PËRFAQËSUESIT E SHPIRTIT TRIMËROR
Pyetje: Vërejmë se trimëria është trajtuar gjerësisht, me shpjegime nga më të ndryshmet deri në ditët e sotme. Ç'është trimëria e vërtetë sipas kushteve të sotme dhe kush mund të quhet trim?
Përgjigje: Futuvet, që vjen prej fjalës "feta", e që mbart kuptimin trimosh, hero dhe sypatrembur, në fakt na ka ardhur neve si termi-ombrellë që përfshin brenda vetes të qenët i mbushur plot e përplot me besim, trajtimi i çdokujt me një mirësjellje të pashoqe, të kyçurit në jetesën për të tjerët, përballimi i çdofarë sakrifice në udhën e gjërave të shenjta, dhe me durimin e një zogu që nuk ka dalë ende prej vezës, të durosh karshi pritjes së çastit të lumë, pa e lënë asnjëherë pas dore arsyen dhe logjikën, e duke llogaritur edhe tërë kushtet e epokës në të cilën jeton, të dish si të ngresh krye ndaj çdo gjëje të papëlqyeshme, dhe në fund të të gjitha këtyre, të mos të të dridhet syri prej frikës, e as të mos lëkundesh përballë të gjitha vështirësive që mund të të zënë rrugën.
Në një fjalë të këndshme, që na transmetohet si hadith, thuhet: "Nuk gjendet trim si Aliu, e as shpatë si Zylfiqari." [21] Me këto fjalë na tërhiqet vëmendja, se Aliu është një përfaqësues i shpirtit trimëror me çdo sjellje dhe qëndrim të tijin. Në fakt, trimëria qëndron shumë më herët edhe se vetë Aliu (r.a.). Sepse të gjithë profetët e mëdhenj mund të shihen me syrin se kanë qenë nga një përfaqësues më vete të trimërisë. Ata nuk kanë jetuar kurrsesi për veten, por përherë vetëm për të tjerët. Ka pasur profetë të atillë, që pas tyre ka pasur vetëm nga një grusht njerëzish. Por ka pasur edhe asish që nuk kanë pasur asnjë ndjekës. [22] Megjithatë, nuk ka pasur asgjë që t'i ndalë ata prej udhës së tyre.
Përfundimin ta dish prej Allahut
Realizimi në mënyrën më të drejtë i detyrës së profetësisë që iu dha profetëve të mëdhenj, jetesa e jetës së tyre veç në horizontin e mençurisë, duke i realizuar deri më një të gjitha ligjet e universit, lëvizja e përhershme në dritën e një strategjie, por në mes të të gjitha këtyre, edhe pritja e përfundimit veç prej Allahut, përbëjnë atë që quhet thelbi i shpirtit trimëror. Po, të digjesh në fillim prej zjarrit të kryerjes së detyrës, dhe në fund përjetimi i sprovës se e ke kryer detyrën është një prej shenjave më treguese të këtij shpirti. Me fjalë të tjera, nëse dikush që kryen detyrën e kumtimit dhe udhëzimit, mendon “Lavdi Zotit, edhe pse njerëzit nuk ma vënë veshin, unë e kreva urdhrin e Zotit tim. Zoti nuk ma hoqi mua këtë detyrë deri në fund.”, është shumë e rëndësishme që pa jetuar kurrfarë zhgënjimi, e pa rënë asnjëherë në gropën e pesimizmit, të vazhdojë detyrën e tij të shërbimit të besimit dhe të Kuranit.
Zaten përgjatë gjithë historisë, përfaqësuesit e vërtetë të shpirtit trimëror, edhe nën hijen e kryqëzimeve, kanë ditur si ta kryejnë detyrën e tyre, duke mos ia vënë veshin trysnive të ushtruara prej njerëzve mbi krye, e duke e shpërfillur jetën, kanë ditur si të ecin veçse në rrugën që e kanë ditur si më të drejtën. Isai (a.s.) megjithë trysninë dhe padrejtësitë e romakëve, e bashkë edhe me një grup të nxitur prej syresh kundër tij, nuk është frikësuar asnjëherë që ta kryejë detyrën e tij, qoftë edhe kundrejt jetës së vet, derisa është e ka drejtuar vështrimin kah një tjetër gradë jete. Së këndejmi, mund të thuhet se trimëria që ka përfaqësuar ai, është kthyer në një trampolinë që ai të ngjitej drejt atij horizonti, në të cilin gjendet sot.
Ndërsa në tregimin që kalon në suren Kehf, përveç trimërisë së tij, Musai (a.s.) takohet me Hidrin (a.s.) gjatë rrugës, na tërhiqet vëmendja kah një tjetër dimension i trimërisë. [23] E së këndejmi mund të kuptojmë se një tjetër thellësi e trimërisë është hapja drejt thellësive të metafizikës pa u bërë skllav i prangave të fizikes, aq sa ta vazhdosh jetën vetëm duke u ngritur në gradët e jetës së zemrës dhe të shpirtit. Nëse nuk hiqet dorë krejtësisht prej trupores në këtë nivel jetese, duke bërë, që të paktën, jeta të vazhdojë në një vijë nevoje, dëshirat dhe kërkesat e njeriut tërhiqen mënjanë. Andaj, një çështje shumë e rëndësishme që ne kuptojmë prej këtyre tregimeve, është kjo: Besimtarët nuk duhet të mjaftohen vetëm me dijet sipërfaqësore. Ata duhet të rreken që të njohin edhe dijen e thellë, duke vënë në punë zemrën dhe shpirtin e tyre.
Përkushtimi dhe trimëria
Një prej faktorëve më të rëndësishëm të trimërisë është edhe zotërimi i shpirtit të përkushtimit. Domethënë, përkushtimi i vetvetes ndaj idealit tënd, duke i nxjerrë mënjanë të gjitha mendimet që nuk kanë të bëjnë me atë. Një shpirt i përkushtuar duhet të thotë: “Detyra ime parësore, është që sido që të jetë situata, të përhap gjithkah emrin e patëshoq dhe patëmetë.” Ashtu siç është shprehur edhe herë të tjera, në lidhje me disa çështje po të tjera, Emri i Patëshoq dhe Patëmetë është vetvetiu i lartë. [24] Mirëpo, që ai të njihet dhe prej të tjerëve, duhet treguar një përpjekje e pareshtur. Një njeri që i është përkushtuar idealit të vet, të gjitha ndjenjat, mendimet, lëvizjet dhe reagimet e tij duhet të rendin veç pas këtij synimi, dhe herë pas here t’i lutet Allahut falënderueshëm pse Ai ia ka bërë të mundur që të gjendet në këtë rrugë. Asisoj, që ky njeri të jetë i mbushur prej dëshirës për të jetësuar, derisa të fillojë të harrojë edhe rrugën e shtëpisë, apo fytyrat e familjarëve dhe fëmijëve të tij. Mirëpo, le ta shprehim edhe këtë menjëherë, se të gjithë, ndaj të cilëve ai ka disa të drejta, gruaja, fëmijët, prindërit, etj., duhet të përpiqet që t’i kryejë një më një përgjegjësitë e tyre. E kjo është një prej kritereve më të rëndësishme të kësaj rruge.
Trimëria dhe drejtqëndrimi
Përveç përkushtimit, një tjetër çështje shumë e rëndësishme lidhur me trimërinë është të qëndruarit drejt dhe i palëkundur. Çdokush, përballë këtyre ngjarjeve që mund t’i ndodhin, duhet të dijë të thotë: “Po erdhi prej forcës Sate, ashpërsi, ose prej Bukurisë Sate, besnikëri; të dyja, të mira, janë për këtë shpirt, se edhe mirësia dhe shkatërrimi Yt të këndshëm janë.” (Ibrahim Tenuri), e saora të qëndrojë i palëkundur në këmbë.
Ajo që unë dua të them me të qëndruarit i palëkundur është mospërjetimi i kurrfarë paniku prej tij, e kurrsesi që ai të braktisë detyrën që ka mbi supe. Sepse ajo që i ka hije besimtarit përballë Allahut, është që të gjendet përherë i përkulur, sikur të ishte një pikëpyetje. Madje, duke mos u mjaftuar as me kaq, por duke u kapur përdhe duke marrë trajtën e një nyjeje. Sepse nëse njeriu bëhet një hallkë përballë Allahut, atëherë vjen në një gjendje mjaft afër me Të. Kështu që, duhet që këto dy çështje të mos krahasohen me njëra-tjetrën.
Heroizmi i vërtetë: zerimi i vetvetes
Përveçse duhet të tregojnë një performancë dhe trajtë të këtillë, njerëzit që i janë përkushtuar shërbimit të vullnetarëve, duhet edhe që të mos hyjnë nëpër turlifarë dallimesh dhe ndasish. Njerëzit që i fotografojnë ata nga jashtë, përballë sakrificave të tyre, do të thonë: “Fjala prototip nuk mjafton për të shprehur gjendjen e këtyre njerëzve.” Ata do të jenë zotërues të një thellësie të atillë shpirtërore, që edhe sikur mishin t’ua presin me gërshërë, e kokën t’ua ndajnë prej trupit me sharrë, prapëseprapë do të thonë: “Unë nuk kthehem më prej Teje, o Mbulues i të metave.” Megjithatë, përveç këtyre trimërive, ajo që u takon atyre, është vetëdija e brendshme se nuk kanë asnjë lloj ndryshimi prej botës. Madje, mendimi i të qenit ndryshe as që duhet t’u kalojë nëpërmend, e nëse ndodh që t’u kalojë, ata duhet të dinë mjaft mirë se si t’i drejtohen sexhades, sikur të kishin kryer ndonjë mëkat të madh. Përballë të gjitha bukurive që ata përjetojnë, fjalët e tyre janë: “Këto janë frytet e farave që disa të tjerë i hodhën kohë më parë, e mandej kthimi i tyre në kallinj, e tani mijëra kokrra gruri të dala prej atyre kallinjve.” Përpjekjet dhe sinqeriteti i atyre që ishin prapa nesh kanë dhënë këto fryte. Mirëpo përkujdesja për ato fara, ngritja e atyre fidanëve derisa të lëshonin pemë, i ra që të bëhej në këtë kohë. Kështu që, nuk është aspak e drejtë që ne të pretendojmë të qenët ndryshe.” Zaten, nëse një njeri i sheh vetëm te vetja, atëherë jo vetëm që do të jetë duke i bërë një padrejtësi të tjerëve, por edhe një paturpësi karshi Zotit.
Nga ana tjetër, trimëria e bën të domosdoshme harresën e moshës, kokës, përvojës apo arritjeve. Njeriu, nganjëherë prej moshës, nganjëherë prej arritjeve, e nganjëherë edhe prej të treguarit prej të tjerëve me gisht, arrin të mbërthehet prej mendimit se kushedi se çfarë është. Për shembull, përdorimi i disa cilësimeve si prijës, i nderuar, apo i pari ynë, që janë më tepër etiketa respekti ndaj njerëzve që kanë hyrë më parë në këtë rrugë, e që e prijnë këtë çështje, është edhe një domosdoshmëri e edukatës, por edhe një stil, që ua mëson edhe atyre që do të vijnë, vlerën e atyre që kaluan. Patjetër, që pa hyrë në teprimet si mesih, mehdi, kutb, gaus, e pa e lidhur çështjen medoemos me diçka tënden, se respekti i më të vegjëlve ndaj më të mëdhenjve me anë të mirëpandehmës bën të mundur ndërtimin e ekuilibrave të qëndrueshme mes individëve. Mirëpo, njerëzit për të cilët tregoni respekt ju, nëse nuk e kanë kthyer në pjesë të karakterit të tyre “zerimin e vetvetes”, duke u joshur prej pozitave ku të ngrenë këto mirëpandehma, mund të mbërthehen prej gjithfarë ëndrrash. Për shembull, disa prej tyre mund të mendojnë: “Tanimë jam gjashtëdhjetë vjeç. Ka kaq kohë që kaq e aq njerëz më thërrasin “abi”. Vijnë e më përulen, sepse më shohin si mësuesin e tyre. Me sa duket, diç duhet të kem unë.” Ja, pikërisht, të gjitha këto janë mendime mashtruese, të rrezikshme për më tepër, që mund ta çojnë njeriun deri në rrëshqitje, madje edhe deri në rrokullisje. Sepse, domosdoshmëria e përgjegjësisë është diçka krejt tjetër prej realizimit të përvojave. Mirëpo, vështrimi i respektimit të përvojës, zgjuarsisë dhe mençurisë së tij si ndonjë tipar veçantësie në të, është njëkohësisht edhe një mosnjohje caku, por edhe asgjë tjetër veç një paturpësi e shumëfishtë.
Kriteri më i qenësishëm i trimërisë: Thjeshtësia
Thënia “Ji një njeri prej njerëzve.”, e cila i atribuohet Aliut të nderuar, është shumë e rëndësishme për ne. Nëse ndokush dëshiron që të bëhet përfaqësues i shpirtit trimëror, duhet ta lëshojë veten në shpërfillje, në mënyrë që të mos njihet prej njerëzve. Sipas mendimit tim të varfër, kjo është një thellësi esenciale e trimërisë, dhe njëkohësisht një disiplinë tejet e rëndësishme. Unë nuk e arrita dot as jetën e Said Nursiut. Por me aq sa kam dëgjuar prej nxënësve të tij të radhës së parë, ai, për aq sa ishte prijës dhe mësues i tyre, dhe për aq sa ata ishin tejet të dhënë pas tij, ai asnjëherë nuk pretendoi ndonjë gjë prej tërë këtij respekti të treguar karshi tij. Ai e pati quajtur përherë veten “vëllai juaj”, dhe në një vend ku e thekson këtë, shprehet: “Zaten thelbi i profesionit tonë është sinqeriteti. Nuk është marrëdhënia e vendosur mes babait dhe fëmijës, mes shejhut dhe nxënësit të tij. Ato janë ndoshta lidhjet e forta vëllazërore. Edhe po hyri ndonjë gjë në mes, ajo është pozita e mentorit. Por, meqë profesioni ynë është “miqësor”, lidhjet tona duhet të jenë miqësore. E kjo miqësi e sinqertë do të thotë të jesh miku më i ngushtë, shoku më sakrifikues, bashkudhëtari më i vlefshëm dhe vëllai më sypatrembur.” [25]
Edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.), me lidhjen e Tij me sahabët, është shembulli ynë më i mirë dhe mësimdhënës. Ndërsa sahabët fisnikë e njihnin më mirë të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), dhe duke e kuptuar më mirë se si i jepej haku asaj atmosfere, silleshin më me kujdes, më me edukatë dhe më me sqimë ndaj Profetit tonë të dashur (s.a.s.). Për shembull, ndërsa mbante hutbe me zërin e Tij magjepsës, e që kur lexonte Kuran ndikonte edhe në zemrat e idhujtarëve, prej Tij doli një njeri si Ebu Bekri (r.a.), i cili kur hynte në praninë e të Dërguarit të Allahut, futej me supe të mbledhura, dhe në qoftë se do t’i mblidhnim të gjitha fjalët që ka artikuluar në praninë e Profetit (s.a.s.), nuk bëhen as dyqind fjalë gjithsej.
Mirëpo, kush është ky njeri ndaj të cilit tregohet tërë ky respekt i veçantë? Edhe nëse mund të çalojë paksa, përsa i përket kritereve të hadithit, por që e mbështesin të gjithë njerëzit e lartë, Allahu thotë: “Po të mos ishe Ti, nuk e krijoja gjithësinë.” [26] Sepse, qoftë në shpjegimin e librit të universit, qoftë në përmbledhjen e ligjeve të krijimit, që është Kurani Fisnik, Ai ka qenë përherë një mësues i pashoq. Dhe e gjitha kjo ishte vetëm kryerja e detyrës prej këtyre sahabëve; një respekt i këtillë ishte obligim për ta. Po, nëse në një vend prekte këmba e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), jo vetëm njerëzit që gjendeshin të pranishëm aty, por edhe kockat që treteshin nën tokë duhet të ngriheshin prej vendit. Mirëpo, Ai kur shihte ndokënd që çohej në këmbë për Të, i thoshte: “Mos u ngrini në këmbë, siç i ngrihen jobesimtarët të parëve të tyre.” [27] Poashtu, Ai e kryente vetë çdo nevojë të Tijën. Po të ishte nevoja, edhe ushqimin e përgatiste vetë, enët i lante vetë, e poashtu edhe shtratin e rregullonte vet. Por, po të donte, e të hapte paksa derën, të gjithë njerëzit, qoftë nga brenda shtëpisë, apo nga jashtë saj, do të fluturonin për ta ndihmuar. Mirëpo, ai Shpirt i Veçantë nuk i lejonte, duke i kryer vetë të gjitha punët dhe nevojat e Tij. Sepse treguesi i madhështisë tek i madhi është thjeshtësia, ndroja dhe modestia. Ndërsa, kur bëhet fjalë për t’u dukur si i madh, mund të them se ky është një kompleks i njerëzve të vegjël. Sepse të kërkosh që të tjerët të të shohin vetëm ty, të të respektojnë vetëm ty, e që ti pastaj të kesh njëfarë udhëheqjeje mbi ta, kjo është një sjellje që nuk i shkon të mëdhenjve. Dhe Krenaria e Njerëzimit nuk i ka kryer as edhe një herë, qoftë edhe një gjest që të mos i shkonte. Atij i kishin hije aq shumë të gjitha veprimet që kryente, saqë edhe banorët e qiellit kanë qenë xhelozë për gjendjen e Tij, duke e admiruar. Me pak fjalë, përfaqësimi i shpirtit trimëror na është paraqitur si shembulli më i mirë në jetesën e Tij.
[21] Ibni Asakir, Tarihu Dimashk, 39/201, 42/71; edh-Dhehebi,Miz'anu'l-itidal, 5/390; el-Axhluni, Keshfu'l-hafa, 2/488.
[22] Shih: Buhari, tib, 17, 41, rikak, 50; Muslim, iman, 374.
[23] Shih: Kehf, 18/60-82.
[24] Shih, M. Fethullah Gylen, Ümit burcu, fq. 131; Çekirdekten Çınara, fq. 187.
[25] Bediuzaman Said Nursi, Shkrepëtimat, fq. 204. (Shkrepëtima e Njëzetenjëtë)
[26] Aliju'lkari, el-Esraru'l-merfua, fq. 295; el-Axhluni, Keshfu'l-hafa, 2/214.
[27] Ebu Daud, edeb, 152; Ibni Maxhe, dua, 2; Ahmed bin Hanbel, el-Musned, 5/253.
- Publikuar më .