Epilog
Gjatë hartimit të këtij libri, pata nderin e veçantë të takoja z. Gylen dhe të darkoja dy herë me të në banesën ku ai jeton. Ai na falenderoi shumë dhe kaloi një pjesë të mirë kohe me ne, pavarësisht se ishte mjaft i sëmurë. Ai iu përgjigj disa prej pyetjeve të mia dhe atyre që lindën gjatë diskutimit me të në lidhje me çështjet e ditës, duke na bërë të njohur pikëpamjet e tij. Sigurisht, unë kam “jetuar” me Gylenin në formë tekstuale gjatë shkrimit të këtij libri. Unë mbeta e mahnitur nga idetë e tij dhe pasi e takova arrita të vërej arsyen përse ai ka frymëzuar pothuajse tre breza burrash dhe grash të Turqisë me qëllimin e vetëm: krijimin e një bote të re. Ai është njeri me botë të thellë shpirtërore, me personalitet dhe mëshirë dhe kjo bëhet gjithandej e dukshme në shkrimet dhe në vetë personin e tij.
Unë i kam bashkëngjitur idetë e Gylenit me ato të Kantit, Platonit, Konfucit, Millit dhe Sartrit, për arsye se besoj që ata janë bashkëbisedues të denjë për Gylenin siç është dhe Gyleni për ta. Unë i konsideroj secilin prej tyre njerëz me dije mjaft të gjerë, të cilët i kushtojnë vëmendje çështjeve më të rëndësishme dhe më afatgjata që kanë të bëjnë me ekzistencën njerëzore dhe të cilët përballojnë beteja të vështira me gjithë qenien e tyre të ndershme dhe krejt pa cinizëm. Ata janë përfaqësues të shquar të llojit më të mirë të dijetarëve në shkencat njerëzore, lloj i cili garanton analiza të sofistikuara që synojnë aplikimin e ideve të tyre në botë dhe në jetën tonë, në mënyrë që ne të mund të mësojmë çfarë përmban jeta e dobishme dhe ta arrijmë atë për vete dhe për brezat e ardhshëm. Sistemet arsimore të cilat nuk e kanë këtë synim si objektiv parësor nuk mund të quhen sisteme arsimore të vërteta.
Unë jam frymëzuar nga idetë që kam shprehur këtu. Nuk jam frymëzuar për faktin se pajtohem tërësisht me të gjitha këndvështrimet që kam paraqitur në libër. Përkundrazi, jam frymëzuar nga vetë bashkëbisedimi dhe nga mundësitë që një bashkëbisedim i tillë, ofron, kur ai bëhet jo vetëm në faqet e një libri, por edhe në vetë jetën reale, me pjesëmarrës të gjallë. Unë e di se kam stërholluar shumë terma, tema dhe fragmente në përpjekje për të gjetur përputhshmëri midis pjesëmarrësve të bashkëbisedimit. Unë e di se në shumë raste, kjo përputhshmëri mund të jetë e qëndrueshme për aq kohë, sa kërcënimi që vjen nga brishtësia e kësaj përputhshmërie të mos çojë në prishjen e këtij ekuilibri nga të dy anët. Megjithatë, në qoftë se e përbashkëta është e mjaftueshme për ta mbajtur këtë ekuilibër, qoftë edhe për pak kohë, lidhjet e nevojshme mund të ekzistojnë në këtë periudhë. Në faqet e librit dhe me pjesëmarrësit në diskutim, tashmë të vdekur prej shumë kohësh, lidhja realizohet vetëm në abstraksion. Me pjesëmarrës të gjallë në diskutim, domethënë me njerëz që si ne, dëshirojnë të bashkëpunojnë dhe të cilët e ndjejnë veten përgjegjës për botën, për gjithçka dhe për këdo, lidhja e vendosur nuk është më abstrakte, por reale. Ndoshta kjo lidhje do të na largojë nga demonizimi dhe nga vrasja e njëri-tjetrit, simbolikisht dhe realisht, pasi ekuilibri i brishtë të prishet dhe ne të ndeshemi me njëri-tjetrin, për shkak të ndryshimeve tona radikale.
Zhvillimi i strategjive dhe i kapaciteteve për bashkekzistencë paqësore mes ndryshimeve radikale dhe burimeve të kufizuara natyrore, përbën sfidën kryesore të epokës tonë. Ne duhet të japim nga vetja më të mirën për përballimin e kësaj sfide, sepse në rast të kundërt, do të dështojmë gjithandej, për shkak se e kemi futur botën në mes të shpërthimit me anë të urrejtjes dhe të dhunës sonë. Unë shpresoj që të gjejmë brenda vetes forcën dhe karakterin e duhur për ta tejkaluar vetveten dhe për të krijuar një botë të mbushur me tolerancë, respekt dhe mëshirë.
- Publikuar më .