RRUGË QË TË ÇOJNË DREJT SË DREJTËS DHE PERIUDHA NË TË CILËN JETOJMË
Pyetje: Ndërsa po bëhen përpjekje për të hequr pengesat mes Allahut dhe njerëzve, duke i takuar me Të, cilat janë pikat që duhet të tregojmë kujdes për shpirtin e bashkëjetesës?
Përgjigje: Deri më sot janë përdorur disa rrugë dhe metoda të ndryshme për ta shpërfaqur shpirtin dhe thelbin e fesë islame. Për shembull, rruga e ndjekur tek tarikati Nakshibendi, përmblidhet me këto fjalë:
Thotë rruga e Nakshibendit, duhen braktisur katër gjëra: braktisja e botës, braktisja e ahiretit, braktisja e vetes, braktisja e braktisjeve. [130]
Kuptimi i saj është ky: Në tarikatin Nakshibendi duhen braktisur katër gjëra. Dy të parat janë braktisja e botës dhe e ahiretit. Ashtu si njeriu duhet t'i shtyjë me të kundërtën e pëllëmbës bukuritë tërheqëse të kësaj bote, madje këtë adhurim tijin të mos e lidhë as me mendimin "T'i bëj këto, që të shkoj në Xhenet. Sepse shkaku kryesor i adhurimit është diçka mes adhurimit dhe kënaqësisë së Allahut." [131] Së këndejmi, robi i Allahut duhet t'i organizojë veprimet e tij brenda rrethit të urdhrave të Allahut dhe kënaqësisë së Tij, dhe duke e thurur kësodore dantellën e jetës duhet të nxjerrë një dizenjo të atillë që edhe engjëjt ta kenë zili.
Udhëtari i kësaj rruge, veç të tjerash, duhet të heqë dorë edhe nga egoja e vet, duke marrë qëndrim ndaj kërkesave dhe dëshirave të tij të pareshtura, e kësisoj të veprojë me një mospritmëri të plotë ndaj gjithsecilit. Në fund të të gjithave, duhet të braktisë edhe idenë se i ka braktisur të gjitha këto. Me një fjalë, nuk duhet të bjerë pre e një mendimi të natyrës: "Unë braktisë këtë, braktisa atë.". Në asnjë mënyrë ai nuk duhet t'i hyjë rrugës së vetëpëlqimit apo vetëlavdërimit për sakrificat që mund të ketë bërë për hir të braktisjes. Nëse në mendje i vjen ndonjë lloj mendimi si "Unë jam heroi i tërë këtyre sakrificave", ai duhet të ngarendë menjëherë pas pendesës.
Veçoritë e epokës së egoizmit
Në ditët tona kur egoizmi ka përparuar së tepërmi, dhe kur njerëzit bien e ngrihen nën ndikimin e përhershëm të egoizmit, e duke u nisur disi edhe prej përsiatjes se "mendimi i braktisjes" do të ishte diçka e pamundur, Said Nursiu, në Letrën e katërt shprehet disi ndryshe:
"Thotë rruga e dobësisë, këto katër gjëra nevojiten: varfëri absolute, dobësi absolute, falënderim absolut, dëshirë absolute, o i nderuar" [132] , e me këto tregon se këto janë katër tiparet më të domosdoshme në këto ditë. Me një fjalë, njeriu duke kuptuar fillimisht se është i dobët deri në një nivel absolut, aq sa në mendje i përsillet vetëm fjalia "Unë nuk mund të bëj dot asgjë pa dashur Allahu që të bëhet." Njëkohësisht, duhet ta dijë veten aq të varfër, saqë gjithë pasurinë e tij duhet ta shohë brenda suazave të asaj që Ai i ka falur. Përveç kësaj, duke i mirëpërdorur të gjitha mirësitë dhe kushtet e falura prej Allahut, megjithë varfërinë dhe dobësinë e vet, e duke falënderuar pareshtur për to, në çdo vepër e sjellje duhet të falënderojë Allahun, dhe me një pasion që nuk di të ngopur, nuk duhet ta mbajë vendi prej dëshirës për ta futur Allahun në zemrat e të gjithëve. Said Nursiu në shtojcën e fjalës së njëzetegjashtë [133] , tregon dobësinë, varfërinë, dhembshurinë dhe meditimin si katër kriteret kryesore, duke theksuar veçanërisht gjashtë thellësi të sistemit të parashtruar.
Sipas mendimit tim, Said Nursiu i ka gjetur këto mendime që bindin mendjen dhe ngopin zemrën e njeriut të periudhës në të cilën jetojmë, për të cilat është e një rëndësie të veçantë që t'i hulumtosh më në thellësi. Zaten me mijëra njerëz që kanë përftuar diçka prej veprave të tij, ngase po e përçon emrin e Allahut ndër zemra përballë gjithë rrymave dhe erërave të forta të mohimit dhe mosbesimit, duke bërë që emri i të Dërguarit të Allahut të valëvitet ndër zemra, dhe që ua paraqet ahiretin dhe ringjalljen përpara syve sikur të ishin duke e shijuar, ndjejnë njëfarë mirënjohjeje të thellë për të. Në fakt, ajo është veç shprehja e një ndjesie të falënderimit, e cila merr trajtë nëpërmjet fjalëve dhe fjalive. Sepse, në një hadith thuhet, se ai që nuk falënderon njeriun, as Zotin e tij nuk e falënderon. [134] Me një fjalë, te njeriu duhet të gjendet njëherë ndjenja dhe karakteri i mirënjohjes dhe falënderimit. Dhe një njeri që përballet me mirësinë e njohjes së Allahut, të Dërguarit të Tij dhe ringjalljes, është më se e natyrshme që të jetë i prirur kah drejtimi i sinqertë drejt Allahut. Mirëpo një drejtim i këtillë nuk duhet lidhur kurrsesi me mendimin e drejtimit kah vetja apo egos së bashkësisë, duke mos u bërë shkas për qasje tepruese. Sepse ata që kanë arritur besimin sajë Islamit, kanë mbërritur në bregun e shpëtimit me lejen dhe ndihmesën e Allahut, e ndoshta edhe e kanë fituar kënaqësinë e Tij. Andaj, çështja, përpos falënderimit dhe mirënjohjes karshi Allahut, nuk duhet të kthehet kurrsesi në një reklamë a shkak për të bërë spektakël me të, e aq më keq, nuk duhet të përqendrohet në mendime egocentrike. Patjetër, sepse mjetet nuk duhet të ngatërrohen asnjëherë me qëllimet, dhe cilado qoftë rruga e arritjes, nuk duhet harruar se qëllimi kryesor është kënaqësia e Allahut.
Shpirtra që arrijnë ritakimin
Ata që braktisin shtëpinë dhe familjen, vendin e të afërmit, e derdhen rrugëve për të përhapur emrin e Allahut në të katër anët e rruzullit, gjenden sidoqoftë në rrugën e fitimit të kënaqësisë së Allahut. Si një shenjë treguese e përforcuese të mendimit të të qenit në rrugën e të Drejtës, dua t'ju them, se ndërsa ecni në drejtpeshim, ka me qindra e ndoshta me mijëra njerëz që e kanë parë të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), qoftë në ëndërr, qoftë në një gjendje në ndërmjetme, madje edhe janë marrë disa sihariqe prej Tij. Për shembull, njëri tregon që iu shfaq Profeti i Njerëzimit ndërsa ishin ulur e po bisedonin një mbrëmje e po thoshim nja njëmijë salavate, duke u thënë: "Unë jam duke ju mbështetur në shërbimin tuaj!" Një tjetër mik na tregon se si në një gjendje të ndërmjetme, i shfaqet Krenaria e Njerëzimit. Kobrat ishin duke i sulmuar, dhe shokët e tyre nuk po i përballonin dot. Kur, për një çast u hap një derë dhe që andej ia behën disa njerëz të ndritur, në krye të të cilëve gjendej Profeti ynë me një shkop të gjatë në dorë. Pasi i dha një të goditur njërës prej kobrave, u tha: "Mos u trembni, ne jemi duke ju mbështetur." Në fakt unë ndihem në siklet dhe turpërohem që ju tregoj gjëra kaq subjektive, mirëpo ngase nuk janë të lidhura drejtpërsëdrejti me mua, e shoh si të arsyeshme që t'i ndaj me ju ato. T'ju them të drejtën, duke u gjendur brenda një rrethi që ka mbrojtje dhe mbështetje hyjnore, unë e kam parë veten time përherë kësisoj: "Nëse unë do ta kryeja detyrën që më është ngarkuar ashtu siç duhet, duke i vlerësuar sa më denjësisht mundësitë që më ka falur Allahu, ky shërbim do të kishte përparuar më shpejt. Ndoshta njerëz më të sinqertë do të kishin arritur të sendërtonin punë më të rëndësishme." Veç kësaj, këto histori duhen pranuar si sheqerkat që u jepen fëmijëve të vegjël për t'i shtyrë dhe frymëzuar drejt diçkaje të mirë. Tevona, një hero besnik i të vërtetës nuk duhet të presë asnjërën syresh. Edhe unë që jam më mëkatari ndër ju, them: "O Zot! Mos më bëj mua që t'i shijoj që në këtë botë disa mirësi që do t'i merrja prej Teje n'atë anë! Mos na godit neve me shuplakën e ajetit "I harxhuat të gjitha kënaqësitë që në jetën e botës." [135] Megjithatë, disa njerëz, sidomos në periudha të vështira, i shikojnë këto çështje si tejet të rëndësishme përsa i përket përforcimit të fuqisë shpirtërore, dhe nëse ato vlerësohen me referencë profetike, nuk duhet të ketë ndonjë problem në rrëfimin e tyre.
Nga ana tjetër, duke pasur parasysh që ka aq shumë rrethe të caktuara që nuk e honepsin dot, e që rreken ta pengojnë hyrjen e Islamit ndër zemra, nëse këta emigrues horizontesh arrijnë njëfarë mirëpranimi në vendet ku shkojnë, kjo duhet parë si një ndihmesë dhe mbështetje e Allahut. Veç të tjerash, kjo e lidhur edhe me njerëzit, të cilët jetojnë pa u dalë kurrfarë ngatërrese mes tyre, në një periudhë kur nuk gjenden edhe të gjitha mundësitë për të ngritur një seminar mbi bashkëjetesën e njerëzve me prejardhje nga kultura të ndryshme, janë treguese të një mbështetjeje hyjnore dhe profetike, e cila do të thotë njëkohësisht se shërbimet tona janë brenda pranimit të Allahut. Sepse është tejet e vështirë që të flitet për një përhapje më të madhe në historinë e Islamit, që në kohën e sahabëve të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Po, këta njerëz që i janë futur gjithë kësaj pune, duke u mbështetur te kriteret e varfërisë, dobësisë, falënderimit dhe meditimit, dhe duke u mbështetur njëkohësisht edhe në bindjen e bashkimit si kumtues të të vërtetës, është shkak për mbërritjen në portin e shpëtimit dhe frymëmarrjes së lirshme.
Me një fjalë, Allahu është një synim për të gjitha zemrat që besojnë, e rrugët dhe udhëtarët për atje janë sa frymëmarrjet e të gjitha gjallesave bashkë. Andaj, detyra jonë është të duartrokasim të gjithë ata që shërbejnë për të fituar kënaqësinë e Allahut, madje edhe të përgjërohemi në lutje që t'ia arrijnë të gjitha qëllimeve që kanë.
[130] Bediuzaman Said Nursi, Letrat, fq. 17. (Letra e Katërt)
[131] Bediuzaman Said Nursi, Shkrepëtimat, fq. 164 (Shkrepëtima e Shtatëmbëdhjetë, Shënimi i trembëdhjetë).
[132] Bediuzaman Said Nursi, Letrat, fq. 17 (Letra e Katërt), fq. 414 (Letra e Njëzetetetë, Traktati i pestë)
[133] Shih: Bediuzaman, Fjalët, fq. 518 (Fjala e Njëzetegjashtë, Shtojcë)
[134] Shih: Tirmidhi, birr, 35; Ebu Daud, edem, 11.
[135] Ahkaf, 46/20.
- Publikuar më .