Gyleni si edukator dhe mësues fetar

Unë kam ardhur për të njohur së pari institucionet edukative të drejtuara nga pjesëmarrësit e lëvizjes së udhëhequr nga Fethullah Gylen. Kjo më ka shtyrë që të studioj shkrimet e tij për të zbuluar racionalitetin që shtrihet pas iniciativës edukative që rrjedh nga vizioni edukativ i Fethullah Gylenit dhe kolegëve të tij.

Në fillim është e nevojshme të saktësohet lidhja e z.Gylen me shkollat që shpesh në mënyrë të pakontrolluar cilësohen "shkollat e Gylenit" ose "shkollat e lëvizjes së Gylenit." Z.Gylen para së gjithash e përshkruan veten si një edukator. Ndërkaq, ai është i kujdesshëm të bëjë dallimin në mes edukimit dhe mësimdhënies. "Shumë njerëz mund të jenë mësues," deklaron ai, "por numri i edukatorëve është shumë i kufizuar."[1]

Ai përpiqet gjithashtu që të jetë i qartë lidhur me faktin që nuk ka shkolla në pronësi të tij. "Unë jam lodhur duke thënë që nuk kam ndonjë shkollë," pohon ai, paksa i pezmatuar.[2] Shkollat janë krijuar nga marrëveshje reciproke midis vendeve në të cilat ato janë hapur, dhe nga kompani edukative të themeluara për këtë qëllim. Çdo shkollë është një institucion i pavarur, por shumë prej tyre mbështeten në shërbimet e kompanive turke për të siguruar subvencionet edukative dhe burimet njerëzore.

Takimi im i parë me një nga këto shkolla daton në vitin 1995 në Zamboanga, ishulli Min-danao në jug të Filipineve, kur unë mësova që ishte një shkollë "turke" disa kilometra jashtë qytetit. Ajo që të bën më shumë përshtypje sapo vështron shkollën, është një tabelë e madhe në hyrje të saj: "Shkolla Filipino-Turke e Tolerancës." Kjo është një thënie e habitshme në Zambo-anga, një qytet ku 50% e përbëjnë krishterët dhe 50% muslimanët, dhe që bën pjesë në një regjion ku për 20 vjet lëvizjet e ndryshme separatiste Moro (muslimane) luftojnë kundër forcat militare qeveritare filipinase. Shkolla është duke u ofruar fëmijëve filipinas muslimanë dhe krishterë standarte edukative të një niveli të lartë dhe një rrugë më pozitive për të jetuar dhe bashkëpunuar me njëri-tjetrin në një regjion ku rrëmbimi i personit dhe marrja peng është diçka e zakonshme së bashku me luftën civile, grabitjet, arrestimet, zhdukjet dhe vrasjet nga forcat militare dhe paramilitare. Kolegët e mi jezuitë dhe profesorët e Ateneo de Zamboanga konfirmojnë që, nga hapja e saj, Shkolla Filipino-Turke e Tolerancës i ka mbajtur në një nivel të lartë kontaktet dhe kooperimin me institucionet krishtere të regjionit.

Që atëherë unë kam patur rastin të vizitoj edhe shkolla të tjera dhe të diskutoj politikën edukative me stafin mësimor dhe administrues. Vështirësia ose cilësia e lartë e programeve të tyre arsimore në shkenca, informatikë dhe gjuhë është tregues i suksesit të përsëritur në olimpiadat akademike. Në një shkollë të mesme në Bishkek, unë iu drejtova një grupi fëmijësh kirgistanas të klasës së shtatë për rreth gjysëm ore. Në fund të fjalës time, mësuesit u kërkuan fëmijëve të identifikonin ato elementë të shqiptimit dhe fjalorit që tregonin se u flisja më shumë në dialektin amerikan se në atë anglez të anglishtes, dhe për habinë time ata nuk e patën të vështirë ta bënin një gjë të tillë.

Unë kam kërkuar të gjej një përmbajtje më islame në programin shkollor dhe mjedisin fizik, por kjo nuk ishte e vërtetë. Kur unë pyeta rreth mungesës së habitshme që për mua do të jetë një pjesë e kuptueshme e një projekti edukativ të frymëzuar nga ndjenjat fetare, m'u shpjegua se për shkak të natyrës pluraliste të trupës studentore – krishterë dhe muslimanë në Zamboanga dhe, budist dhe hindu në Kirgistan – çfarë ata kërkonin të transmetonin ishin vlerat universale të tilla si nderi, puna e ndershme, harmonia dhe shërbimi i ndërgjegjshëm më shumë se një shkollim konfensional.

Këto takime rastësore më bënë që të studioj shkrimet e Fethullah Gylenit për të vërtetuar principet edukative dhe motivimin ku mbështeteshin shkollat dhe për të gjetur metodat e Gylenit që e kanë bërë atë një edukator të aftë për të inspiruar të tjerët me vizionin e tij.

Vizioni edukativ i Fethullah Gylenit

Në dekadat pas krijimit të Republikës Turke, shumë muslimanë turq kanë kritikuar programin "e modernizuar" të ndërmarrë nga qeveritë për adoptimin qorrazi të anëve më pozitive dhe negative të qytetërimit europian. Ata e kanë parë laicizmin jo thjesht si një produkt të paqëllimshëm të procesit laicist, por më shumë si një rezultat të vetëdijshëm të një tendencioziteti antifetar. Prezumimin e heshtur që qëndron në themel të reformave modernizuese, ata e shohin si një bindje ideologjike që feja është një pengesë për progres dhe duhet të lihet jashtë sferës publike të shoqërisë, ekonomisë dhe politikës nëse një komb është duke ecur përpara. Linjat e betejës së filluar përgjatë dekadave pas krijimit të republikës dhe të përforcuara reciprokisht nga sistemet konkurruese të edukimit e kanë bërë debatin midis fesë dhe laicizmit një terren ku çdo studiues dhe mendimtar pritet të deklarojë besnikërinë e tij.

Në opinionin tim, një prej arsyeve që Fethullah Gylen ka qenë shpesh i sulmuar në Turqi nga të "djathtët" dhe të "majtët" nga "laicistët" dhe "fetarët" është pikërisht fakti që ai ka refuzuar të përfshihet në një çështje të cilën ai e vlerëson si një rrugë pa krye. Në vend të saj ai propozon një rrugë në të cilën ne shpresojmë të lëmë pas debatet e shkuara. Zgjidhja e Gylenit nuk synon të afirmojë qëllimin e paramenduar të modernizimit të shpallur nga Republika Turke, por të tregojë që një proces modernizues efektiv i vërtetë duhet të përfshijë përparimin e të tërë njerëzve. Në fushën edukative ai duhet të ketë prioritetin kryesor në rrymat e shumta ekzistuese të edukimit dhe t'i ndërtojë ato me një formë të re edukative që do t'u japë përgjigje kërkesave të ndryshme të botës së sotme.

Kjo është shumë ndryshe nga projektet reaksionare që kërkojnë të rigjallërojnë ose të kthejnë të kaluarën. Duke mohuar që edukimi i ofruar në shkollat që lidhen me emrin e tij është një përpjekje për të kthyer sistemin otoman ose për të rivendosur kalifatin, Gyleni vazhdimisht afirmon: "Nëse nuk përshtatemi me kushtet e reja, rezultati do të jetë zhdukja."[3]

Pavarësisht nga nevoja e modernizimit, ai megjithatë vlerëson rreziqet që përfshihen në çdo prishje radikale me të kaluarën. Të shkëputur nga vlerat tradicionale, të rinjtë janë në rrezikun e të qenit të edukuar me antivlerat që gjenden pas çdo arritjeje materiale. Vlerat jomateriale të tilla si thellësia e ideve dhe e ndjenjave, qartësia e mendimit, ngritja kulturore ose interesi për spiritualitetin kanë tendencën që të injorohen në iniciativat edukative moderne të cilat janë përgjithësisht të fokusuara në prodhimin në seri të funksionarëve për një sistem tregu global.[4]

Studentët e tillë mund të jenë përgatitur mjaftueshëm për të gjetur punë, por ata nuk kanë formimin e brendshëm të nevojshëm për të arritur lirinë e vërtetë njerëzore. Drejtuesit e fushave ekonomike dhe politike shpesh favorizojnë dhe nxisin arsimin e përqëndruar tek profesioni dhe të mangët nga vlerat sepse kjo u mundëson atyre që kanë në dorë pushtetin që t'i kontrollojnë më lehtë shtresat "e trajnuara por jo të edukuara". "Gülen thotë që për t'i mbajtur nën kontroll masat mjafton që t'i privosh ata nga dija. Kësaj tiranie ata mund t'i shpëtojnë vetëm nëpërmjet arsimimit. Rruga drejt drejtësisë sociale është e shtruar me gurët e arsimit dhe edukimit të drejtë e universal pasi vetëm kjo mund t'u japë njerëzve mirëkuptimin dhe tolerancën e mjaftueshme për t'i respektuar të drejtat e të tjerëve."[5] Pra, sipas Gylenit, mungesa e një arsimi të kompletuar është pengesë jo vetëm ndaj vënies së drejtësisë, por edhe ndaj njohjes së të drejtave të njeriut dhe qëndrimit të hapur e tolerant ndaj të tjerëve. Nëse njerëzit do të edukoheshin në mënyrë që të ishin të aftë për të menduar lirshëm dhe për të përqafuar vlerat e drejtësisë sociale, të drejtat e njeriut dhe tolerancën, ata do të bëheshin pionerët e ndryshimit për t'i vënë në jetë këto qëllime fisnike.

Nëse flitet për realizimin e reformës arsimore, përgatitja e mësuesve është një çështje që nuk mund të lihet mënjanë. Gyleni thotë që "edukimi është tjetër e, mësimdhënia, tjetër. Shumica e njerëzve mund të bëhen mësues, por numri i edukatorëve është tejet i kufizuar."[6] Ndryshimi midis këtyre koncepteve qëndron në atë që edhe mësuesi, edhe edukatori përcjellin dije dhe mjeshtëri, por edukatori është ai i cili ka aftësinë t'i ndihmojë nxënësit e tij në krijimin e personalitetit, të ushqejë mendimin dhe reflektimin tek ai, t'i forcojë karakterin dhe t'i bëjë të mundur atij të përvetësojë cilësitë e vetëdisiplinimit, tolerancës dhe ndjenjën e përgjegjësisë. Ata të cilët japin mësim thjesht për të marrë rrogën e pa u interesuar për formimin e karakterit të nxënësit, ai i cilëson si "të verbërit që u prijnë të verbërve."

Mungesa e kordinimit dhe e ndërthurjes midis sistemeve arsimore konkuruese dhe reciprokisht të kundërta ka çuar në atë që Gyleni e quan "një konflikt i hidhur që nuk duhej të kish ndodhur: shkenca kundër fesë."[7] Ky dyzim që në fakt nuk ekziston dhe i cili gjatë shekujve të 19-të dhe 20-të shtrydhi energjitë e dijetarëve, politikanëve dhe liderëve fetarë nga të dyja palët, rezultoi në një bigëzim të filozofive e metodave arsimore. Arsimtarët modernë sekularistë në rastin më të mirë e shohin fenë si një harxhim i panevojshëm kohe dhe në më të keqin, si pengesë ndaj zhvillimit. Midis dijetarëve fetarë ky debat çoi në refuzimin e modernitetit dhe në konceptimin e fesë "më shumë si një ideologji politike se sa në sensin dhe funksionin e saj të vërtetë."[8] Ai ndjen se vetëm përmes një procesi arsimor, ku studiuesit e fesë të kenë një formim të lartë shkencor dhe shkencëtarët të jenë të hapur ndaj vlerave fetare dhe shpirtërore, është e mundur që "konflikti i gjatë shkencë - fe të marrë fund ose që të kuptohet absurditeti i tij!"[9]

Që kjo të ndodhë, ai mendon se është e domosdoshme një mënyrë e re arsimimi e cila "t'i ndërthurrë dijet fetare e shkencore me moralin dhe anën shpirtërore për të nxjerrë në dritë njerëz autentikë e të iluminuar, me emër të ndriçuar nga shkencat fetare e shpirtërore dhe mendjen nga ato pozitive," njerëz të përkushtuar ndaj të jetuarit sipas cilësive humane dhe vlerave morale të cilët gjithashtu janë "në dijeni të kushteve social-ekonomike e politike të kohës."[10]

Në shkrimet e Gylenit shfaqen shumë terma të përsëritura mbi arsimimin të cilat duhet të sqarohen për të mos shkaktuar keqkuptime. E para është ana shpirtërore dhe vlerat shpirtërore. Disa këtë mund ta kuptojnë si një emërtim të koduar për "fenë" të përdorur për t'u dalë para paragjykimeve ndaj fesë në shoqëritë sekulariste moderne por është e qartë se Gyleni e përdor këtë term në një kuptim më të gjerë. Sipas tij, ana shpirtërore përfshin jo vetëm mësimet fetare por edhe etikën, logjikën, shëndetin psikologjik dhe çiltërsinë emotive. Terma kyçe në shkrimet e tij janë dhembshuria dhe toleranca. Eshtë detyra e edukatorëve që, përveç disiplinave "ekzakte", të ngulisin tek nxënësit e tyre të tilla cilësi "të paçmuara".

Gjithashtu është e nevojshme që të ekzaminohen edhe termat e tjerë që vazhdimisht i përdor Gyleni. Ai shpesh herë flet për nevojën e vlerave kulturore[11] dhe tradicionale.[12] Thirrja e tij për paraqitjen e vlerave kulturore dhe tradicionale në edukim është interpretuar nga kritikët si një thirrje reaksionare që synon rikthimin tek shoqëria otomane pararepublikane. Ai ka qenë akuzuar si një irtixhaxhi që në turqisht mund të përkthehet si "reaksionar" ose madje "fundamentalist." Kjo është një akuzë që Gyleni gjithmonë e ka mohuar. Për të mbrojtur pozicionin e tij, ai deklaron: "Fjala irtixha do të thotë kthim tek e kaluara ose mbartje e së kaluarës tek e sotmja. Unë jam një person të cilit jo vetëm e nesërmja, por edhe amshueshmëria i është marrë si një qëllim. Unë jam duke menduar për të ardhmen e vendit tim dhe po përpiqem të bëj atë që është e mundur për mua. Shkrimet, ligjëratat dhe aktivitetet e mia kurrë nuk kanë synuar që ta rikthejnë prapa vendin tim. Por askush nuk mund t'i etiketojë si irtixha besimin në Zot, adhurimin, vlerat morale dhe çështjet e tjera që i përkasin kësaj fushe të pakufizuar nga koha.[13]

Në parashtrimin e vlerave kulturore dhe tradicionale, ai duket se e vlerëson të kaluarën e Turqisë si një akumulim të gjatë e të ngadaltë të urtësisë që akoma ka shumë për t'u mësuar njerëzve modernë dhe diturinë tradicionale akoma të lidhur plotësisht me nevojat e shoqërive të sotme. E kaluara nuk mund të hidhet poshtë për shkak të kësaj urtësie të përftuar. Në njërën anë, çdo përpjekje për ta rikonstruktuar të kaluarën është miopi dhe e destinuar të dështojë. Dikush mund të thotë që ndërsa mohon përpjekjet për t'u shkëputur me të kaluarën, Gyleni në të njëjtën mënyrë hedh poshtë përpjekjet për të rivendosur ose rikrijuar shoqërinë paramoderne.

Tendencën që shfaqet midis reformatorëve modernë për t'u "shkëputur nga prangat e së kaluarës" ai e vlerëson si një të mirë që ka një të keqe prapa. Ato elementë të trashëgimisë që kanë qenë shtypëse, vegjetuese ose që kanë humbur qëllimin dhe inspirimin e vërtetë nuk ka dyshim që do të kapërcehen, por elementët e tjerë liberalë dhe humanë duhet të riafirmohen nëse gjeneratat e reja duan të ndërtojnë një të ardhme më të mirë. Mendimi i tij është e qartë se nuk është kufizuar në debatin e brendshëm politik në Turqi ose madje në të ardhmen e shoqërive islame. Vizioni i tij edukativ përfshin të gjithë shoqëritë anembanë botës. Ai dëshiron të edukojë reformatorët, që do të thotë, ata që janë fortifikuar me një sistem vlerash që marrin parasysh aspektet fizike dhe jomateriale të njeriut. Gyleni shprehet: "Ata që duan të reformojnë botën, duhet së pari të reformojnë vetveten. Me qëllim që t'i sjellin të tjerët në udhën për një botë më të mirë, ata duhet të pastrojnë botën e tyre të brendshme nga urrejtja, smira, xhelozia dhe të zbukurojnë botën e tyre të jashtme me të gjitha llojet e virtyteve. Ata që janë larg nga vetëkontrolli dhe vetëdisiplina, që nuk arrijnë të fisnikërojnë ndjenjat e tyre, mund të duken në fillim tërheqës dhe të ditur, ndonëse nuk janë të aftë që të frymëzojnë të tjerët në ndonjë rrugë permanente dhe sentimentet që ata zgjojnë shpejt do të zhduken."[14]

Gyleni deklaron: "Një person është një njeri i vërtetë nëse ai mëson dhe frymëzon të tjerët. Vështirë që dikush që është injorant dhe nuk ka dëshirë për të mësuar, të cilësohet si një njeri i kompletuar. Gjithashtu është e diskutueshme nëse një person i ditur i cili nuk e rinovon dhe reformon veten për të qenë shembull për të tjerët, të mund të quhet i kompletuar!"

Fethullah Gylen si një mësues i Islamit

Në fokus të këtij shkrimi është Fethullah Gylen si një edukator. Roli i tij si një studiues dhe mësues fetar është një çështje që meriton një studim të kujdesshëm, ashtu si shqyrtimi i mendimit të tij fetar si një interpretues modern i Islamit. Këto çështje janë jashtë objektit të këtij shkrimi. Ndonëse studimi i vizionit edukativ të Gylenit nuk mund të jetë i plotë pa një vështrim të përmbledhur të shkrimeve tij për Islamin.

Nga më shumë se 30 libra të Gylenit, disa përmbajnë biseda dhe predikime që ai ka mbajtur për studentët dhe adhuruesit. Të tjerat janë përgjigje për pyetjet që i janë bërë atij kohë pas kohe nga studentët. Ato shtrihen nga studimet për biografinë e Profetit Muhammed te një njohje bazë me sufizmin, nga trajtimi i pyetjeve që tradicionalisht ngrihen në shkencën e kelamit ose apologjetikës islame, te shtjellimi i temave esenciale të besimit Islam. Këto studime nuk u janë drejtuar specialistëve, por audiencës së gjerë të muslimanëve të edukuar.

Çfarë mund të thuhet rreth qëndrimit personal të Fethullah Gylenit në interpretimin e burimeve dhe traditës islame? E para gjë me të cilën ndeshen lexuesit, është rëndësia që ai i jep moralitetit dhe virtytit moral, të cilat ai i thekson si më thelbësoret në entuziazmin fetar të frymëzuar nga Kur'ani dhe praktikat rituale. Ndërsa afirmon nevojën për ritual, Gyleni vlerëson virtytshmërinë etike si zemrën e motivit fetar. "Moraliteti," deklaron Gyleni, "është thelbi i fesë dhe pjesa më fundamentale e Mesazhit Hyjnor. Nëse të qenit i virtytshëm dhe me moral të lartë është një heroizëm – dhe është – heronjtë më të mëdhenj janë, së pari, profetët dhe pas tyre, ata që i pasojnë në sinqeritet dhe devocion. Një musliman i vërtetë është ai që praktikon një moralitet vërtet universal dhe si të tillë musliman." Këtë ide ai e ilustron duke cituar një hadith të Muhammedit në të cilin ai thotë: "Islami konsiston në moralin e shëndoshë. Unë jam dërguar për të përsosur dhe plotësuar moralin e shëndoshë."[15]

Aspektet e ndryshme të rrugës islame të jetës synojnë të gjitha së bashku të prodhojnë individin e nderuar dhe moralisht të ndershëm. Në këtë sens të gjerë të islamit ose të nënshtrimit të jetës te Zoti, mund të thuhet që shkollat e krijuara nga lëvizja që lidhet me emrin e Fethullah Gylenit, janë frymëzuar me vizionin moral që i ka rrënjët në Islam, por nuk janë kufizuar në shprehjen e saj vetëm për anëtarët e umma-s, bashkësisë ose komunitetit të muslimanëve. Kur Gyleni flet për formimin e studentëve "të dedikuar për të jetuar në përputhje me cilësitë njerëzore dhe vlerat morale," që "zbukurojnë botën e tyre të jashtme me të gjitha llojet e virtyteve," ai është duke propozuar një kod etik universal nga këndvështrimi i një muslimani që ka mësuar prej Islamit. Në të njëjtën mënyrë, është e qartë që ai nuk i konsideron virtytet, cilësitë njerëzore dhe vlerat morale të jenë pronë ekskluzive e muslimanëve, ashtu siç studentët jomuslimanë janë të mirëpritur në shkollat dhe nuk është bërë asnjë përpjekje për t'i prozelitizuar.

Feja islame është kuptuar kështu si një "rrugë që e drejton një njeri nga përsosja ose e mundëson atë të kërkojë gjendjen engjëllore primordiale."[16] Nëse Islami është parë si një udhë për përsosjen morale, tasavvufi ose mistika islame mund të konsiderohet si një zhvillim i natyrshëm dhe i pashmangshëm brenda traditës islame. Gyleni sugjeron një definicion moral për sufizmin si "përpjekje të vazhdueshme për të mënjanuar të gjitha llojet e fjalëve të papërshtatshme dhe qëndrimet e shtrembëra dhe, si virtyte të fituara."[17] Ai i lartëson sufitët në historinë islame si drejtues shpirtërorë që u kanë treguar gjeneratave të muslimanëve si ta ndjekin këtë udhë të përsosjes njerëzore.

Një mënyrë e tillë pozitive e të lexuarit të traditës mistike sufite çon pashmangshërisht në akuzën për krijimin brenda kësaj lëvizje të një tip tarikati neosufit. Ndërsa duke mohuar që të ketë qenë një pjestar i një tarikati, më e pakta që ai ka pohuar për përkatësinë e tij pothuajse sufite, Gyleni mbron tezën që dënimi i sufizmit, dimensioni shpirtëror i Islamit, është njëlloj si të kundërshtosh vetë besimin Islam. Ai shprehet: "Unë kam deklaruar vazhdimisht që nuk jam anëtar i një bashkësie fetare. Islami si një fe, natyrisht i vë theksin botës shpirtërore dhe edukimin e egos e vlerëson si një parim themelor. Asketizmi, përkushtimi fetar, mirësjellja dhe sinqeriteti janë esenciale për të. Në historinë e Islamit, disiplina që u ndal më shumë në këto çështje, ishte sufizmi. Ta kundërshtosh këtë, do të thotë të kundërshtosh thelbin e Islamit. Por po e përsëris që, ashtu siç unë kurrë nuk jam bashkuar me një bashkësi sufite, po ashtu kurrë nuk kam pasur lidhje me ndonjë prej tyre!"[18]

Dr. Thomas Michel, Simpoziumin F. Gylen (Universiteti Xhorxhtaun, prill 2000)


[1] Criteria or Lights of the Way (Izmir, Kaynak, 1998), 1:36.

[2] Lynn Emily Webb, Fethullah Gülen: Is There More to Him Than Meets the Eye?, 106.

[3] Webb, Fethullah Gülen, 86.

[4] Towards the Lost Paradise, 16.

[5] “M. Fethullah Gülen: A Voice of Compassion, Love, Understanding and Dialogue”, Introduction to M.Fethullah Gülen, “The Necessity of Interfaith Dialogue: A Muslim Approach”, presented at the Parliament of the World's Religions, Cape Town, South Africa, Dec. 1-8, 1999.

[6] Criteria or Lights of the Way, 1:36.

[7] “The Necessity of Interfaith Dialogue”, 39.

[8] Ibid. 20.

[9] Ibid, 39

[10] Ibid.

[11] Criteria or Lights of the Way, 1:35.

[12] CF. Towards the Lost Paradise, 16, and Criteria or Lights of the Way, 1:44-45.

[13] Webb, Fethullah Gülen, 95.

[14] “The Necessity of Interfaith Dialogue”, 30.

[15] Towards the Lost Paradise, 30.

[16] Prophet Muhammad: The Infinite Light, 2:153-154.

[17] Key Concepts in the Practise of Sufism, 1.

[18] Webb, Fethullah Gülen, 102-103.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.