Intervistë e mendimtarit Fethullah Gylen me “The Wall Street Journal”
1. Javët e fundit, kryeministri ju ka sulmuar vazhdueshëm si ju, ashtu edhe Lëvizjen tuaj në përgjithësi. A mendoni se aleanca juaj me fraksionin e tij brenda Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim po shkon kësisoj drejt një fundi?
Nëse mund të bëhet fjalë për një aleancë, ajo ka qenë rreth vlerave themelore të demokracisë, të drejtave dhe lirive universale të njeriut – e asnjëherë si parti apo kandidatë politikë. Në referendumin kushtetues të mbajtur në vitin 2010 unë u shpreha se nëse këto reforma demokratike, të cilat ishin në një drejtim me kërkesat e Bashkimit Evropian për anëtarësim, do të ishin kërkuar prej Partisë Republikane Popullore, unë prapë do t’i kisha përkrahur.
Një rreth i gjerë njerëzish në Turqi, përfshi këtu edhe vullnetarë të Lëvizjes, mbështetën Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim në ndërmarrjen e këtyre reformave demokratizuese, të cilat do t’i jepnin fund tutelës ushtarake mbi politikën, duke e çuar kësisoj Turqinë drejt procesit të pranimit në Bashkimin Evropian. Ne përherë kemi mbështetur atë që kemi besuar se ka qenë më e drejta, duke i qëndruar një për një parimeve demokratike. Poashtu kemi kritikuar ç’kemi parë si të gabuar, apo që binte ndesh me ato parime.
As vlerat dhe as qëndrimet tona nuk kanë ndryshuar në këtë drejtim. Ne do të vazhdojmë të jemi avokatë të demokracisë. Dhe, nëse edhe qëndrimet apo veprimet e aktorëve politikë në vend do të jenë të pandryshueshme nga ç’kanë qenë deri më tani, kjo është diçka që u takon ta vendosë populli turk dhe vëzhguesit e paanshëm.
2. Ju keni pasur një aleancë të shëndetshme për pothuajse një dekadë me z. Erdoğan – cili ka qenë çasti që ju ka bërë të ndiheni më keq gjatë drejtimit të tij?
Më duhet ta qartësoj edhe njëherë, nëse mund të bëhet fjalë për ndofarë aleance, ato kanë qenë thjesht të bazuara në parime dhe vlera. Përgjatë periudhës së qeverisjes së Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, ne i përkrahëm reformat demokratizuese dhe i kritikuam duke iu kundërvënë të gjitha veprimeve anti-demokratike. Për shembull, në vitin 2005 ne e kundërshtuam draft-ligjin e anti-terrorit, i cili i përkufizonte krimet terroriste mjaft gjerësisht dhe rrezikonte dëmtimin e shumë lirive.
Përgjatë periudhës 2003-2010, kurba e përgjithshme e ecurisë ishte drejt reformave demokratike dhe ishte një spektër tejet i gjerë njerëzish të popullit turk, të cilët i mbështetën ata plotësisht. Kjo u vu re mëse qartë në referendumin kushtetues të vitit 2010, i cili mori aprovim me 58% të votave. Dhe ç’është e vërteta, Turqia ka bërë një progres të ndjeshëm, si në rrafshin ekonomik, ashtu edhe përsa i përket demokracisë, në këto 15 vitet e fundit.
Ne do të donim shumë që këto reforma demokratike të vazhdonin edhe më tej. Shumë prej njerëzve që i mbështetën amendamentet kushtetuese në 2010 me frazat, “mirë, por nuk është e mjaftueshme” janë të shqetësuar, se në dy vitet e fundit ky progres në demokraci është duke u kthyer krejt në anë të kundërt. Një kushtetutë e re, demokratike dhe e hartuar në mënyrë civile, do t’i konsolidonte përfitimet demokratike dhe do ta ankoronte Turqinë pranë vlerave demokratike të BE-së.
3. Cili është reagimi jua karshi lëvizjeve që kryeministri ka bërë për të spastruar instancat drejtuese të forcave të policisë së shtetit?
Nëse anëtarët e forcave të policisë, apo të ndonjë tjetër institucioni shtetëror, kanë thyer ligjet a rregullat e shtetit dhe të vetë institucioneve të tyre, askush nuk mund t’i dalë në mbrojtje veprimeve të tyre, përkundrazi, ata duhen drejtuar kah hetimi ligjor dhe institucional. Mirëpo, nëse ata nuk kanë ndërmarrë kurrfarë veprimi ilegal, duke mos thyer asnjërin prej rregullave të institucionit ku punojnë, dhe po kthehen kësisoj në profile vetëmse në bazë të botëkuptimit apo pëlqimeve të tyre, të drejtuar kah një trajtim diskriminues, atëherë as një trajtim i këtillë nuk mund të justifikohet me demokracinë, rregullat ligjore apo të drejtat universale të njeriut.
Pezullimet apo spastrimet e bazuara në ideologji, simpati apo botëkuptim individual kanë qenë një praktikë e së shkuarës, për të cilën partia që ndodhet sot në drejtim qe zotuar t’u jepte fund në fushatën elektorale përpara se të vinin në qeveri. Është paksa ironike, që po ato forca të policisë dhe gjyqësorit, që u duartrokitën si heronj vetëm pak muaj më parë, janë sot, në mes të dimrit duke u pushuar nga puna pa iu kryer as hetimi më i vogël.
4. Cila është arsyeja që Lëvizja juaj i inkurajoi studentët e saj të zgjidhnin pikërisht një karrierë në polici apo në sistemin gjyqësor?
Pikë së pari, le të ndreqim njëherë premisën kryesore të pyetjes suaj. Unë mund të flas vetëm për veten time, e cila i qe adresuar publikut turk në përgjithësi. Unë jam një njeri që ka besuar përherë se edukimi është rruga më e mirë për t’i zhvilluar individët, të cilët të mund të ndërtojnë një shoqëri të shëndetshme nesër. Çdo problem shoqëror e ka zanafillën tek individi, dhe mund të zgjidhet veç për një kohë të gjatë mbi vetë individin. Zgjidhjet që mund të jepen në nivel sistemi, institucional apo policor, janë të destinuara për të dalë të pafrytshme kur individi ngelet i anashkaluar. Andaj, prirja ime kryesore ka qenë përherë edukimi.
Kjo është edhe arsyeja kryesore, pse shumë njerëz, të cilët qenë në një mendje me idetë e mia, u përgatitën dhe bënë të mundur ngritjen e një shumëllojshmërie institucionesh arsimore, duke filluar që nga konviktet, qendrat e kurseve parapërgatitore, deri tek shkollat jopublike dhe qendrat e akomodimit të studentëve. Të gjitha këto institucione sendërtuan një segment më të gjerë mundësish arsimimi cilësor për një rreth më të gjerë shoqëror, të cilat ishin në fakt të hapura vetëm për një rreth më të ngushtë të privilegjuarish.
Unë përherë kam qenë nxitës që populli turk të përfaqësohej prej të gjitha shtresave të shoqërisë dhe në të gjitha institucionet e vendit, pasi është tejet e rëndësishme që këto institucione të pasqyrojnë diversitetin e shoqërisë. Veçse përzgjedhjet e bëra prej studentëve dhe prindërve të tyre kanë marrë trajtë prej më shumë faktorësh, siç kanë qenë mundësitë e punësimit apo mundësitë e arritshme pas shkollimit në disiplinat gjegjëse. Nuk jam plotësisht i sigurt se sa ndikuese ka qenë pikëpamja ime si faktor përzgjedhës prej këtyre familjeve.
Por me gjithë ato institucione që janë ngritur prej vullnetarëve të kësaj Lëvizjeje, nuk kam asnjë dijeni të saktë mbi përzgjedhjet e karrierës së mbarë studentëve të tyre. Mirëpo krejt përkundër asaj që mund të mendoni ju, për ata studentë që mendojnë të bëjnë karrierë në fushat që ju përmendët (policia apo sistemi i drejtësisë), historikisht, shkollimi prej këtyre institucioneve ka qenë një arsye diskriminimi.
5. Qeveria ka bërë të ditur se do t’i rishikojë edhe njëherë gjykimet e saj në lidhje me ushtarakët e akuzuar për organizim të grushtit të shtetit – a shqetësoheni se ata mund të jenë duke krijuar një aleancë të re kundër ndjekësve tuaj? Cila është strategjia juaj për ta kundërshtuar diçka të këtillë?
Rigjykimi në dritën e provave të reja, apo demonstrimi i parregullsive në procedurat ligjore të gjykimit është një e drejtë universale e njeriut. Nëse kemi të bëjmë me prova të reja, ose nëse është vënë re se ndonjëra prej procedurave ligjore të ndjekura është e mangët, atëherë rigjykimi kthehet në një të drejtë ligjore të tyre. Askush nuk dëshiron që një i pafajshëm të dënohet padrejtësisht.
Sidoqoftë, nëse qëllimi është shfuqizimi i plotë i verdikteve të njëmijë e kusur gjyqeve, atëherë një lëvizje e këtillë do ta minonte krejt besueshmërinë në sistemin e drejtësisë, duke i kthyer me kokë poshtë të gjitha frytet demokratike të arritura gjer më tani. Do të ishte tejet e vështirë t’i shpjegohej një lëvizje e këtillë 58% të popullit turk, të cilët përkrahën amendamentet kushtetuese në 2010, të cilat ishin ato që bënë të mundur gjykimin e këtyre organizatorëve të grushtit të shtetit në gjykatat civile të vendit për herë të parë në historinë e Turqisë. Ajo do të ishte gjithashtu paraqitja ironike, se si liderët e tashëm të qeverisë i përdorën këto gjyqe për vite me radhë si triumf i demokracisë, duke i duartrokitur me gjuhën e tyre të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që morën pjesë në proces. Këto gjithashtu kanë qenë raporte të liderëve politikë për arritje në vënies së lidershipit ushtarak nën autoritetin e pushtetit civil.
Retorika me të cilën janë duke u zhvlerësuar këto gjyqe, duke iu atribuuar një grupi të caktuar brenda sistemit të drejtësisë, paraqet një kontrast të plotë me retorikën e liderëve politikë përgjatë dhjetë viteve të qeverisjes. Këtu mund të vërehet gjithashtu edhe një përbërës mungese sinqeriteti. Kur drejtori i Shërbimit Inteligjent Turk (MIT) qe kontaktuar prej një prokurori për t’u pyetur nëse kishte oficerë të Shërbimit të lidhur me aktet terroriste të Bashkimit të Popujve Kurdë/Partisë Punëtore Kurde, qeveria kaloi menjëherë një ligj, i cili parashikonte aprovimin e kryeministrit për të hetuar drejtorin e Shërbimit Inteligjent. Kur partia qeverisëse e kishte një fuqi të këtillë në dorë, ata nuk e kaluan një ligj të ngjashëm për t’i ofruar të njëjtën mbrojtje edhe shefit të shtabit të përgjithshëm apo komandantëve të ushtrisë. Kjo paqëndrueshmëri është treguese se retorika e tashme e rigjykimit është më tepër e motivuar politikisht, se sa një dëshirë për drejtësi ndaj ushtarakëve të gjykuar.
Nëse është e implementuar, atëherë një lëvizje e këtillë do të ishte një rrënim i të gjitha reformave demokratike të ndërmarra përgjatë dekadave të fundit. Ajo do të ishte një kthesë dramatike e përpjekjeve për ta zhvendosur tutelën ushtarake mbi institucionet demokratike. Në historinë e Turqisë, janë rrëzuar plot katër qeveri të zgjedhura me anë grushtesh shteti, të organizuara prej forcave ushtarake vetëm përgjatë një gjysmë-shekulli.
6. Qeveria ka vënë në shënjestër një sërë biznesesh, duke filluar që nga Koç dhe Doğan, duke i fshikulluar ato me anë taksash të forta, kur qëndrimi i tyre politik ra në kundërshti me z. Erdoğan. A e shihni këtë si një rrezik për të gjitha bizneset e drejtuara prej ndjekësve të Lëvizjes së Shërbimit, përsa i përket veprimeve të bëra gjatë kohëve të fundit?
Prej raportimeve të ndryshme të lajmeve po mësoj se ajo të cilës ju iu referuat pak më parë nuk është më një rrezik. Grupi Koza, Istikbal dhe Banka Asja, u vunë në shënjestër me forma të ndryshme inspektimi, taksash, gjobash, pezullime lejesh dhe sa e sa prerje të paparashikuara fondesh, të cilat i pasoi një fushatë pezhorativizuese kundër bankës prej disa organesh mediatike, të cilat njihen se janë afër partisë qeverisëse.
7. Presidenti Gyl është parë më shumë si një lider moderues, i cili mund të sillte afër përfaqësues të ndryshëm politikë, nga konservatorët tek liberalët, duke përfshirë këtu edhe Lëvizjen. A do ta mbështetnit ju një Parti për Drejtësi dhe Zhvillim të drejtuar prej z. Gyl si kryeministër, apo ju mendoni se ai do të ishte shumë mirë për vendin si president? A shihni tek z. Gyl një dëgjues më të afërt, duke e krahasuar atë me kryeministrin Erdogan?
Ne jemi përpjekur gjithnjë që të mbajmë marrëdhëniet më të afërta me të gjitha partitë politike. Si një lëvizje e shoqërisë civile, ne kurrë nuk kemi mbrojtur mbështetjen e ndonjë partie a ndonjë kandidati politik. Nëse ka prej vullnetarëve të kësaj Lëvizjeje, që i kanë parë disa kandidatë, apo partinë e tyre, si më të afërt me vlerat dhe besimin e tyre, atëherë kjo ka qenë një mbështetje e kryer me vullnetin e tyre të lirë.
Z. Gyl është presidenti ynë. Nuk do të ishte aspak e drejtë, që ne të ngrihemi sot e të spekulojmë skenare të ndryshme në emër të tij.
8. Shumë prej mbështetësve tuaj në media janë treguar tejet pozitivë përsa i përket drejtuesve të Partisë Republikane të Popullit – a mendoni se do të ishte e mundur një aleancë mes Lëvizjes së Shërbimit dhe kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme?
Po e përsëris edhe njëherë, ne nuk kemi formuar asnjëherë aleancë për të qenë partnerë me ndonjë parti politike apo kandidat të saj. Mbështetja apo kritika jonë ka qenë përherë rreth vlerash apo parimesh të caktuara. E poashtu, edhe në të ardhmen nuk do të ketë një të tillë. Si aktorë të shoqërisë civile, për ne është një detyrim që të jemi të hapur ndaj gjithkujt në shoqëri. Dhe vlerat që ne respektojmë janë të qarta. Demokracia, liritë dhe të drejtat universale të njeriut, qeverisja transparente dhe e përgjegjshme janë disa syresh.
Kur të vijnë mundësitë, atëherë vullnetarët e Lëvizjes, si të gjithë qytetarët e tjerë të vendit, do ta bëjnë zgjedhjen të bazuar në vlerat e tyre. Dhe është e natyrshme, që njerëzit do të bëjnë zgjedhjen e tyre sipas vlerave të përbashkëta që bart me radhë të caktuara politike.
- Publikuar më .