër, zotërimi i vullnetit të plotë dhe të lirë duket se komprometon idenë e paracaktimit hyjnor. Zoti nuk është drejtuesi suprem i botës nëse njerëzit me vullnetin e tyre të lirë zgjedhin një rrugë tjetër për të. Kështu, ky tension midis paracaktimit hyjnor dhe vullnetit të lirë të njerëzve ka qenë në qendër të vëmendjes dhe në një trajtim të veçantë në qarqet teologjike. Përpjekjet për të zbutur këtë tension, apo për ta moderuar atë, janë të shumta dhe të ndryshme përgjatë shekujve. Ne nuk duam t’i futemi këtij diskutimi këtu, por vetëm duam të themi se, ky tension, apo kjo çështje, përbën bekgraundin e prezantimit të nocioneve të Gylenit në lidhje me përgjegjësinë njerëzore në botë. Kështu, ai nuk do të thoshte kurrë si Sartri se qeniet njerëzore janë plotësisht përgjegjës për botën siç ekziston, në shkrimet e tij, sepse në këtë mënyrë, ai do të komprometonte idenë e paracaktimit dhe vullnetit hyjnor, ide në të cilën ai beson shumë. Gyleni predikon Zotin sipas islamit, të Plotfuqishmin, Zotin e Gjithëdijshëm, i Cili është Krijuesi i Qiellit dhe i Tokës dhe Njohës i gjithçkaje. I gjithë realiteti dhe ekzistenca janë të pranishme për shkak të vullnetit hyjnor, ndaj nuk ekziston asnjë qenie, apo realitet jashtë këtij vullneti. Në këtë prizëm, shihet çdo pikëpamje e Gylenit në lidhje me përgjegjësinë njerëzore dhe kjo gjë që nuk mund të gjejë përputhje, përbën ndryshimin thelbësor në pikëpamje ndërmjet Sartrit dhe Gylenit.

Megjithatë, Gyleni flet për këtë çështje në një mënyrë të tillë që na hap disa kanale kalimi të cilat na ndihmojnë të kuptojmë se si mund të flasë ai në lidhje me “ndjenjën e përgjegjësisë” tek “Statuja e shpirtrave tanë” e gjetkë. Ai flet për këtë çështje duke përdorur një fjalë kyçe, e cila përkthehet si “trashëgimi”, apo “trashëgimtar.” Duke përdorur një fjalë të tillë, ai tregon se është duke bërë një balancim të kujdesshëm midis paracaktimit hyjnor dhe vullnetit të lirë të njerëzve. Trashëgimi do të thotë menaxhim, qeverisje dhe përgjegjësi, apo garanci. Parashtesa “vice” tek fjala “vicegerent” (trashëgimtar) nënkupton përfaqësimin e një autoriteti superior, ndoshta edhe me anë të paracaktimit. Këtu kemi të bëjmë me pikëpamjet e Gylenit të përmbledhura së bashku me ato të shumë teologëve të tjerë të traditës monoteiste, pikëpamje të cilat përballen me detyrën e vështirë të ngushtimit të hendekut midis paracaktimit hyjnor dhe vullnetit të lirë të njerëzve. Zoti i Gjithëdijshëm dhe i Plotfuqishëm me vullnetin e Tij e krijoi ekzistencën në një mënyrë të tillë që njerëzit të jenë të pajisur me vullnet të lirë për të vepruar. Ata, ose e përmbushin këtë detyrë, ose jo, duke vuajtur kështu pasojat si në këtë botë, ashtu dhe në tjetrën. Pavarësisht kësaj, planet e pafundme dhe misterioze (meqenëse mendjet tona të fundme nuk mund ta kuptojnë pafundësinë ne e quajmë misterioze) e Zotit për botën e ekzistencën përmbushen plotësisht. Ky përbën një akt delikat balancimi, i cili ndoshta nuk mund ta zgjidhë plotësisht tensionin ndërmjet paracaktimit hyjnor dhe vullnetit të lirë të njerëzve, por ndoshta është puna më e mirë që mund të bëhet, për t’i rezervuar një vend serioz vetëveprimit njerëzor dhe përgjegjësisë në këtë botë për të cilat e kemi fjalën këtu.

Gyleni i bazon thëniet e tij për trashëgiminë e tokës nga njerëzit në Kuran (2:30): “Unë do të krijoj një mëkëmbës në tokë.”[15] Si mëkëmbës të Zotit, qeniet njerëzore janë përfaqësuesit hyjnorë në tokë. Gyleni thotë:

“Në qoftë se njeriu është mëkëmbësi i Zotit në tokë, i preferuari i krijimit të Tij, thelbi dhe substanca e ekzistencës në tërësinë e saj dhe pasqyra e ndritur e Krijuesit, dhe nuk ka dyshim që është kështu, atëherë Qenia Hyjnore që e ka dërguar njerëzimin në këtë realitet, duhet të na ketë dhënë të drejtën, lejen dhe aftësinë për të zbuluar misteret e fshehura në shpirtin e universit, për të zbuluar fuqitë e fshehta, shpirtin dhe potencialin e saj, për të përdorur çdo gjë për këtë qëllim dhe për t’u bërë përfaqësuesit e karakteristikave që i përkasin Atij, si dija, vullneti dhe fuqia shpirtërore.”[16]

Këtu vërejmë aktin e lartpërmendur të balancimit të bërë nga Gyleni. Ai pohon fuqishëm se qeniet njerëzore janë edhe krijimi ashtu edhe pasqyra e Zotit. Njerëzit janë edhe krijime, edhe pasqyrime që i nënshtrohen Krijuesit duke qenë në të njëjtën kohë edhe përfaqësues të të njëjtit Krijues. Kjo përbën pozitën e mëkëmbësit: i nënshtruar gjithmonë ndaj vullnetit të Zotit dhe në të njëjtën kohë, po prej të njëjtit vullnet, i ngarkuar gjithmonë me detyrën e përfaqësimit dhe të kryerjes së punëve të caktuara nga Zoti. Këtë e bën me anë të cilësive të brendshme, të cilat reflektojnë cilësitë e Zotit. Gyleni e shpjegon më tej çështjen e trashëgimisë:

“Të qenit mëkëmbës të Krijuesit, përjetohet në një sferë jashtëzakonisht të gjerë që përfshin veprime që nga besimi dhe adhurimi i Tij e deri tek të kuptuarit e mistereve brenda gjërave dhe shkaqet e fenomeneve natyrore, pra aftësimin për të ndërhyrë në natyrë... Këto qenie të zgjuara njerëzore përpiqen ta ushtrojnë vullnetin e tyre të lirë në mënyrë konstruktive, duke punuar dhe duke zhvilluar botën, duke mbrojtur harmoninë ndërmjet ekzistencës dhe njerëzimit, duke përfituar të mirat e tokës dhe të qiejve në dobi të njerëzimit, duke u përpjekur të ngrenë pamjen, formën dhe shijen e jetës në një nivel më njerëzor, brenda kornizës së urdhrave dhe rregullave të Krijuesit. Kjo është natyra e vërtetë e një trashëgimtari dhe në të njëjtën kohë, ky është vendi ku domethënia e të qenit shërbëtor dhe dashamirës i Zotit mund të gjendet.”[17]

Vini re gradën e veprimit njerëzor në rolin e mëkëmbësit. Ajo përfshin mirënjohje dhe adhurim fetar, dije shkencore të natyrës, mënyrat e “ndërhyrjes”, apo të manipulimit të natyrës për qëllime pozitive dhe përmirësimin e jetës njerëzore duke e bërë atë më të pasur dhe më humane. Si trashëgimtarë, qeniet njerëzore mbajnë përgjegjësi për të gjitha këto. Ato punojnë për llogari të Zotit, si agjentë në terren, për përmbushjen e detyrave të tyre në këto fusha.

Gyleni flet për trashëgiminë njerëzore mjaft gjatë tek “Statuja e shpirtrave tanë”, në një mënyrë e cila duket më shpirtërore dhe më radikale se në shkrimet e tjera. Në fillim të librit ai shtron për diskutim çështjen e paracaktimit hyjnor dhe vullnetit të lirë të njerëzve, duke bërë në fund balancimin delikat që përmendëm më lart. Ai shton një mendim interesant rreth vullnetit të lirë të njerëzve:

“Zoti na ka dhënë vullnet të lirë... Dhe e pranon atë si një ftesë ndaj vullnetit dhe Plotfuqisë së Tij duke na premtuar të zbatojë projektet më thelbësore mbi këtë vullnet, planet që ai ka vendosur të zbatojë dhe pastaj e bën këtë. Zoti e krijoi vullnetin tonë, si një rast për merita, apo mëkate dhe si bazë për shpërblim, apo ndëshkim dhe e pranon atë si një shembull për përshkrimin e së mirës dhe së keqes... kjo është arsyeja përse Zoti i ka dhënë rëndësi vullnetit tonë dhe dëshirave të njerëzimit. Ai e pranon atë si kusht për ndërtimin dhe përparimin, si të kësaj bote, ashtu dhe të botës së përtejme, duke e bërë atë një shkak të konsiderueshëm, si një çelës magjik të një mekanizmi të fuqishëm elektrik i cili mund të ndriçojë botët.”[18]

Gyleni edhe këtu mbështet idenë se mekanizmi i vullnetit njerëzor, i vendosur nga Zoti, përbën mekanizmin përcaktues të realitetit, si të kësaj bote, ashtu dhe të botës së përtejme. Të pohosh domethënien supreme të vullnetit dhe veprimit njerëzor në botë, nuk do të thotë në asnjë mënyrë të bësh mohimin e vullnetit të Zotit, përkundrazi, vullneti njerëzor është konfirmimi dhe ekzekutimi i vullnetit të Zotit në botë. Kjo është arsyeja përse largimi nga humanizmi, nga besimi, dijet dhe e vërteta krijon kaq shumë probleme. Shmangia nga këto përbën një braktisje nga posti i përgjegjësisë së trashëgimtarit, ndaj përdorimi i fuqisë që të jep kjo detyrë supreme për të keq, ndikon në jetë deri në nivelet më të thella për shkak se kjo detyrë përfshin tërësinë e kësaj bote dhe tjetrës, shkurt, ndaj gjithë realitetit, përbën një akt të dënueshëm.

Ne vërejmë në këtë rast shkëndijat e para të një toni, të cilin Gyleni e mban të njëjtë përgjatë gjithë veprës “Statuja e shpirtrave tanë”, një ton pasioni dhe urgjence që u bën thirrje njerëzve ta meritojnë plotësisht titullin e mëkëmbësit dhe do të mbajnë mbi shpinat e tyre peshën e përgjegjësisë që u është dhënë. Në pjesën tjetër të librit, Gyleni paraqet në detaje anët e ndryshme të karakterit të këtyre mëkëmbësve. Për shumë prej tyre ne tashmë kemi diskutuar në dy kapitujt e mëparshëm për arsye se mëkëmbësit më të lartë janë “trashëgimtarët e tokës,” “njerëzit me zemër të madhe”, apo “njerëzit idealë.” Megjithatë, këtu ne jemi fokusuar në atë pjesë të karakterit të tyre që lidhet drejtpërsëdrejti me përgjegjësitë e njerëzve në botë. Një nga këto tipare të karakterit është veprimi, apo të qenit një person i veprimit. Gyleni shpjegon:

“Veprimi është komponenti më i rëndësishëm dhe më i nevojshëm i jetës sonë. Duke marrë përsipër përgjegjësi të veçanta me anë të veprimeve dhe mendimeve të vazhdueshme, duke u ballafaquar dhe duke mbajtur mbi shpinë vështirësi të veçanta, duke e ekspozuar veten ndaj gjithë këtyre gjërave, edhe nëse kjo mund të jetë në dëm të shumë të tjerave, ne jemi gjithmonë në veprim, në përpjekje. Nëse ne nuk veprojmë ashtu siç jemi, ne zhytemi në dallgët e shkaktuara nga goditjet dhe veprat e të tjerëve, duke u zhytur në vorbullën e planeve dhe mendimeve të të tjerëve, duke qenë të detyruar të veprojmë si u pëlqen atyre. Duke iu shmangur veprimit, duke mosndërhyrë në gjërat që ndodhin përreth, duke mos u bërë pjesë e ngjarjeve përreth nesh dhe duke qëndruar indiferentë ndaj tyre, është sikur ta lëmë vetveten që të shkrihet si akulli kur kthehet në ujë.”[19]

Lexuesit mendjemprehtë arrijnë të perceptojnë në këtë pikë të veçantë linjat e përputhshmërisë ndërmjet Gylenit dhe Sartrit. Gyleni këtu e identifikon veprimin si komponentin kryesor të jetës njerëzore. Vetëm nëpërmjet veprimit ne shndërrohemi në trashëgimtarë të tokës, sipas mënyrës së përshkruar në kapitujt e mëparshëm. Vetëm nëpërmjet veprimit ne e modelojmë vetveten dhe botën, sipas mënyrës së përshkruar në këtë kapitull. Pa veprim, domethënë, pa përfshirë vetveten, pa marrë përgjegjësi për gjërat dhe pa bartur vuajtjet që natyrshëm burojnë nga përgjegjësia, ne e lëmë veten në duart e të tjerëve, duke u shmangur nga roli ynë si njerëz dhe trashëgimtarë të tokës, duke u kthyer në qenie të një modeli tjetër ekzistence, siç janë objektet e pajeta, apo kafshët të cilat jetojnë duke u mbështetur tek instinktet e tyre të pakushtëzuara në vend të jetës së ndërgjegjshme dhe të bazuar në zgjedhjen e lirë. Qenia jonë njerëzore shkrihet, kur ne heqim dorë të veprojmë dhe të marrim mbi vete përgjegjësitë e veprimeve tona. Në një tjetër fragment, Gyleni thotë se duke zgjedhur mosveprimin (megjithëse edhe ky përbën një veprim në vetvete, pavarësisht se është i papërgjegjshëm), ne kemi zgjedhur në fakt vdekjen: “Aspekti me domethënie më të madhe në lidhje me ekzistencën është veprimi dhe përpjekja. Pasiviteti përbën dekompozim, shprishje dhe mund t’i jepen edhe emra të tjerë që afrojnë me vdekjen.”[20]

Gyleni thotë se njerëzit e veprimit marrin përsipër shumë role në shoqëri, në “disa raste si patriotë, si heronj të akteve kuptimplote, nganjëherë si dishepuj të devotshëm të shkencës dhe dijes, si artistë, apo gjeni, si burra shteti dhe nganjëherë duke i bërë edhe të gjitha së bashku.”[21] Ai i kushton një kapitull të tërë përmbledhjes së jetës dhe veprave të figurave të kohëve të fundit në historinë turke. Çfarë i dallon dhe i bashkon të gjithë ata sipas Gylenit, është ajo këmisha e çuditshme e përgjegjësisë që ata mbartin pothuajse për gjithçka, zëri i Pafundësisë që ata dëgjojnë duke tringëlluar përgjatë ndërgjegjes së tyre dhe mendimi i tyre i përbashkët se ata janë përgjegjës për botën dhe se çdo molekulë e qenies dhe e energjisë së tyre duhet të jetë në shërbim të këtij qëllimi. Gyleni shpjegon:

“Përgjegjësia e tyre është e tillë që, çfarëdo që të hyjë në perceptimin dhe ndërgjegjen e vullnetshme të individëve, nuk mbetet jashtë tyre: përgjegjësia për krijimin dhe ngjarjet, natyrën dhe shoqërinë, të kaluarën dhe të ardhmen, të vdekurit dhe të gjallët, të rinjtë dhe të vjetrit, të shkolluarit dhe të pashkolluarit, administratën dhe sigurinë... secilin dhe gjithçka. Dhe sigurisht ata e ndjejnë dhimbjen e gjithë këtyre përgjegjësive në zemrat e tyre. Ata e bëjnë vetveten të dridhen prej dëshpërimit në shpirt, ndjenjë e cila gjithmonë kërkon të pushtojë vëmendjen e tyre... Dhimbjet dhe vuajtjet që lindin nga ndjenja e përgjegjësisë nëse nuk janë të përkohshme, përbëjnë një bekim që nuk duhet shmangur dhe një burim të fuqishëm frymëzimi për projekte të tjera të mëvonshme, ndaj duhet vlerësuar maksimalisht ndërgjegjja e tyre e cila ka mbetur e pastër dhe e paprishur.”[22]

Ky është një fragment i jashtëzakonshëm. Pikësëpari, vëreni fushën e përcaktimit të përgjegjësisë që shprehet me fjalët “secili dhe gjithçka” duke përfshirë në të edhe të shkuarën dhe të vdekurën. Asgjë përveç asaj që mund të perceptohet, apo të jetë pjesë e ndërgjegjes nuk qëndron jashtë fushës së përcaktimit të përgjegjësisë. Në qoftë se mund të mendojmë për të dhe kjo është një gjë reale (jo imagjinare), ne jemi përgjegjës për të. Së dyti, vini re vuajtjen që është shoqëruese e përgjegjësisë, “dhimbjet dhe vuajtjet” vinë së bashku me këtë ndërgjegje. Gyleni në këtë fragment, por dhe në vende të tjera të veprave të tij flet për vështirësinë e brendshme që vjen kur merret me seriozitet roli i mëkëmbësit, apo trashëgimtarit të tokës. Shpesh ai i bën elozhe Rumiut, poetit të madh të shekullit të trembëdhjetë, i cili ka shkruar me aq elokuencë për dhimbjen dhe vuajtjet që shoqërojnë dashurinë e madhe dhe në lidhje me ankthin për besimin që përbën një vuajtje të thellë, vuajtje të cilën, megjithatë, personi nuk e hedh tutje për të shpëtuar prej saj për shkak se dashuria për Zotin është një arsye për ekzistencë, është shpirti i vetë jetës. Mëkëmbësit, për të cilët flet Gyleni këtu, janë dashurues të të Dashurit të tyre dhe në këtë rast i dashuri është Zoti, krijesat e Zotit, çdo realitet që vjen nga Zoti, gjithçka dhe gjithkush, ndaj të dashurosh të Dashurin, do të thotë të jesh përgjegjës për të. Kjo sjell dridhje, vuajtje, drithërima në zemër dhe një ndërgjegje të pastër, e cila kurrë nuk anashkalohet për sa kohë që një person është i “dashuruar.” Nuk ekziston asnjë pengesë për dashurinë. Ky është i vetmi kusht i kësaj dashurie. Në fund, fragmenti i mësipërm sqaron se kjo përgjegjësi është si një zile për të gjitha qeniet njerëzore të vërteta dhe sa herë që ata e dëgjojnë tringëllimën e kësaj zileje nëpërmjet vuajtjeve, vënë në jetë më tepër plane dhe projekte. Gyleni thotë se njerëzit e përgjegjshëm e duan këtë përgjegjësi, aq shumë sa ato do të falnin edhe parajsën për të.[23] Përputhshmëria me Sartrin është e dukshme edhe pse ne jemi të vetëdijshëm që Gyleni dhe Sartri i gjenerojnë idetë dhe veprat e tyre nga korniza krejt të ndryshme filozofike, saqë në pamje të parë, duket se nuk mund të ekzistojë asnjëlloj përputhjeje midis tyre. Megjithatë, del qartë se secili prej tyre, edhe pse i nisur nga pika krejt të ndryshme dhe nga këndvështrime të kundërta, ndajnë pikëpamje paralele në lidhje me jetën njerëzore në botë përsa i përket aspektit të përgjegjësisë së njeriut. Si Sartri, ashtu dhe Gyleni, i kanë shpenzuar të gjitha energjitë e tyre individuale, për të nënvizuar nevojën urgjente të njerëzve gjatë jetës, për të marrë mbi supe përgjegjësi për botën dhe për të nënvizuar faktin se bota ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë gjithmonë, ashtu siç ne e ndërtojmë. Prandaj, si Gyleni, ashtu edhe Sartri, mund të kishin qenë autorët e fjalëve të mëposhtme të nxjerra nga “Statuja e shpirtrave tanë”:

“Çdo person që ka një sens përgjegjësie serioze, individuale, do të thoshte: “Mua më duhet ta bëj vetë këtë. Nëse unë nuk do ta bëj tani sido që të mundem, atëherë ndoshta askush nuk do ta bëjë” dhe pastaj ai do të vraponte për të qenë i pari në kryerjen e kësaj pune, në mbajtjen e flamurit lart.”[24]

Ne duhet të mbështetmi në vetvete dhe në forcat tona pavarësisht, nëse besojmë, apo jo, se gjërat vijnë nga Zoti, siç bën Gyleni dhe siç nuk bën Sartri, dhe duhet të refuzojmë të presim ngase dikush, apo diçka jashtë nesh, mund ta kryejë atë punë për ne. Hedhja e përgjegjësisë tek të tjerët përbën të jetuarit e jetës në “besim të keq”, nëse përdorim fjalët e Sartrit, fjalët përputhen mjaft mirë me përcaktimin e Gylenit për njerëzit me besim të cilët shmangin përgjegjësinë, për të cilët ai thotë ngaqë ata përjetojnë një “besim të keq.”

Një citim përfundimtar nga Gyleni e qartëson edhe më tej vizionin e tij për jetën e vërtetë njerëzore duke ndriçuar pikërisht atë çfarë duhet të jetë e rëndësishme në një botë me mirësi, besim dhe liri: Çdokush vjen në ekzistencë dhe luan një rol në sjelljen e botës në ekzistencë. Madje, fryma e fragmentit përputhet mjaft mirë me frymën e ndjenjave sartriste edhe pse kjo, nuk shkruhet në letër. Gylen thotë:

“Në fakt, ne kemi nevojë për njerëz mendjendritur me vullnet të hekurt, të cilët të jenë të aftë të meritojnë titullin e mëkëmbësit të Zotit në tokë dhe të cilët të jenë të aftë të ndikojnë mbi ngjarjet, të luftojnë shpirtin jetim dhe të dënojnë mendimet, të cilat nuk i kushtojnë rëndësi ndjenjës së përgjegjësisë, vlerave njerëzore, dijeve, moralit, besimit të vërtetë, virtyteve dhe artit në shkallë të gjerë. Ne kemi nevojë për mendje të mprehta dhe për vullnet të hekurt, të cilat do të përqafojnë dhe interpretojnë krijimin në trajtën e vet më të thellë dhe më të plotë dhe njerëzimin në gjithë gjerësinë e vet botërore dhe përtej botërore.”[25]

Shpirti i thellë këtu ka të bëjë me trimërinë, trimërinë e përgjegjësisë. Ne, gjatë frikës dhe besimit tonë të keq shmangemi nga përgjegjësia për jetën tonë dhe për botën. Ne, për shkak të shpirtit frikacak dhe vocërrak, nxjerrim justifikime për veten dhe e lëmë botën në duart e të tjerëve, të fatit, apo rrethanave. E gjithë bota ndodhet nën këmbët tona, jemi, apo nuk jemi ne të ndërgjegjshëm për këtë, e marrim, apo nuk e marrim parasysh këtë fakt. Bota prapëseprapë do të mbetet nën këmbët tona edhe nëse ne zgjedhim vdekjen, apo palëvizshmërinë, jeta e një cope moçali, apo e një karrigeje, apo e një guri, jeta me vlerë më të pakët se ajo që na ka përcaktuar Zoti, apo natyra, ose ekzistenca, nuk është jeta e vërtetë. Jeta e vërtetë në sytë e Zotit, apo në sytë e Jetës është jeta e përgjegjësisë ndaj ata që e jetojnë atë, vuajnë nga ankthi dhe dëshpërimi i kësaj jete, por nga ana tjetër, ata janë gjithashtu qeniet të cilat e meritojnë vërtet të quhen “njerëz.” Ata kanë vullnet të hekurt dhe zemër të fortë, çka i bën të futen mes vuajtjeve duke mbajtur përgjegjësi për gjithçka dhe për këdo. Këta individë janë heronjtë e vërtetë të njerëzimit ndaj bota mbahet mbi supet e tyre. Si Gyleni, ashtu dhe Sartri pohojnë se shoqëria njerëzore gjithmonë ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë produkt i njerëzve.

Referenca
[1] Gylen, The Statue of Our Souls, 35
[2] Sartr, “Existentialism” in Basic Writings of Existentialism, 345
[3] Po aty, 346-347
[4] Po aty
[5] Po aty, 358
[6] Po aty, 348
[7] Po aty, 347
[8] Po aty, 348
[9] Po aty, 349
[10] Po aty
[11] Po aty, 367
[12] Po aty, 354
[13] Po aty, 355
[14] Po aty, 357
[15] Gylen, Toward a Global Civilization of Love and Tolerance, 122
[16] Po aty
[17] Po aty, 124-125
[18] Gylen, The Statue of Our Souls, 15
[19] Po aty, 59
[20] Po aty, 99
[21] Po aty, 68
[22] Po aty, 95
[23] Po aty, 97
[24] Po aty, 154
[25] Po aty, 105

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.