Kontributi i sistemit arsimor Turk

Shkollat e mesme private, të themeluara me nxitjen e Fethullah Gylenit, u bënë të rëndësishme në dy aspekte: së pari në pikëpamjen e aspektit të tyre social dhe së dyti nga pikëpamja e cilësisë së shkollimit. Ato e reflektuan interesin në lidhje me edukimin kudo, si në qarqet ku i mbështesnin ashtu dhe në ata që i kritikonin ato. Në një kuptim, këto kolegje kontribuan në përhapjen e edukimit tek organizatat joqeveritare duke e shndërruar arsimin në pronë të segmenteve më të gjera të shoqërisë. Menjëherë pas historive të suksesit të këtyre shkollave, atyre nisi t’u kushtohej një vëmendje e gjerë nga publiku dhe njerëzit të cilët dëshironin dhe shfaqnin interes të madh në projektet arsimore. Për Turqinë, kjo rëndësi që i jepej arsimit përbënte një rëndësi që nuk ishte përjetuar ndonjëherë gjatë historisë së saj. Në ditët tona, programe të veçanta edukative në media si dhe tema të veçanta në lajme që kanë të bëjnë me edukimin janë shndërruar në një praktikë të zakonshme. Tani shumë njerëz nga të gjitha llojet e prejardhjeve ideologjike, profesionistë apo amatorë në këtë fushë, hapin kolegje në mënyrë të organizuar. Edukimi përbën një element në rritje në sektorin privat dhe çdo ditë e më tepër po merr rëndësi përherë e më të madhe. Sigurisht, kanë qenë shkollat e hapura për efekt të punës e të lëvizjes Gylen dhe suksesit të tyre që kanë nxitur këto zhvillime.

Këto shkolla kanë paraqitur një nocion shërbimi vetëmohues në lidhje me edukimin. Edukimi përbën një maratonë të gjatë. Ai kërkon punë dhe përpjekje të mëdha. Suksesi i këtyre shkollave bazohet në altruizmin dhe idealizmin e tyre. Mijëra njerëz shërbejnë në këto institucione me një entuziazëm të pareshtur. Ata punojnë me një ndjenjë kënaqësie dhe dëshmojnë idenë e shpirtrave të përkushtuar ndaj njerëzimit. Kjo është një sjellje të cilën sistemi edukativ turk e kishte harruar prej shumë kohësh. Sigurisht, ekzistojnë kudo njerëz altruistë dhe besimtarë. Megjithatë ka qenë pothuajse e pamundur që mësuesit të tërhiqeshin nga ideja e shërbimit në rajone të varfra. Në disa rajone, aplikimi i pagave të dyfishta u vendos si një stimul ekonomik. Pavarësisht ofertave të tilla bujare, mësuesit preferojnë të punojnë në qytete të mëdha ku kërkesat e konsumit të përditshëm modern plotësohen më lehtë. Meqenëse mësuesit, të cilët dëshirojnë të punojnë në shkollat publike, e nisin karrierën e tyre në një rajon të përzgjedhur nga Ministria e Arsimit sipas nevojave të saj, çështja e plotësimit të shkollave me staf dhe gjetjes së punës nga ana e mësuesve ka përbërë çështjen më të komplikuar, kontradiktore dhe spekulative për Turqinë. Por ky problem nuk ekziston në shkollat e hapura nga lëvizja Gylen. Një konturim harmonik i punësimit dhe i mjedisit mësimdhënës, përbën një çështje mjaft kuptimplote për këto shkolla. Mësuesit shkojnë në cepat më të largët të botës, disave prej të cilave u mungon gjithçka. Mes këtyre rajoneve janë edhe ata të cilët janë bërë arenë e konflikteve ushtarake mes grupeve të ndryshme separatiste. Pavarësisht këtyre fakteve, mësuesit shkojnë në këto rajone të rrezikshme, të mbushur me një ndjenjë të plotë vetëmohimi, për të siguruar të ardhmen e fëmijëve të këtyre zonave. “Ata do të dëshironin të tregonin nëpërmjet veprave të tyre për këtë kauzë se edukimi përbën një çështje serioze dhe kërkon sakrificë dhe altruizëm, nënshtrim dhe vetëmohim.[1]

Nuk ka dyshim se arkitekti i kësaj lloj devotshmërie ndaj njerëzimit dhe i këtij lloj kuptimi të shëndoshë të besimit tek Zoti është Fethullah Gyleni. Por çfarë e ka çuar një njeri të ardhur nga sistemi i medreseve në fushën e edukimit modern? Përse një njeri, i cili është drejt plakjes dhe i cili ka një biografi të vështirë nga pikëpamja mjekësore është angazhuar në një maratonë të tillë? Disa njerëz shtrojnë pyetje të ngjashme, nisur nga një këndvështrim i ndryshëm: Çfarë e lidh një njeri fetar me edukimin? Nëse ai është predikues apo hoxhë, përse nuk qëndron në kufijtë e profesionit të tij? Këto kanë qenë pyetje të bëra nga grupe mediatike dhe nga njerëz të ndryshëm, nga sektorë të ndryshëm të shoqërisë. Këtyre pyetjeve u është dhënë përgjigje gjatë intervistave të dhëna në raste të ndryshme, në përputhje me kontekstin e çështjes që shtronte pyetja.

Gyleni është i vetmi person i cili i ka kushtuar kaq shumë vëmendje çështjes së arsimit në mënyrë direkte dhe indirekte. Në ligjëratat, bashkëbisedimet, artikujt dhe esetë e tij, ai është përpjekur të prezantojë nevojën e angazhimit të masave në projekte edukative. Ai është përpjekur ta çojë mesazhin e tij në çdo sektor të shoqërisë, veçanërisht tek tregtarët dhe artizanët të cilët vinin për të dëgjuar predikimet dhe ligjëratat e tij. Ai i ka nxitur ata me forcë të luftojnë kundër mungesës së edukimit të përshtatshëm në shoqëri.

Në historinë e afërt të Republikës (Turke), problemi i arsimit ka qenë kufizuar normalisht tek një grup ideologësh dhe politikanësh. Arsimi ka qenë një fushë me të cilën janë marrë vetëm një grup i vogël njerëzish të ndritur të cilët mendoheshin, flisnin, debatonin dhe hartonin projekte në lidhje më këtë fushë. Masave të gjera të shoqërisë nuk u është lejuar, në asnjë mënyrë, të marrin pjesë në këto diskutime. Problemi i arsimit është konsideruar shumë i rëndësishëm për t’u përfshirë në diskutimin publik. Ky ka qenë qëndrimi i përgjithshëm i intelektualëve turq. Ata as nuk e çonin në mendje që një komunitet i madh tregtarësh do të mobilizonin kapacitetin e tyre ekonomik për çështjen e arsimit, pa pritur ndonjë përfitim. Është fakt që njerëzit e thjeshtë nuk kanë pasur kurrë ndonjë rol në të tilla projekte politike, edukative apo social-kulturore. Fethullah Gyleni e luftoi këtë pikëpamje dhe karakterin elitar të përbërësve të saj. Ai argumentonte se një pikëpamje e tillë i largon njerëzit nga edukimi, politika dhe shteti.

Gyleni e përkufizon dhe e konsideron çështjen e edukimit si problemin më të madh jo vetëm të vendit tonë, por edhe të qytetërimit modern bashkëkohor. Ai beson se edukimi i njerëzve përbën një shtyllë të besimit. Në rrënjët e krizës së edukimit modern, qëndron fragmentizimi i zemrës dhe i mendjes, dikur harmonike, përsa i përket të menduarit edukativ dhe shkencor. Gyleni mendon se sistemi i ri arsimor nuk do të jetë në gjendje ta largojë këtë krizë derisa të ripërcaktojë marrëdhëniet e trashëguara natyrore ndërmjet njerëzimit, kozmosit dhe Zotit. Gjatë dy shekujve të fundit, edukimi dhe mendimi shkencor modern i kanë kthyer të gjitha marrëdhëniet njerëzore, sociale dhe ideologjike në objekte profane, duke i përtharë njerëzit nga shenjtëria dhe duke i orientuar drejt një natyre pozitiviste. Kjo situatë ka çuar në korrupsionin dhe krizën shoqërore që po përjeton shoqëria tashmë. Një nga gjërat e reja të sjella nga Gyleni është edhe kujdesi i tij për lidhjet ndërmjet qenieve njerëzore, kozmosit dhe Zotit, domethënë unitetit harmonik të mendjes dhe të zemrës.[2] Kolegjet e frymëzuara nga idetë e tij e kanë vënë në pikëpyetje dhe e kanë kapërcyer këtë problem tejet pozitivist që kishte shkaktuar ngecjen e sistemit arsimor bashkëkohor dhe atë të mendimit. Këto shkolla nuk u ofrojnë studentëve një edukim fetar. Megjithatë, ato e trajtojnë mendjen dhe zemrën njëkohësisht, si qendra të informacionit dhe të mendimit dhe ofrojnë një sistem që i sheh njerëzit si qenie në një lidhje harmonike me universin, shoqërinë dhe Zotin. Këto shkolla punojnë për të krijuar individë model, me besim tek vetja dhe e ardhmja, në paqe me personalitetin e tyre, të mbushur me respekt për traditat, rrënjët e besimit dhe për identitetin e tyre shoqëror, të hapur ndaj mendimit shkencor modern, novatorizmit dhe ndryshimit. Kjo është arsyeja përse në çdo vend ku janë hapur këto kolegje, ato përfaqësojnë një zë të ri në edukim dhe një model të shkëlqyer të studentëve të suksesshëm, punëtorë dhe mendjendritur.

Për më tepër, këto kolegje kanë ndryshuar domethënien e mefshët të arsimit që vinte për shkak të përsëritjes së verbër e cila ishte e bazuar mbi memorizimin e thatë të temave të caktuara. Sistemi arsimor turk, në shumicën e tij, është ende i varur nga memorizimi. Ai në shumë fusha ndodhet ende nën zgjedhën e logjikës formale. Programi arsimor i këtyre shkollave ka përcaktuar një metodë progresiste matematike dhe një formë të re eksperimentale logjike, metodë e cila nuk bazohet te mësimi përmendësh apo përsëritja. Këto shkolla i kanë dhënë një dinamikë të re arsimit. Ato e kanë transformuar sistemin arsimor të mëparshëm turk dembel dhe të palëvizshëm, duke përmirësuar dhe duke i nxitur studentët që të mësonin me dëshirë në të gjitha lëndët.

Një tjetër zhvillim domethënës që buron nga këto shkolla është tërësia e marrëdhënieve mësues-nxënës, shkollë-prind dhe student-student. Kolegjet nxisin një rend marrëdhëniesh mbi baza emocionesh, sinqeriteti dhe ndjeshmërie ndërmjet të gjithë njerëzve të përfshirë në edukimin e një studenti. Nga kjo pikëpamje kolegjet kanë risjellë marrëdhënie të ngrohta dhe pozitive ndërmjet familjeve, lagjeve dha bashkësive, duke ia përshtatur këto marrëdhënie kushteve moderne. Ato kanë rindërtuar të dikurshmin “njeri të shoqërisë” që është vetësakrifikues dhe totalisht i devotshëm ndaj vendit të tij dhe njerëzimit dhe i cili është hero i dashurisë dhe afeksionit. Në këtë epokë në të cilën mbizotëron interesi personal, egoizmi dhe materializmi, kjo përbën një dukuri të shënuar. Në një kohë që dominohet nga interesi material dhe nga kulti i individit, kjo formë e re e arsimit po i përgatit studentët që ta duan profesionin e mësuesit mbi gjithë profesionet e tjera. E ndërsa ekzistojnë shumë vende pune, mjaft të respektuara si në fushën e aviacionit, inxhinierisë kompjuterike dhe asaj industriale, mjekësisë etj, të cilat i sigurojnë njerëzve pozitë dhe prestigj të lartë shoqëror, këta njerëz zgjedhin mësimdhënien.[3] Këta mësues i marrin meritat ngado që shkojnë. Secili prej tyre shndërrohet kështu në një “ambasador të kulturës.” Shumë prej vendeve ku ato shkojnë nuk janë të përshtatshme as edhe për turistë. Pavarësisht mungesave materiale, këta mësues u përkushtohen njerëzve që i rrethojnë. Ata vendosin lidhje të ngrohta me njerëzit e atyre vendeve, duke ndërtuar kështu ura historike. Është e vështirë të matet impakti që do të kenë këto ura në përtëritjen e Turqisë, por nuk është e vështirë të parashikohet që këto shkolla do ta aftësojnë Turqinë dhe vendet bashkëpunuese që të ndërtojnë marrëdhënie më të gjera dhe më të mira, bazuar në aspektin human dhe social.


[1] Shih Mehmet Gündem, Fethullah Gülen ile 11 Gün, Istanbul: Alfa, 2005, f. 94: Gülen, Sohbet-i Canan, f. 105-107.

[2] Shih, Gülen, Buhranlar Anaforunda Insan, f. 110; Zananın Altın Dilimi, f. 157; Sonsuz Nur, Vol. 1, Istanbul: Nil Yayınları, 2002, f. 202-204; Fasıldan Fasıla, Vol.4, Istanbul: 2002, f. 29; Prizma, Vol.4, f. 96; Ruhumuzun Heykelini Dikerken, f. 8, 36; Örnekleri Kendinden Bir Hareket, f. 95, 115; Byan, f. 110; Kendi Dünyamıza Doğru, f. 43, 68, 77, 114; Kırık Testi, Vol. 1, Istanbul: Gazetecilrt ve Yazarlar Vakfi, 2004, f. 175; “Şafaklar Üst Üsterdi”, Sızıntı, No. 307, August 2004; www.herkul.org, Kırık Testi “Kültür Müslümanlığı ve Tahkiki Iman” December 12, 2004.

[3] Tradicionalisht, mësuesit kanë qenë gjithmonë tejet të respektuar në kulturën turke. Megjithatë, mësimdhënia nuk ishte një zanat shumë popullor deri kohët e fundit për shkak të rrogave të ulëta dhe përfitimeve shumë të pakta. Reformat e kryera me qëllim rregullimin e këtij problemi, janë duke i përmirësuar në mënyrë të shpejtë kushtet e tyre.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.