QASHTËRSIA E MENDIMIT

QASHTËRSIA E MENDIMIT

Pyetje: A mund të na i shpjegoni pak konceptet e "qashtërsisë së mendjes" dhe "nderit të mendimit" që ju i përmendni dhe tërhiqni vëmendje vazhdimisht?

Përgjigje: Mendimi bashkë me veprimin janë dy dinamikat më të qenësishme që na tregojnë neve rrugën e ekzistencës së vërtetë, që na ndihmojmë të mund të qëndrojmë vetvetja edhe përballë stuhive më të fuqishme, por gjithashtu, edhe që na bën të mundur që ta ndryshojmë veten tonë për mirë. Një mendim i përmbledhur, edhe nëse vjen më parë se veprimi, në kuptimin e saj të njëmendtë mendimi përftohet brenda veprimit. Domethënë, sadoqë njeriu të thellohet mbi një çështje të caktuar, duke u rrekur që ta lexojë sa më pastër atë çështje, kuptimi i tërësishëm i saj, dhe vendosja mbi themele të shëndosha, fillon të sendërtohet vetëm pasi çështjet e planifikuara të jenë hedhur në jetë. Sepse realizimi i çështjeve të planifikuara, dhe njëkohësisht dalja përballë disa arritjeve të caktuara, ka për ta futur atë më tej, nëpër mendime akoma edhe më të thella, ndërsa mendimet e mëparshme, fillestare, do të jenë kthyer në të patundshme. Domethënë, qoftë në mënyrë të përmbledhur, qoftë duke e hapur më tej çështjen e kuptimit të kësaj çështjeje, kriteri më i rëndësishëm i qëndrimit të lidhur pas qëllimit dhe mendimeve është qashtërsia e mendimit. Si rrjedhojë, ne duhet që ta shohim qëndrimin besnik pas qashtërsisë së mendimit si një pjesë të pandashme të karakterit, dhe cilatdo qofshin kushtet, duhet ta ruajmë si sytë e ballit.

Mendimet e qëndrueshme përftojnë sjellje të qëndrueshme

Në këtë çështje, të tjerët mund të tregojnë gjithfarë sjelljesh karshi nesh. Mirëpo gabimi i botës nuk duhet të na shtyjë neve kurrsesi në gabim. Sepse ne, duke marrë parasysh vlerat tona thelbësore, duhet të qëndrojmë përherë të lidhur fort pas atyre mendimeve të para. Sepse nëse do t'i ndryshojmë mendimet dhe veprimet tona si pasojë e këtij apo atij shkaku, atëherë kjo kthehet në diçka të vazhdueshme, derisa në fund të jemi larguar prej rrugës së të vërtetës. Ndërsa ne, jo vetëm që nuk duhet të lejojmë të tjerët që të na shtyjnë drejt devijimit, por as që të na vonojnë nuk duhet t'i lejojmë, madje duhet të përpiqemi që të qëndrojmë sa më larg prej çdo lloj mendimi a ndikimi që mund të quhet si njëfarë provokacioni për ujëvarën tonë të mendimeve a botëvështrimit. Sepse synimi parësor i provokacioneve, është devijimi i njerëzve që gjenden në rrugën e së mirës prej synimeve të tyre imagjinare, duke u përpjekur që t'u japë një tjetër trajtë apo drejtim. Ndërsa me disa fjalë të tjera, qëllimi kryesor që fshihet pas provokacioneve, më tepër se sa arritja drejt një qëllimi, është pengesa e njerëzve që po shkojnë drejt qëllimit, në mënyrë që t'i drejtojë kah një tjetër drejtim.

Si rrjedhojë, njerëzit që përfaqësojnë mendimin e qëndrueshëm nuk duhet të ndryshojnë kurrsesi përballë shprehjeve a qëndrimeve të pabaza dhe të paqëndrueshme - patjetër që ka të drejtën e kundërshtimit, vërtetësimit a qartësimit përballë shpifjeve - duke qenë përherë në përpjekje të ndershmërisë dhe ruajtjes së pastërtisë. Patjetër që ne duhet të mendojmë vazhdimisht drejtë, që edhe sjelljet apo veprat që do të ngremë mbi to të jenë po të qëndrueshme. Sepse nëse merremi edhe ne pas çdo stuhie të këtillë, atëherë do të humbnin mjedisin në të cilin po ecim, biem nëpër rrugica qorre, derisa kthehemi në njerëz që kanë humbur rrugën.

Kush mendon bukur, merr kënaqësi prej jetës

Profeti ynë i dashur (s.a.s.) në një hadith shprehet se heshtja e besimtarit është meditim, ndërsa e folura urtësi. [142] (shih: ed-Dejlemi, el-Musned, 1/421) Duke marrë parasysh këto fjalë, mund të themi se nëse njeriu mendon dhe ndërton në mendjen e tij veç gjëra të mira, atëherë kjo për të është një adhurim. Madje, edhe sikur të zhytet nëpër mendime, të cilat është i vetëdijshëm se nuk i realizon dot, megjithëse në njëfarë mënyre do të thotë humbje e kotë energjie, nëse njeriu gjendet përherë i zhytur në mendimin "po të kem mundësi që t'ia ndryshoj fytyrën dhe ngjyrën kësaj bote, për ta bërë më të bukur dhe më tërheqëse", kam bindjen se edhe këto kalojnë si njëfarë adhurimi. Andaj, detyra e besimtarit është që ta lidhë veten pas këtyre mendimeve të bukura, duke e vazhduar jetën pikërisht brenda një kornize të këtillë mendimesh. Edhe Said Nursiu në librin e tij "Letrat" shprehet: "Ai që sheh bukur, mendon bukur. Ai që mendon bukur, merr kënaqësi prej jetës." [143] Kësodore, që njeriu ta jetojë jetën brenda një kornize të këtillë, dhe që të jetojnë një jetë si brenda korridoreve të Xhenetit, është e lidhur me këtë të menduar bukur.

Veç kësaj, ngase te njeriu gjendet një aftësi për të menduar, nëse ai nuk e kanalizon këtë mundësi në rrugë të mira, atëherë po kjo aftësi mund ta tërheqë atë drejt rrugësh të papëlqyeshme si egoizmi apo bohemizmi. Madje përpos mendimit, edhe imagjinimi apo ëndërrimi i papërdorur për mbarësi mund ta çojë njeriun përballë tërë këtyre gjërave aspak pozitive. Andaj besimtari duhet të ketë përherë të njëjtat mendime te të cilat beson, të lexojë përherë për to, pa lënë hapësira për asnjë tjetër lloj mendimi, dhe të dijë që të ushqehet përherë prej burimeve të tij parësore. Njëkohësisht ai duhet të dijë si ta vlerësojë vullnetin e tij, duke i parandaluar të gjitha ndjenjat dhe mendimet që vijnë pa marrë më parë leje prej mekanizmave të ndërgjegjes. E nëse ai ngelet pjesë e tërë këtyre erërave të këqija, atëherë, siç këshillohet në një hadith, ai duhet të dijë se si të largohet menjëherë së andejmi. Sepse një njeri që hap velat kah imagjinime që mund të prekin qashtërsinë e mendimit, mbërrin në një pikë të atillë, që ngjan me atë që është larguar aq shumë nga bregu, sa nuk e gjen dot më rrugën e shpëtimit prej të këqijave. Nëse ai nuk di si t'i ndërpresë menjëherë ndjenjat e urrejtjes, mllefit, keqdashjes që fillojnë të çelin brenda tij, mund ta shtyjë derisa të marrë vendime apo të kryejë disa veprime të caktuara.

Nga njëra anë njeriu duhet të dijë si ta përdorë vullnetin e tij, e nga ana tjetër edhe duhet të kërkojë ndihmë prej Allahut (xh.xh.). Dhe nëse arrin ta bëjë diçka të këtillë, atëherë ai me ndihmesën e Allahut ka për ta jetuar jetën e tij nën ombrellën e një mbrojtjeje hyjnore. Mirëpo nuk duhet harruar, se edhe njerëzit më të qëndrueshëm mund të rrëzohen një ditë, prandaj edhe duhet ndenjur përherë i përgatitur ndaj çdofarë rreziku. Ndërsa ajo që duhet të bëjmë nëse ngelemi përballë një rrezikshmërie të tillë, është ajo që bëri edhe i pari ynë, Ademi (a.s.): "O Zot, ne i bëmë keq vetes sonë, e nëse as Ti nuk tregohesh i mëshirshëm me ne, atëherë ne jemi krejtësisht të humbur." [144] , dhe sakaq të drejtohemi veç kah Ai.

Epshe dhe çartisje të veshura si mendime

Një prej çështjeve që duhet treguar më shumë kujdes për hir të nderit të mendimit është edhe mundësia që epshet dhe çartisjet tona të mvishen prej një trajte mendimi. Në një gjendje të këtillë, kriteri që duhet ndjekur për të bërë dallimin se çfarë është çartisje, e çfarë është mendim i mirëfilltë, janë ligjet shoqërore. Për shembull, nëse dikush tregon një sjellje të caktuar, a reagim, karshi teje, dhe ti nevrikosesh prej kësaj, pikë së pari ti duhet të shohësh njëherë a është dëmtuar e vërteta prej gjithë kësaj. E nëse nuk bëhet fjalë për një rast të këtillë, atëherë kjo do të thotë se ti je nevrikosur për llogari të vetes sate, e cila do të thotë troç se reagimi ty të buron prej egos. Ndërsa kriteri i përcaktuar prej Kuranit për rastet kur ty të bëjnë diçka të keqe, është: "E mira nuk mund të bëhet një me të keqen. Atëherë ti përpiqu që ta mbrosh të drejtën në mënyrën më të mirë." [145] Kësodore, nëse dikush ju ka bërë një të keqe, veprimi i parë që duhet ndërmarrë karshi tij është thyerje e nervave dhe mërzitjes së tij me një buzëqeshje. Mirëpo nëse e keqja e tij përfshin jo vetëm atë, por një tërësi të tërë shoqërore, atëherë askush nuk ka të drejtë që të falë kënd. Sepse njeriu mund të tregohet mirëkuptues dhe falës vetëm për ato të drejta që i përkasin vetë atij. Edhe Allahu (xh.xh.) nuk ka caktuar ndonjë mëkëmbës që të ruajë të drejtën e Vet. Andaj, askush nuk mund të ngrihet e të japë vendime për të drejtën e Allahut. Në të kundërt, kjo ka për të qenë një mungesë respekti karshi të drejtës së Allahut (xh.xh.).

Nëse do të ktheheshim në çështjen tonë kryesore, mund të themi se është e vërtetë, që nganjëherë, epshet dhe çartisjet tona mund të hyjnë në trajta mendimesh, e duke u bërë edhe mjete të shtysave djallëzore, ato mund t'i japin mend njeriut, asisoj që ai mund t'i hyjë disa rrugëve të gabuara. Këtë mund ta shihni edhe në disa programe televizive ku disa njerëz kanë veç shpirtin e kundërshtimit. Ata sikur të jenë kyçur në kundërshtimin e gjithçkaje, ndërsa pala përballë të thotë ç'të dojë, të saktë a të gabuar, ata thonë veç të kundërtën. Ta zëmë se dikush do t'u thotë që "Me lejen e Allahut, unë do t'ju tregoj juve tani rrugën që çon për në Xhenet.", e pas këtyre fjalëve përballë të hapen portat e Xhenetit, duke bërë që të shfaqen të gjitha bukuritë e atjeshme, atëherë ata do të ngrihen e do të thonë: "Jo, ne nuk duam të hyjmë në këtë Xhenet. Ne duhet të fitojmë edhe shumë gjëra të tjera këtu. Ti me këtë që po na thua kërkon të na shtysh drejt dembelizmit dhe përtacisë.". Domethënë ata u kthehen me demagogji edhe fjalëve apo mendimeve më të pranueshme prej të gjithëve. Ja, janë pikërisht këto fjalë të nxitura nga shejtani dhe që burojnë prej egos dhe epsheve të njeriut. Mirëpo njeriu, gabimisht pandeh se këto i ka menduar dhe thurur vetë.

Ndonjëherë, ndodh që të ketë edhe mes myslimanëve të atillë që bien në kurthin e djallit dhe egos që i urdhëron përditë për të keqen. Për shembull, kur i kujton vdekjen një njeriu të këtillë, ai me dëshirën e të jetuarit në këtë botë, me pasionin për fëmijët dhe familjen, dhe me kërkesat për të marrë kënaqësi prej kësaj jete, i vesh të gjitha këto me këllëfin e shërbimit, e duke rënë po prapë pre e shtysave të epshit dhe djallit thotë: "Mua më duhet të rri edhe shumë më shumë këtu, që t'ua tregoj të vërtetat edhe shumë njerëzve të tjerë." Mirëpo një besimtari të sinqertë, nga njëra anë duhet t'i djegin hundët prej pasionit që ndien karshi Zotit të tij, ndërsa nga ana tjetër, duhet të jetë i përmbushur veç me dëshirën për t'u takuar me Profetin tonë të dashur (s.a.s.), madje të vuajë prej kënaqësisë për t'u ulur në një sofër me Ebu Bekrin, Omerin, Osmanin dhe Aliun (r. anhuma), ndërsa nga ana tjetër të thotë: "O Zot, ngase nuk e di a e kam mbushur ose jo kohën, e nuk dua kurrsesi që të tregohem i paturp karshi teje duke u nxituar.", dhe saora të veprojë me masë. Në këtë pikë, gjykuesi më i mirë është ndërgjegjja. Kësodore, njeriu duhet t'i testojë njëherë fjalët që do të thotë nëpërmjet kritereve të pashoqe të ndërgjegjjes. Nëse arrin ta bëjë diçka të tillë, atëherë ai do të jetë i mbrojtur prej ngatërrimit të egos me Zotin, apo egos dhe çartisjeve të panumërta me mendjen dhe logjikën e shëndoshë.

[142] Shih: ed-Dejlemi, el-Musned, 1/241.

[143] Bediuzaman, Letrat, fq. 532 (Farat e së vërtetës)

[144] A’raf, 7/23.

[145] Fus’silet, 41/34.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.