Muslimanët e vërtetë nuk mund të jenë terroristë
Përshëndetja e të tjerëve dhe urimi i tyre për paqe janë konsideruar ndër aktet më të pëlqyeshme që mund të kryen në Islam. Në të vërtetë, kur Profeti Muhammed, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, ishte pyetur, "Çfarë është veprimi më i pëlqyeshëm në Islam?" ai përgjigjej: "Dhënia e ushqimit për të tjerët dhe përshëndetja e të gjithë atyre që njihni dhe nuk njihni."[1]
Akuzat për terrorizëm
Eshtë e turpshme që Islami, i cili është bazuar në këto parime, është parë nga të tjerët si i njëjtë me terrorizmin. Ky është një gabim i madh historik, sepse, siç treguam më sipër, nëse një sistem i bazuar në paqen dhe sigurinë njësohet me terrorizmin, kjo tregon vetëm që njerëzit akuzojnë pa e njohur thelbin e Islamit dhe janë të paaftë për ta zotëruar atë në shpirtrat e tyre. Islami duhet kërkuar përmes burimeve të tij dhe përfaqësuesve të vërtetë përgjatë historisë dhe jo nëpërmjet veprimeve të një minoriteti të vogël që e shtrembëron atë. E vërteta është që në Islam nuk ka fanatizëm apo detyrim. Islami është plotësisht një fe e mirëkuptimit dhe tolerancës. Mbështetës të tillë të dashurisë dhe tolerancës siç janë Mevlana Xhelaledin Rumiu, Junus Emre, Ahmed Jesevi, Bediuzzamani dhe shumë figura të tjera, e kanë shfaqur këtë aspekt të Islamit në formën më të admirueshme dhe kanë mbetur në histori si shembuj të këtij afeksioni dhe tolerance.
Xhihadi në Islam
Xhihadi është një element i Islamit bazuar në principe të përcaktuara specifike që synon kapërcimin e të gjitha pengesave për të mbrojtur dhe lartësuar emrin e Zotit. Ne mund të citojmë shumë shembuj përgjatë historisë në lidhje me këtë çështje. Si një komb, ne bëmë një mbrojtje të sigurt në shumë fronte të tilla si në Çanakala dhe Trablusgarp. Ne nuk mund t'u thonim armiqve tanë që vinin për të pushtuar vendin tonë, "Ju keni ardhur për të na civilizuar. Kjo është diçka e mirë për ju. Mirë se erdhët! Shikoni, ju keni sjellë ushtarë!" Por gjithmonë luftohet në beteja, të cilat janë një realitet i pashmangshëm i njerëzimit. Ndonëse ajetet e Kur'anit reveluar për Muhammedin, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, në lidhje me kushtet specifike të xhihadit janë keqinterpretuar nga të tjerët si qëllim madhor i Islamit, në thelb, këta njerëz që kanë dështuar për të depërtuar në frymën e vërtetë të Islamit, janë të paaftë për të vendosur një balancë midis çështjeve kryesore dhe anësore dhe kjo lidhet me faktin që ata janë rrënuar nga urrejtja që i ka çuar në keqinterpretimin e Islamit, ndërsa zemra e bashkësisë të vërtetë islame është e mbushur me dashuri dhe mëshirë për të gjithë krijesat. Një poet shkruante: Muhammedi ishte pretekst për mëshirë; pa Muhammedin a mund të kishte mëshirë?
Dashuria lidhet me ekzistencën
Profeti Muhammed, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, është një njeri i mëshirës. Ai është gjithashtu i njohur si "habibullah," që vjen nga fjala "habib," kuptimi i së cilës është "ai që e do Zotin dhe është i dashur prej Zotit." Mistikët e tillë si Imam Rabbani, Mevlana Halid dhe Shah Velijullahu deklaronin që shkalla më e lartë është dashuria.
Zoti e krijoi të tërë krijimin plotësisht me dashuri dhe Islami e ka qëndisur me delikatesë punën me ndjenjën për këtë dashuri. Me fjalët e një mistiku tjetër të madh, dashuria është shkaku i ekzistencës së krijimit. Sigurisht që me gjithë këto, ne nuk mund të mohojmë që Islami ka një element dhune në emër të frikësimit. Ndonëse disa njerëz i kanë konsideruar këto elementë, që duhet të jenë dytësore, si gjithçka që e përbën Islamin, ndërsa Islami është paqësor. Një herë një miku im që kishte të njëjtat mendime, më tha, "Ju flisni me gjithsecilin pa imponuar ndonjë kufizim. Ky është një largim i tensionit që ne kemi, meqë kemi mësuar që në përputhje me Islamin, duhet të shfaqim armiqësinë tonë për ca njerëz në emër të Zotit." Në të vërtetë, ky mendim buron nga interpretimi i gabuar i kësaj ideje. Sipas Islamit, gjithçka është krijuar për të qenë e dashur në emër të Zotit. Çfarë është për t'u urryer dhe për çfarë ne mund të tregohemi armiqësorë, janë mendimet, ndjenjat e ndyra dhe të pamoralshme dhe blasfemia. Zoti i solli njerëzit si qenie të dashura (17:70) dhe mund të thuhet që gjithsecili është i bekuar me këto cilësi në shkallë të ndryshme. Ndërsa kalonte funerali i një çifuti, Profeti i Zotit ndaloi për të treguar respektin e tij. Kur ia kujtuan se njeriu që po varrosej ishte një çifut, ai u përgjigj: "Megjithatë, ai është njeri!" Ai demonstronte vlerat që Islami i dha njerëzimit!
Po, ky ishte tregues i respektit të Profetit tonë për njerëzit. Arsyet që disa muslimanë apo institucione islame që e kuptojnë gabim Islamin, janë përfshirë në sulme terroriste anembanë botës, duhet të kërkohen jo në Islam, por brenda vetë njerëzve, në keqinterpretimin e tyre dhe në faktorë të tjerë. Ashtu siç Islami nuk është një fe e terrorizmit, çdo musliman që e kupton drejt atë, nuk mund të mendohet si terrorist.
Edhe nëse këto janë natyrisht përjashtime, interpretimet e Islamit nga dijetarët turq janë tolerante. Nëse ne mund ta përhapim kuptimin e Islamit të mbajtur nga shtyllat e mëshirës si Rumiu dhe Junus Emre anembanë botës, dhe nëse ne mund ta sjellim mesazhin e tyre të dashurisë, dialogut dhe tolerancës për njerëzit që janë të uritur për këtë mesazh, atëherë njerëzit nga e gjithë bota do të vijnë duke vrapuar në armatën e kësaj dashurie, paqeje dhe tolerance që ne përfaqësojmë.
Toleranca e Islamit është aq e gjerë, sa që Profeti, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, i ndalonte veçanërisht njerëzit që të flisnin për gjërat që mund të ishin fyese. Pavarësisht nga përpjekjet vetësakrifikuese të Profetit Muhammed, Ebu Xhehli nuk arriti të bëhej musliman dhe vdiq i përbuzur. Prej këtej, emri Xhehl nënkuptohet si injorant. Ky njeri injorant dhe i vrazhdë e kaloi të gjithë jetën e tij si një armik i Profetit dhe sjellja e tij bëhet natyrë e dytë për muslimanët. Pak pas pushtimit të Mekës, djali musliman i Ebu Xhehlit filloi të fliste në këshill kundër babait të tij dhe për këtë u qortua rëndë nga Profeti.
Respekti për njerëzit
Në një tjetër hadith (përmbledhja e fjalëve dhe veprimeve të Profetit), ai deklaronte që është një mëkat i madh të mallkosh prindërit e dikujt. Sahabet e pyetën atë se çdo të thoshte të shash të tjerët. Profeti u përgjigj që, nëse dikush shan prindërit e një tjetri, atëherë ai person do të merrte hak në të njëjtën mënyrë, për pasojë ky dikushi po shante prindërit e vet!
Ndërsa Profeti gjithmonë shfaqte respekt për të tjerët, fakti që sot njerëzit i referohen Islamit kur sulmojnë të tjerët, do të thotë që ata nuk e kanë kuptuar Profetin e tyre. Nuk ka asnjë hapësirë për urrejtje ose armiqësi si në Islam, ashtu edhe në botën universale të përfaqësuesit të tij Muhammed, paqja dhe mëshira qofshin mbi të!
Shërbëtorë të Zotit
Kur ne lexojmë Kur'anin, shohim që është bazuar plotësisht në mirëkuptimin dhe tolerancën. Në pasazhin "Shtëpia e Imranit" në Kur'an lexojmë:
Ata që japin kur janë në kamje dhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që u falin (të keqen) njerëzve, e Allahu i do bamirësit. (3:134)
Le ta shpjegojmë më tutje. Ju mund të përfshiheni në një incident dhe për pasojë do t'ju vlojë gjaku. Për shembull, njerëzit mund t'ju mallkojnë dhe fyejnë. Por ju duhet të tregoheni sa më shumë të jetë e mundur indiferentë dhe të mos reagoni. Kur'ani përshkruan se si duhet të sillen njerëzit me moral të shëndoshë edhe në momentet kur zemërimi është i papërmbajtshëm: "Ata janë të tillë njerëz zemërgjerë që kur janë përballur me situata që do t'i marrosnin, gëlltisin zemërimin e tyre si të ishte një gjemb dhe mbyllin sytë për dobësitë e të tjerëve." Fjalët arabisht nga ky pasazh kanë shumë domethënie. "Kazm" do të thotë, gëlltisni çfarë nuk mund të jetë e gëlltitshme, ndërsa Kazim nënkupton dikë që kapërdin zemërimin e tij. Në një tjetër pasazh, Zoti u tregon ndjekësve të tij:
(Robtë e Zotit janë) Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm dhe kur (rastësisht) kalojnë pranë së keqes, kalojnë duke e ruajtur karakterin e vet. (25:72)
Modeli Islam
Kur ne vështrojmë jetën e lartësuar të Profetit, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, ne shohim që ai praktikonte gjithçka predikohej në Kur'an. Për shembull, dikush vinte dhe pranonte shkeljen e kurorës bashkëshortore duke kërkuar të pastrohej nga mëkatet e tij, cilido që të ishte ndëshkimi, Profeti i thoshte atij: "Shko në shtëpi dhe pendohu. Nuk ka mëkat që Zoti nuk e fal." Një tjetër hadith tregon se si një person akuzoi një tjetër për vjedhje. Vetëm kur po afrohej momenti për të dhënë ndëshkimin, njeriu ndërroi mendje dhe e fali vjedhësin, vendim për të cilin Profeti i tha: "Pse nuk e fale atë që në fillim?"
Prandaj, kur të gjithë këta shembuj janë parë në imtësi nga burimet e tyre, mund të shihet që metoda e adoptuar nga ata që i trajtojnë të tjerët me urrejtje dhe armiqësi, që u kundërvihen muslimanëve, çifutëve dhe krishterëve pavarësisht se kush janë, që janë mbruajtur me zemërim dhe përbaltin të tjerët duke i cilësuar "të pafe," nuk është aspak në përputhje me Islamin. Siç u tregua më sipër, Islami është një fe e dashurisë dhe tolerancës. Muslimanët janë adhuruesit e dashurisë dhe mëshirës, njerëz që u shmangen të gjitha akteve terroriste dhe që kanë pastruar trupat e tyre nga të gjitha format e urrejtjes dhe armiqësisë.
Turkish Daily News, September, 19, 2001
[1] Buhari, Isti'zan, 9, 19; Nesai, Iman, 13.
- Publikuar më .